ÇDO JETË ËSHTË E RËNDËSISHME

Lindim të barabartë … marrim rrugëtime të ndryshme

Edhe kur në këtë jetë gjithçka të duket bardhë e zi, mos harro se shumëdimensionalet gjenden diku, përreth teje. Ndonëse ti nuk i sheh, mos mendo kurrë se nuk janë. Mjafton thjesht t’i kërkosh, të marrësh iniciativën për të rrëmuar mbi realitetin, mbi jetën e përditshme, mbi atë që ne shohim vërtet sot, mbi atë që ndiejmë e na bën të jemi vetvetja.

Shpesh rri e mendohem për mënyrën se si ne sillemi e flasim me njëri–tjetrin dhe gjithmonë dal në përfundimin se shoqëria në të cilën jetojmë, ende nuk ka arritur të krijojë atë botën e duhur të mirëkuptimit, të tolerancës e të paqes. E kuptoj gjithmonë e më shumë faktin se jo të gjithë jemi njësoj, të paktën jo të gjithë tregohemi si të barabartë mes të barabartëve.

Zoti kur e krijoi qenien njerëzore, e përfytyroi atë si individin me parime e vlera të rrënjosura thellë në përbërjen e tij. Njerëzit lindën të barabartë, por çuditërisht e njëkohësisht për fatin e keq tonin, filluan të marrin drejtime të ndryshme. Me kalimin e kohës, sinqeriteti, çiltërsia, naiviteti, dashuria që kishin njerëzit për njëri-tjetrin evoluuan, duke u kthyer në të anasjellta jo fort të këndshme. Synimi kryesor u bë ai që të jesh “mbi të tjerët” e të mos ndihesh kurrsesi i mposhtur. Arroganca dhe ambicia i shndërruan krijesat, dikur të pafajshme, në vrasës të ndërgjegjes, të po asaj ndërgjegjeje që ato mbartnin. E kush më mirë se ne di të mbërthejë të vërtetat e dhimbshme?!

Përse vallë i drejtohemi negatives kur pozitivitetin mund ta gjejmë në mjaft skuta të karakterit tonë? Si ka mundësi që pabarazinë qoftë atë gjinore, racore, fetare, kulturore e kemi para syve e nuk kemi guxim ta kundërshtojmë? Ne u bëmë bashkëpunëtorë, u bëmë miq, gjetëm vetveten në mospranimin e grupeve shoqërore e kjo ndodhi padyshim si pasojë e mënyrës së verbër vepruese të po këtyre njerëzve racistë.

Mirësjellja, dashuria, vlerësimi u zëvendësuan tani me ndjenjat e egoizmit, urrejtjes, zilisë që na rrethon më së shumti. Jeta na ka rezervuar shumë të mira, të bukura madje edhe të këqija që na bëjnë të reflektojmë, t’i kristalizojmë më shumë situatat, por kemi qenë me ata të pagabueshmit, të paarritshmit dhe mbase jemi ne ata që nuk duam ta kuptojmë atë botën përtej së bukurës, atë, realitetin e vërtetë. Atë botën e “pakuptimtë” të të varfërve, të lypësve, jetimëve, atyre fëmijëve dhe të mohuarve pa shpresë. Ne jemi rritur mes së mirës, respektit, tolerancës, dashurisë së dhuruar nga familja e të afërmit e tjerë, por dhe mes ndjenjave negative, që shpeshherë na kanë bërë konfuzë për të tashmen e për të ardhmen.

Pa mëdyshje mund të them se shpesh jeta që ne kërkojmë nuk vjen në formën e përsosur që ne duam. Thjesht na duhet diçka për të kuptuar botën e dhembshur. Fare thjesht mund të reflektojmë me anë të një shembulli të rëndomtë.

Teksa kaloj një ditë në qytetin tim, dora e vockël dhe e vobektë e një lypësi jetim, me një fytyrë të pashpresë, me sy të trishtë zgjatet në atë sensin e padjallëzuar fëminor drejt një burri të ashpër në fytyrë. Si gjithmonë përbuzja i kalon kufijtë dhe dashamirësia e burrit në fjalë lë shumë për të dëshiruar. Sa jetë të ndryshme. Lypësi i vogël i veshur me disa rrecka e i uritur pa masë, e njeriu mizor i veshur me një kostum të pastër nuk ka fare mëshirë. Ai ecën drejt duke shikuar shtrembër, sikurse s’ka parë asgjë. A vallë një hije drite nuk mund të përçojë krenarinë e këtyre njerëzve koprracë e të pamëshirshëm.

Drejtohem rreth krijesës së pafajshme dhe lotët e tij hynë thellë në dhembshurinë që ndiej për njerëzimin. Hedh nga larg disa monedha pa dashur të afrohem e pikëllimi të më shtohej akoma më shumë. Ne jemi të njëjtët, të ftohtë e mizorë, por fëmija i braktisur në mëshirë të fatit nuk është i tillë. Ai shpesh është i uritur, në dimër ka ftohtë e një strehë qëndrimi nuk ka. Përkujdesje e dashuri nuk merr nga askush. Kjo është bota ku ne duhet të përcjellim dashuri, ku jo çdo ditë lind diell e shpesh retë e zymta vrasin shpresa, ëndrra e jetë.

Ne jemi të barabartë por me drejtime të ndryshme.

Jonida  Derjaj

 

Rrëfim

Teksa përpiqesha të shfletoja libra, të gjeja shprehje nga autorë të ndryshëm, që do të më ndihmonin t’i sillja një aromë më serioze apo elegante këtij shkrimi, vetë kauza që po më shtynte ta bëja këtë rrëfim është universale, kështu që vendosa të bëj një rrëfim timin, të vërtetin, që të përballemi së bashku jo me unin e të tjerëve, por për të krijuar një mundësi më shumë, për t’u njohur e për të kuptuar se cili është vizioni ynë.

Çdo ditë me sytë tanë shikojmë njerëz pafund, të varfër që ndihen inferiorë ndaj të pasurve, njerëz që suksesin e arrijnë me shpejtësi reaktive e dështakë në depresion, njerëz që Zoti u ka falur begati, paqe e si antitezë e saj edhe të sëmurë të vetmuar. Pyes veten se cila është gjeneza e gjithsecilit prej nesh? Pse kjo botë ofron kontraste kaq të mëdha, kthesa të papritura?

S’është e lehtë për t’u përgjigjur, sepse në thelb të krijimit të njeriut, qëndron një filozofi aspak e zakonshme, që ka mençuri hyjnore, një filozofi e ndërtuar mbi themelet e shenjta të barazisë. Zoti, procesin e krijimit të njeriut e bekoi me një ndjenjë dashurie të njëjtë, me të njëjtën urtësi, mençuri dhe saktësi, pa kurrfarë dallimi. Ndoshta dikush mund të nxitohet dhe të thotë se ku qëndron barazia, kur unë e shumë të tjerë kemi lindur në varfëri. Me të vërtetë, por kjo nuk do të thotë padrejtësi. Krijuesi barazinë nuk e perceptoi vetëm si një koncept hyjnor, por Ai e zbriti atë mes njerëzve, i pajisi ata me dituri, arsye që të mos kompleksoheshin nga ndjenja e paragjykimit, e mospërfilljes, e përbuzjes. Varfërinë, o njeri, nuk do ta shihje si një përçudnim, si një pabarazi, në qoftë se të afërmit, njerëzit e tjerë do të të trajtonin njësoj, me të njëjtën përkujdesje si edhe me të pasurit, nuk do ta shikoje si një padrejtësi nëse ata do të të ndihmonin të dilje nga gjendja e vështirë. Prandaj gishti i akuzës nuk duhet drejtuar gjithmonë lart, ai duhet drejtuar edhe mes nesh, sepse arsyeja që po shtohen gjithnjë e më shumë të varfrit, të vobektit, të braktisurit, tregon se sa shumë po largohemi nga fryma hyjnore që predikon barazi mes racës njerëzore.

Ajo çka e bën jetën e njeriut një gjëegjëzë të bukur apo një përgjigje të vonuar është fati dhe aftësia e tij për t’u ballafaquar me jetën. Çdo ditë përfaqëson një eksperiencë më vete e cila hap shtigje të reja dhe shton një motiv më shumë për t’i dhënë jetës një vizion të ri, një të ardhme që nuk e kemi imagjinuar as në iluzione. Shpeshherë me këmbëngulje, forcën e vullnetit, pasionin për ta shijuar udhëtimin e jetës, njeriu vulos për veten një shpërblim që e meriton ashtu si një karakter i dobët e me vese të rrokullis të përplas pa triumf me çdo vështirësi, pa pasur mundësi të korrigjosh diçka apo të pendohesh. Ashtu si në letërsi në një tragjedi të famshme shekspiriane, ngrihet dilema se është mekanizmi i veprimeve të njeriut apo fati që shënjon të ardhmen e tij, edhe në realitet ekziston një pikëpyetje si kjo, por që për disa njerëz fati është shkopi magjik që ndërhyn dhe i jep trajtën e vet çdo veprimi, ngjarjeje apo historie. Koha na ka dëshmuar për këtë. Neil Amstrongu do të pranonte të përshkonte orbita eliptike në qoftë se do ta dinte që do të kthehej në të alkoolizuar. Bonaparti do të krenohej në rininë e tij të rëndomtë se në të ardhmen do të bëhej komandanti më i madh i Evropës ose Martin Luter Kingu sa herë do ta falënderonte Zotin që ishte ai i përzgjedhuri i historisë për të udhëhequr një nga revolucionet më të mëdha për të drejtat e njerëzve me ngjyrë?!

Njerëzit nuk mund të pretendojnë të jenë të njëjtë, as nuk e besoj se si ata e imagjinojnë diçka të tillë, por kjo nuk do të thotë që të abuzojmë. Kjo do të thotë që luksi është krim kundër njerëzimit, përderisa ka qoftë edhe një njeri që gjendet në nevojë, që spitalet e bukura kanë humbur misionin e tyre humanitar, në qoftë se ka qoftë edhe një të sëmurë në rrugë, që politika është humbësja më e madhe nëse ka ende njerëz që vriten në luftë.

Shpresoj që në këtë fund rrëfimi, t’ia kem arritur qëllimit për të arritur një katarsis shpirtëror, siç thotë Aristoteli: që ta vështrojmë botën me një tjetër largpamësi.

Sabina Dedej