Këtu po flasim për disa sekuenca të shkëputura nga jeta e sahabëve, për faktin se umeti ynë është larguar nga vlerat dhe civilizimi islam. Që ta bëjmë këtë, na lipset që tu tregojmë njerëzve mbi vlerat dhe thesaret e kësaj feje. Herë pas here, ne kemi nevojë të shohim pas, atje, në historinë tonë të parë, në të shkuarën tonë të largët me qëllim që të përmirësojmë të tashmen. Me këto copëza nga jeta e tyre prezantojmë një njohje më nga afër me përmasën e të qenurit sahab i të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), të cilën e garanton larmia e vetëm e disa ngjarjeve të treguara në të.

Kur sahabët vuanin nga uria

Një ditë, Ebu Xhihadit, njërit prej sahabëve të Profetit (a.s.), i afrohet pranë i biri dhe i thotë: “Babai im i dashur, ju e keni parë të Dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem) dhe shumë herë keni pasur edhe mundësi që të bisedoni me të. Për Zotin, sikur unë ta kisha parë Profetin, qoftë edhe njëherë të vetme, ç’nuk do të kisha bërë!” I ati e dëgjoi dhe i tha: “Biri im, frikësoju ndëshkimit të Allahut dhe fol drejtë! Të betohem për Allahun, se më kujtohet shumë mirë njëherë: Ajo natë e asaj dite kur u zhvillua Lufta e Hendekut, ishim të gjithë pranë të Dërguarit të Allahut. Ai na pati thënë: “Kush shkon deri në afërsi të armikut dhe merr informacione e na i sjell, në ditën e kiametit, Zoti do ta marrë atë dhe do ta sjellë menjëherë si komshi timin në Xhenetin e amshuar!” Kur asnjëri prej atyre që ishin të pranishëm nuk u ngrit dot, nga uria dhe të ftohtit, i Dërguari i Allahut e përsëriti tri herë premtimin e Tij dhe, në fund, tha: “Shko ti, o Ebu Hudhejfe.”

Ibni Mesudi (radijallahu anh) na tregon: Profeti ynë (salallahu alejhi ue selem) i pa njëherë mirë fytyrat e të gjithë të pranishmëve, në të cilat lexohej uria që kishin ata sahabë të tij dhe u tha: “Po ju jap një sihariq! Shumë shpejt secilit prej jush do t’u shtrohen enë plot shkëlqim, me dollmë e me mish.” Sahabët, të habitur, thanë: O i Dërguari i Allahut, ‘domethënë, kur të vijë ajo ditë, ne do të jemi shumë më mirë se sa sot’.” I Dërguari i Allahut tha: “Përkundrazi! Kjo gjendje e juaja sot është më e mbarë për ju, se sa gjendja në të cilën do të jeni në atë ditë!”

Muhamed bin Sirini ka thënë: “Kishte kohë të atilla, që ndonjë nga sahabët e Krenarisë së Gjithësisë, kalonin tri ditë njëra pas tjetrës, e ai nuk arrinte të gjente dot asgjë për të ngrënë, aq sa gjente ndonjë lëkurë kafshe dhe e skuqte dhe me të hiqte urinë. Po të mos e kishte as këtë, atëherë merrte ndonjë gur dhe e lidhte fort pas barkut, për të mos e ndierë urinë.”

Edhe kjo nuk ishte parë

Meka u çlirua….

Deri atë ditë kishte jetuar me sy mbyllur larg Islamit për shkaqe të ndryshme. Menjëherë pas çlirimit erdhi tek Profeti ynë, paqja qoftë mbi të dhe u bë mysliman. Megjithëse i biri, Ebu Bekri, ishte i pari mysliman nga burrat, Ebu Kuhafe, babai i tij, i cili deri atë ditë kishte jetuar i verbër jo vetëm fizikisht por edhe shpirtërisht, erdhi e deklaroi pranimin e Islamit.

Ishte i verbër, i vjetër, e kishin sjellë nga larg për të pranuar Islamin. Profeti e lavdëroi dhe u tha: “E keni munduar plakun. Po të më kishit lajmëruar, I shkoja deri në shtëpi dhe e pranoja dëshminë e tij.”

Ka një person që e kishte ndihmuar shumë Profetin, paqja qoftë mbi të, njëkohësisht dhe gjendjen shpirtërore të tij, por që nuk kishte hyrë kurrë në rrethin e Islamit, Ebu Talibi. Sidoqoftë…

Ebu Kuhafe, duke thënë shehadetin me dëshirë shumë të madhe, në prani të Profetit, paqja qoftë mbi të, shpalli kthimin në mysliman. Të thënët e shehadetit të atit në një anë…Në anën tjetër, djali i tij, Ebu Bekr, nuk i mban dot ngashërimet. Vazhdon ashtu në një kohë.

A nuk e di Profeti i Allahut? A nuk e njeh ai atë burrë? A nuk e lavdëron atë mik? Për këtë mik dhe për këtë miqësi sakrifikonte shpirtin:

“O Ebu Bekr! Pse po qan? Shih babain tënd që u bë mysliman. A duhet të mërzitesh, apo të qash nga gëzimi?”

“O I Dërguari i Zotit! Ajo që më bën të qaj është kjo: Ju u munduat dhe ç’nuk bëtë që Ebu Talibi të bëhej mysliman. Ai nuk u bë ashtu siç donit ju. Dhe për këtë jetonit dhe jetoni me zemër të thyer. Tani, në këtë moment që babai im pranoi Islamin dhe u bë mysliman, do të doja shumë që në vendin e tij të ishte Ebu Talibi dhe t’ju gëzonte dhe ju të mos jetonit më i mërzitur për këtë. Ja, kjo më bën të qaj.”

Ç ‘ishte kjo besnikëri?! E bekuar qoftë jeta që jetuat dhe lotët që derdhët. Sa jetë të ëmbël dhe paqësore që jetuat! Nuk di a e morët gjithë mirësinë e kësaj bote me vete dhe na latë neve vetëm pjesën e hidhur? Jo, jo nuk është kështu.

Ai që do e që kërkon, mund të zotërojë besnikëri, dashuri, e lidhje aq të fortë në jetë, saqë do i bënte edhe engjëjt ta kishin zili. Me ndihmën e Allahut, dëshiroj shumë për veten time dhe brezin tim që Allahu i Madhëruar të na japë një ndjenjë dhe karakter të tillë.

Lotët e Hz. Omerit

Transmetohet se një ditë xhumaje në hutbe, kur Hz. Omer (r.a.) këndoi nga Kur’ani ajetet:

“Kur dielli të mblidhet dhe të humbë shkëlqimin, kur yjet të rrëzohen dhe malet të lëvizin tutje, kur devetë barrse të braktisen dhe egërsirat të tubohen, kur detet të vlojnë dhe shpirtrat të bashkohen (me trupat), kur foshnja e varrosur për së gjalli të pyetet për çfarë faji ishte vrarë, ku fletoret të shpërndahen dhe qielli të zhvishet, kur xhehenemi të flakërojë dhe xheneti të afrohet, atëherë çdokush do të marrë vesh çfarë kishte përgatitur (për këtë Ditë)”[1],

nisi të qajë aq shumë, saqë nuk mundi të vazhdojë më tej.

Njeriu që i ruante fëmijët nga harami

Ishte një baba që i donte fort fëmijët e tij. Çdo mëngjes kur ngrihej herët për të shkuar në xhami, mundohej të mos bënte zhurmë që të mos zgjonte fëmijët. Në xhami e ndëgjonte me ëndje Profetin kur këndonte Kur’an dhe dilte i fundit nga xhamia.

Mirëpo u bënë disa ditë që nuk po vepronte më kështu. Sapo në namazin e sabahut Profeti jepte selam, i bënte lutjet me të shpejta dhe dilte prej xhamie pa e dëgjuar Kur’anin. Kur kjo gjëndje vazhdoi disa ditë Profeti e thirri dhe e pyeti:

  • Ti vije në xhami më përpara se të gjithë dhe dilje i fundit. Por u bënë disa ditë që vjen në xhami i fundit dhe del i pari. Sikur jashtë të shqetëson një punë që duhet ta mbarosh shpejt. Babai edhe i turpëruar, por edhe i dëshpëruar filloi t’i tregonte shkakun:
  • O i dërguari i Allahut! Jemi në një stinë të nxehtë kur hurmat piqen dhe degët e tyre mbërrijnë deri në tokë. Dhe degët e hurmës së komshiut tim varen në oborrin e shtëpisë sime. Natën nga pjekja, këto hurma bien pikërisht në kopshtin tim dhe kam frikë se fëmijët e mi zgjohen kur unë jam ende në xhami dhe hanë nga hurmat. Për këtë arsye dal më shpejt nga xhamia që fëmijët e mi mos të hanë nga këto hurma që janë haram për ne. Unë i kam premtu Allahut që nuk do t’u jap fëmijëve ushqim nga harami. Kjo është edhe arsyeja që dal herët nga xhamia, mbledh hurmat dhe ia hedh komshiut nga muri. Në këtë mënyrë edhe komshiun nuk e shqetësoj, edhe fëmijët e mi i shpëtoj nga harami.

Ky sahab është Ebu Derda, Profeti ynë lutet për të dhe e përgëzon për këtë veprim.

Njeriu larg smirës

Profeti (a.s.) ndodhej në praninë e një grupi besimtarësh dhe bashkëkohësish. Kishte tri ditë rrjesht, që ai u bënte të njëjtën pyetje shokëve: Tani do vijë mes nesh, një burrë nga banorët e xhenetit.” Personi për të cilin Profeti (a.s.) thoshte këtë fjalë, nuk ishte dikush që dallohej për shumë punë të mira, tepër i veçantë apo të ishte ndonjë nga shokët e tij më të ngushtë. Abdullah ibn Omer, kureshtar për atë që e kishte bërë këtë person një nga banorët e xhenetit që në këtë botë, shkon në shtëpinë e tij me qëllim që të zbulojë shkakun. Ai qëndroi në shtëpinë e tij tri ditë rresht, por nuk vërejti diçka të veçantë dhe madhore që e bënte të fitojë një privilegj të tillë. Ai ishte një mysliman i zakonshëm, falte namazet farzë e synetet çdo ditë dhe nuk kishte asgjë tjetër të veçantë. Ditën e tretë, Abdullahu e pyeti:

“Kam dëgjuar të dërguarin e Zotit të thotë për tri ditë rresht:“Tani do vijë mes nesh, një burrë nga banorët e xhenetit.” Dhe ai person je ti. Çfarë pune të mirë ke vepruar dhe vepron, që ke fituar një privilegj të tillë? Burri iu përgjigj:

“Për Zotin, nuk veproj asgjë më shumë nga ato që ke vënë re këto tri ditë.” Atëherë, Abdullah ibn Omer u largua. Burri, u mendua pak mbi një vepër të veçantë që mund të bënte dhe i thirri Abdullahut:   “O Abdullah! Eja se do të tregoj atë që më ka bërë të fitoj këtë gradë dhe privilegj!” Kur Abdullahu u afrua ai i tha:

“Nuk veproj asgjë më shumë se ato që pe, veçse nuk ia kam me hile asnjë besimtari dhe nuk kam zili e smirë askënd që Zoti i ka dhënë privilegje e të mira.” Atëherë Abdullah ibn Omeri i tha: “Është pikërisht kjo, ajo që të dalloi dhe të bëri nga banorët e xhenetit që në këtë botë.”

Përkushtim i vërtetë

Ebu Bekri kishte një shërbëtor që i sillte çdo ditë ushqimin, të cilin gjithmonë e pyeste se me ç’para e kishte blerë atë ushqim dhe pastaj hante. Një ditë, i lodhur nga vapa e shumë i uritur, nisi të hante pa pyetur. Pas pak shërbëtori i tha që atë ushqim e kishte marrë si shpërblim për një fall që kishte bërë para se të bëhej mysliman.

“Për pak sa s’më shkatërrove”, i tha Ebu Bekri dhe futi gishtat në fyt për ta vjellë atë që kishte përcjellë, por me gjithë mundimet, kafshata nuk doli. Kur ata që ndodheshin aty pranë i thanë se mund t’i dilte vetëm me ujë, ai kërkoi t’i sillnin një tas ujë. E piu dhe filloi ta villte. Më në fund e nxori dhe e flaku.

“Të mishëroftë Allahu”, i tha shërbëtorit.

“Gjithë ky shqetësim vetëm për një kafshatë?” e pyetën ata.

“Edhe sikur të ishte duke më dalë shpirti, unë prapë do ta nxirrja atë kafshatë”, u përgjigj Ebu Bekri, duke kujtuar që njëherë Profeti Muhamed i kishte thënë:

Një trup që rritet e zhvillohet me ushqim haram, e ka vendin në zjarr”. Prandaj u frikësova se mos ndonjë qelizë e trupit tim rritej nga ajo kafshatë”.

O vëlla i dashur! A është e nevojshme që të shtojmë gjë tjetër? Si je? Ku je? Cili është materiali dhe natyra e gurëve të themelit në trupin tënd? A e ke menduar ndonjëherë?  Të dhëntë Allahu drejtësi dhe zgjuarsi për të kuptuar!

Një kriter tjetër

Halifi i dytë, Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, ndërsa po udhëtonte një ditë me shokët e tij, pa që drejt tyre po vinte një grua plakë, ajo i tërhoqi dorën Halifit dhe kaluan mënjanë të bisedonin. Halifi si shenjë dashurie e ngrohtësie i hodhi asaj krahun mbi shpatulla. Kishte përkulur kokën e ia mbante veshin pranë gojës, duke pritur në këmbë me orë të tëra plot respekt nën diellin përvëlues.

Nga ana tjetër shokët që po e prisnin…Në të njëjtin pozicion…Nën diellin përvëlues…

Gruaja plakë i thoshte hallin, i shpjegohej, dukej që edhe zemërohej ndonjëherë dhe i fliste Halifit me një gjuhë të ashpër. Kur iu mbush mendja, ia lëshoi dorën dhe iku në punën e saj. Hz. Omer u kthye pranë shokëve.

Njëri nga shokët i tha: “O prijësi i besimtarëve! Sot nuk bëre mirë. Le edhe veten, por edhe neve në diell. A s’qe e mundur që t’ia zgjidhje problemin shpejt e shpejt asaj të moshuare e të vije pastaj?”

Kur dëgjoi këto fjalë, Hz. Omeri u step dhe tha: “Keq për ty! A s’e njeh këtë grua? Ajo është gruaja, hallin e të cilës Allahu e dëgjoi përtej shtatë qiejsh, pa ia thyer zemrën. Edhe sikur kjo grua të mos ma lëshonte dorën deri natën vonë e të më mbante në të njëjtin pozicion, betohem që prapë nuk do kisha kërkuar leje për t’u larguar. Do shkoja të falesha e prapë do shkoja ta dëgjoja”.

Ç’ia jepte prijësit të myslimane këtë ndjenjë? Ç’e bëri kryetarin e qeverisë që të priste për një grua të vjetër në diell pa u ankuar fare? Po ne, ç’kriter duhet të ndjekim? Çfarë duhet të themi, përse dhe si duhet të sillemi, të duam e të veprojmë?

Mbikëqyrësi suprem

      Hz. Omeri (r.a.) e kishte dërguar Hz. Muadhin (r.a.) si nëpunës të mbledhjes së zekatit (lëmosha vjtore për të pasurit) në fisin Beni Kilab. Muadhi (r.a.) zekatin që mblodhi aty, ua ndau të varfërve. Madje edhe kafshën me të cilën udhëtonte, ia dha një nevojtari. Prandaj, përveç postiqes që kishte mbi kafshë, nuk i kishte mbetur gjë tjetër.

Hz. Muadhi (r.a.) pasi kreu detyrën që kishte, mblodhi postiqen mbi supe dhe u nis për në Medine. Me atë pamje prekëse mbërriti në shtëpinë e tij. Gruaja po e priste dhe pyeti:

“Nëpunësit kur kthehen nga detyra, u sjellin dhurata familjarëve të tyre. Ku e ke dhuratën tënde? Nuk na ke sjellë asgjë?!”

Muadhi i përgjgijet: “Pranë meje qëndronte një ruajtës i sigurte që më kontrollonte. Prandaj atë që mora nga të pasurit, ua ndava të varfërve dhe nuk mora dot asgjë si dhuratë as për vete, as për ju”.

“Ti njiheshe si një njeri i besueshëm edhe nga i dërguari i Zotit, paqja qoftë mbi të, edhe nga Ebu Bekri (r.a.). Si është e mundur që Hz. Omeri (r.a.) të vendosë një vëzhgues që të kontrollojë? Dhe iu ankua disa grave për Hz. Omerin (r.a.), i cili kur i dëgjoi këto fjalë, e thirri Hz. Muadhin (r.a.) pranë dhe e pyeti:

“Unë paskam dërguar dikë që të të kontrollojë?!” Hz. Muadhi (r.a.) iu përgjigj:

“O i Pari i Besimtarëve! Vetëm me një justifikim të tillë munda të shpëtoja nga gruaja ime, që priste dhuratë prej meje”.

Hz. Muadhi (r.a.) me kontrollues të tillë nënkuptonte Allahun e Madhëruar. Por ngaqë nuk ishte shprehur hapur, gruaja e tij e kishte kuptuar sikur ai vëzhgues ishte një nëpunës i shtetit.

Me të vërtetë, Ata Shpirtra të Lartë ishin me besim të përsosur, bënin punë të lavdërueshme dhe ruheshin si nga mëkatet, ashtu dhe nga gjërat e dyshimta. Njerëzit e tillë, ashtu si i kërkojnë kënaqësitë vetëm brenda rrethit të lejuarës, ashtu dhe çdo qetësi dhe lumturi përpiqen ta gjejnë brenda këtij rrethi. Nderi që kanë marrë nga besimi dhe Islami, nuk i afrohen. Si përfundim edhe vetë janë të qetë, edhe njerëzit që i rrethojnë janë të qetë.

Besnikëria e Ebu Bekrit (r.a.)

Hz. Ebu Bekri ishte një njeri i pasur dhe i nderuar që merrej me tregti. Ishte një person që i ndihmonte të varfrit e të dobëtit. Në kohën kur iu shpall detyra e profetësisë, Muhamedit (s.a.s.), ai gjendej në Jemen për qëllime tregtare. Kur u kthye, Ebu Xhehli, Utbe bin Muait dhe të parët e tjerë të kurejshëve, e rrethuan menjëherë, sepse e dinin që ai ishte shoku më i ngushtë i Muhamedit (s.a.s.).

  • Ç’të mira kemi? A ka ndonjë lajm të ri në Mekë? Iu drejtua atyre Ebu Bekri.
  • Muhamedi ka shpallur pretendimin se është profet, ia kthejnë idhujtarët.
  • Këtë, vetë Muhamedi e ka thënë? U tha Ebu Bekri.

Pasi merr përgjigjen “po”, thotë: “Nëse e thotë ai vetë, është e vërtetë” dhe vrapon menjëherë drejt tij. Pasi e gjeti Profetin (s.a.s.) dhe mësoi që ishin të vërteta ato që thuheshin, pa vonuar dëshmoi shehadetin. Kur numri i myslimanëve shkoi në 38, Hz. Ebu Bekri me myslimanët e tjerë shkuan në Qabe, duke i ftuar njerëzit të besojnë në Zotin që është Një. Idhujtarët e rrahën derisa i ra të fiktë. Kur e sollën në shtëpi dhe u përmend, pyetja e parë e tij ishte: “Çfarë i ndodhi të Dërguarit të Allahut?” Edhe pse këmbëngulën që të hante e të pinte, ai u tha: “Pa parë atë, nuk bëj asnjë gjë.” Dhe në atë gjendje, duke u mbajtur për krahësh nga të afërmit, shkoi të shihte të dërguarin e Allahut (s.a.s.).

Për çfarë përgjigjeni po?

Gjatë besëlidhjes së Akabes, medinasit që kishin ardhur për të dhënë besën, para se ta jepnin atë, Abbasi (xhaxhai i Profetit), i cili akoma s’ishte bërë mysliman u thotë:

– O medinas! Duke bërë besëlidhje me atë (s.a.s.), merrni kundër jush bizantinët, iranianët dhe fiset tuaja. Përgjigjuni “po”, nëse do ta mbroni si shpirtin tuaj dhe nëse pasurinë tuaj do ta jepni me dëshirë në rrugën e tij! Mendoni për çfarë përgjigjeni dhe pastaj vendosni! – u tha.

Medinasit e pyetën Profetin tonë (s.a.s.):

  • Nëse po, ç ‘është fitimi ynë?

Profeti iu përgjigj:

  • Shpëtoni në ahiret, në këtë çështje s’kam ndonjë fitim tjetër për ju.

Medinasit që ishin aty nga thellësia e zemrës thanë “po”, duke dhënë kështu besën.

Çështja është mjaft e qartë. Detyrimet që sjell besimi është në të njëjtën kohë lumturia e përjetshme. Sahabët e pranuan Islamin duke e ditur dhe e dashur atë. Në rrugën e fesë ata sakrifikuan pasuritë dhe shpirtrat e tyre. Historia është dëshmitare se asnjë nga sahabët nuk është ankuar për sakrificat që ka bërë, për fëmijët që ka humbur, apo për pasuritë e shpenzuara, sepse ata i hynë kësaj rruge me vetëdije të plotë dhe të sigurt në shpërblimin e Zotit.


[1] Tekuir, 81:1-14

Dorian Demetja

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here