Toleranca dhe harmonia ndërfetare në Islam, shohim se buron nga Kur’ani dhe Tradita Profetike e Hz. Muhamedit (a.s.). Në këtë artikull do të trajtojmë tolerancën dhe harmoninë në traditën profetike. Një prej shembujve më interesant të tolerancës së Profetit Muhamed (a.s.), është statuti i privilegjeve të të krishterëve, dhënë nga Profeti (a.s.) për murgjërit e Manastirit të Shën Katerinës.

Statuti i privilegjeve ka qenë nderuar dhe zbatuar me besim të plotë nga gjithë myslimanët nëpër shekuj dhe nëpër të gjithë tokat ku ata sunduan.

Profeti Muhamed (a.s.), si komentator legjitim i Kur’anit, i shpjegoi më gjerësisht parimet dhe idealet kur’anore, për tolerancën dhe lirinë e besimit dhe me shembullin e vet vuri në jetë dhe i bëri traditë praktike edhe për brezat pasardhës.

Duke i quajtur hebrenjtë dhe të krishterët “Dhimijj” – “të mbrojturit”, d.m.th. ata që në shtetin ku sundojnë myslimanët sipas Islamit, e ka për detyrë t’i mbrojë, Profeti (a.s.) tha:

“Kush torturon një dhimijj, unë jam armik i tij dhe atë armiqësi do ta shfaq edhe në Ditën e Gjykimit.”

Në një letër që ua dërgon hebrenjve dhe të krishterëve të Nexhranit, Profeti (a.s.) thotë:

“Nexhrani dhe fqinjësia e tij, nga Zoti dhe profeti i Tij Muhamed e kanë të mbrojtur – pasurinë e tyre, kishat e tyre dhe gjithçka që kanë në pronësi”.[2]

 

Nga Hutbeja (ligjërata) e lamtumirës

Fjalimi i njohur i lamtumirës i Profetit (a.s.) i ka përmbledhur mësimet islame për veprimet e qarta e të drejta ndaj njerëzve, më vonë ajo do të bëhet një deklaratë e paprecedentë për të drejtat e njeriut. Gjatë kohës së Haxhit të fundit (Pelegrinazhit islam) dhe pak para se të ndërronte jetë, Profeti (a.s.) tha:

“O njerëz, dëgjoni ç‘do t’ju them, sepse nuk e di se a do të takohemi në këtë vend pas këtij viti.

Me të vërtetë, gjaku juaj, pasuria dhe nderi juaj janë të shenjta për ju, derisa të takoheni me Krijuesin tuaj, ashtu siç është e shenjtë kjo ditë, në këtë muaj dhe në këtë vend. O njerëz, ju keni një Krijues dhe një të parë. Të gjithë jeni pasardhësit e Ademit, e Ademi është prej dheut. Nuk është i pranueshëm kurrfarë dallimi në mes jush. Nuk ka përparësi arabi ndaj joarabit, as joarabi ndaj arabit! I bardhi nuk është më i mirë se i ziu, as i ziu më i mirë se i bardhi. E vetmja gjë e rëndësishme është devotshmëria personale…

Jini të mëshirshëm ndaj njëri-tjetrit. Ju jeni vëllezër e motra në mes vete. Mbështeteni njëri-tjetrin sikurse tullat dhe ashtu mbajeni të fortë ndërtesën e bashkësisë suaj.

Bëhuni të drejtë dhe ruajeni shpirtin tuaj nga padrejtësia e dhuna.

Mos mbillni urrejtje, veç dashuri…”.[3]

Janë pikërisht këto fjalë që themelojnë kushtetutën islame, e cila ndalon gjakmarrjen, racizmin, padrejtësinë dhe dhunën.

Ndërsa se si është zhvilluar kjo tolerancë praktikisht, mund të përmenden dy shembuj nga jeta e Profetit Muhamed (a.s.):

Shembulli i parë: Në zenitin e fuqisë së tij, në kohën kur ushtarët e tij ngadhënjimtarë hynë në Mekë si çlirimtarë, në vendin ku ai dhe pasuesit e tij, njëzet vjet me radhë pësuan tortura dhe u detyruan të braktisin atë vend, Muhamedi (a.s.), ndonëse i fuqishëm si një prijës, me butësinë dhe mirësinë e tij, qëndroi pranë Qabes. Me mijëra shpata të zhveshura ishin duke pritur hakmarrjen mbi kurejshët (idhujtarët) dhe duke i shikuar armiqtë më të këqij të Islamit, Ebu Sufjanin dhe gruan e tij Hindin, të cilët masakruan trupin e Hamzait, xhaxhait të Profetit, ishin duke shikuar Ikrimen, të birin e Ebu Xhehlit dhe Safvanin dhe … pikërisht atëherë Muhamedi (a.s.) i pyeti:

O kurejshë! Ç’mendoni se do t’ju bëjmë juve sot?” Ata të gjithë e njihnin shëmbëlltyrën dydimensionale të Muhamedit (Isain, Jezusin e mëshirshëm dhe hidhërimin e pezmatuar të Musait). Ata panë mëshirën në sytë e tij dhe iu përgjigjën: “Ti je vëllai ynë i madh”. Atëherë, me një zë plotë falje dhe mirësi të ngrohtë ai u tha: “Shkoni! Të gjithë jeni të lirë!”

Rasti i dytë: Një delegacion i të krishterëve të Nexhranit kishte shkuar në Medine dhe atje kishte zhvilluar diskutime të gjata me Profetin (a.s.) në xhami. Gjatë kohës së takimit të tyre, të krishterët kërkuan pushim për kryerjen e riteve të tyre fetare, por nuk dinin se ku mund t’i kryenin ato. Muhamedi (a.s.) e kuptoi shqetësimin e tyre dhe i ftoi të kryejnë (meshën) shërbesën e tyre fetare në xhami, në njërin nga vendet më të shenjta të Islamit. Ky është një shembull i tolerancës, zemërgjerësisë dhe mirëkuptimit, i ofrimit të vendit të shenjtë për lutje, i cili në të ardhmen do të bëhet normë e sjelljes islame.[4]

Këtë praktikë të Muhamedit (a.s.) do ta ndjekin më vonë edhe kalifët dhe drejtuesit e parë myslimanë pas vdekjes së tij, të cilët në pajtim me dispozitat e Sheriatit dhe porosive profetike, do të japin shembuj të shumtë të tolerancës fetare.

Ebu Bekri, kalifi i parë, pason shembullin e Muhamedit (a.s.) në fushën e tolerancës, marrëdhënieve ndërnjerëzore e humanitetit, madje edhe në kohën e luftës. Ai porositi Usame bin Zejdin, para se të nisej për Siri, të sillej njerëzishëm me të nënshtruarit, t’i linte të qetë në kënaqësitë e begative të tyre.

“Mos i shkelni zotimet tuaja, mos përdorni hipokrizitë, mos e teproni në të drejtat tuaja. Mos i gjymtoni kufomat, mos i digjni të mbjellat, mos flijoni as dash, as deve, që të ushqeheni ju. Nëse në rrugë takoni priftërinj, murgj ose fetarë që soditin, i lini të lirë dhe mos i shqetësoni.”[5]

Pas Ebu Bekrit në krye të shtetit islam do të vijë kalifi Umer bin Hatab, i cili konsiderohet ndër udhëheqësit më të denjë në historinë islame dhe simbol i zbatimit të drejtësisë dhe tolerancës.

Në dokumentet që Umeri u kishte dhënë banorëve të qytetit të Jeruzalemit, Elionit dhe qyteteve tjera, u kishte garantuar të drejtën e lirisë personale, paprekshmërinë e pronës, paprekshmërinë e kishave, të tempujve,të manastireve, etj.

Ky prijës i madh edhe para se të vdiste nuk harroi ta këshillojë trashëgimtarin e vet për sjelljen e mirë ndaj jomyslimanëve, që jetonin në shtetin mysliman. Në këtë testament ai kërkoi që me jomyslimanët të veprohet drejtë dhe sipas dispozitave të së drejtës së Sheriatit.

Kjo frymë e tolerancës do të vazhdonte gjatë gjithë historisë së kulturës dhe të qytetërimit islam. Në të gjitha periudhat e zhvillimit do të përsëritej shpirti tolerant i Profetit dhe i kalifëve, si në aspektin teorik, ashtu edhe në atë praktik.

Tetëdhjetë vjet pas vdekjes së Profetit (a.s.), myslimanët kishin ngritur një shtet të fuqishëm, i cili shtrihej që nga kufiri indian, nëpër Azi dhe Afrikë, përgjatë brigjeve jugore të Mesdheut e deri në Oqeanin Atlantik në Andaluzi, shkruan shkrimtari Lion Fojhtvanger, në romanin e tij “Çifuti i Toledos”. Ai theksonte:

“Zotërinjtë e rinj sollën me vete një kulturë të pasur dhe e kthyen atë vend në më të bukurin, në më të rregulluarin dhe në më të popullarizuarin e Evropës.

Myslimanët u treguan të butë ndaj të mundurve. Për të krishterët e tyre ata përkthyen Ungjillin arabisht. Hebrenjve të shumtë… u dhanë barazi qytetare. Nën pushtetin e Islamit, hebrenjtë në Spanjë bënin një jetë të lumtur e të kamur si kurrë ndonjëherë më parë…”[6]

Edhe në jetën familjare kemi shembullin e martesës së Profetit (a.s.) me Safijen, e cila ishte nga një familje hebreje. Profeti i thotë asaj, që askush s’të detyron të pranosh Islamin, por nëse zgjedh Allahun dhe Profetin e Tij, unë të marr për bashkëshorte. Dhe ajo zgjedh Islamin dhe bëhet gruaja e tij. E kur e tallën disa si bija e hebreut, kur e mori vesh Profeti (a.s.) i tha asaj: “Pse nuk i the atyre, babai im është Musai (Moisiu) dhe xhaxhai Haruni (Aroni)?”[7] Ashtu është edhe rasti i Rejhanes, një nga bashkëshortet e Profetit (a.s.), e cila rridhte nga një familje hebreje, si dhe Maria, një grua egjiptiane, që rridhte nga një familje e krishterë.

Marrëveshja e Hudejbijes

Në vitin e gjashtë të emigrimit të tij, Profeti Muhamed (a.s.) i pati dhënë fjalën t’i dërgonte në Mekë për Umre sahabet e tij, që ndodheshin në një tendosje të plotë metafizike. Profeti mori me vete rreth 1.400 shokë dhe u nis për rrugë.

Kurejshët ishin të vendosur t’i pengonin myslimanët të futeshin në Mekë edhe sikur për këtë t’u duhej të përdornin armët dhe ashtu vepruan. Ushtria e tyre kishte pushtuar kullotën Beladin. Një njësit prej dyqind vetash nën komandën e Halid bin Velidit dhe Ikrime bin Ebu Xhehlit kishte përparuar dhe kishin zaptuar zonën.

Në pamje të parë, aktet e marrëveshjes dukeshin krejt në dëm të myslimanëve, por duke u nisur nga përfundimi, Kur’ani e përshkruante këtë si një fitore.

Suhejli (përfaqësuesi i mekasve) do ta quante sukses të madh të vetin çdo lëshim që do të shkëpuste nga Profeti Muhamed (a.s.), prandaj nuk druhej të ngrinte edhe çështjet më të vogla.

Për shembull, ai qysh në fillim e kundërshtoi fjalinë me të cilën fillonte marrëveshja: “Bismil-lahi Rrahmani Rrahim” (Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit). Ai nguli këmbë të shkruhej: “Bismike’ll-llahumme” (Me emrin e Zotit tonë). Profeti Muhamed (a.s.)e pranoi.

Kundërshtimi i dytë i Suhejlit ishte për atributin “Resulullah” (i dërguari i Allahut). Ai tha: “Po të kishim pranuar se ti je i dërguari i Allahut, s’do të ishte nevoja për një marrëveshje të tillë!” Profeti (a.s.) i tha Aliut, që po bënte punën e shkruesit, ta fshinte fjalën “Resulullah” dhe të shkruante “Muhamed bin Abdil-lah” (Muhamedi i biri i Abdullahut). Pas një ngurrimi, Aliu e bëri ndryshimin.

Pothuajse të gjitha aktet e marrëveshjes u bënë shkak për debate të gjata. Suhejli thoshte se, po të mos shkruhej siç donte ai, nuk do të hidhte firmën në marrëveshje, kurse Profeti, duke u nisur nga rezultatet e mëdha që do të sillte ajo marrëveshje, për shumicën e kërkesave të Suhejlit thoshte “Po”!

Kështu Profeti Muhamed (a.s.)arriti që me anë të tolerimit në disa pika dhe kërkesa të mekasve, të mund të hapte rrugën për një paqe të qëndrueshme. Megjithëse për shumicën e myslimanëve, nenet e kësaj marrëveshjeje ishin diskriminuese, Profeti (a.s.) arriti të shikonte përtej horizonteve drejt së ardhmes. Po të vërehet me kujdes, ai toleron në disa pika mjaft të rëndësishme për myslimanët; pranon që atë vit të mos bëhej umreja, gjë që pranohej me vështirësi nga shokët e tij, të cilët për një kohë kaluan tronditje shpirtërore.

Një pikë tjetër mjaft e vështirë për besimtarët, do të ishte se nëse dikush do të kërkonte të largohej nga Meka për në Medinë, nuk do të lejohej, kurse, po qe se dikush do të kërkonte të largohej nga Medina për në Mekë, nuk do të pengohej. Kjo do të thoshte që mekasit myslimanë apo jo, që do iknin në Medine, do t’u ktheheshin prapë kurejshëve.

Me këtë sjellje Profeti i tregoi botës në kohën kur nuk njihej toleranca dhe as mëshira apo lëshime të tjera të shikojnë ngjarjet me syrin e të gjithëve.

Siç shihet, në pamje të parë, të gjitha aktet e marrëveshjes dukeshin në dëm të myslimanëve. Sidomos akti që parashikonte ekstradimin e myslimanëve te kurejshët, i lëndonte shumë shokët e Profetit!

Kurse në fakt me paqen e Hudejbijes, garantohej që, për dhjetë vjet, kurejshët nuk do të përbënin shqetësim për myslimanët. Kjo periudhë dhjetëvjeçare kishte rëndësi jashtëzakonisht të madhe për myslimanët.

Një tjetër përfitim për anën e myslimanëve ishte se ata u njohën me Islamin në paqe. Kështu marrëveshja e Hudejbijes siguroi vajtje-ardhjet e dyanshme mes Mekës dhe Medinës. Gjer në paqen e Hudejbijes nuk kishte komunikim mes dy anëve. Por kur u lidh paqja, filluan vajtje-ardhjet nga të dy anët. Jeta në Medinë i magjepste ata. Prandaj Hudejbija ishte një triumf para triumfit të Mekës!

Si rrjedhojë e kësaj paqeje, të gjitha fiset dhe tributë filluan ta pranonin se Profeti (a.s.) dhe shteti-qytet që përfaqësonte ai, zotëronin mundësitë për të bërë marrëveshje me tërë personat apo entet politiko-ekonomike përreth. Ashtu siç ndodh sot që, kur themelohet një shtet i ri, ka nevojë të njihet zyrtarisht nga shtetet e tjerë, për rrjedhojë, të fitojë legjitimitet të cilin e përdor në vijim, si referencë në marrëdhëniet ndërkombëtare, ashtu dhe duke lidhur marrëveshjen e Hudejbijes, Profeti siguronte njohjen e myslimanëve dhe të shtetit të tyre. Në qoftë se i njihnin kurejshët, pse të mos i njihnin edhe fiset e tjera? Kështu aktet e njohjes ndoqën njëri-tjetrin!

Ja pra kjo ishte dashuria e Profetit (a.s.) për paqen, mirëkuptimin, harmoninë, bashkëjetesën, respektin, dashurinë, zemërgjerësinë dhe faljen, norma të cilat janë ndaj të gjithë njerëzimit dhe sot duhet të përbëjnë jo vetëm nenet e kushtetutave të botës, por edhe norma të realitetit të përditshëm shoqëror.

Dr. Genti Kruja

[1] Zahur, Dr. A. Hak, Dr. Z., gazeta “Drita Islame”.

[2] Grup autorësh, libri “Simpoziumi Ndërkombëtar-Profeti Muhamed-Mëshira dhe dashuria universale”, Botimet KMSH, Tiranë, 2007: 109.

[3] Ramiq, Dr. J., “Hutbe të zgjedhura të Muhamedit (a.s.)”, Botimet KMSH, Tiranë, 2008: 100.

[4] KMSH, libri “Simpoziumi Ndërkombëtar-Profeti Muhamed-Mëshira dhe dashuria universale”, Botimet KMSH, Tiranë, 2007: 109.

[5] Kruja, Genti, “Shqiptarët përballë sfidave të mirëkuptimit ndërfetar”, Prizmi, Tiranë, 2008: 96.

[6] Po aty, 97; shih: Fojhtvanger, L., “Çifuti i Toledos”, përkth. Robert Shvarc, Tiranë, 1962.

[7] Canan, Prof. Dr. Ibrahim, Diyalogun dini ve tarihitemelleri, Isik, Stamboll, 2006:121.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu