COVID-19 dhe qasja Profetike

 

Situata në të cilën gjendet vendi ynë këto ditë por edhe e gjithë bota mbarë, e sunduar nga pandemia botërore e coronavirus, është një situatë mbi të cilën në mënyrë të drejtpërdrejtë apo indirekte janë të prekur të gjithë. Për shumë nga ne është një situatë e veçantë dhe e panjohur, por bota ka kaluar shumë të tilla dhe me pasoja shumë të rënda për njerëzimin.
A mund të parandaloheshin këto situata, a mund të merreshin më tepër masa mbi shmangien e këtyre epidemive, a mund të bënte me tepër mjekësia parandaluese, ne nuk do të qëndrojmë mbi këto tema, por do të sjellim një pjesë të kënvështrimit Profetik mbi çështjen, do të përmendim shkurt se si Profeti ynë (a.s.) e bënte këtë analizë që nga njohja e problemit, masat mbrojtëse dhe menaxhimi i problemit.

Ekzistencën e mikrobeve në ditët e sotme ne mund ta shikojmë shumë thjeshtë me anë të mikroskopit. Kemi shumë njohuri dhe informacion rreth tyre. Dimë që disa nga këto mikrobe kanë aftësinë që mund të çojnë deri në sëmundje fatale vdekjeprurëse. Ndërkohë ekzistencën e këtyre mikrobeve e gjejmë që herët në thëniet e Profetit Muhamed (s.a.s). Në një hadith të transmetuar nga Ebu Musa El-Eshari (r.a.) Profeti ynë (s.a.s.) thotë: “Ummeti im zhduket me shpatë dhe taun.” Shokët e tij e pyesin: “Ne e njohim shpatën o i Dërguar i Allahut; por çfarë është taun? “Zotëria ynë ua përshkruan kështu: “Është i fshehtë për syrin ashtu siç është edhe xhindi, godet në fshehtësi pas shpine si armiku. Prej tyre fitohet sevapi i shehidit (dëshmorit).” (Ebû Davud, Müsned). Profeti ynë (s.a.s.) bëri disa sygjerime për mbrojtje nga sëmundjet infektive, si dhe pastrimin e trupit dhe mjedisit. Kur e shikojmë në dritën e këtij informacioni, shohim se Zoteria ynë (paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi të) ishte i pari që përshkroi mikroorganizmat. Ai theksoi se murtaja është një agjent i dëmshëm që nuk mund të shihet me sy të lirë, përhapet në fshehtësi, dhe karantina është e nevojshme për të parandaluar përhapjen e sëmundjes. Ai gjithashtu nënkuptoi që këto lloj mikrobesh transmetohen në trupin e njeriut nga jashtë.

Profeti (s.a.s.) jep disa këshilla për parandalimin e përhapjes së këtyre mikrobeve

Vendos dorën, kur të hapet goja
Shumica e sëmundjeve të mushkërive shkatohen prej infeksioneve të cilat mund të merren me anë të mikrobeve të marra nga rrugët e frymëmarrjes. Mikrobet që gjenden në ajër në momentin që marrim frymë thellë nëpërmjet bronkeve zbresin në mushkëri dhe kjo mjafton të bëhet shkak për sëmundje. Zotëria ynë (s.a.s.) këshillon: “Kur dikujt nga ju i hapet goja, të vendosë dorën para gojës.” (Ebu Davud, Muslim, Musned) Gjatë hapjes së gojës, duhet të mbyllim gojën në mënyrë që mikrobet të mos kalojnë bajamet dhe të vendosen tek qeset e ajrit. Kështu, në këtë mënyrë, ne parandalojmë sëmundjet që mund të transmetohen në traktin e sipërm dhe të poshtëm të frymëmarrjes me anë të ajrit.

Distanca ndaj infeksionit
Në shekullin XIX, pasi grimcat e pluhurit dhe mikroorganizmat u panë me mikroskop, të kuptuarit e distancës midis pacientit dhe njerëzve të shëndetshëm u përfshi në bazat e mjekësisë. Për herë të parë në historinë e mjekësisë, Zotëria ynë (s.a.s.) për çështjen e distancës midis pacientëve do të shprehej: “Shmanguni nga të sëmurët me lebrozë sikur të shmangeshit nga kafshët grabiqare. Kur levra zbret në një luginë, ju ikni në një luginë tjetër. Mos i vizitoni vazhdimisht pacientët me lebrozë. Kur të flisni me ta, duhet të ketë një distance prej një ose dy shtiza midis jush dhe atyre.” (Musned, Ibn-i Maxhe). Sot, autoritetet mjekësore rekomandojnë që kjo distancë të mos jetë më e vogël se 70-80 cm.

Karantina
Gjatë historisë, miliona njerëz kanë vdekur nga murtaja (taun), ethet, malarja dhe sëmundje të ndryshme virale që kërcënojnë njerëzit, duke shkaktuar vdekje masive. Përhapjet masive që kanë ardhur në shekujt e kaluar, gjithmonë mbahen mend me tmerr. Le të dëgjojmë fjalët e Profetit tonë (s.a.s.) në lidhje me këtë: “Nëse dëgjoni se ka një sëmundje taun diku, mos shkoni atje. Nëse dëgjoni se ka një sëmundje taun aty ku jeni ju, mos dilni nga atje për të shpëtuar nga sëmundja.” “Një person i cili largohet nga kjo karantine në këtë vend ka mëkatuar si ai që largohet nga lufta. Ai i cili vdes duke qëndruar aty ku e kishte origjinën taun ka shpërblimin e shehidit (martirit).” (Ebu Davud, Musnad). Profeti (s.a.s.) e përshkroi karantinën me kuptimin e saj të plotë dhe garantoi zbatueshmërinë e saj me thëniet e mësipërme. Ai e krahasoi personin që largohet nga karantina me këdo që dezerton nga lufta dhe u kujtoi njerëzve pasojat e arratisjes nga lufta. Profeti ynë (s.a.s.) rekomandoi karantinën për të parandaluar njerëzit e sëmurë të infektojnë te tjerët me sëmundjet e tyre, si dhe të ndalojnë bashkimin e kafshëve të sëmura me kafshë të shëndetshme. Në një transmetim të hadithit profetik thuhet: “Kafshët e sëmura, nuk duhet të bashkohen nga pronarët e tyre me ato që janë të shëndetshme“. (Buhari, Muslimi, Ebu Davud). Për secilën epidemi si taun, malarja, fruthi etj., pavarësisht nga lloji i epidemise, Zotëria ynë (s.a.s.) urdhëron e thotë: “Të afruarit me çdo sëmundje përmban rrezik“. (Ebu Davud). Pra ai (s.a.s.) vendos edhe një herë theksin e kujdesit që duhet të kemi ndaj çdo lloj epidemije, virusi apo sëmundjeje.

Përcaktimi i detyrave të duarve
Profeti ynë (s.a.s.), dorën e djathtë e përdorte për të ngrënë dhe për punë të pastra, ndërsa e përdorte dorën e majtë për të pastruar papastërtitë. ( Ebu Davud). Nëse pastroni kokën, gojën, hundën dhe lëkurën me dorën e majtë të kontaminuar, ju padashur ndotni zona të pastra, gjë që është kundër parimeve shëndetësore. Kur shqyrtohet historia e mjekësisë, kuptohet që Zotëria ynë (s.a.s.) është emri i vetëm që bën ndarjen e detyrave për duart tona. Ai rekomandoi të përdorni dorën e majtë në të gjitha punët e papastra dhe dorën e djathtë në punët e pastra. Profeti ynë (s.a.s.) pëlqente të fillonte gjithmonë nga e djathta me pastrimin, krehjen apo edhe veshjen e këpucëve (Buhari, Muslimi). Dhe me dorën e majtë duhet të prekim mbeturinat e trupit, ose organet nga të cilat ato burojnë. Kështu, ne nuk kontaminojmë pjesë të pastra të trupit me mikroorganizma që shkaktojnë sëmundje.

Teshtitja, mbulimi i gojës
Ebu Hurejra (r.a.) tregon: “Kur Profeti (s.a.s.) teshtiu, ai vendosi dorën dhe një pjesë të rrobës së tij në gojë dhe u përpoq të ulë zërin e tij.” (Ebu Davud). Ky veprim i Zotërisë tonë (salallahu alejhi ue selem) është një sjellje e mrekullueshme që frymëzohet nga një lloj zbulese hyjnore, si kërkesë e urtësisë hyjnore, për të mbrojtur njerëzit në mjedise nga sëmundjet infektive. Në transportimin e ushqimeve, sidomos ato që janë të hapura mund të infektohen me mikrobe me anë të mizave, insekteve, ajrit nëpërmjet teshtimave apo kollitjes.

Mbulimi i enëve të ushqimit
Fakti që enët e ushqimit dhe pijeve të jenë të mbyllura dhe të pastra është gjithashtu shumë e rëndësishme për shëndetin. Në të vërtetë, Profeti Muhamed tha: “Mbyllini dyert (ndërsa shtriheni për të pushuar në mbrëmje). Mbulojini enet e ujit. Kthejeni enët boshe me kokë poshtë! Mbuloni enët e mbushura dhe fikni dritat! Sepse krijesat e dëmshme nuk e hapin derën e mbyllur. A nuk janë minjtë që mund t’ju shkatërrojnë shtëpitë e njerëzve?!” (Buhari, Muslimi, Müfred). Ai (s.a.s.) rekomandon që enët e zbrazëta të kthehen përmbys ose kapakët e tyre të mbyllen, në mënyrë që asgjë të mos mund të futet në to. Nëse dikush kollitet në shtëpi, ata infektojnë enët e hapura. Gjithashtu, enët e ushqimit dhe pijeve duhet të mbahen të mbyllura për të parandaluar ndotjen bakteriale me kafshët shtëpiake, mizat, insektet dhe brejtësit.

Të mos pini ujë duke mbështetur gojën në enë
Profeti ynë (s.a.s) gjithashtu e ndaloi këdo që të pijë në një enë ku mund të pijnë edhe të tjerët. (Buhari, M. Aliyye, en-Nihaya, Ibn Kajimi, Musnad). Nëse personi që pi ujë ka infeksione të traktit të sipërm dhe të poshtëm të frymëmarrjes, ai mund ta infektojë të gjithë enën dhe lengun që përmban ena.

Të mos ndoten rrobat me jashqitje
Profeti ynë (s.a.s) i kushtoi vëmendje të madhe pastërtisë së rrobave. Ai paralajmëroi që mikrobet si urina dhe gjaku mund të riprodhohen lehtësisht në rroba. Në një hadith sherif, Profeti ynë (s.a.s) thotë: “Kur dikush nga ju të ndërrojë abdes në fushë, të ketë një vend të butë në mënyrë që urina e tij të mos kërcejë mbi rroba” (Gümüşhanevî, Nesîmî). Profeti ynë (s.a.s.) ka treguar shumë përpikmëri dhe ndjeshmëri në mënyrë që rrobat të mos ndoten me urinë. Në ditet e sotme mund të themi që kjo gjë është shumë më e mundur të arrihet me anë të kushteve të përmirësuara që njeriu i sotëm ka, mjafton kujdesi i treguar.

Gjaku i groposur në tokë
Për rritjen e mikroorganizmave ka nevojë për karbon i cili ndodhet te polisakaridet, vaji, proteina, azoti, enzima, squfuri (në strukturën e koenzimës dhe proteinave), fosfori, oksigjeni, hidrogjeni, kaliumi, magnezi dhe hekuri. Meqenëse këto janë të gjitha në gjak, gjaku përdoret në mjeksi për të pasuruar shumë formula të ndryshme. Gjaku ndihmon që mikrobet të riprodhohen më lehtë dhe më shpejt. Profeti ynë (salallahu alejhi ue selem) terheq vemendjen ne lidhje me këtë temë. Në një ngjarje përshkruhet kështu duke këshilluar njerin prej shokëve të tij, Abdullah b. Zubejrin (r.a.). “Ejani, hiqeni këtë gjak! Groposeni në tokë në mënyrë që të mos prekin njerëz, qen apo grabitqarë.” (Kubra Hâkim, Keşfül ummal, F. Kadir M. Aliye). Përveç ndjeshmërisë së tij të lartë ndaj pastërtisë, qëllimi më i rëndësishëm në këtë rekomandim është të tërheqë vëmendjen për faktin se meqenëse gjaku është një vend i përshtatshëm për riprodhimin e mikrobeve duhej bërë parandalimi në përhapjen e mikroorganizmave përmes kafshëve apo kontakteve te tjera.

Pastrimi i hundëve dhe sekrecioneve
Profeti ynë (salallahu alejhi ue selem): “Nëse dikush prej jush në xhami, pastron hundët ose sekrecionet, duhet t’i pastrojë ato pa prekur tek lëkura apo rroba e tjetrit.” (Muslimi, Buhariu, Muslimi, Nesai). Ai gjithashtu rekomandoi nëse keni sekrecione duhet që ato t’i pastroni dhe groposni në tokë. Me groposjen në tokë nënkupton një vend ku nuk do të prekin njerëzit dhe kafshët. I vetmi vend ku këto mikrobe që gjenden në këto sekrecione të kthehen në baktere të dobishme është toka.

Tharja e kënetave
Profeti ynë (paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të) deklaroi se duhet të punohej me kënetat që ato të mos ktheheshin në burime sëmundjesh, veçanërisht nga malarja. Kur Hz. Aishja arriti nga Meka në Medine, thotë që Medina ishte vendi me më shumë sëmundje në rajonin arab. Profeti ynë (s.a.s.) dha rekomandime për tharjen e luginës së Buthanit (Buhari, Muslimi, Dârimi, Mâce, K.Ummal, Ramuz, L. Ukul).

Groposja në tokë e pjesëve mbartëse të mikrobeve
Hz. Aishja (r.a.) tregon: Profeti Muhammed (s.a.s) urdhëroi të groposen në tokë shtatë gjëra që ndahen nga trupi i njeriut. Këto janë: flokët, thonjtë, gjaku që rrjedh, gjëndrat menstruale të grave, dhëmbët, gjaku i mpiksur, placenta (Xh. Sagir, F. Kadir, Kenz’ul Ummal).Profeti ynë (s.a.s) është këshilltari i parë i cili rekomandon groposjen e sidomos ketyre katër gjërave: gjaku dhe mpiksja e gjakut, flokët dhe thonjtë sepse këto janë një medium për rritjen e mikrobeve që shkaktojnë shumë sëmundje te njerëzit dhe kafshët.

Mosndotja e ambjenteve
Ashtu si çdo musliman e mban shtëpinë e tij të pastër, duhet të mbajë pastër dhe ambjentin përreth tij, gjithashtu edhe burimet e ujit. Profeti ynë (s.a.s.) i ka dhënë një rëndësi të veçantë pastrimit të ambjentit përreth dhe muslimanët i kanë dhënë gjithmonë rëndësi kësaj praktike. Ai (s.a.s) e ndaloi urinimin poshtë pemëve, hijeve, burimeve të ujit, ujërave të ndenjur, në rrugë, fole kafshësh dhe në vendstrehime të kafshëve. (Muslimi, Buhariu, E. Davud). Profeti ynë (salallahu alejhi ue selem) dikur tha: “Mos u bëj nga ata që janë mallkuar“. Kur sahabët pyetën: “Kush janë këta?” Profeti ynë tha: “Ata që urinojnë dhe ndotin rrugët, hijet, anët e ujit dhe nën pemë.” (Muslimi, Mace, M. Zevaid, Faik). Kështu, ai (s.a.s.) deklaroi se ata që ndotin ambjentet e përbashkëta me pështymë, sekrecione të hundëve, urinë dhe feçe do të bëhen “lanet” në këtë botë dhe në botën tjetër. Ai (s.a.s.) dëshironte të eleminonte gjithçka që dëmtonte njerëzit dhe e konsideronte atë si një nga degët e besimit.

Izolimi i kafshëve me sëmundje ngjitëse
Profeti ynë (salallahu alejhi ue selem) nuk e pa të përshtatshme rritjen e kafshëve të sëmura në vende ku kishte grumbullime njerëzish siç ishte rasti i Haxhit dhe Umres. Njëkohësisht ai (salallahu alejhi ue selem) urdhëroi që të mos mbani qen, përveç qenit të gjuetisë, qenit të bariut dhe qenit të bujqësisë (Buhariu, Muslimi).

Përgatitja e ushqimit në një mënyrë që nuk shkakton sëmundje
Kur ushqimet shtazore përdoren pa u gatuar siç duhet, ato mund të shkaktojnë helmim. Produktet e detit të pa gatuara mirë, mbeturina të aparatit tretës dhe urinës së kafshëve, produkte të mishit te gjallë të pagatuar, prekja e kafshëve dhe moslarja e duarve ose frymëmarrja në ambientet me mikrobe bëhet shkak për sëmundje të tilla si tifoja, enterokoliti, pneumonia, murtaja, bruceloza, meningjiti. Për t’u shmangur nga këto sëmundje, mishi duhet përgatitur ashtu siç ka urdhëruar edhe Zotëria ynë. Ai (s.a.s.) në Haxhin e Lamtumirës, pasi u prenë kurbanet urdhëroi: “O Sevban! Merrni masa që mishi të mos mbajë erë dhe të gatuhet mirë.” (Muslimi, E. Davud, S. Kubra, K. Ummal).

Kujdesi i përdorimit të ambjenteve të përbashkëta të tilla si pishina dhe hamami
Njerëzit të cilët vuajnë nga sëmundje të ndryshme, sidomos nga sëmundjet e lëkurës nuk duhet të pranohen në ambjente të tilla si banjot turke (hamamet) dhe pishina. Në kohen e Profetit a.s, në Arabi nuk kishte hamam. Sidoqoftë, ai (salallahu alejhi ue selem) si një lajm nga gajbi thotë: “Një vend i panjohur për ju do të çlirohet së shpejti për ju. Aty do të gjeni shtëpi që quhen hamame. Atje burrat të mos futen pa rrobë, dhe gratë e sëmura ose ato që nuk kanë lindur të mos futen.” (S. Kubra, M. Mace, Bagdadi). Kjo sepse kishte rrezik që gratë e shëndosha të mund të merrnin ndonjë rrezik nga hamami. Profeti ynë (s.a.s.) në lidhje me mosfutjen e burrave në banjë pa rroba ka thënë: “Kush beson në ditën e Ahiretit të mos futet pa rrobë në hamam.” (Bagdadi, Nesai, Müsned). Urdhëron ndalimin e hapjes së pjesëve private në ambjente të përbashkëta, për të shmangur imoralitete që mund të shkaktohen.

Sa u përmendën më lart, jane veçse disa pika uji në detin e madh të profetësisë. Sigurisht që nëse do të zbatoheshin rregullat e sjella nga Profeti ynë (salallahu alejhi ue selem), asnjë prej epidemive në histori nuk do të kishte ndodhur. Në fakt, edhe Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) pretendon se i njëjti rezultat do të arrihet me zbatimin e rregullave të pastrimit. Sidoqoftë, rregullat e sjella nga Islami bëjnë të mundur një jetë të pastër. Islami ka zbritur si fe që formon mënyrën me te mire të jetuarit midis njerëzve. Të gjithë njerëzit kanë të drejtë të jetojnë në një mjedis të paster. Gjithashtu edhe për njerëzit të cilët jetojnë në vende të mbipopulluara, në vende ku ka organizime të mëdha shoqërore, udhëzimet dhe këshillat që ka dhënë Zotëria ynë (paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të) do të mjaftonin deri në Kiamet. Shpresojmë që me të vërtetë njerëzimi të kuptojë atë të cilit i janë dhënë çelësat e kuptimeve të kësaj bote dhe botës tjetër, Ahiretit. Ai i cili është mësuesi i dy librave të cilët shpjegojnë të njëjtën të vërtetë por me gjuhë të ndryshme, Libri i Universit dhe Kur’ani. Ku edhe njeriu i sotëm do të ishte në harmoni me vetveten, do të ishte në harmoni me shoqërinë, do të ishte në harmoni me mjedisin, do të ishte në harmoni me natyrën e krijimit që ka vendosur Krijuesi i Gjithësisë, i Cili na vendosi në këtë shtëpi të madhe të njerëzimit.
Receta mjekësore për një shekull të sëmurë, për një komb të sëmurë dhe për një gjymtyrë të sëmurë, është ndjekja e Kur’anit.

Edison Hoti