Vajza e vogël, teksa ecte përbri nënës së saj, u ndal përnjëherësh. Një biçikletë në rrugë i tërhoqi vëmendjen. Në të kishin hipur një burrë dhe e bija, e cila kishte pak a shumë të njëjtën moshë. Vajza ishte ulur mbrapa, sipër një ndenjëseje të vogël. Ajo mbahej fort pas të atit për të mos u rrëzuar. Fjalët që thoshte herë pas here i ati, duke kthyer kokën prapa, e bënin vogëlushen të qeshte.
Ndërsa vajza e shikonte nga pas biçikletën, e ëma i tha:
– Mesa duket biçikletat që ke në shtëpi të duken pak, por nëse të pëlqeu, babai të blen edhe një si kjo.
– Unë nuk po shikoja biçikletën, por vajzën, – ia ktheu vajza e vogël me zë të butë. – Edhe në atë pozicion madje, i ati po bisedonte me të.
E ëma sikur nuk e dëgjoi aspak të bijën. I rregulloi kapelën që mbante mbi kokë dhe i tha:
– Shokët e tu për të shkuar në shkollë ecin në këmbë, kurse babai yt, edhe pse i duhet të shkojë në punë, i rezervon disa minuta për të të çuar ty me mercedes.
Sytë e vajzës ishin përqendruar te biçikleta. Gruaja vazhdoi përsëri me qesëndi:
– Po deshe, edhe ty mund të të çojë babi me biçikletë, apo nuk i shkon?!
Vajza, teksa mundohej të fshihte nga e ëma lotët që i rridhnin si margaritarë, iu përgjigj:
– Sa shumë do të doja! Mbase ashtu do ta shtrëngoja fort babin tim.