I Gjithëmëshirshmi i ka mësuar atij (njeriut) të folurit e qartë.

(Surja 55 : 1, 4)

 

Ju, të dashur fëmijë, me siguri i përdorni drejt shenjat e pikësimit – pikën, presjen, pikëpresjen, dy pikat, pikëpyetjen, pikëçuditjen etj. Shumë mirë! Bukur! Sepse ndryshe, nuk do të thoshit atë që dëshironit. Ja, t’ju japë xhaxhi një shembull. Kur habitemi për diçka të lartë, themi “Sa e lartë është” dhe në fund vëmë pikëçuditjen (!). Po kjo fjali mund të përdoret për të pyetur: “Sa e lartë është” dhe në fund vëmë pikëpyetjen. Pra, dy mendimet tona shprehen njëlloj me fjalë. Ç’i dallon ato? Vetëm shenja e pikësimit – pikëçuditja dhe pikëpyetja dhe kur flasim,  – zëri ynë, ulja dhe  ngritja e tij. Pra, mos e ngatërroni pikëpyetjen me pikëçuditjen! As presjen me pikëpresjen! Kur vëmë presje, bëjmë pushim të shkurtër në lexim; kur vëmë pikëpresje, pushimi ynë është më i gjatë. Por, jo sa te pika. Te pika pushimi është i gjatë. Pika, siç e dini, dallon pohimin nga pyetja e nga habia; shihni, p.sh., fjalitë: Ai nuk vjen sot nga Durrësi. Ai nuk vjen sot nga Durrësi? Ai nuk vjen sot nga Durrësi!

Për përdorimin me vend të pikës e në përgjithësi, të shenjave të pikësimit, xhaxhi do t’ju tregojë një rrëfenjë të hershme. Por më parë, do të doja t’ju thosha dy fjalë për historinë e shenjave të pikësimit. Pikësimi është shpikje e kohëve të vonshme. Ju, mbase nuk e dini: Shkrimi e ka zanafillën nga vizatimet në rrasa guri etj. gjatë gjysmës së dytë të shekullit të katërt para erës së re. Pra, mjaft herët. Por as format më të thjeshta të shenjave të pikësimit nuk u përdorën deri vonë. Shenjat e pikësimit, që përdoren sot janë zhvilluar shumë ngadalë, madje, ato nuk u vendosën plotësisht deri në shekullin XVI.

Tani t’jua tregoj atë rrëfenjën? Po? Mirë, atëherë. Po jua tregoj, siç e kam dëgjuar nga mësuesi, kur kam qenë edhe unë kështu i vogël sa ju. Mbaj mend që patëm bërë diktim dhe disa nxënës kishin vënë gabim disa shenja pikësimi. Ndryshe  nga herët e tjera, mësuesi nuk i mori një për një fletoret e të na thoshte gabimet. I vuri ato në tryezë. Pastaj, largoi pak karrigen e doli përpara klasës. “Dëgjoni me vëmendje!, – tha mësuesi. Do t’ju them një rrëfenjë. Do ta dëgjoni rrëfenjën, – vijoi ai, – pastaj do ta ritregoni”. Dhe nisi: “Na kishte qenë njëherë një mbret. Një mbret mizor, shumë i egër e shumë i pamëshirshëm, vrasës e gjakatar. Mbreti kishte dënuar me vdekje sa e sa njerëz të varfër, të cilët kishin kërkuar të drejtat e tyre, kishin kërkuar tokë e bukë për vocërrakët e tyre. Ishte dënuar e priste ditën e pushkatimit edhe një burrë i gjatë, i dobët e i thatë, por me një fytyrë e me një buzëqeshje të ëmbël. Mbërriti fermani i mbretit te shkruesi (tani, shkruesit i themi sekretar ose sekretare, kurse fermani ishte urdhër me shkrim shkresë). Shkruesi, pra, sekretari do ta rishkruante dhe do ta përcillte urdhrin te skuadra e pushkatimit. Urdhri thoshte: “Falje e pamundur. Të pushkatohet!”. Kuptohet, – vijoi mësuesi, – burri i gjatë, i mirë e i pafajshëm kishte kërkuar që mbreti ta falte. Po ku falte mbreti! E tërë klasa lëshoi një ofshamë të gjatë, një “oh” të thellë, që shprehte njëherësh dhembjen tonë dhe lutjen tonë, për të mos e vrarë atë njeri të mirë. Ne ishim përhumbur e hutuar. Ai ishte tregim, por ne na dukej se njeriu që do të vritej, ishte diku afër, na dukej se mësuesi që dinte gjithçka, duhej ta njihte edhe mbretin dhe mund t’i lutej ta shpëtonte. E, me siguri, mbreti e dëgjonte fjalën e mësuesit, se ishte mësues! Në këtë çast e kishim harruar fare atë fjalinë e parë të mësuesit. “Na kishte qenë njëherë një mbret”, pra, që kishte qenë një mbret njëherë e një kohë, dikur, jo sot. Në të vërtetë, edhe mësuesi e kishte harruar se qe tregim i moçëm, sepse qe ngrysur i tëri në fytyrë. Me siguri, edhe ai përjetonte dhembjen për njeriun e dënuar. “E mori shkruesi fermanin e mbretit, – vijoi mësuesi, – dhe nisi ta kopjonte, pra ta shkruante përsëri, për t’ia përcjellë skuadrës së pushkatimit. Në ferman, – siç ju thashë, – shkruhej: “Falje e pamundur. Të pushkatohet!”. Mësuesi lëvizi pak përpara e ngriti kokën. “Shkruesi, – vijoi ai, – ndërroi vendin e pikës – nga nxitimi, apo ngase iu dhimbs njeriu i pafajshëm e deshi ta ndërronte, – këtë nuk e dimë, – shtoi mësuesi. Dhe shkruesi shkroi: ‘Falje. E pamundur të pushkatohet’.” Mësuesi shqiptoi fort fjalën pikë pas fjalës falje. Tani, mësuesi u çel në fytyrë, mori një pamje të gëzuar, i qeshi fytyra. “Dhe njeriu i pafajshëm nuk u pushkatua”, – tha mësuesi dhe mori frymë lirisht. Ne, e gjithë klasa, siç qemë të shtangur e të mbërthyer pas syve e pas buzëve të mësuesit, lëshuam në një zë një “oho” kënaqësie dhe fill, menjëherë, në çast, prapë në një zë pyetëm mësuesin: “Vërtet, mësues?! Vërtet?! Vërtet, për një pikë shpëtoi ai njeriu i mirë?” Ishim gati të vraponim të gjithë njëherësh e ta përqafonim mësuesin nga gëzimi, por në klasë nuk lëvizet. “Vërtet, – tha mësuesi, – prerazi, por ëmbël. Për një pikë. Nga një pikë”. Dolëm nga klasa, ashtu të magjepsur e të lumturuar, por edhe me merakun për të mos gabuar asnjëherë te shenjat e pikësimit.

Të dashur fëmijë! Ju do të bëheni shkrimtarë a mjekë, pilotë a shoferë, barnatorë a matematikanë, gazetarë a tregtarë, inxhinierë a deputetë, bujq a agronomë, veterinerë a sekretarë e kushedi çfarë  tjetër, e pse jo, edhe udhëheqës. Allahu na ka mësuar të folurit e qartë. Por nuk mund të ketë të folur të qartë pa të shkruar të qartë. Prandaj i kini kujdes shenjat e pikësimit! Mos gaboni te pika! As te presja! Tek asnjëra shenjë a pikësimit!

Hajri Shehu

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu