DOBITË E MEVLUDIT

Në këto ditë ne përjetojmë një nga evenimentet më madhështore Islame me të cilin krenohet dhe gëzohet çdo mysliman, përjetojmë një nga festat më të lumtura Islame, ku secili besimtar çdo vit lumturohet shpirtërisht. Ky është mevludi (ditëlindja) e Profetit tonë të nderuar, mësuesit dhe edukatorit tonë të respektuar, udhëheqësit dhe imamit tonë të dashur për të gjitha zemrat e sinqerta të besimtarëve. Muhamedi, i biri i Abdullahit (Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të!), duke qenë vula e mbarë të Dërguarve dhe Profetëve, shndriti gjithë rruzullin tokësor me shembullin e tij konkret në të gjitha aspektet e kësaj jete materiale. Allahu (xh.sh.) thotë në Kur’anin e shenjtë: “Ju e kishit shembullin më të lartë në të dërguarin e Allahut, kuptohet, ai që shpreson në shpërblimin e Allahut në botën tjetër, ai që atë shpresë e shoqëron duke e përmendur shpesh Allahun”. (Ahzab: 21)

Është e pamundur që në këtë artikull të përshkruhet dhe të flitet për një burrë kaq të madh Islam, për këtë figurë të nderuar për të gjithë njerëzit dhe krijesat në këtë botë materiale. Megjithatë, le të mundohemi të hedhim sadopak dritë mbi këtë zotëri, i cili jo vetëm që është nderuar, respektuar dhe është ndjekur rruga e tij profetike nga myslimanët në përgjithësi, por, siç dihet realisht, ai nderohet dhe vlerësohet edhe nga ithtarë të besimeve të ndryshme, të cilët i japin merita për të gjitha çështjet dhe respektohet me nderim nga dijetarë dhe shkencëtarë të mëdhenj, nga politikanë dhe filozofë të shquar, nga akademikë dhe letrarë të njohur të botës. Në të vërtetë lindja e këtij njeriu madhështor ishte shpëtim për mbarë njerëzimin, si: në çështjen e besimit, adhurimit, moralit,  sjelljes etj. Këtë e zgjodhi vetë Krijuesi i gjithësisë me dëshirën e Tij absolute, sipas parametrave hyjnorë dhe jo njerëzorë. E ngarkoi me një përgjegjësi të madhe dhe të vështirë, në një kohë që njerëzia ishte zhytur në rrugën e besimit të gabuar, në adhurimin e statujeve  dhe fenomeneve natyrore, në udhën e prishjes së etikës dhe të veprave destruktive antinjerëzore. Ai gjeti para vetes sundimtarë që krijesat e Zotit xh.sh. i kishin bërë shërbëtorë dhe skllevër pa gëzuar asnjë të drejtë njerëzore. Erdhi në një kohë që morali kishte rënë përtokë, luftërat dhe konfliktet ishin përhapur tej mase, i forti mundte të dobëtin, i pasuri shfytëzonte të varfërin, pra me një fjalë nuk ekzistonte asgjë njerëzore dhe asnjë ndjenjë shpirtërore. Kështu me shembullin e tij të lartë dhe të përsosur arriti t’i kthejë njerëzimit rrugën e vërtetë Islame,  rrugën e përparimit dhe të shpëtimit. Pra, le të marrim shembullin e këtij reformatori të madh, të ecim sipas rrugës së tij në ibadet, i cili arriti gradën më të lartë duke mos lënë anash aktivitetin e jetës së përditshme, siç është thirrja në Islam, lufta në rrugën e Allahut, iniciativa e tij për të vendosur themelet e shtetit Islam etj. Gjithashtu, ne si myslimanë dhe ithtarë të tij, le të ndjekim shembullin më të lartë të modestisë, e cila ka qenë e ngulitur thellë në ndërgjegjen e këtij personaliteti të dalluar. Le të ndjekim shembullin e tij në mëshirë dhe butësi, me të cilat kishte arritur shkallën më të lartë pas fitores mbi kundërshtarët dhe armiqtë e Islamit. Allahu (xh.sh.) thotë në Kur’an: “Dhe ty (Muhamed) nuk të kemi dërguar vetëm mëshirë për të gjitha botrat”.  Shembulli i trimërisë  së tij në kohën e injorancës dhe në kohën e Islamit na obligon që të mos i frikësohemi mizorit, diktatorit, arrogantit, të mos i frikësohemi armikut të Allahut, për derisa jemi të udhëzuar dhe të kapur pas Islamit. Allahu (xh.sh.) thotë në Kur’an: “Nëse ndihmoni (përkrahni) fenë Islame, (Allahu) ju ndihmon juve”. Profeti ynë i dashur, Muhamedi (a.s.), ishte shembull i qëndrueshmërisë ndaj dispozitave dhe principeve Islame. Këtë veti e mbajti gjatë gjithë jetës pa u mashtruar nga bukuritë dhe premtimet e kësaj bote materiale. Ai i qëndroi Islamit duke u ballafaquar me vështirësi e kërcënime nga më të ndryshmet deri në momentet që ai kaloi tek mëshira e Zotit (xh.sh.). Ai ishte shembull në të gjitha çështjet e moralit Islam, si: në sinqeritet, në kryerjen e amanetit, në komunikim me njerëzit, në durim, pastërti, mbajtjen e fjalës, bujari, zemërgjerësi etj. Këto cilësi dhe veti janë të përmbledhura tërësisht në një ajet të Kur’anit famëlartë: “Vërtetë, ti je në një gradë të lartë të moralit”.

Kjo ditë madhështore festohet në të gjitha vendet e botës myslimane në mënyra të ndryshme, si: me mbajtje bisedash dhe kumtesash rreth jetës së ndritshme të Muhamedit (a.s.), me organizime tubimesh e takimesh duke trajtuar probleme rreth personalitetit të të dërguarit të Zotit (xh.sh.), këndime ajetesh të Kur’anit të shenjtë, ilahi dhe këndime me melodi të jetës së Profetit (a.s.), ku secili popull e këndon në gjuhën e vet. Sipas veprës “Mevludet në gjuhën shqipe” të autorëve Faik Luli dhe Islam Dizdari ne shqiptarët kemi mbi 20 mevlude origjinale dhe përkthime të hartuar nga autorë të ndryshëm kudo që jetojnë e banojnë shqiptarë. Mevludin e këndojnë ata që e kanë zërin e bukur dhe melodioz.

Ndërkaq duhet të përmendim se, ndonëse festimi dhe përkujtimi i këtij përvjetori, i kësaj ngjarjeje të shënuar për të gjithë myslimanët nuk është lënë me gojë dhe me thënie nga vetë Profeti ynë (a.s.), ky eveniment mbeti një vepër e mirë dhe e dobishme për mbarë besimtarët myslimanë. Në lidhje me këtë në një hadith që e transmeton Ibn Mes’ud thuhet: “Atë që myslimanët e shohin se është vepër e mirë, që duhet të bëhet, do të konsiderohet e mirë edhe tek Allahu, edhe atë që myslimanët e shohin të keqe, që nuk duhet të bëhet, edhe tek Allahu konsiderohet e keqe”. Duke u nisur nga ky hadith dhe të tjerë si ky, themi se festimi i mevludit është një vepër e mirë, që sjell shumë dobi dhe efekte të mira për besimtarët Islam. Veçanërisht në kohën e sotme duhet festuar mevludi për disa arsye kryesore:

Së pari: Myslimanët duhet të lexojnë dhe të shtojnë njohuritë rreth jetës dhe veprës së të dërguarit të Zotit, Muhamedit (a.s.).

Së dyti: Myslimanët duhet të marrin pjesë në aktivitete dhe takime të ndryshme fetare, në të cilat trajtohen tema të larmishme Islame.

Së treti: Duke festuar mevludin brenda normave të Sheriatit Islam me mbajtje ligjëratash, biseda, lexime të ajeteve të Kur’anit, recitime dhe këndime nga pjesë të mevludit, ku ka një pjesëmarrje tepër të madhe nga ana e myslimanëve, është arritur që këta të vijnë edhe në evenimente dhe raste të tjera të rëndësishme, gjithashtu është arritur që të frekuentojnë edhe xhamitë për të kryer adhurimet obliguese, si p.sh.  faljen e ditës së xhuma, faljet e ditës etj.

Një pjesë e konsiderueshme besimtarësh myslimanë nuk dinë rreth jetës, figurës dhe moralit të Profetit Muhamed (a.s.), në një kohë që, po t’i pyesësh se kush janë udhëheqësit më të njohur të botës moderne, se cilët janë artistët më të njohur, se cilët janë sportistët më të mirë të botës, pa mëdyshje do të përgjigjen menjëherë saktë dhe në mënyrë perfekte. Por, kur i drejtohemi se cili është emri i plotë i Profetit të Islamit dhe çfarë dinë rreth tij, nuk dinë të përgjigjen dhe çka është më keq, nuk dinë të japin përgjigje edhe rreth vendit ku ndodhet Qabja. Pra, është jo e hijshme që myslimani të mos dijë rreth Profetit të tij, rreth Islamit dhe Kur’anit.

Në një ajet Kur’anor thuhet: “Ne nuk të dërguam ty ndryshe, vetëm se për të gjithë njerëzit, përgëzues dhe qortues, por shumica e njerëzve nuk e dinë”. Duke parë se një pjesë e njerëzve nuk dinë rreth Islamit, atëherë është detyrë e dijetarëve dhe thirrësve Islam që t’i mësojnë këta njerëz për fenë e tyre. Festimet madhështore, mes tyre edhe mevludi sherif, kanë dobinë e këshillimit në të mirë. Këtë e shohim në një verset të Kur’anit famëlartë: “Vazhdo me këshillë, sepse këshilla besimtarëve u bën dobi”. Jo vetëm kaq, por festimi i mevludit është shprehje dashurie e respekti ndaj Profetit tonë (a.s.), dhe dashuria për të është detyrë e çdo myslimani e myslimaneje, e cila duhet t’i paraprijë dashurisë për pasurinë, për fisin, shtëpinë, fëmijën, tregëtinë etj. Këtë e vërteton ajeti 24 i sures Teubeh: “Thuaj, (o i dërguar) në qoftë se etërit tuaj, djemtë tuaj, vëllezërit tuaj, bashkëshorti juaj, farefisi juaj, pasuria që e fituat, tregëtia që frikësoheni se do t’u dështojë, vendbanimet me të cilat jeni të kënaqur, (të gjitha këto) janë më të dashura për ju se Allahu, se i dërguari i Tij dhe se lufta në rrugën e Tij, atëherë pritni derisa Allahu nuk vë në rrugën e drejtë njerëzit e prishur.

Mevludi i cili duhet të festohet në kuadër të Islamit, pa e kthyer atë në mjet biznesi dhe përfitimi material, konsiderohet vepër e mirë dhe padyshim që veprën e mirë Allahu (xh.sh.) e shpërblen. Jo vetëm kaq, por përveç festimit të këtij përvjetori është e këshillueshme që të agjërojmë këtë ditë, sepse, kur Muhamedi a.s. është pyetur për agjërimin e ditës së hënë, ai është përgjigjur: “Në atë ditë kam lindur dhe në atë ditë ka zbritur Kur’ani”. (Transmeton Muslimi).

Profeti ynë, Muhamedi (a.s.), përkujtohet jo vetëm në mevlude, por përmendet, respektohet dhe ecet sipas traditës dhe synetit të tij në çdo kohë dhe në çdo vend. Këtë meritë ja ka dhënë vetë Allahu (xh.sh.) të cilin, përveçse e ka sjellë si Profet të Zotit në këtë jetë materiale, e ka pajisur edhe me cilësinë e një burri të madh, të një strategu të shquar e të rrallë, një shembull të shkëlqyer në të gjitha lëmitë e kësaj jete të përkohshme. Çdo mysliman duhet të ecë sipas shembullit, udhëzimeve dhe këshillave të tij, sepse kështu do të fitojmë mëshirën e Zotit të gjithësisë: “Thuaj, nëse e doni Allahun, atëherë ejani pas meje, që Allahu t’ju dojë, t’ju falë mëkatet tuaja, se Allahu është që fal shumë, mëshiron shumë”. (Al’ Imran: 31).

Arben Halluni