14 shekuj më parë do të lindte personi i cili ndryshoi jetët e miliarda njerëzve deri në ditët e sotme. Lindi i drejti mes njerëzve, besniku, mëshiruesi, edukatori dhe mësuesi ynë Profeti Muhamed a.s. Ai, si përpara shpalljes dhe pas shpalljes, kishte një jetë si të gjithë njerëzit e sotëm, me gëzime dhe hidhërime, me sprova nga më të ndryshmet, por, a mund të krahasohemi ne me sjelljen dhe durimin e mirë të tij? Për të janë shkruar libra pa fund, por shkurtimisht do përpiqem të ndaj me ju disa aspekte nga jeta dhe veçoritë e tij përpara dhe pas shpalljes së Kur’anit.

Profeti Muhamed a.s. lindi në qytetin e shenjtë të Mekës. Babai i tij Abdullahu ndërroi jetë pa lindur akoma, ndërsa në moshën 6 vjeçare Profeti mbeti dhe pa nënën e tij Emine. Pas kësaj kujdestarinë e mori gjyshi i tij AbdulMutalib, i cili do të ndahej nga jeta pas dy vitesh. Pas vdekjes së gjyshit kujdestarinë e mori xhaxhai i tij, Ebu Talibi. EbuTalibi do të kujdesej për të deri sa ndërroi jetë. Ai ishte mbrojtësi i tij në rini dhe pas shpalljes së tij. Përpara se të jepte shpirt Ebu Talibi u mundua që të pajtonte parinë kurejshite, e cila ishte kundër shpalljes, me Profetin a.s., por nuk ia arriti dot t’i pajtonte.

Muhamedi a.s. deri në moshën 20 vjeçare punonte duke ruajtur bagëtitë e kurejshëve. Në moshën 20 vjeçare filloi të merrej me tregti. Ai atëherë njihej si njeriu me besnik që kishin parë arabët e asaj kohe. Një herë kur xhaxhai i tij e mori me vete në Sham (Siria e sotme) në qytetin e Busras, disa priftërinj të asaj zone panë disa shenja të çuditshme. Ata kuptuan se ato shenja ishin shenja të Zotit dhe, pasi u siguruan dhe vërtetuan se ato ishin shenja profetike, i thanë xhaxhait të tij që personi të cilin e kishin me vete ishte shumë i rëndësishëm dhe se duhet ta ruajnë që mos t’i ndodhë ndonjë e keqe.

Gjatë kohës që Muhamedi a.s. punonte si tregtar, ai mori një ofertë nga Hatixhja r.a. Ajo i ofroi të punonte për të. Hatixhja ishte një grua e cila kishte trashëguar pasuri të madhe dhe njihej si tregtare e zonja. Në moshën 25 vjeçare Profeti Muhamed a.s. do të martohej me të. Hatixhja është gruaja e parë e cila përqafoi Islamin dhe i qëndroi në krah Profetit derisa vdiq.

Profeti a.s. veçohej shpesh nga qyteti dhe shkonte e qëndronte në shpellën Hira. Atje, kur ai ishte në moshën 40 vjeçare, i vjen shpallja hyjnore. Që nga ai çast jeta e profetit mori tjetër rrjedhë. Tre vjet rresht ai thirri në Islam në fshehtësi derisa i erdhi urdhri që të ftonte haptazi. Në fillimet e shpalljes së tij Profetit a.s. do të vijë viti i hidhërimit. Quhet kështu sepse brenda një viti ai humbi përkrahësit e tij. Ne fillim xhaxhain e tij, i cili, edhe pse ai ishte politeist, kurrë nuk ndaloi së qëndruari në krah të Profetit tonë a.s., ndërsa më pas do të ndahej nga jeta gruaja e cila e mbështeti në misionin e tij fisnik. Pas kësaj filluan vitet e vështira, vitet e persekutimit. Pavarësisht gjithë këtyre sprovave ai kurrë nuk hoqi dorë nga misioni i tij. 10 vite pas shpalljes do të vijë dita kur profeti a.s. bën marrëveshjen me medinasit. Aty do të fillonte dhe rrugëtimi i Islamit. Me zhvendosjen e tij nga Meka në Medinë fillon hixhreti. Prej kësaj kohe fillon edhe kalendari islam.

Në Medine Profeti a.s. ishte i lirë të predikonte lirshëm pa kurrfarë pengese fenë të cilën i zbriti Zoti i Lartmadhëruar.

Profeti ynë ishte shembull për njerëzit në çdo aspekt të jetës. Për këtë, Allahu në librin e Tij të shenjtë thotë: “Ju e kishit shembullin më të lartë në të dërguarin e Allahut kuptohet, ai që shpreson në shpërblimin e Allahut në botën tjetër, ai që atë shpresë e shoqëron duke e përmendur shumë shpesh Allahun.” (Ahzab, 21)

Muhamedi a.s. ishte shembull i një jetimi të dëgjueshëm dhe të turpshëm, i një bashkëshorti të butë, i babait të ndjeshëm, gjysh i dashur, shok i besueshëm dhe fqinj i mirë. Ishte tregtar i ndershëm dhe një mësues i mirë. Ishte një gjykatës dhe burrë shteti i drejtë. Pa asnjë dyshim si para dhe pas shpalljes askush s’kishte dëgjuar që ai të kishte gënjyer apo mashtronte, të merrte dikë nëpër gojë apo të tregonte dyfytyrësi. Ai askujt s’i pati bërë padrejtësi dhe as lidhjet farefisnore nuk i prishi. Nëse nuk do t’i kishte këto virtyte, atëherë jobesimtarët do t’i kishin përdorur kundra tij. Bashkëqytetarët dëshmojnë për të gjitha virtytet e tij: dëlirësinë dhe pastërtinë e tij, sinqeritetin dhe guximin e tij, zgjuarsinë dhe drejtësinë e tij. Duke parë të gjitha këto virtyte të profetit tonë të dashur, të gjithë së bashku le të reflektojmë dhe t’i shtrojmë një pyetje vetes: Ku jemi ne sot me këto virtyte? Sa grimca kemi ne nga këto virtyte? Zoti na bëftë që sadopak, në këto kohëra të vështira, të përfitojmë nga shembulli i Profetit tonë të dashur.

Praktikisht, nuk ka pasur asnjë aspekt të jetës që Muhamedi a.s. nuk e provoi sprovën e kësaj bote. Ai provoi humbjen e prindërve, të fëmijëve të tij kur ishin të vegjël, humbjen e bashkëshortes dhe të njerëzve të tij të dashur. Ai përjetoi tradhtinë e fisit të tij, fyerjet dhe kërcënimet, madje shumë herë provoi atentatet për ta vrarë. Nga ana tjetër ai shijoi kënaqësinë dhe gëzimin e ecurisë së misionit të tij e shumë sprova të tjera të suksesshme. Pra, ai ishte një njeri i thjeshtë, i cili qeshte, por edhe qante, gëzonte, por edhe hidhërohej si çdo person tjetër. Dhe mbi të gjitha, ai më shumë në botë donte Krijuesin e tij, Allahun xh.sh., i drejtonte lutje, e falënderonte dhe kujdesej për krijesat e Tij, për njerëzit.

Jeta e tij në përgjithësi ishte e mbushur më një dashuri të papërshkruar për Allahun xh.sh., Krijuesin e të gjithë botëve dhe për njerëzit. Ai i donte të tjerët më shumë se vetja. Me qindra as’habë, shokët e tij më të afërt, tregojnë se si ai ndante ushqimin e fundit që kishte në shtëpi me të varfrit. Ndaj vetes ishte kritik ndërsa ndaj të tjerëve ishte i mëshirshëm. Në çdo veprim të tijin ai tregonte pendim dhe vetëdisiplinim. Kishte rastin të ishte njeriu më i pasur i kohës së tij, por vdiq si i varfër. Eh sikur të ishim ne sot, të paktën sa një grimcë e këtyre virtyteve?!

Profeti Muhamed a.s. kishte mundësinë që të dënonte apo të hakmerrej, edhe pse në atë kohë në përgjithësi ishte më se normale dhe e pranueshme, por ai i falte dhe ishte i mëshirshëm ndaj njerëzve. Kujtojmë pas luftës së Bedrit kur të gjithë prisnin që Muhamedi a.s. të dënonte robërit e zënë, ai u tha se ai, i cili do t’u mësonte shkrim dhe lexim 10 myslimanëve do të lihej i lirë, e ndërsa ata robër që nuk e plotësonin këtë kusht liroheshin pa as njëfarë kushti. Apo kujtojmë çlirimin e Mekës, kur të gjithë jobesimtarët kishin frikë se do të sulmoheshin nga myslimanët, por Profeti a.s. dha urdhër që mos të prekej asnjë njeri dhe asnjë shtëpi. Shembull të tillë bota nuk ka parë deri më sot. Sa e sa njerëz të pafajshëm sot vriten në botë, qofshin ata myslimanë apo jomyslimanë? Dhe me e keqja është se, sot ka plot myslimanë të cilët janë shumë e shumë larg, për të mos thënë që nuk kanë asnjë grimcë nga virtytet e Profetit tonë të dashur a.s.

Allahu xh.sh. thotë: “E Ne të dërguam ty (Muhamed) vetëm si mëshirë për të gjitha krijesat.” (Enbija, 107)

Myslimanët, Profetin Muhamed a.s., e konsiderojnë si njeriun më të përkryer, të cilin Allahu, për shkak të cilësive të tij më të larta e më morale njerëzore, e zgjodhi që të sjellë barrën e përgjegjësisë më të rëndë e më të ndershme në historinë e njerëzimit. Për veçoritë morale të përkryera të Muhamedit a.s., vetë Allahu dëshmon në Kur’an, ku thotë: “Vërtet, ti je në një shkallë të lartë morali” (Kalem, 4). Gjithashtu edhe vetë shokët dëshmojnë për të se ishte si një fllad i lehtë, plot mëshirë e freski. Ndërsa vetë Muhamedi a.s. thotë: “Jam dërguar që te njerëzit të përkryej veçoritë morale më të bukura”. Ndërsa për këtë Allahu në suren Ahzab, në ajetin 6, thotë: “Pejgamberi është më i ndjeshëm ndaj besimtarëve se sa ata ndaj vetë vetvetes së tyre…” sepse, jeta e tij e besimit dhe e gjithë jeta e tij në tërësi, është e vetmja rrugë, e cila të çon drejt së Vërtetës, drejt lumturisë së përjetshme. Është drita, e cila na nxjerr nga errësira e çrregullt tokësore dhe trazirat drejt udhëzimeve të ndriçuara, qetësisë dhe lumturisë së përjetshme. Është privilegj të jesh një prej pasuesve të tij.

Muhamedi a.s. ishte dhe mbeti modeli më i madh për gjithë njerëzimin. Pavarësisht se në rryma të ndryshme mundohen ta prishin imazhin e këtij njeriu të nderuar, dritë me të cilën ai i ndriçon edhe sot e kësaj dite, ai i jep udhëzime njerëzimit që të tërhiqen nga errësira drejt rrugës së lumturisë.

Edmond Kokonozi