“Kush kërkon të durojë, Allahu i jep durim dhe askujt nuk i është dhënë dhunti më e mirë dhe më e madhe, se sa durimi.[1]”
Të bësh durim, do të thotë të shtrëngosh dhëmbët, të parandalosh trupin që të mos bëjë mëkate, të mposhtësh shpirtin e lakmisë, të tregosh zell, të mos të paralizohet vullneti. Si vlerë dhe virtyt i besimtarit, durimi është mekanizmi i disiplinimit të shpirtit, egos dhe trupit të tij. Ai shërben për frenimin e shpirtit ndaj shqetësimeve, provokimeve, depresionit dhe të gjitha sprovave të kësaj bote. Durimi është elementi më i përshtatshëm për kapërcimin e vështirësive dhe ngritjes shpirtërore. Koncepti i durimit është gjithëpërfshirës dhe është virtyti më i përmendur në Kur’an (mbi 90 herë). Si për shembull:, “Allahu është me durimtarët[2]”, “Allahu i do durimtarët[3]” “Bëni durim dhe garoni në durim”[4] etj. Ajo që e bën të veçantë dhe ia lartëson vlerën durimit edhe më shumë, është fakti se Zoti me atë cilësi ka përshkruar Vetveten. Ndër emrat dhe cilësitë e Allahut është “Es-Sabur – I Durueshmi, Durimtari.”
Zoti në Kur’anin fisnik na premton shumë të mira që burojnë nga durimi, nëse e zbatojmë brenda kuadrit dhe disiplinës hyjnore. Allahu na e ka bërë të qartë se çdo njeri do të sprovohet në këtë botë me diçka që Ai (xh.sh.) e ka përcaktuar më parë. “Ne do t’ju sprovojmë me diçka nga frika, uria, me humbje të pasurisë dhe të jetës e të fryteve. Dhe përgëzoji durimtarët. Të cilët kur i godet ndonjë fatkeqësi ata thonë: Ne jemi të Allahut dhe te Ai do të kthehemi! Të tillët kanë prej Zotit të tyre bekim e mëshirë dhe ata janë me të vërtetë të udhëzuarit[5]”. Në një ajet tjetër Kur’anor urdhëron e thotë: “Vetëm atyre që janë durimtarë do t’u jepet shpërblimi pa masë[6]”. Ndërsa Profeti Muhamed (a.s.) thotë se durimi për hir të Allahut, i treguar përgjatë vështirësive të jetës është pastrim prej gjynaheve. “Çfarëdo që e godet myslimanin, qoftë lodhje, pikëllim, brengë, hidhërim, mundim nga sëmundje a fatkeqësi, madje edhe ferra që e shpon, me cilëndo prej këtyre, Allahu e pastron prej gjynaheve që ka bërë[7]”.
Njeriu, për nga vetë natyra e krijimit, kërkon rehati, qetësi dhe është i prirur për të ndjekur dëshirat e tij. Atij nuk i pëlqen nënshtrimi, disiplina dhe puna e vështirë. Gjumi, ushqimi dhe pasuria janë ndër thesaret që njeriu i ruan fort. Për këtë arsye njeriu është urdhëruar për durim, i cili duhet të ushtrohet në raste dhe situata të ndryshme. Si për shembull, durimi i treguar kundrejt kohëzgjatjes së madhe në punët që kërkojnë kohë dhe përqëndrim të lartë, durim duke mos e prishur edukatën kundrejt gjërave që mund të na ndodhin, durim duke mos i cilësuar ngjarjet ca të këqija e ca të mira, por të jemi mirënjohës njëlloj ndaj Allahut. Durim ndaj fatkeqësive dhe ngjarjeve të hidhura, por kjo kërkohet vetëm në goditjen e parë të së keqes, sepse ndërrimi i vendit dhe i gjëndjes krijojnë gjithmonë ndryshime psikologjike dhe bëjnë që të harrohen ngjarjet e hidhura. Ashtu siç i thotë edhe Profeti (a.s.) një gruaje: “Durimi është ai i goditjes së parë”[8]. Durim ndaj harameve. Një qëndrim i tillë ndaj harameve, me kohë kthehet në shprehi e në karakter për njeriun dhe bëhet ndër sjelljet e natyrshme të tij. Për një njeri që ka arritur në këtë nivel, nuk mund të mendohet lehtë se do të bjerë vullnetarisht në gjynah. Durim ndaj adhurimeve të obliguara. Pesë kohë namaz çdo ditë, një muaj në vit agjërim, zekat në një masë të caktuar dhe zbatimi i të gjitha urdhrave të tjera lidhur me detyrën e robit ndaj Zotit, mund të çohen në vend vetëm me durim. Këto e disiplinojnë dhe e begatojnë jetën e njeriut në këtë botë duke dhënë në fund si rezultat, xhenetin. Prandaj njeriu do të shtrëngojë dhëmbët, do të bëjë durim dhe në këtë mënyrë do ta ndriçojë e zbukurojë jetën e tij.
Dorian Demetja
[1] Buhari-Muslim
[2] Bekare, 153
[3] Al-Imran, 146
[4] Al-Imran, 200
[5] Bekare, 155-157
[6] Zumer, 10
[7] Buhari-Muslim
[8] Buhari-Muslim