Devotshmëria dhe sjellja e mirë

“Frikësoju Allahut kudo që të jesh. Veprën e keqe pasoje me vepër të mirë që ta fshijë atë (të keqen) dhe sillu mirë me njerëzit.”[1]

Shprehja ‘Frikësoju Allahut kudo që të jesh’ tregon detyrimin tonë që kemi para Krijuesit Fuqiplotë kudo që të ndodhemi dhe në çdo gjëndje qofshim, me njerëz përreth ose vetëm, në pasuri apo në varfëri, në sëmundje ose në shëndet. Ata myslimanë që sillen kështu Zoti i do dhe është me ta, ashtu siç shprehet edhe në Kur’an: “Allahu i do besimtarët e devotshëm që i frikësohen atij”[2]. “Padyshim që Allahu është me të devotshmit dhe me punmirët”[3]. Devotshëria është frikërespekti ndaj Allahut në kuptimin e plotë të fjalës. Ndërsa personi që devotshmërinë e ka bërë filozofi të jetës së tij dhe, ndjenjat, mendimet e punët i orienton në bazë të këtij kriteri, quhet i devotshëm. Për të arrirë në devotshmërinë e vërtetë mund të thuhet se ka një rol të rëndësishëm këndvështrimi i kësaj bote. Kjo botë ka dy anë që njeriun e tërheq edhe nga e mira edhe nga e keqja. Njeriu ka rastin që të vijë një herë të vetme në këtë botë dhe çfarë do të mbjellë këtu do të korrë në botën tjetër. Të gjitha begatitve të Zotit si, rinia, shëndeti, pasuria, jeta, koha etj., duhet t’ia dimë vlerën dhe duhet t’i vlerësojmë para se të na ikin prej durësh. Ky vlerësim duhet të bëhet duke jetuar në bazë të kritereve që na ka bërë të ditur i dërguari i Allahut dhe duke qëndruar larg tepricave dhe mangësive në fe.

Shprehja ‘Veprën e keqe pasoje me vepër të mirë që ta fshijë atë (të keqen)’ tregon detyrimin që kemi ndaj vetes për t’i fshirë veprat e këqia duke bërë të mira. Përderisa njeriu është i urdhëruar për devotshmëri në fshehtësi dhe haptazi, patjetër që do të ndodhë ndonjëherë pakujdesi. Me veprën e keqe janë kuptuar gjynahet e vogla dhe me veprat e mira janë kuptuar obligimet, pendimi dhe lëmosha. Profeti Muhamed (s.a.s.) shprehet kështu: “Pesë namazet, ai i xhumasë deri në xhumanë tjetër dhe agjërimi i Ramazanit deri në Ramazanin tjetër, janë falje për mëkatet që bëhen ndërmjet tyre, përveç mëkateve të mëdha”[4]. Me anë të këtyre të mirave Allahu e fshin njollën e mëkatit nga zemra e besimtarit dhe fletorja e shënimeve. Nuk duhet harruar se në çdo gjynah ekziston një rrugë që të çon në mohim. Sepse njollat e gjynaheve të vogla duke u shtuar mund t’a errësojnë të gjithë zemrën. Për këtë arsye është thënë se këmbëngulja në gjynahet e vogla është gjynah i madh. Myslimani i devotshëm e merr me seriozitet pastrimin e gjynahut të vogël dhe pa u vonuar pendohet me sinqeritet tek Zoti. Të tillët Zoti i përmen në Kur’an kështu: “Dhe nxitoni drejt faljes së gjynaheve nga Zoti juaj dhe xhenetit, hapësira e të cilit është sa qiejt e toka, përgatitur për të devotshmit. Të cilët japin lëmoshë edhe kur janë në mirëqënie edhe kur janë në vështirësi, e frenojnë zemërimin dhe i falin njerëzit. Allahu i don bamirësit”[5].

Shprehja ‘sillu mirë me njerëzit’ tregon detyrimin që kemi ndaj tyre, pasi shumë veta mendojnë se devotshmëria është të kryesh detyrat ndaj Allahut dhe jo ato ndaj njerëzve. Në këtë mënyrë neglizhohen të drejtat e njerëzve. Është transmetuar prej të parëve myslimanë se sjellja e mirë janë bujaria, sakrifica, durimi, fytyra e qeshur dhe përmbajtja e zemërimit për hir të Allahut. Vetëm në zbatimin e këtyre virtyteve përmbushim besimin tonë, ashtu siç thotë edhe i dërguari i Zotit: “Besimtari me besimin më të plotë është ai me sjellje më të mirë”[6]. Myslimani i cili është i buzëqeshur, tolerant, falës, i edukuar në të folur dhe veprime, fiton zemrat e njerëzve dhe krijon një atmosferë të ngrohtë mes tyre. Nuk ka një element të dytë që ta lartësojë njeriun sa morali i bukur. Morali i bukur është morali i Allahut dhe pajisja e njeriut me moralin e bukur do të thotë pajisja e tij me moralin e Allahut.

Përveç kësaj që thamë, devotshmëria ndaj Allahut shtrihet në një rrafsh akoma më të gjërë. Zbulimi i ligjeve që ka krijuar Allahu në këtë botë, si ligji i fizikës, kimisë, biologjisë, astronomisë etj., rrespektimi dhe vënia e tyre në dobi të njerëzimit, është gjithashtu devotshmëri për besimtarin. Sepse të gjitha çka bota, janë krijuar nga Allahu i Lartë për njeriun dhe në shërbim të tij. Nga njeriu kërkohet punë dhe sakrificë për zbulimin e tyre, gjë që do ta çojë njeriun drejt Krijuesit, sigurisht për ata që mendojnë. Kur u pyet Profeti (a.s.) se cila është ajo që i fut njerëzit më shumë në xhenet? Ai u përgjigj: “Devotshmëria ndaj Allahut dhe sjellja e mirë”[7].

Dorian Demetja

[1] Tirmidhi

[2] Teube, 4

[3] Nahl, 128

[4] Muslim

[5] Al-Imran, 133-134

[6] Ebu Daud, Ahmed

[7] Tirmidhi, Ibn Maxhe, Ahmed, Ibn Hiban