Home Bota Jone Hixhreti në Islam dhe koncepti i tij në ditët tona

Hixhreti në Islam dhe koncepti i tij në ditët tona

Më 16 qershor 2026, sipas kalendari hënor 1 Muharrem, hyjmë në vitin e ri hixhri 1448. Hixhreti është një nga ngjarjet më të rëndësishme në kalendarin e Islamit dhe përfaqëson shpërnguljen e Profetit Muhamed (a.s.) dhe shokëve të tij nga Meka në Medinë në vitin 622. Kjo ngjarje nuk ishte thjesht një lëvizje gjeografike, por një kthesë e madhe në historinë e njerëzimit, sepse shënoi fillimin e ndërtimit të shoqërisë islame mbi themelet e besimit, drejtësisë dhe vëllazërisë.

Hixhreti u bë për të ruajtur fenë dhe për të siguruar lirinë e adhurimit. Myslimanët e parë u përballën me persekutime, tortura dhe padrejtësi të shumta. Për këtë arsye, Allahu i Madhëruar urdhëroi Profetin (a.s.) dhe besimtarët të shpërnguleshin në Medinë, ku do të kishin mundësi të jetonin sipas parimeve të Islamit.

Rëndësia e Hixhretit është aq e madhe saqë kalendari islam fillon pikërisht me këtë ngjarje. Kjo tregon se Islami nuk e ndërton historinë e tij mbi fitoret materiale apo pasurinë, por mbi sakrificën, besimin dhe përkushtimin ndaj Allahut.

Hixhreti na mëson shumë vlera të rëndësishme. Ai na mëson sakrificën për të vërtetën, durimin përballë vështirësive, besimin e plotë tek Allahu dhe gatishmërinë për të ndryshuar jetën tonë për hir të fesë. Profeti Muhamed (a.s.) dhe sahabët lanë pas shtëpitë, pasuritë dhe vendlindjen e tyre, por fituan kënaqësinë e Allahut dhe ndërtuan një shoqëri që u bë model për brezat e mëvonshëm.

Koha në të cilën jetojmë është e mbushur me ndodhi, raste e fenomene që po e lodhin shumë njeriun. E ç’është më e keqja, nga kjo lodhje ende nuk ka shpresë se njeriu do të arrijë momentin e qetësisë. Ky presion dhe stres shihet në mosarritjen e një integrimi të nevojshëm, gjerësisht të dobishëm, të një bashkimi mbarë njerëzor, të një respekti reciprok dhe kështu me radhë, e cila do të ketë për bazë hyjnoren dhe të shenjtën. Për këtë arsye, duhet të jemi plotësisht të bindur se përkujtimi dhe rikujtimi i gjërave me vlerë hyjnore në histori, sikurse është hixhreti i Muhamedit (s.a.s.), janë më se të nevojshme.

Në ditët tona, koncepti i Hixhretit mbetet po aq aktual. Në kuptim të përgjithshëm, hixhreti vazhdon dhe do të vazhdojë gjer në kiamet. Çdo njeri që ka besuar, i cili lë vendin e vet, nënën, babanë, të dashurit e miqtë dhe shkon vend më vend me synimin për t’u treguar të drejtën dhe të vërtetën zemrave nevojtare, ndodhet në kuadrin e dobishëm të një hixhreti dhe pa asnjë diskutim që do ta marrë sevapin dhe të mirën e kësaj pune.

Gjithashtu, ne kemi nevojë edhe për një “hixhret shpirtëror”. I dërguari i Allahut na sqaron që, emigranti më i madh është ai që largohet prej mëkateve dhe që i fshin prej zemre të gjitha dashuritë përveç dashurisë për Allahun (Buhari, Ibn Maxhe). Një njeri, i cili pasi të ketë braktisur mëkatet e kryera më parë, rikthimin tek të njëjtat mëkate e quan më të dhimbshëm se çdo gjë, është vazhdimisht në rrugën e hixhretit në kuptimin e vërtetë të fjalës.

Profeti Muhamed (a.s.) ka thënë: “Muhaxhir është ai që largohet nga ajo që Allahu e ka ndaluar.” (Buhari, Muslim). Kjo tregon se Hixhreti nuk është vetëm një ngjarje historike, por edhe një proces i vazhdueshëm i përmirësimit të vetvetes. Kjo do të thotë të largohemi nga mëkatet për te bindja ndaj Allahut, nga padrejtësia drejt drejtësisë, nga urrejtja drejt dashurisë dhe nga neglizhenca drejt adhurimit.

Sot, çdo mysliman mund ta jetojë frymën e Hixhretit duke u përpjekur të jetë më i mirë në besim, moral dhe sjellje. Largimi nga veset e këqija, respektimi i urdhrave të Allahut dhe përpjekja për të qenë i dobishëm për familjen dhe shoqërinë, janë forma moderne të Hixhretit.

Në përfundim, Hixhreti mbetet një simbol i sakrificës, besimit dhe shpresës. Ai na kujton se rruga për t’ju afruar Allahut, kalon përmes përkushtimit dhe përcjelljes së fjalës së Tij. Duke marrë mësime nga Hixhreti, ne mund të ndërtojmë një jetë më të mirë për veten dhe të tjerët.

Dorian Demetja