Ëmbëlsia e tre muajve të bekuar

Tre muajt e bekuar zotërojnë një shije krejt tjetër, përmbajnë një atmosferë krejt ndryshe nga muajt e tjerë të vitit. Kjo duhet të jetë dhe veçoria dalluese mes tyre dhe muajve të tjerë. Megjithëse çdo muaj shoqërohet me bukuritë dhe mirësitë përkatëse, kjo periudhë e veçantë kohore përjetohet me zemër të hapur dhe ndjenja të sinqerta. Personat të cilët hapin shpirtrat e tyre në këta muaj e ndjejnë veten më afër lumenjve të parajsës ku do të qëndrojnë përjetësisht, shoqëruar me ndjenjat e rrjedhura nga pastërtia e besimit. Për ta ditët, netët, orët madje dhe minutat kalojnë me një magji të papërshkruar dhe secilit prej nesh na pëshpëritin emocione të ndryshme sipas gradës së arritur të besimit.

Gjatë këtyre muajve koha ngjyroset me ngjyra hyjnore. Dhe njerëzit sikur të ishin banorët e qetë të botës tjetër vishen me urtësi dhe arrijnë në thellësitë misterioze. Dhe ashtu siç ndodh në botën e brendshme të secilit, dëgjohet një poezi në dimensionet e botës së përtejme, e cila fillon si një vallëzim nga vatra e ekzistencës në lindjet dhe perëndimet e ëndrrave, kujtimeve. Të shoqëruar herë me hidhërim e herë me çaste gëzimi tre muajt na kujtojnë mallin e harruar të parajsës dhe na mbështjellin me shpresën e rigjetjes së saj. Po, kujtimet dhe nostalgjitë e këtyre ditëve, të cilat e shndërrojnë çdo minutë të jetës sonë në një gëzim dhe entuziazëm të veçantë, shndërrojnë ndjenjat tona në një poezi të heshtur dhe jetën tonë në një bukuri të magjishme.

Dritat e rrugëve të shkrira me dritat shpirtërore të tre muajve, zbukurimet gjithë dritë të minareve, gjallëria e gjithanshme dhe butësia e pasqyruar në fytyrat e njerëzve që vrapojnë në xhami sjellin me vete aromën e këndshme të parajsës dhe ëmbëlsi hyjnore të veçanta për ata të cilët e vlerësojnë siç duhet këtë periudhë kohore. Për ata të cilët e kuptojnë dhe ndjejnë besimin, Islamin, kultin dhe adhurimin, të cilët janë të hapur ndaj dashurisë dhe ngrohtësisë, të lëkundur në dallgët e dimensioneve të ndryshme, të freskuar nga flladet e buta, të magjepsur nga zërat e së shkuarës dhe të përkëdhelur nga ajo ëmbëlsi e pafund që na përqafon të gjithëve.

Ashtu siç ndodh çdo vit me ardhjen e tre muajve na duket sikur ritakohemi me ato ditë të gëzuara, të mbushura me hare. Dhe nëse ato ditë kujtohen me orët e kaluara me adhurim, me pastërtinë e cicërimave të zogjve, bukurinë e minutave të ezanit të shijuara me gëzimin e një fëmije, me një zemër të mbushur me besim atëherë fillon poezia e cila rizgjon shpirtrat tanë me ndjenjat e freskëta të takimit me Zotin. Fillon duke zhdukur të gjitha perdet në fytyrën e ekzistencës dhe ato minuta të mbushura me qetësi, lumturi, ngrohtësinë e të qenurit afër Tij janë vetëm tonat.

Tre muajt, periudhë e begatë kohore

Megjithëse hëna mund të dalë disa ditë përpara, tre muajt nisin një natë të enjteje dhe ulet butësisht në shpirtrat tanë. Regaibi është si një provë instrumentale zëri, e cila rizgjon për here të parë ndjenjat tona të paakorduara mirë me ditët e mëdha. Ndërsa nata e Miraxhit e cila vjen pas 20 ditëve shoqërohet me flladet hyjnore dhe kërcitjet e dyerve të qiellit nga shpirtrat tashmë të përgatitur dhe të gatshëm për klimën e tre muajve. Nata e Beraetit vjen me rizgjimin tashmë të shpirtrave dhe i thërret zemrat të cilat qëndrojnë në pritje të sihariqit të shpëtimit. Ndërsa Nata e Kadrit i përqafon këta njerëz mirënjohës me mirësi e begati të cilat mund të përfitohen vetëm në 1 mijë muaj duke i mbështjellë me ilaçin e faljes dhe pendimit.

Kjo ngrohtësi e ëmbël dhe e dëshiruar e tre muajve vazhdon pa pushuar për të gjithë shpirtrat besimtarë. Çdo ditë hedhin mbi ne begatitë dhe mirësitë me gjithë gjallërinë e tyre edhe pasi horizontet mbyllen rilind përsëri një mëngjes tjetër me bukuritë e qeta, një mëngjes i ëndërruar për të gjithë shpirtrat e zgjuar të thurur me gjëra të fshehta në botën e brendshme.

Shpirtrat e gatshëm me një vendosmëri të rrallë për të falënderuar e lutur Mëshiruesin e Vetëm me hyrjen e muajit Rexheb në fund të muajit ndjejnë kënaqësinë e rizgjimit në horizonte të përtejme, e ndjejnë por secili e shpreh me gjuhën, mënyrën dhe sjelljen e tij të pajisur me një gëzim e shpresë. Të gjithë fillojnë të flasin me gjuhën e zemrës, ashpërsitë njerëzore zbuten dhe njeriu i mbetur në mes hedh nga supet e tij të gjithë barrën e kësaj bote për të kaluar në thellësitë e shpirtërores. Drita e mbartur në shpirtrat e këtyre njerëzve dhe butësia shumëngjyrëshe e pasqyruar në fytyra do të zbusë edhe zemrat më të ngurta.

I njohur si “muaji i madhëruar i Allahut”, Shabani vjen te ne me një ëmbëlsi e cila mbështjell gjithë krijesat dhe personalitetin tonë dhe në shpirtra na fal shpresën e rrëshqitjes në bukuritë hyjnore. Me ditët dhe netët e tij duket sikur orkestron pjesën muzikore të magjishme të Ramazanit, dhe mbështjell me krahët qiellore të gjithë ata që e përqafojnë, i përqafon me dhembshurinë e një nëne dhe i shëtit në hapësirat e mëshirës. Duket sikur koha ka ndaluar dhe në ndjenjat tona rrjedhin gjëra nga botë të përtejme. Në minutat e ndritura të secilit prej nesh të duket sikur po të hedhësh dhe një hap do të hipësh në një shkallë e cila të shpie përtej. Pothuajse çdo ditë, çdo natë, orë apo minutë, ndjejmë dëshirën e fshehtë të përjetësisë dhe me këtë mendim ndjejmë mall për botën tjetër. Me ndihmën e këtij muaji të dhuruar nga Zoti kontrollojmë veten dhe veprat tona.

Dhe Ramazani

Dhe ja Ramazani shfaqet në horizont me minutat e ngrohta, krejtësisht të buta; ndërgjegjet kontrollohen, shpirtrat zgjohen dhe të gjithë ndjenjat mbështillen nga një entuziazëm ngazëllyes. Njerëzit vrapojnë grupe-grupe drejt xhamisë dhe prej aty drejt Zotit. Me ardhjen e Ramazanit forcohen dhe lidhjet e shpirtit, rizgjohen dëshirat hyjnore dhe mendimi i Ramazanit i cili ngjitet e zbret mbi ndjenjat e njerëzve mbush me dashuri, entuziazëm shpirtrat besimtarë duke i shndërruar në zjarre të ndezur. Mund të themi se Ramazani mbart me vete ditët më të ndritura, më të sinqerta, më të devotshme dhe më të ëmbla, dhe ç’është më e rëndësishmja, dinamizmi i tij i brendshëm përfshin gjithë personalitetin tonë duke na ngritur në ëmbëlsitë hyjnore. Rrugët, tregjet, shtëpitë rizgjohen me ndjenja të botës së përtejme. Minaret ushtojnë në shpirtra me ëmbëlsinë e Kuranit, dhe rënkojnë me thirrjet e shpirtrave besimtarë. Në çdo vend, nga shtëpia në xhami, nga xhamia në punë, përjetohet gëzimi dhe kënaqësia e drejtimit kah Zoti, zemrat e ndriçuara me adhurim pasqyrojnë të gjithë bukuritë e tyre, deklarojnë dashuritë e shkëputura nga botët e brendshme nën kornizat më misterioze, dhe duken sikur kanë marrë urdhrin për takimin final dhe çdo natë e ditë e kalojnë me ndjenjën e zjarrtë të ritakimit…

Redaksia