FILLOJE NGA E PARA

Edhe pse vitet ikin njëri pas tjetrit dhe, bashkë me kalimin e tyre, ngarkohemi me mëkate nga më të ndryshmet, kjo nuk duhet të na pezmatojë deri aty sa e brendshmja jonë të na thotë: Për ne nuk ka më shpresë për falje apo fshirje gjynahesh. Edhe pse mund të jemi zhytur në mëkate deri aty saqë mendojmë se do mbytemi nga çasti në çast, fakti që dita tjetër na gjen gjallë, kjo do të thotë se na është dhënë një mundësi e re për ta shpëtuar veten nga mbytja. Mjafton të mbushemi me optimizëm dhe me shumë vullnet e shpresë të madhe te Bujari (Allahu) i Cili fal kë të dojë, edhe pse shpina jonë, ndoshta mund të jetë aq e përthyer nga mëkatet, saqë mund të thyhet nga momenti në moment. Çdo ditë e re është një mundësi për t’u shkarkuar nga barra e të këqijave që na mundojnë prej kohësh. Nëse ndërgjegjja jonë na këshillon dhe na vë në lëvizje për të marr; masa përmirësuese për gjendjen tonë, kjo është shenjë pozitive. Kjo tregon se akoma akrepat e zemrës tonë rrahin në drejtimin e duhur. Nëse ndërgjegjja na bren sa herë që gabojmë, ky është një tregues se natyrshmëria e humanizmi brenda nesh akoma jeton dhe do të na shtyjë patjetër drejt pendimit, ndërsa pendimi do të na shpjerë drejt gjetjes së mënyrave për ta shlyer gabimin nëpërmjet një pune të mirë.

Nëse dëshiron t’ia fillosh nga e para e të hedhësh mbrapa krahëve gjithçka të pahijshme, e cila të ka robëruar e të ka mbajtur peng për vite me radhë, bëje pa më të voglin hezitim, për sa kohë sytë e tu hapen në agimin e çdo dite. Në këtë rast, ti nuk duhet të shikosh e të meditosh rreth numrit të madh të gjynaheve që mund të kesh bërë në të kaluarën, por të meditosh rreth mëshirës së pakufishme të të Madhit Zot; rreth gjerësisë së faljes së Tij, e cila përfshin distancën midis tokës dhe qiejve dhe çka mes tyre. Është gjynah më i madh të mendosh e t’i thuash vetes: “S’ka Zot që mund të më falë mua me kaq gjynahe sa kam bërë”, sesa të gjithë të këqijat që mund të kesh bërë me dhjetëra vite me radhë. Duke menduar kështu, ti i hyn në hak Zotit tënd dhe nënvlerëson fuqinë e Tij të pamatshme. E ku e di ti se çfarë mund të bëjë Allahu i Plotfuqishëm?! A nuk është Ai që krijoi këtë botë dhe gjithçka që e mbush atë?! A nuk të krijoi dhe ty dhe e ishte paraprakisht në dijeni për gjithçka do të veprosh?! Sigurisht që po. E ku do t’ia dijë Ai për mëkatet e tua?! Mjafton që ti t’ia kërkosh faljen e tyre me ngashërim e përgjërim dhe me vendosmëri të pastër, që Allahu ta kuptojë se robi i Tij ka bërë kthesë të rëndësishme në jetën e tij dhe i ka dhënë përparësi Zotit të tij. Kjo tokë ka njohur mizorë e mizori që nuk përshkruhen dot me fjalë; ka dëshmuar krime e tmerre nga më të rëndat, por prapëseprapë ka pasur prej tyre që i kanë thënë vetes “MJAFT” me këto vepra shkatërruese dhe i janë kthyer të penduar sinqerisht të Vetmit, i Cili i pranon pendimet e robërve të Tij, dhe ia kanë nisur nga e para të mbarës, të mirës, të këndshmes, të pëlqyerës, të shpërblyeshmes, të lëvduarës, duke u larguar me shpirt, zemër e vepër të urryerës, të ndaluarës dhe të dënueshmes. Sado vite të kesh mbi supe, nuk je vonë për ta hedhur këtë hap, sepse do të jetë një hap vendimtar për të ardhmen tënde të pakthyeshme. Përderisa je gjallë, dije se Allahu të do, prandaj të jep akoma shans për të ndryshuar. Përndryshe mund të ta kishte bërë rrësk vdekjen, sapo ta kishe mbushur kupën e mëkateve dhe të të merrte për në botën e përtejme e të të dënonte siç do donte. Por jo! Dashuria e Allahut për njerëzit është shumë herë më e madhe sesa dashuria e nënës për foshnjën e saj të porsalindur; është më e madhe sesa malli që djeg nënën që nuk e ka parë djalin e saj prej vitesh. A do donte kjo nënë që djali i saj të hidhej në zjarr e të digjej i gjallë. Sigurisht që jo! Nëse kjo nënë nuk do njëherë, Allahu i Lartësuar nuk do njëqind mijë herë që krijesa e Tij e përsosur të meritojë si dënim Zjarrin e Xhehenemit dhe zemërimin e vet Krijuesit të saj. E gjithë jeta e njeriut është një mundësi e artë për të që të sigurojë një të ardhme të paqtë e të lumtur. E ç’mund të dojë më tepër njeriu?! Por ja që ka njerëz që Ahiretin nuk e kujtojnë dhe për të as që mendojnë.

Vëlla i dashur dhe ti motër e nderuar! Është koha që të marrësh vendimin e duhur. Mos të të interesojë se çfarë mendon bota për ty, por ajo që duhet të të interesojë duhet të jetë se çfarë vlere dhe vendi ke tek Allahu. Mos i lër ditët të të ikin kot; mos i lër ditët të perëndojnë duke marr; me vete mëkatet e tua; mos e lër veten të shtrihet netëve në shtrat të mbuluar me mëkate; mos! Nuk i dihet se cila mund të jetë dita jote e fundit, kështu që merre këtë këshillë vëllazërore dhe vëre në zbatim për të mirën tënde. Duke të këshilluar ty, së pari këshilloj veten time, sepse egoja e çdokujt e shtyn pronarin e saj drejt të keqes, përveç atij që ka merituar mbrojtjen e Zotit nga të ligat. Mos iu gëzo një viti që iku dhe u stërmbush me veprat e tua të liga, por gëzohu që në jetën tënde vjen një tjetër vit dhe çdo orë e minutë të tij, mundohu ta shfrytëzosh për mirë. Dije se e mira nuk ka kufi, ashtu siç edhe e keqja nuk ka kufi. Kënaqe Zotin tënd. Le të jetë kjo aspirata jote, qëllimi yt më i lartë, ëndrra jote e vazhdueshme dhe ke për ta parë se fundi i kësaj rruge do të jetë i lumtur; fundi i kësaj rruge nuk mund të jetë asgjë tjetër përveç se Xheneti. Allahu na e bëftë rrësk të gjithëve ta meritojmë këtë shpërblim kaq madhështor, të premtuar për vepërmirët, e të jemi fqinj me prijësin tonë të nderuar, Muhamed Mustafanë. Amin!

Qani Sulku