Në lidhje me rrënjën e fjalës ka pasur diskutime. Disa kanë thënë që është paskajore, e cila ka kuptimin e “leximit” që vjen nga rrënjët e foljes Ka-Ra-E’, por dhe kuptime të tjera si: ‘prioritet’ apo ‘mosmirënjohje’. Duke u bazuar tek këto, Kur’an do të thotë: “leximi i shkronjave dhe fjalëve duke pasuar njëra-tjetrën”.

Folja ‘Ka-Ra-E’ me paskajoren ‘el-kar’u’ vjen dhe në kuptimin ‘mbledh’. Kjo fjalë mund të përdoret edhe në ketë kuptim, “gjaku që mblidhet në mitër në kohën mes dy cikleve mujore dhe dy kohëve që është pastrim për femrat”. Kështu që, në Kur’anin famëlartë ky kuptim kalon në një ajet:

 “Gratë e lëshuara duhet të presin tre cikle mujore, dhe nuk është e lejueshme ta fshehin atë që ka krijuar Perëndia në mitrën (anin e fëmijës) e tyre.” (Kur’an, 2:228), pra kjo do të thotë tre periudha pastrimi njëra pas tjetrës. Në këtë kuptim për Kur’anin kanë thënë se është ‘ai që mbledh’. Sipas interpretimit të Ibn Abasit në lidhje me ajetin “Sepse Ne e kemi për detyrë tubimin dhe leximin e tij!” e ka interpretuar si “mbledhje dhe forcim në zemër”. Në ketë këndvështrim, disa kanë interpretuar se Kur’ani ka kuptimin ‘Kur’an’, me kuptimin që “mblodhi frytet e
librave te mëparshëm, dhe të gjitha dituritë i ka përmbledhur në vete”.

Në kohën e injorancës, te Arabët, folja ‘Ka-Ra-E’ është përdorur në kuptimin: ‘nuk dha fëmijë, nuk lindi’.  Sidoqoftë, edhe pse kuptimi i Kur’anit nuk u theksua në ketë gjë, mbase ai mund të ketë lidhje me ketë kuptim, që do të thotë se është i papërlyer.

Sipas Esh’ariut dhe disa dijetareve që janë në mendimin e tij, Kur’an ka kuptimin: ‘të afrosh diçka me diçka’ dhe rrjedh nga folja ‘Ka-Ra-Ne’,  dhe është thëne se vjen nga kjo folje për suret dhe ajetet e Kur’anit që janë vendosur  afër njëra-tjetrës.

Sa i përket disa dijetarëve, ‘Kur’an’ nuk rrjedh nga asnjë fjalë. Kjo fjalë, është një emër i veçantë që Allahu ia ka dërguar Pejgamberit (a.s). Imam Shafiu është po në këtë mendim.

Sipas disave, leximi i Kuranit ‘Kur’an’ është me hemze, ndërsa sipas disave, ‘Kuran’ është pa hemze. Sipas atyre që kanë thënë se rrjedh nga folja ‘Ka-Ra-E’ pra ‘Kur’an’  eshte me hemze, ata te cilët kanë thënë se rrjedh nga folja ‘ka-ra-ne’ është pa hemze. ‘Kur’an’i nuk ka rrjedhur nga asnjë fjalë, nëse do të ishte krijuar nga ‘ka-ra-e’, atëherë çdo gjë që lexohet duhet t’i themi ‘Kur’an’. P.sh, sipas Shafiut i cili thotë se edhe Tevrati edhe Inxhili duhet të quhen ‘Kur’an’, pra Kur’ani është pa hemze, ‘Kuran’.[1]

Përveç kësaj, edhe për veçoritë e Kur’anit ka pasur diskutime. Sipas disave, Allahu, fjalën ‘kuran’ e ka krijuar në Lehvi Mahfudh; sepse në Kur’an thuhet: ‘ky Kur’an – (që e mohonin ata), është Kur’ani i madhërueshëm,  i shkruar në Levhi Mahfudh (në pllakën e ruajtur me kujdes). (Kur’an, 85: 21-22).

Sipas disave, fjala e Kur’anit është prej Xhibrilit (Xhebrail) sepse, në Kur’an thuhet: “me të vërtetë, ajo (Kur’ani) është fjala e shpallur Profetit të shenjtë” (Kur’an, 69:40).

Sipas disa të tjerëve, fjala e Kur’anit i takon Pejgamberit (a.s) sepse, në Kur’an kalon ajeti: “ai (Kur’ani), është Shpallja e Zotit të gjithësisë, atë e ka sjellë Shpirti i besueshëm (Xhebraili) në zemrën tënde” (Kur’an, 42:192-193).

Mirëpo, shumica e dijetarëve të mëhershëm, veçoritë e Kur’anit i kanë përkufizuar kështu: “Kur’ani, është fjala e Allahut, e përbërë nga shkronjat dhe tingujt, e përmbledhur në sure dhe ajete. Lexohet me gjuhët tona, mbrohet, është i shkruar nëpër mus’hafe, preket me dorë, dëgjohet me veshë, dhe shikohet me sy. Në ketë këndvështrim, është vaxhib (obligim) që të tregojmë respekt ndaj mus’hafit (Kur’anit). Është i pafillim, nuk është i krijuar. Është një cilësi (sifati kelam) në Qenien e vetë Allahut. Por më pas disa dijetarë të mëvonshëm kanë thënë se fjala e Kur’anit është e krijuar (por në të vërtet, kjo nuk është kështu).  Përmes shpalljes,  fjala edhe kuptimi është prej Allahut.  Ata të cilët janë xhunub dhe nuk kanë abdest nuk duhet ta prekin Mus’hafin. Në përgjithësi është pranuar se edhe fjalët (të Kur’anit) janë të shkruara në Lehvi Mahfudh dhe nuk i përkasin as Pejgamberit (a.s) dhe as Xhibrilit.”[2]

Disa të tjerë kanë bërë një tjetër definim të Kur’anit:

 “Kur’ani  është fjalë e Allahut qe i ka zbrit Pejgambeit alejhi selam përmes vahjit, është i shkruar nëpër Mus’hafe,
e transmetuar gjeneratë pas gjenerate, leximi i tij është ibadet dhe është mrekulli.”[3]

Por disa nga veçoritë janë përmendur në vetë fjalët e Kur’anit: “Këto ditë janë, ditët e muajit të ramazanit, në të cilin muaj ka zbritur Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me argumente të dokumentuara për rrugën e drejtë dhe dallues i së mirës nga e keqja.” (Kur’an, 2:185).

“Ky Kur’an nuk është i trilluar prej askujt, por vetëm është shpallur prej Perëndisë, për të vërtetuar shpalljet e mëparshme, dhe të shpjegojë dispozitat; në të s’ka dyshim (ka zbritur) nga Zoti i gjithësisë!’’ (Kur’an, 10: 37).

“Na e zbritëm këtë Kur’an në gjuhën arabe, për ta kuptuar ju.”  (Kur’an, 12:2).

 “Me të vërtetë, ky Kur’an udhëzon kah ajo që është më e drejtë dhe i sihariqon besimtarët që punojnë vepra të mira, se ata, me të vërtetë, do të kenë shpërblim të madh…”(Kur’an, 17:9).

 “Në të vërtetë, Ne Kur’anin e kemi bërë të lehtë për këshillim, – e a ka kush që këshillohet (me të)?” (Kur’an, 54:17).

“Ky (shpjeguesi i këtyre), është, me të vërtetë, Kur’ani i nderuar, në Librin e ruajtur.” (El-Kur’an, 56:77-78).

Megjithatë, rreth Kur’anit janë thënë edhe emra të tjerë. Të përmendur mes tyre janë: Kitab (Libër), Furkan (Dallues), Dhikr (Përmendje), Ruh (Shpirt), Huda (Udhëzues), Shifa (Shërues), Mexhid (Lavdishëm), Methani, Ummu-l Kitab (Nëna e të gjitha librave), Hakk (i Vërtetë), Sidik (i Sinqertë), Tedhkira (Përkujtues), Bushra (Përgëzues), Tenzil (i britur), Ilim (Dituri), Mubin(i Qartë) etj.[4]

Mbi të gjitha këto njohuri që dhamë, kuptojmë se Kur’ani është fjala e Allahut që është e zbritur nëpërmjet vahjit ajet për ajet, tek Pejgamberi i fundit Muhammedi (a.s).

Ashtu siç ka thëne Imam Shafiu, edhe po të ketë ardhur nga folja ka-ra-e ose nga ndonjë tjetër, Kur’ani është një emër i përveçëm. Ne mendojmë se ajeti i parë i zbritur në formën urdhërore ikra (lexo) e ardhur nga rrënjët e foljes ka-ra-e, ka një kuptim të ndryshëm për sa i përket emrit të Kur’anit. Duke e interpretuar konceptin ‘kiraet’, edhe sikur fjala Kur’an të kishte ardhur nga kjo folje, në mënyrën sesi sot i qasemi tekstit, ajo nuk mund të kuptohet si lexim, edhe nëse vjen nga kjo folje “lexim”, ajo nuk duhet kuptohet thjesht si veprim në leximin e tekstit të Shenjtë që kemi sot. Sa i përket disa prej emrave të  Kur’anit që i përmendem më sipër, ato janë më shumë se
emra të veçantë, këto duhet të jenë cilësi të Kur’anit.

Ali Ynall

Përktheu: Haki Sahitaj

[1] Ebul’l Beka, Külijjat, s. 287 Ragıp el-İsfahani, el-Müfredat fi Garibil Kuran, Beyrut, s. 402; Suphi es-Salih, Kuran İlmileri, ç. M. S. Şimşek, Hibaş yay. Konya, s. 15-8.

[2] Ebul’l Beka, a.g.e. a.y. Abdürrahman Çetin, Kuran İlmileri ve Kuran-ı Kerim Tarihi, Dergah yay. İst. 3 baskı, s. 67.

[3] Hayrettin Karaman, Fıkıh Usulü, İst. 3 baskı, s. 67.

[4] Abdürrahman Çetin, a.g.e. s. 32-6.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu