Rinia është mosha ku njeriu ndihet më i shëndetshëm dhe më i guximshëm. Në këtë moshë, ai është i gatshëm për të përballuar gjithçka, duke mos e menduar asnjëherë plakjen dhe vdekjen. Por, ashtu si vera që ia lë vendin vjeshtës e dimrit, si dita, mbrëmjes e natës, sigurisht edhe rinia do ia lërë vendin pleqërisë e vdekjes. Ky është ligji i Zotit dhe askush nuk mund ta ndryshojë atë. Por, ç’duhet të bëjmë për të ftuar rininë e përjetshme?!
Është e vërtetë se të rinjtë ndjekin më shumë ndjenjat sesa mendjen. Çdo i ri e vërteton me përvojën e tij se kënaqësitë dhe dëshirat rinore, jashtë rrethit të së lejuarës, në fund shkaktojnë dhimbje, vuajtje dhe strese të shumta. Nëse i riu lihet i lirë të zgjedhë, a është e nevojshme të thuhet se çfarë do të zgjedhë e çfarë do të lërë? Gjer në çastin kur t’i shkohet në ndihmë me anë të edukimit, i riu është satelit i dëshirave dhe i kënaqësive boshe të mjedisit ku është rritur, një “i marrë” që rrotullohet shumë larg logjikës. Ndërkohë që ne, jemi të detyruar t’i përgatisim ata si besimtarë, miq të virtytit dhe kundërshtarë të imoralitetit.
Rinia, e cila në Islam ka një status të lartë, është lëvduar nga vetë Profeti ynë a.s. Ai i ka kushtuar një rëndësi dhe dashuri të veçantë asaj në shumë hadithe. Në njërin prej tyre shprehet: “Ju këshilloj (kushtojini rëndësi) rininë.. Të rinjtë m’u bindën, të moshuarit më kundërshtuan”, thotë i Dërguari i Allahut. Të gjithë ne jemi predikues të Islamit, e në veçanti rinia besimtare. Ajo duhet të mbartë mesazhin e Islamit kudo në popull, duke e praktikuar në radhë të parë ata vetë, me vepra dhe me një komunikim të mirë me njerëzit.
Sot, prej të rinjve kërkohet që të braktisin ashpërsinë e vrazhdësinë në predikim dhe të ndjekin urtësinë dhe këshillën e bukur. Prej tyre kërkohet gjithashtu që të përkrahin butësisë, sepse aty ku
mbretëron butësia, ka paqe e harmoni, ndërkaq, sa herë që vendin e saj e ka zënë ashpërsia, kanë lindur problemet. Për këtë qëllim Allahu i Madhëruar i drejtohet Profetit të Tij në suren Al’Imran: “Në sajë të mëshirës së Allahut, u solle butësisht me ta (o Muhamed). Sikur të ishe i ashpër dhe i vrazhdë, ata do të largoheshin prej teje. Prandaj falua atyre gabimin, kërkoi falje Allahut për ata dhe këshillohu me ata për çështje të ndryshme. Kur të vendosësh për diçka, mbështetu tek Allahu. Vërtet, Allahu i do ata që mbështeten tek Ai.”.
Myslimanët në shekujt e parë e përhapën Islamin me veprat dhe moralin e tyre. Puna, sjellja dhe morali janë ato të cilat e përhapën dritën e Islamit në botë. Ndër të parët, mbi të cilët bie ky obligim, është rinia, shpresa e çdo kombi, shtylla dhe e ardhmja e tij. Sot, njerëzit kanë nevojë për një platformë të re, e cila do t’u forcojë besimin, por nuk do t’ua rrëmbejë shkencën; do t’u dhurojë ahiretin, por nuk do t’ua ç’rrënjosë dynjanë; do t’u paraqesë thelbin e adhurimit, por nuk do t’i privojë nga të mirat e kësaj jete. Ata kanë nevojë për një platformë të balancuar, të cilën e posedon feja jonë, prandaj duhet të kemi konsideratë ndaj saj dhe ta njohim vlerën e vetes sonë, kurse i pari që është i thirrur ta bëjë këtë, është i riu.
Çdo komb që i ka dhënë vlerë brezit të ri është lartësuar, ndërsa ata që kanë neglizhuar edukimin e tij, e kanë vuajtur shumë rëndë pasojën e këtij nënvleftësimi. Nëse shoqëria e sotme lëngon nga fenomenet negative, kjo është pasojë e nënvleftësimit të edukimit të rinisë. Prandaj lartësimi
ose rënia poshtë e një kombi varet nga shpirti dhe vetëdija me të cilat ushqehet gjenerata e re, nga arsimi dhe edukata që do të marrë. Për një bashkësi, të rinjtë i përngjajnë gjakut që i jep jetë trupit. Për këtë qëllim, ata duhet të nxiten që ta përgatisin veten seriozisht, ta zgjerojnë horizontin e
tyre me dije të dobishme, shpirtin me adhurim, trupin me ushtrime fzike, moralin me virtyte të larta; pra të bëhen pjesë e shoqërisë, në mënyrë që t’i shërbejnë dhe të jenë pjesë vitale e saj.
Prandaj, nëse i riu kërkon të arrijë gëzimin dhe kënaqësinë e jetës, le t’i japë kuptim jetës së vet përmes besimit, ta zbukurojë atë me kryerjen e detyrave fetare dhe ta mbrojë duke iu larguar gjynaheve. Nëse ai do e ndërtojë jetën e tij duke u bazuar në ndershmëri, dëlirësi, drejtësi e bindje, duke vepruar sipas udhëzimeve të Islamit dhe duke i shprehur mirënjohjen Zotit, atëherë ajo do të bëhet shkak për të ftuar rininë e përjetshme në parajsën e amshuar.
Dorian Demetja