Hafiz Qazimi ka lindur në vitin 1921 në lagjen Zdralej të qytetit të Shkodrës në një familje të ndershme tregtari të vogël. Të tre djemtë, Qazimin, Shefikun dhe Xhevdetin, i ati pati dëshirë t’i arsimojë, e nëse më dy të tjerët ia arriti më lehtësisht, Qazimi pati tjetër fat në jetë. Pas një sëmundjeje në moshën dy vjeçare ai humbet shikimin. Për të, prindërit e pjestarët e tjerë të familjes kjo qe një goditje e rëndë. Por atë cka humbi përgjithmonë, të pamët e kësaj bote, Zoti i Madhnueshëm xh.sh. ia kompensoi me një dhunti tjetër, kujtesën, që ai e pati krejt të veçantë nga të bashkëmoshatarëtve. Plus kësaj, edhe vullneti e bëri atë të mos tërhiqej nga jeta.
I shoqëruar nga pjestarët e familjes, ai çdo ditë pas moshës 7-vjeçare shkon në mejtepin e Xhamisë Plakë, ku ishte imam dhe mësues besimi Hafiz Ibrahim Dibra. Me një kujdes e durim të theksuar, ai i mëson Qazimit lëndët fetare e Kur’anin e Madhnueshëm përmendësh, aq sa thonë se në komisionin provues ai i ka entusiazmuar të gjithë e ku ka fituar edhe titullin “Hafiz”.
Hafiz Qazimi pat një zë të ëmbël, të shtruar e tërheqës. Besimtarët e lagjes e ruajnë në kujtesë fort mirë kur ai këndonte Ezanin në minaren e Xhamisë Plakë, i lejuar me shumë kënaqësi nga Hafiz Ibrahimi.
Me propozimin e Myftinisë së Shkodrës, Këshilli i Përgjithshëm i Komunitetit Mysliman Shqiptar, e emëron myezin në Xhaminë Plakë, pranë shtëpisë së tij. Në këtë institucion fetar ai shërbeu për 20 vjet, në harkun kohor 1947-67.
Si myezin i kishte shokët e rrallë. I shoqëruar në të pesë vaktet në xhami nga i ati, e ëma, vëllezërit, e shoqja e bija, Hafiz Qazimi kryente me përkushtim detyrën që i ishte besuar, duke fituar respektin e veçantë të besimtarëve.
Edhe pse i verbër plotësisht, Hafiz Qazimi nuk u kufizua vetëm në xhaminë e tij, atë do ta shihje edhe në xhami të tjera të qytetit në raste festash e ritesh fetare, ku shkonte edhe për të plotësuar kulturën e tij fetare. Atë që i mungonte nga të lexuarit e librave fetarë, ai e gjente në ilahitë, vasat e ligjëratat që jepnin kolegët e tij hoxhallarë, veçanërisht në Xhaminë e Parrucës. Me këtë vullnet të pashoq, ai i bëri vend vetes, për ta respektuar jo për “mëshirë”, por për aftësinë që shpaloste. Si të tillë i lëshuan radhë, se e meritonte, që të bënte në jo pak raste komentin e Kur’anit të Madhnueshëm dhe të merrte pjesë në këndimin e Mevludeve me atë zë të bukur, si në xhamitë e qytetit ashtu dhe të fshatrave të Shkodrës.
Pas vitit 1967, si të gjithë hoxhallarët e tjerë, edhe hafiz Qazimi e ndërpreu aktivitetin legal fetar, për ta ushtruar atë në shtëpi pa ndërprerje.
E përjetoi thellë lejimin e besimeve fetare mbas vitit 1990. Edhe pse i lodhur nga jeta, u ngrit të shkonte e të merrte pjesë në mitingun madhështor të organizuar në Xhaminë e Plumbit më 16. 11. 1990, madje e nderuan duke e ngjitur në tribunë dhe duke i lënë radhë të këndonte përmendësh Kur’anin e Madhnueshëm, duke entusiazmuar pa masë pjesëmarrësit dhe veçanërisht të rinjtë që nuk e njihnin.
Kjo ngjarje, siç thonë familjarët, sikur i solli dritën e syve. E ftonin dhe nuk e këndonte Kur’anin. Kur u bë përurimi i Xhamisë së Kirasit, tregon vajza e tij, besimtarët erdhën, e morën dhe e sollën me makinë, e po kështu nderime i bënin edhe hoxhallarët e tjerë, siç qe Haxhi Hafiz Vehbi Gavoçi, me të cilin qenë njohur që në fëmini, etj.
Hafiz Sabri Koçi, e ka çmuar shumë Hafiz Qazimin, që si pak kush e lidhi tërë jetën e tij me Allahun Xh, Sh. Dhe fenë e madhnueshme Islame.
Ai ndërroi jetë më 06.10.1991.