Haxhi përmes historisë dhe përjetimit

Pelegrin konsiderohet personi që viziton disa vende te shenjta për qëllime fetare. Peligrinazhi për në vendet e shenjta është një rit i zakonshëm që shfaqet thuajse në të gjitha komunitetet fetare. Ai ka qënë tipari karakteristik për shumë religjione, që nga Egjipti, Persia, India, Japonia dhe Kina e lashtë.

Pelegrinazhi është një manifestim shpirtëror i qenies njerezore në kërkim të ngushëllimit përfundimtar. Është udhëtimi i pelegrinëve në kërkim të Krijuesit të tyre. Pelegrini ia drejton të gjitha dëshirat dhe kërkesat Zotit të tij dhe kërkon mëshirë e falje për gjynahet e së shkuarës. Ai do t’i tregojë Zotit se është i sinqertë në qëllimin e tij, nëpërmjet kryerjes së riteve dhe bërjes së sa më shumë sakrificave, që janë përgjithësisht pjesa thelbësore e peligrinazhit (përfshirë këtu të gjitha fetë). Në rastet më të shumta, pelegrinët mbërrijnë në destinacion pas kryerjes së një udhëtimi të gjatë dhe të lodhshëm, udhëtim që kryhet nëpërmjet kursimeve të përftuara nga puna e tyre gjatë gjithë jetës.

Konstatohet lehtë se peligrinazhet dhe ritet përkatëse vihen re thuajse në të gjitha fetë, por vlen për t’u theksuar fakti se pjesa më e madhe e ritualeve kanë shumë gjëra të përbashkëta. Kjo ngjashmëri lyp një studim të thellë e të kujdesshëm në praktikat e peligrinazheve. Megjithatë, si për të filluar këtë konstatim, le t’i kushtojmë vëmendje pikave të mëposhtme:

  1. Komunitete të besimeve të ndryshme nga vende të ndryshme të botës, ruajnë praktika të njëjta fetare edhe pse supozohet se e kanë zanafillën në etapa të veçanta të historisë.
  2. Në kohët e lashta, transporti dhe komunikacioni ishin tepër të vështirë e në disa raste edhe të pamundura. Megjithatë, kishte tipare të përbashkëta që mund të dilnin në pah në ritualet e peligrinazheve nga komunitetet të ndryshme, që banonin në vende të ndryshme të botës.
  3. Asnjë prej këtyre komuniteteve nuk e ruan ritualin në përgjigje të urdhrave të profetëve të tyre. Nëse do të ishte kështu, procedurat e ritualeve duhet të kishin qenë të ndryshëm njëri nga tjetri.

Këto ngjashmëri të çuditshme nuk janë aspak aksidentale apo të rastit dhe për më tepër, nuk janë kryer si pasojë e riprodhimit të ritualeve nga një vend në tjetrin. Krijuesi dhe Mbrojtësi i botës, i Gjithëfuqishmi Allah, na e sqaron këtë në Kur’an:

“Secilit popull ne i dhamë ligj që ata veprojnë sipas tij, pra le të polemizojë me ty për këtë çështje e ti thirri te Zoti yt se, pa dyshim, ti je në një rrugë të drejtë.” (22:67)

Ajeti kuranor e shtyn njeriun të mendojë rreth motivit të pelegrinazhit në të gjitha komunitetet. Le të nxjerrim në pah të përbashkëtat e ritualeve të pelegrinazheve kudo në botë:

1. Psalmet dhe këngët te hindusët dhe budistët.

2. Këndimi i hymneve nga kristianët dhe bërja dhikër nga pelegrinët myslimanë.

3. Lutjet e vazhdueshme ndaj Zotit të Gjithfuqishëm gjatë periudhës së pelegrinazhit.

4. Sakrifikimi i kafshës nga myslimanët dhe sakrifikimi simbolik te kristianët dhe hebrenjtë.

5. Rruajtja e kokës te myslimanët dhe te disa sekte hinduse.

6. Rregulli i veshjes se veçantë në këtë rast të spikatur, te myslimanët dhe hindusët.

7. Ardhja qark vendeve të adhurimit te myslimanët dhe hindusët.

Duket qartë se këto rituale janë në thelb të njëjta në të gjitha fetë, ndonëse në forma dhe mënyra të ndryshme. Kur’ani e shpjegon këtë fakt në një ajet tjerër: “Ne i kemi përcaktuar çdo populli vendtherrjen (e kurbanit) që ta përmendin emrin e Allahut për arsye se i furnizoi ata me kafshë. Zoti juaj është Një Zot, andaj vetëm Atij dorëzohuni e përgëzoi të dëgjueshmit.” (22-34)

Në dy ajetet e cituara (22.34 dhe 22.67) fjala në arabisht Manasik përdoret për ceremoni fetare të ndërthurrura me pelegrinazhin e Haxhit. Është për t’u marrë në konsideratë fakti se fjala Manasik nënkupton në të njëjtën kohë edhe “sakrificë fetare”. Kësisoj, është më se e qartë se është vetë Zoti i Gjithfuqishëm, i Cili përshkruan ritualet për të gjitha komunitetet. Me fjalë të tjera, pelegrinazhi është një nga përshkrimet e Allahut, që provon mëshirën dhe dashurinë e Tij për të gjitha krijesat, pa asnjë lloj paragjykimi në funksion të racës, besimit, gjuhës, ngjyrës, etj. Pelegrinazhi gjithashtu nxjerr në pah Njësimin e Zotit dhe begatinë e dashurisë së Tij për të gjithë njerëzimin dhe krijesat. Fakti i pakundërshtueshëm se ky ritual ruhet në tërësi me ngjashmëritë dhe diferencat midis komuniteteve të ndryshme kudo në botë, provon se e ka origjinën te Zoti i Vetëm. Ajo që mbetet për t’u hetuar është se “si” dhe “pse” ndryshimet nxorrën kokë në këto besime me kalimin e kohës.

Pelegrinazhi në Islam

Midis të gjitha llojeve të pelegrinazheve, Haxhi është i vetmi, për faktin se pelegrinët vizitojnë vendin e shenjtë, Qaben, në përgjigje të ftesës së Zotit. Myslimanët besojnë se Allahu e ftoi gjithë njerëzimin nëpërmjet profetit Ibrahim (paqja qoftë mbi të). Kjo ftesë hyjnore përmendet në Kur’an:

“Dhe thirr ndër njerëz për haxhin, se të vijnë ty këmbësorë dhe kalorës me deve të rraskapitura që vijnë prej rrugëve të largëta.”

“Pastaj le të heqin papastërtinë e tyre, le t’i zbatojnë premtimet e veta dhe le të sillen rreth shtëpisë së lashtë.” (22:27-29)

Pra, ftesa e drejtpërdrejtë ndaj gjithë njerëzimit është përhapur për herë të parë nga profeti Ibrahim, i cili ka jetuar mijëra vjet të shkuar. Ftesa e Allahut është përhapur në kombe të ndryshme që shtrihen anembanë botës, përmes profetëve nga gjiri i tyre. Përfundimisht, ishte profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të), i cili u urdhërua të ftojë gjithë njerëzimin. Sidoqoftë, në periudhën e fundit, një mori kombesh kanë humbur rrugën e drejtë nga pasaktësitë e klerikëve të tyre. Të nxitur nga përfitime materiale, ata i kanë bërë njerëzit të besojnë se profetët dhe disa njerëz të mëdhenj të fesë ishin gjysmëzot. Hyjnorja iu atribua profetëve. Për pasojë, varrezat e tyre u shndërruan në vende pelegrinazhi.

Këto vende pelegrinazhesh dhe ritualesh njerëzore, që spikasin tani në fe të tjera, kanë evoluar në kohë prej një formati origjinal, që ishte padyshim krejt ndryshe nga formatimet e shumta që gjejmë sot. Ndërhyrja e kohëpaskohshme e priftërinjve dhe mbretërve, ndryshoi destinacionin origjinal të pelegrinazhit të përshkruar nga Allahu, në destinacione njerëzore. Për pasojë, forma origjinale e pelegrinazhit ndryshoi dhe risitë dolën në sipërfaqe. Edhe në ditët e sotme vazhdojnë ritmet galopante të rritjes së numrit fiktiv të destinacioneve njerëzore të pelegrinazheve. Por Meka, si një destinacion pelegrinazhi, është padyshim krejt ndryshe nga vendet e tjera, për shkak të disa arsyeve:

Së pari, varri i profetit Muhamed (paqja qoftë mbi të) është në Medine dhe jo në Mekë, ndërkohë që Medina nuk është vend i caktuar për pelegrinazhin e Haxhit. Në fakt, profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të) ka qenë tejet i kujdesshëm për të mos lënë asnjë mundësi që varri i tij të bëhej vend adhurimi. Ai druhej se i njëjti fat i profetëve të mëparshëm do të binte edhe mbi umetin e vet. Ky mendim e bëri profetin që edhe në momentet e fundit të jetës, t’i kushtonte shumë rëndësi këtij fakti, madje edhe në shtratin e vdekjes, siç na bën me dije Aishja dhe Ibn Abas, çka transmetohet nga Imam Buhariu.

Së dyti, bërja e vizitave në varret e njerëzve të mëdhenj, përfshirë këtu edhe profetët, nuk është pjesë e pelegrinazhit në Islam. Asnjë varr profeti nuk është venduar në afërsi të Qabes, Minasë, Arafatit apo Muzdelifes, vende në të cilat qëndrojnë pelegrinët gjatë periudhës së Haxhit. Pelegrinët vizitojnë varrin e profetit Muhamed (paqja qoftë mbi të) dhe shokëve të tij në Medine, por kjo nuk është pjesë e pelegrinazhit. Pelegrinët, duke ardhur nga vende të ndryshme të botës, e shohin si një rast të rrallë mundësinë për të vizituar Xhaminë e Profetit (paqja qoftë mbi të) gjatë kohës së haxhit. Ata nuk duan që t’u ikë nga dora ky shans unikal. Përveç kësaj, ajo është xhamia e dytë më e rëndësishme për myslimanët. S’ka asnjë fakt tjetër që i bën myslimanët të vizitojnë xhaminë e Profetit në Medine.

Përmbledhtazi, asnjë mysliman i vetëdijshëm nuk e konsideron vizitën në Xhaminë e Profetit apo në varrin e tij, si pjesë e pelegrinazhit. Kështu, në ndryshim nga fetë e tjera, Meka është bërë destinacioni i pelegrinazhit për vetë faktin se Qabeja (faltorja e parë në botë për të adhuruar Allahun ndërtuar nga profeti Ibrahim) ndodhet pikërisht atje.

Ftesa hyjnore

Së treti, në kontrast të plotë me pasuesit e feve të tjera, myslimanët kryejnë pelegrinazhin në përgjigje të ftesës së lashtë e mijëravjeçare të Allahut. Ata e konsiderojnë veten si bujtës të Allahut në Mekë dhe njëkohshëm, nëpërmjet Kur’anit dhe Profetit (paqja qoftë mbi të) konturimi i haxhit është kryer nga Allahu për gjithë njerëzimin. E për rrjedhojë, myslimanët e ndjekin edhe sot rigorozisht këtë akt thelbësor. Pelegrinazhi i kryer nga Profeti Ibrahim mijëra vjet më parë, i kryer nga Profeti Muhamed 1400 vjet më parë dhe pelegrinazhi i kryer nga myslimanët në kohët e sotme, janë një dhe të pandarë. Të njëjtat rite, i njëjti kod veshjeje e kështu me radhë. Nuk është bërë asnjëherë ndryshim në formë dhe përmbajtje. Nuk mund të gjendet në asnjë fe tjetër, një ruajtje kaq aktive dhe e pastër, duke sfiduar devijimet në kohë dhe ndërhyrjet klerikale. Ajetet kuranore, që i referohen kësaj ftese të bërë nga Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të), u zbritën ndërkohë që Qabja ishte nën kontrollin e jomyslimanëve.

Është e pabesueshme që një udhëheqës vendi të urdhëronte pasuesit e tij të kryenin pelegrinazhin në Mekë, e cila ishte nën kontrollin e armiqve të tij deklaruar, të cilët mezi ç’prisnin rastin t’i dëbonin myslimanët.

Myslimanët ishin shumë të dhënë në ndjekje të sunetit të Profetit Muhamed a.s. qoftë në jetën e tyre, qoftë edhe në të gjitha hallkat e jetës së përditshme. Shokët e tij vëzhgonin qoftë edhe lëvizjen apo reagimin më të vogël të Profetit dhe nuk linin që fjala e tij të binte në tokë, por në çast e vinin në zbatim në jetën e tyre e në raste të tjera, e ruanin fort në kujtesë për ta vënë në zbatim kur ta lypte nevoja. Profeti Muhamed a.s. ishte shumë i ndërgjegjshëm mbi këtë fakt. Ai e dinte se në vitet në vijim pelegrinët do të përpiqeshin fort ta kryenin Haxhin sipas shembullit të tij. Ai druhej se qoftë edhe një fjalë apo lëvizje e kryer jashtë ritit, do të shihej nga pasuesit e tij si pjesë e rregullave të Haxhit. Kështu, gjatë kohës së kryerjes së Haxhit të parë dhe të vetëm prej tij (Haxhi i Lamtumirës), ai ishte tejet i kujdeshëm në secilin prej riteve që kryente dhe në çdo hap që hidhte. Duket qartë se çdo gjë që Profeti bëri në respekt të Haxhit, nuk ishtë gjë tjetër veçse një ripërtëritje e riteve origjinale të monoteizmit, duke mënjanuar zakonet pagane që depërtuan me kalimin e kohës. Ai riktheu në zbatim Ditën e Arafatit, e cila ishte anashkaluar dhe për pasojë edhe mënjanuar nga rituali i Haxhit prej pelegrinëve paganë. Përkundrazi, Profeti urdhëroi ndjekësit e tij ta kalonin natën në Muzdelife duke u falur dhe pushuar. Ai gjithashtu ndaloi therrjen e kafshëve përballë idhujve në Qabe. Në vend të saj, ai rivendosi rregullin që sakrifikimi i kafshëve të kryhej në shesh të hapur në Mina, si një simbol i nënshtrimit tërësor ndaj vullnetit të Allahut. Edhe pse kanë kaluar mbi 14 shekuj, pelegrinët myslimanë i kryejnë këto rite pa asnjë ndryshim apo devijim.

Haxhi: Një mrekulli

Duke u bazuar në transmetimet profetike, ishin mëse 30.000 haxhilerë që e shoqëronin Profetin Muhamed a.s. në udhëtimin e tij nga Medina. Ndërkohë që në Mekë kishin mbërritur afro 100.000 të tjerë nga vende të ndryshme, për të kryer haxhin me Profetin. Në ditët e sotme, më shumw se 5-6 milionë haxhilerë mbërrijnë çdo vit në Mekë. Një mori mjetesh transporti me pelegrinë arrijnë në Mekë, ditë përpara se të nisin ditët e Haxhit. Rreth 49.000 metër katror sipërfaqe vihet në dispozicion të parkimit të automjeteve. Qindra e mijëra policë janë në detyrë në çdo orë të ditës për të vënë rregull në mjetet e transportit, qysh nga makinat luksoze, mikrobuzët, autobuzët, etj. Kjo panoramë na sjell ndër mend ajetin kuranor që flet për këtë masë të madhe e të mahnitshme mjetesh transporti e njerëzish:

Dhe thirr ndër njerëz për haxhin, se të vijnë ty këmbësorë edhe kalorës me deve të rraskapitura që vijnë prej rrugëve të largëta. (vijnë) Për të qenë të pranishëm në dobitë e tyre dhe që ta përmendin Allahun në ato ditë të caktuara (në shenjë falënderimi) dhe për atë që i ka furnizuar me kafshë. Hani pra prej tyre (kurbanëve) dhe ushqeni të ngushtuarin e të varfrin.” (22: 27-28)

Në fakt, ky ajet kuranor, megjithë ngjyrimet dhe larminë e kuptimeve të fjalëve të përdorura në të, nxjerr në pah faktin e hyjnores në Kur’an. Sensi, shpirti dhe profecia e ngërthyer në këtë ajet, është një dëshmi e qartë për këdo që sheh një fluks prej miliona njerëzish nga vende të ndryshme të botës, që tubohen në mes të shkretëtirës. Këto lloj urdhërash me fuqi zbatimi që mobilizojnë njëkohshëm miliona njerëz, e kanë origjinën vetëm në burim hyjnor, sepse përndryshe askush nuk do të merrte një udhëtim të gjatë e të lodhshëm drejt Qabes. Fuqia e pakrahasueshme e këtij ajeti mund të konstatohet edhe nga çdo njeri me gjykim mesatar, i cili mund të dëshmojë ngjarjen madhështore në fjalë, Haxhin. Historia njerëzore nuk sjell dot në kujtesë një ngjarje tjetër, e cila mund të krahasohet me këtë ngjarje madhështore që kryhet vit pas viti. Pelegrini që viziton Mekën është miku dhe i ftuari i Allahut. Feja e tij varet në fije të perit për disa arsye, pasi atij i duhet të kalojë provën e besimit, për të njohur realisht veten e tij.

“Tek Allahu nuk arrin as mishi e as gjaku i tyre por tek Ai arrin bindja juaj. Ai ashtu ua nënshtroi ato juve që ta madhëroni Allahun për udhëzimet që ua bëri. Bamirësve merru myzhde.” (22: 37)

Profeti Muhamed a.s. i këshillonte myslimanët të kujdeseshin që asnjë gjurmë politeizmi mos të shfaqej gjatë periudhës së kryerjes së riteve të Haxhit. Në mënyrë fort të habitshme, zakonet dhe risitë që shtrojnë udhën drejt politeizmit janë eliminuar totalisht, nëse do të marrim në konsideratë udhëzimet e tij

Shekuj e shekuj para profetit Muhamed a.s., profetët Ibrahim dhe Ismail (paqja qoftë mbi ta) i kryen këto rite nën urdhrat e të Gjithëfuqishmit Allah. Profeti Muhamed a.s. ndoqi të njëjtat rite me të njëtën radhitje. Tani, 14 shekujsh, miliona myslimanë mbërrijnë çdo vit në Mekë dhe kryejnë të njëjtin ritual, pa cenuar as formën dhe as përmbajtjen e tij.  

Lauren Luli