KËNAQËSIA E JETËS NË KËNAQËSINË E ZEMRËS

Nuk ka njeri që nuk ëndërron për jetë të paqtë. Njeriut nuk i pëlqejnë dhimbjet dhe vuajtjet që sjellin nga pas. Shkaktojnë lodhje, mërzi, dëshpërim e deri në humbjen e shijes së jetës. Frika për të humbur paqësinë e asaj që shihej si e sigurtë dhe e pacënueshme sjell ankthin e së nesërmes. Ankthi është gjithnjë shoqërues i njeriut, sepse gjithmonë njeriu shpreson për të nesërmen. Por ankthi që sjell trazimi se mund të humbasim jetën e paqtë dhe me këtë humbje nuk dihet çfarë vjen pas (edhe në kushte të tilla vdekja shihet ende si diçka e largët), nuk është i zhdukshëm në përkohësi.

Nuk është koha të kujtojmë vdekjen do të thonë syresh. Është koha të duam jetën. Jetën duhet ta duam, sepse nuk na është dhënë për ta urryer, por pa kaluar përmes vdekjes nuk mund të mbërrihet tek jeta. Të duash jetën nuk do të thotë të harrosh vdekjen dhe të vdesësh para se të jetosh. Të duash jetën do të thotë t’i japësh jetë zemrës, sepse pa lulëzimin e saj as jeta nuk mund të lulëzojë.

Paqësia e jetës lidhet me paqësinë e zemrës. Pa këtë as nuk mund ta mendosh se do të arrish të përjetosh bukurinë e jetës, bukurinë e çdo dite të re. Ankthi se çdo të ndodhë vetëm se e trazon zemrën. Ky është trazim i nevojshëm, pasi njeriu është harrues i madh ndaj të mirave që e rrethojnë dhe për të cilat as ka paguar ndonjë çmim. Njeriu i jep vlerë asaj për të cilën paguan, sepse ka harxhuar mund e djersë për të siguruar vlerën që paguan. Po sa mirësi ka njeriu për të cilat nuk paguan? Kur njeriu bëhet harrues i këtyre mirësive, atëherë ndodhin ngjarje të cilat sjellin frikë dhe ankth për të nesërmen. Në këtë çast njeriu nuk duhet të lëshojë veten në duart e pesimizmit apo akoma më keq të depresionit, por duhet të vetmohet e të reflektojë. Të reflektojë për sytë me të cilët sheh agimin e çdo dite të re, sistemet e organeve që e mbajnë gjallë fizikisht, ajrin që thith, e ngrohtësinë e rrezeve te diellit. Të reflektojë ndaj çdo gjëje për të cilën nuk ka paguar dhe pa të cilat nuk mund të jetojë as disa sekonda.

Zotërimi i të mirave materiale nuk është krejt i padobishëm apo i mallkuar. Është keqpërdorimi i tyre që e bën njeriun të ndryshojë perceptimin për të pasurin dhe pasurinë. Nëse do të përdoreshin drejt dhe me mirësi, bashkësia njerëzore do të kishte një pamje krejt tjetër. Raportet mes njerëzve do të ishin po ashtu krejt ndryshe nga sa i shohim të jenë aktualisht. Edhe pse fara e së mirës asnjëherë nuk humb, shtimi i barërave të këqija ia ndal hovin, ia zbeh bukurinë, dhe nuk e lejon t’i japë bashkësisë njerëzore shkëlqimin që i takon. Njeriu duke mos e ndjerë këtë shkëlqim, kujton se e mira e ka humbur davanë dhe për të bërë prokopi në këtë jetë duhen ndezur motorët e hiles, mashtrimit, ngrënies në peshë, në masë, dhe mundësisht duhen shtrirë aftësitë hajduteske në çdo kapilar të mundshëm të shoqërisë. Kush ia del mbanë kësaj nisme të errët cilësohet i zoti, i aftë, madje edhe lavdërohet dikush me të tilla cilësi, ndërsa kushdo që përpiqet të mbajë gjallë të mirën, virtytet, duke qënë antipod i kësaj sjellje shihet si teveqel, teleshman, i pazoti. Nëse ky është vlerësimi për modelet jetësore në një shoqëri a mund të pritet që barërat e këqija t’ia lirojnë rrugën farës së mirësisë?

Nëse njeriun e shqetëson kjo gjendje, ky shqetësim duhet me patjetër të kthehet në një reflektim të thellë mbi faktin se çfarë bën njeriu me jetën e tij? Si e përdor ai atë? A është mendja e tij e kthjellët ndaj zbukurimeve mashtruese të së keqes që përpiqet të duket si një sojlie e ndërkohë në gji mban zjarrin e urrejtjes dhe vrerin e zilisë dhe hasedit? A ka ky njeri një pishtar ndriçues që e bën të dallojë qartë të mirën dhe të keqen? Nuk mund ta shuash këtë pishtar më thellimin në të liga e më pas të shfrysh ndaj farës së të mirës që nuk jep fryte. Ky do të ishte gjykim krejt i gabuar, gjykim të cilin nuk mund ta pranojë njeriu që mban brenda vetes ndezur pishtarin dallues të së mirës dhe të së keqes.

Ditët që i janë dhënë njeriut për të jetuar janë të tijat dhe askush nuk mund t’ia marrë apo t’ia huajë. Por këto ditë kurrë nuk do të kenë të njëjtën trajtë. Luhatjet në pamjen e tyre do të jenë gjithmonë normale. Mes këtyre luhatjeve njeriu duhet të qëmtojë çastet, ditët, kur lidhja me të mirën dhe largimi nga e keqja janë në pikun e tyre. Kjo për të përfituar rigjallërim të zemrës, çlirim të saj nga pesha e stomakut, lehtësim të gjymtyrëve nga pesha e të ligave që njeriu vepron. Vullneti dhe këmbëngulja për t’i shkuar pas farës të së mirës porsi manar, duhet të kthehen në epiqëndër të veprimit dhe jo thjesht të fjalëve që erërat dhe stuhitë nuk dihet se ku i degdisin.

Pa veprim që i jep jetë farës të së mirës, nuk ka gjallëri dhe paqësi jeta e njeriut. Kushdo që e kërkon gjallërinë dhe paqësinë jashtë kësaj rruge, jeton mes fanitjeve pa arritur kurrë të shijojë jetën që mendon se e ka shijuar e i ka pirë lëngun, kur ka vepruar siç i ka dashur qejfi, pa njohur kurrfarë virtyti.

Nuredin Nazarko