KONSULTIMI DHE RËNDËSIA E TIJ NË FAMILJE

Vet fjala konsultim, do të thotë të orientohesh, të marrësh mendimin dhe të këshillohesh rreth një çështjeje me një person apo me një grup personash. Fjalët në gjuhën arabe që shprehin kuptimin e fjalës konsultim janë: Mushauere, shiuar, meshuure, meshuere, meshure dhe istishare. [1]

Në Kuran Allahu thotë: “… dhe konsultohu me ta për çështje të ndryshme. Kur të vendosësh për diçka, mbështetu tek Allahu. Vërtet, Allahu i do ata që mbështeten tek Ai.[2] Ndërsa sqarohen cilësitë e besimtarëve në Kuran, “…ata që i përgjigjen thirrjes së Zotit të tyre dhe e falin namazin rregullisht dhe ata që konsultohen mes vete për punë të përbashkëta, e nga ajo që Ne ua japim ata e shpërndajnë[3], krahas faljes së namazit dhe dhënies së lëmoshës, theksohet edhe rëndësia që ata i kushtojnë konsultimit. Kjo, tregon qartë se “konsultimi” është një parim i rëndësishëm që duhet të mbizotërojë në të gjitha fushat e jetës në emër të individit, familjes, shoqërisë dhe shtetit. Prandaj, është një deklaratë e qartë e Kuranit që, si udhëheqësit ashtu edhe ata që udhëhiqen, t’i kryejnë punët e tyre duke u konsultuar.

Ai që iu bind më shumë urdhrit kuranor të konsultimit, ishte pa dyshim i Dërguari i Allahut (a.s.). I mahnitur, Ebu Hurejra (r.a.) shprehte këtë ndjeshmëri: “Unë nuk kam parë askënd që këshillohet me shokët e tij më shumë se i Dërguari i Allahut.”[4] Ai, si në Meke ashtu edhe në Medine, i zgjidhte çështjet për të cilat nuk zbritën ajete, duke u konsultuar me shokët e tij, dhe i këshillonte ata të vepronin në të njëjtën mënyrë. Ndërsa vet Profeti (a.s.) thotë: “Dijeni se Zoti dhe i dërguari i Tij nuk kanë nevojë për konsultim, por Allahu i Madhëruar e zbriti atë si mëshirë mbi umetin tim. Nga ata, kush konsultohet nuk humbet nga e drejta. Dhe kush e braktis, nuk shpëton nga gabimi.[5]

I Dërguari i Allahut gjithashtu, për të shprehur paqen, begatinë dhe mirësinë që konsultimi sjell në jetën e individëve, familjeve dhe mbarë shoqërisë, do të shprehej kështu: “Nëse udhëheqësit tuaj janë më të mirët ndër ju, nëse të pasurit tuaj janë njerëz bujarë dhe veprat tuaja kryhen me konsultim, atëherë, sipër tokës është më mirë për ju se sa poshtë saj…”[6]  Prandaj, Profeti u përpoq të zgjidhë çdo çështje me konsultim, duke marrë parasysh begatinë që do t’i shtonte jetës shoqërore. Kështu, myslimanët i bëri të përfitojnë nga idetë e të tjerëve, i bëri pjesë e zgjidhjes, dhe gjithashtu, u mësoi të gjithëve të mos lënë pas dore konsultimin në punët e tyre.

Kushti i parë i konsultimit, është që vendimet që do të merren, të jenë të sakta dhe të qëlluara. Shumë herë vendimet e marra rreth një çështjeje që nuk mendohen mirë dhe pa kërkuar sugjerimet e vërejtjet e ndonjërit, përfundojnë në gabime. Një person i mbyllur në mendime dhe që nuk respekton mendimin e të tjerëve, edhe sikur të ketë temperament të lartë apo të jetë gjeni, do të shikojmë që gabohet më shumë në krahasim me një person, i cili e konsulton mendimin e tij. Njeriu më i zgjuar është ai, i cili respekton më shumë konsultimin dhe përfiton më shumë nga mendimet e të tjerëve. Ata drejtues të shtetit në historinë islame, që kanë kërkuar gjithmonë të drejtën, nuk e kanë ndarë për asnjë çast dhe e kanë bërë kusht të domosdoshëm konsultimin.

Para se të niset një punë, duhet të merren të gjitha masat e duhura duke bërë çdo konsultim të nevojshëm, në mënyrë që të mos shkohet në rrugë të gabuar dhe më pas të fajësohet dikush apo të kritikohet përcaktimi i Zotit. Para se të vendoset për një çështje, nëse fundi nuk mendohet mirë dhe nëse nuk bëhet konsulenca me personat e duhur, zhgënjimi dhe pendesa janë të pashmangshme. Është e drejta dhe domosdoshmëria e konsultimit, që personi në asnjë mënyrë të mos veprojë individualisht, por çështjet e mëdha të së ardhmes t’i bluajë brenda në mekanizmin e konsultimit. Profeti Muhamed (a.s.) është shembulli më i mirë i kësaj. Ai e ka inkurajuar konsultimin dhe e ka aplikuar atë në shumë raste si: Në Bedër është konsultuar me sahabët për masat që do të merrte me ardhjen e Ebu Sufjanit për pengjet e luftës së Bedrit, në luftërat e Uhudit dhe Hendekut, në Hudejbije, gjatë udhëtimit për në Taif, rreth ezanit etj. Profeti (a.s.), madje, edhe në çështje personale e familjare është konsultuar me shokët e tij. Edhe sahabët, si shokë besnikë të Profetit (a.s.), i kanë dhënë një rëndësi të madhe konsultimit. Ebu Bekri dhe Omeri (r.anhuma) patën formuar një këshill konsultativ me shokët e tjerë si Osmanin, Aliun, Abdurrahman b. Aufin, Muadh b. Xhebelin, Ubej b.Ka’bin, Zejd b. Thabitin (Zoti qoftë i kënaqur prej tyre) etj.

Këtu është e nevojshme të theksohet, se këshilli konsultativ me këdo që të formohet, vendimet që do të marrin, nuk duhet të bien ndesh me principet e Islamit, si dhe nuk duhet të jenë të padrejta. Sepse Islami është ngritur mbi një sistem të drejtë. Gjithashtu, është mjaft e rëndësishme, që personi të dijë se si dhe me kë duhet të konsultohet. Kriteret bazë për personin nga i cili do të merret konsultimi, është që ai të jetë besimtar i mirë, i ditur, i zgjuar dhe me përvojë. Për të zbritur më në detaje, personi në fjalë duhet të jetë i sinqertë, largpamës, kompetent, i besueshëm, i drejtë dhe i aftë për të analizuar psikologjinë e njeriut.

Një disiplinë themelore që duhet të theksohet në emër të komunikimit të shëndetshëm brenda familjes, është konsultimi. Ai është diskutimi i çështjes me të gjitha palët, shkëmbimi i ideve, dhe marrja e vendimit më të saktë para se të veprohet për ndonjë çështje. Vendimet e njëanshme, pa marrë parasysh nevojat dhe ndjeshmërinë e bashkëbiseduesve në jetën familjare, kanë shkaktuar dëme të mëdha në komunikimin brenda familjes. Mbrojtja dhe shpëtimi nga këto dëmtime është e mundur vetëm përmes konsultimit për të përmbushur të drejtat dhe përgjegjësitë që vijnë me të jetuarit së bashku. Me konsultimin mes pjesëtarëve të familjes, veçanërisht bashkëshortëve, synimi është të vazhdohet lumturia familjare, duke siguruar që vendimi më i saktë të merret bashkërisht, jo vetëm nga një individ.

Kur analizojmë jetën e të Dërguarit të Allahut (a.s.), shohim se Ai i diskutonte çështjet familjare me gratë e tij. Në fakt, Ai nuk kishte nevojë për mendimet dhe idetë e tyre, sepse përforcohej vazhdimisht me shpallje hyjnore. Sidoqoftë, dëshironte ta edukonte ummetin e tij se si duhej t’i ndërtonin marrëdhëniet familjare. Përkundër asaj që dihej dhe zbatohej deri atë ditë, gruaja do të vendosej në një pozitë të lartë. Dhe i Dërguari i Allahut (a.s.) e filloi praktikimin pikërisht nga shtëpia e tij.

Aftësia për të ushtruar përgjegjësinë e drejtimit të familjes dhe edukimit të fëmijëve si duhet, varet nga ndihma dhe mbështetja e bashkëshortëve ndaj njëri-tjetrit. Në këtë kuptim, Profeti Muhamed (a.s.) thotë: “Gratë janë “Shakik “i burrave[7], domethënë gjysma tjetër. Në fjalor, secila nga dy pjesët që përbëjnë të tërën, është plotësimi i shakikut të tjetrit. Prandaj, burrat dhe gratë duhet të veprojnë nën dritën e këtij hadithi dhe të ndihmojnë e të plotësojnë njëri-tjetrin në jetën familjare. Prania e toneve të ndryshme në ndjenjat e burrave dhe grave, jo vetëm që nuk krijon një kontrast dhe konflikt të plotë, por plotësojnë njëri-tjetrin. Në të vërtetë, në këtë hadith ka një shenjë se ndryshimet janë një pasuri dhe kemi nevojë për to. Në të kundërt, bashkëshortët që nuk kanë një marrëdhënie të bazuar mbi këshillimin, nuk do të kenë qetësi dhe siguri.

Për ta përmbledhur, konsultimi është urdhri i Allahut dhe tradita e të dërguarit të Tij. Ai është një rrugë e pashmangshme si në jetën individuale e familjare, ashtu edhe në atë kolektive. Këshillohuni me njëri-tjetrin për punët tuaja, sepse në këtë mënyrë ndiqni shembullin e profetëve dhe arrini përfundim të kënaqshëm!

 

Dorian Demetja dhe Jurgen Shehu

[1] Ibn Manzur, Lisanu’l-Arab.

[2] Al’Imran, 3:159.

[3] Shura, 42:38.

[4] Tirmidhi.

[5] Bejhaki.

[6] Tirmidhi.

[7] Ebu Daud