KONCEPTI I KUR’ANIT 2

Kur’ani, nuk është vetë fjala e Pejgamberit por është libri i shpallur nga Allahu. Ai, është mrekullia më e madhe që dëshmon Pejgamberinë dhe, në të njëjtën kohë, nuk është vetëm për arabët. Deri në Ditën e Gjykimit ai do të sfidojë të gjithë njerëzit dhe xhindet që të mund të sjellin diçka të ngjashme. Ka një ritëm në leximin e pjesëve të sureve dhe ajeteve. Mes të gjitha burimeve dhe librave fetarë, për gjatë gjithë historisë, në aspektin e së vërtetës dhe unikes, nuk mund të gjendet një shembull si Kur’ani. Në Kur’an as nuk është shtuar dhe as nuk është hequr ndonjë fjalë; por, vetëm ka disa ndryshime të vogla në mënyrën e të lexuarit, por kjo nuk ndikon në kuptimin e tij. Qasja, prezantimi dhe zgjidhja e çështjeve, që Kur’ani ka arritur, është plotësisht unike. Në Kur’an asnjë çështje nuk trajtohet në mënyrë sistematike siç mund të bëjë një kelamist (teolog), dijetar ose shkrimtar. Përkundrazi, Kur’ani ka një sistemim ‘tasrif’, i cili është një formë unike e të shprehurit. Tregon shumëllojshmëri; menjëherë i ndryshon temat, nga një çështje kalon tek tjetra, kthehet ose përsëritet.

Në këtë Kuran, Ne u shpjegojmë njerëzve gjithfarë shembujsh, por shumica e njerëzve, kurrsesi nuk duan të besojnë.” (El-Isra’: 89)

Thuaj: “Më thoni: Sikur Allahu t’jua merrte dëgjimin dhe shikimin e t’ua vuloste zemrat, cili zot, përveç Allahut, do t’jua kthente ato?!” Shih si ua shpjegojmë shpalljet Tona, por ata përsëri largohen nga e vërteta.’’ (El-En’am: 46)

Shih si ua shpjegojmë shpalljet, që ata të mund të kuptojnë!”. (El-En’am: 65)

 Kështu, Ne i shpjegojmë shpalljet Tona në mën yra të ndryshme, që ata të thonë: ‘Ti i ke mësuar këto!’ dhe që t’ua bëjmë të qarta njerëzve që dinë (të drejtën).” (El-En’am: 105)

Shfaqja e ndryshimeve të tilla në harmoni është për të treguar shenjat e Teuhidit. Mbi kuptimin e ajeteve që dhamë më sipër, Kur’ani miraton një shprehje kaq të larmishme dhe ata që e kundërshtojnë atë, akuzojnë Pejgamberin madje edhe Allahun. Por ai, në të njëjtën kohë, ka për qëllim të sfidojë mendimin njerëzor. Kjo formë e të shprehurit, shpreh unitet në të ndryshueshmet dhe harmoni në të shumtat. Kjo mënyrë e tregimit, në fakt, pasqyron renditjen e universit. Edhe në ambientin më të afërt të vetes sonë, ne përballemi me një ndryshueshmëri të madhe dhe përballë dallimeve ne shohim një unitet të zakonshëm.

Kur’ani, “përkthim i përjetshëm i librit të universit”, në këtë mënyrë na e reflekton organizimin e tij, dhe jo jetën në mënyrë të ndarë në pjesë sikurse sot. Mirëpo, na e paraqet si një tërësi. Suret e Kur’anit dhe renditja e ajeteve asnjëherë nuk ndjekin një radhë kronologjike, po ta shihni, një pjesë e ajeteve janë zbritur një nga një, edhe në Kur’an janë vendosur në këtë formë; mirëpo, menjëherë pas ajeteve kanë zbritur ajete të tjera, njëra pas tjetrës, në tjetër kohë dhe janë me tema të ndryshme. Megjithatë, ndërmjet këtyre temave ka lidhshmëri shumë të ngushtë që nuk duhet të neglizhohet. Disa sure ose ajete janë të gjata, disa janë më të shkurta. Njëra prej arsyeve të këtyre është se, në të vërtetë në Kur’an, në çdo ajet ka një lidhje që mundëson shkëputjen nga tjetra.

Në Kur’an, herë pas here duken sikur ajetet janë në kundërshtim me njëra-tjetrën; në të njëjtën kohë, ne nuk duhet të na befasojë mënyra e sistemimit ‘tasrif-it’ atë që e qartësuam, ashtu sikurse te suret, edhe ajetet shihen sikur nuk kanë një lidhje me njëra-tjetrën. Aspektet që na duken të palidhura dhe në mospërputhje me njëra-tjetrën, në të vërtetë nuk janë ashtu. Kur’ani, siç u përmend më sipër, reflekton brendësinë e universit, dhe na mëson sesi të kujdesemi dhe të afrohemi sillemi në jetë, ndaj universit, apo ndaj gjërave. Sidoqoftë, ekziston një kontradiktë dhe mungesë lidhje në vetë njeriun, i cili nuk integrohet siç duhet me universin dhe me Kur’anin.

Për këtë arsye, nëse i afrohemi Kur’anit vetëm me përgatitje njerëzore, dhe pastaj pretendojmë kuptimin e plotë të Kur’anit, apo të flasim rreth Kur’anit, atëherë kjo tregon arsyen se pse ai nuk kuptohet. Kur’ani ka zbritur në gjuhën arabe, dhe arabishtja, në njëfarë mënyre, është bërë ‘forma’ e Kur’anit. Feja nuk është vetëm një filozofi e korrigjimit të mendjes, besimit apo teologjisë; por ajo merret edhe me trupin tonë, pra me gjithë ekzistencën tonë.[1] Në këtë këndvështrim, arabishtja është një element, faktor i Kur’anit. Kur’ani edhe pse ka zbritur në gjuhën arabe, kjo nuk do të thotë se vetëm arabët e kuptojnë atë. Si fillim, për të qenë një fe universale duhet të ketë një gjuhë universale. Së dyti, tingujt dhe fjalët e gjuhës së Kur’anit janë pjesë që nuk i ndahen shpalljes. Fakti se Kur’ani ka zbritur në gjuhën arabe, i ka dhënë asaj një lloj shenjtërie. Kjo “gjuhë e shenjtë” shërben si një mjet kryesor për t’u përfshirë në një masë hyjnore. Libri hyjnor, i lexuar me gjuhën arabe, pra në origjinalin e saj, është Kur’an; por, ashtu sikur në përkthimet e gjuhëve të tjera, atij libri nuk i thuhet Kur’an, gjithashtu, Kur’ani edhe në adhurime nuk lexohet në përkthime të gjuhëve tjera. Kur’ani ka kuptim brenda kuptimeve të tij; të zhytesh në këtë det kuptimesh, në një farë mënyre, të mundëson njohje më të mirë të gjuhës së tij. Pa e ditur gjuhën arabe mund të bëhesh një mysliman i mirë, por, pa e ditur arabishten, Kur’ani shumë pak kuptohet.

Kur’ani në Islam është burimi i diturisë, ai nuk merret vetëm me aspekte shpirtërore, por ai trajton edhe aspekte të tjera si ahlakun (moralin), drejtësinë, filozofinë, madje ai është edhe burimi i dijeve mjekësore. Sipas një përkufizimi që ka bërë Bediuzamani, ku qëllimet kryesore të Kur’anit i ka ndarë në katër objektiva, të cilat bazohen në udhëzimin e të gjithë njerëzve drejt së vërtetës: monoteizmi, pejgamberia/shpallja, ahireti, adhurimet dhe drejtësia.

Në Kur’an të gjitha ajetet vërtiten rreth këtyre katër themeleve, “e thata dhe e njoma, e fshehur dhe e hapur, të përgjithshmet (ixhmaili) dhe detajet (tafsili)” strehohen në Kur’an, si për shembull: nevoja për mrekullitë e Pejgamberit ose rruga e historisë së haditheve, ose nevoja përmes ruajtjes së shenjave, përmendja e diturive me  faza përshkallëzuese, e folura për etapet “istiradi”, domethënë ‘‘për rastin’’ etj.

Brenda këtyre katër qëllimeve kryesore, Kur’ani përmban të vërteta ligjore, parime të besimit, rregulla për rregullimin e jetës njerëzore në tokë, jetën e ahiretit, Xhenetin dhe Xhehenemin, në veçanti shpjegime të lidhura me banoret e Xhenetit dhe Xhehenemit, shkurtimisht, ka nivele kuptimore që mund të përfshijnë jetën dhe mendimet e çdo personi. Kur’ani është një shërim; kur e lexon të mbush me shërim, dhe, mbi të gjitha, qoftë nëse urtësia që përcjell është individuale ose sociale, jep shërim në gjithë sferat e jetës Kur’ani është një dituri universale, një dituri që mund ta rrokë njeriu, një histori, një ligj. Është dërguar në atë mënyrë që të gjykojë mes njerëzve. Jo vetëm për një popull apo kohë të caktuar, por këto janë norma që duhet t’i ndjekë çdo njeri, si dje edhe sot. Ai përmban parime, dispozita që duhet të zbatohen.

Nuk do të kalojmë pa përmendur disa hadithe në lidhje me Kur’anin:

Kur’ani është më i dashur tek Allahu sesa të gjithë ata që gjenden në Tokë dhe në qiell.
Superioriteti i Kur’anit, mbi fjalët e tjera, është sikurse epërsia e Zotit të Madhëruar, mbi krijesat e Tij. Kur’ani, është një gjykim i prerë që e ndan të kotën nga e vërteta. Kush e lë atë për shkak të mendjemadhësisë së tij, Zoti do ta thyejë atë nga qafa e tij. Është historia e atyre që kanë qenë para jush dhe lajmi i atyre pas jush, dhe tek ai është gjykimi i çështjeve mes jush. Kushdo që e kërkon të drejtën përveç se tek ai, Allahu atë e lë në humbje. Ai është litari më i sigurt i Zotit. Ai është Përkujtuesi i Urtë (dhikri hakim). Ai është rruga me e drejtë. Ai që dëshirat nuk i devijon, i pagabueshëm, ai që me të nuk ngopen dijetaret, që nuk vjetrohet nga përsëritja e tepërt, një libër që nga të gjitha anët është i admirueshëm. Ai është një libër që kur edhe xhindet e dëgjuan atë, thanë: “Posa dëgjuam udhëzimin (Kur’anin), ne besuam në të” (El-Xhinn: 13), thënë të vërtetën, ai që punon me të ka fituar sevap, ai që ka gjykuar me të ka bërë drejtësi, dhe ai që ka thirrur drejt tij ka bërë thirrjen e sigurt.[2]

Edhe pse vepra “Usul-i Kaffi” e Kulejnit nuk bën pjesë në burimet e hadithit të Ehli Suneti në të ekzistojnë gjithashtu thëniet e mëposhtme rreth Kur’anit, që i atribuohen Pejgamberit tonë:

O ju njerëz! Ju jeni në një botë të kompromiseve dhe në një udhëtim që do ja ktheni shpinën. Shkuarja e juaj është e shpejtë, siç e patë, dita dhe nata, dielli dhe hëna çdo të re po e vjetron, çdo e largët po afrohet dhe çdo premtim po vjen e po realizohet, përgatiteni gjuhën tuaj për largësinë e vendit ku do të shkoni.” Në këtë rast, Mikdad bin Esued, duke u ngritur, iu drejtua Pejgamberit: Çfarë do të thotë botë kompromisesh?

Është botë e arritjeve dhe ndërprerjeve, atëherë kur fitnet ju mbulojnë sikur errësira natën. Mbahuni për Kur’anit, sepse Ai është ndërmjetim, shërimi i tij është një shërim i sigurt, është një forcë e verifikuar, kush e njeh atë si parësor, do ta nderojë me Xhenet, edhe me detaje ka shpjegime të qarta në të. Është fjalë e vërtetë, nuk është lojë, në të është edhe e jashtmja edhe e brendshmja, sa i përket se jashtmes ka gjykim, dhe asaj së brendshmes dituri. E jashtmja e bukur e bukur, e brendshmja e thellë e thellë…Tek ai gjenden dritat e së vërtetës dhe urtësisë. Është dëshmi e zgjuarsisë për ata që duan të dinë namin e tij, kushtojini vëmendje dhe jini të kujdesshëm, me të shpëtohet nga rreziku dhe zhdukja. S’ka dyshim se meditimi, është zemra e atij që sheh, ashtu sikurse ai që është pronar i dritës që shëtit nëpër errësirë, mendoni më të mirën për Allahun, pritshmëritë të jenë të shumta.[3]

Në temën e Kur’anit, si fjalë përmbyllëse, le të japim gjithashtu përshkrimin e Kur’anit që ka bërë Bediuzaman Said Nursi, i cili jetën e tij ia kushtoi perceptimit të të vërtetave të Kur’anit në kohën e tij dhe në shekujt e mëvonshëm: “Kur’ani është ‘përkthyesi i para-përjetshëm i librit të fuqishëm të universit’; interpretuesi i përjetshëm i gjuhëve të ndryshme që recitojnë vargjet e krijimit; komentuesi i librit të Botëve të Dukshme dhe të Padukshmeve; zbuluesi i thesareve të emrave hyjnorë të fshehur në qiej dhe në tokë; çelësi i të vërtetave që fshihen nën vijat e ngjarjeve; gjuha e Botës së Padukshme në Botën Manifestuese; thesari i favoreve të përjetshme të më të Mëshirshmit dhe të adresave pararendëse të Atij Më të Shenjtit, që vijnë nga Bota e Padukshme përtej velit të kësaj Bote Manifestuese; është dielli, themeli dhe plani i botës shpirtërore të Islamit; harta e shenjtë e botës së  ahiretit; fjala shpjeguese, ekspozimi i kthjellët, prova vendimtare dhe interpretuesi i qartë i thelbit hyjnor, atributeve, emrave dhe funksioneve; është instruktori i botës së njerëzimit; drita dhe uji i Islamit, makroantroposi; (mençuria e vërtetë e njerëzimit) udhëzuesi dhe udhëheqësi i vërtetë që nxit njerëzimin për prosperitet dhe lumturi; është edhe një libër ligji, edhe një libër lutjesh, edhe një libër me mençuri, edhe një libër adhurimi, edhe një libër urdhri dhe thirrje, edhe një libër thirrjeje dhe një libër mendimi; është një libër i shenjtë unik, gjithëpërfshirës, që përfshin shumë libra, të cilëve mund t’u drejtohen nevojat e mbarë njerëzimit; është një shkrim i shenjtë i zbuluar që i ngjan një biblioteke të shenjtë që ofron traktate të përshtatshme për të gjitha mënyrat e ndryshme dhe shtigjet e ndryshme të të gjithë shenjtorëve dhe të vërtetëve dhe të mençurve dhe të diturve, i cili është i përshtatshëm për ndriçimet e secilës mënyrë dhe e ndriçon atë, dhe është i përshtatshëm për rrjedhën e secilit shteg dhe e përshkruan atë. Meqenëse Kur’ani ka ardhur nga Froni i Lartë dhe emri më i madh, dhe nga shkalla më e lartë e secilit emër, është Fjala e Allahut (në lidhje me të qenët e Tij Zot dhe Mbështetës i të gjitha botëve) është një dekret hyjnor përmes titullit të tij të Zotit të të gjitha qenieve; është një adresë në emër të Krijuesit të qiejve dhe të Tokës; është një bisedë në lidhje me dominueshmërinë absolute (është një diskurs i para-përjetshëm për shkak të sovranitetit hyjnor universal); është një fletore e favoreve të Më të Mëshirshmit nga pikëpamja e mëshirës hyjnore gjithëpërfshirëse; është një koleksion adresash në fillim të të cilave janë shifra të caktuara që lidhen me madhështinë e madhështisë hyjnore; dhe përmes prejardhjes së tij nga gjithëpërfshirja e emrit më të madh, ai është një shkrim i shenjtë i plotë me mençuri, që shikon dhe inspekton të gjitha anët e Fronit të Lartë.[4]

 

Ali Ynall

Përktheu: Haki Sahitaj

[1]. S. Hüseyin Nasr, Ideals and Realities of Islam, Londra, 1966, 2. baskı.

[2]. O. Zeki Mollamehmetoğlu, Sünen-I Tirmizi Tercümesi, Y. Emre yayinevi, c. 5, HN. 3069, 3093.

[3]. Ebu Cafer Muhammed b. Yakup el-Küleyni, Usulül Kafi, Şiraz, c. 4, HN. 3460.

[4]. Bediüzzaman Said Nursi, İşaretl-İcaz, Tenvir yayınları, İstanbul, s. 9-10.