Kotësirat

Profeti i nderuar shprehet kështu në një hadith: “Braktisja e kotësive është ndër bukuritë e Islamit të personit”. [1]

Kotësi do të thotë të merresh me gjëra të panevojshme dhe të tilla ku as personi vetë, as familja e tij dhe as shoqëria nuk do të kishin dobi, qofshin këto fjalë, vepra, mendime, ndjenja apo imagjinata. Një njeri që merret me kotësira nuk mund të gjejë rast që të merret me gjërat që atë vetë e interesojnë. Ai nuk do të gjejë asnjëherë kohë të përkujdeset me çështje jetike e të domosdoshme. Të merresh me kotësira do të thotë të preokupohesh me çështje të panevojshme, që s’kanë lidhje ose nuk e interesojnë asnjëherë individin, që s’përbën dobi as për të sotmen e as për të ardhmen e tij. Prej këtij modeli të shtrembër nuk shpresohet as që të bëjë ndonjë gjë të dobishme e me vend, sepse ky person ngatërrohet në çdo çështje, pa parë nëse është detyra e tij apo jo, apo nëse është kompetent apo jo në atë fushë. Një person, i cili e din mirë se të gjitha organet e tij do të japin llogari, jo vetëm fjalën dhe veprën, por edhe mendimet e imagjinatën duhet ta ndërtojë në pajtim me kënaqësinë e Zotit. Ndërkohë që dashje apo padashje merremi me gjëra që nuk janë në kompetencën tonë dhe fillojmë debatin duke lënduar njëri-tjetrin.

Në  shpalljen hyjnore Allahu lavdëron mëshirën dhe butësinë. Krijuesi ynë në Kuranin Famëlartë thotë: (159.2)  “Në sajë të mëshirës së Allahut, u solle butësisht me ta (o Muhamed). Sikur të ishe i ashpër dhe i vrazhdë, ata do të largoheshin prej teje”[2].  Fjalët e Profetit janë në të njëjtin kontekst, në hadith përmendet: “Mos u përçani që të mos përçahen zemrat tuaja”[3]. E them me bindje se kush sheh në shoqërinë tonë gjen se ne jemi të ashpër me njëri-tjetrin, jemi të ashpër me ata që kemi kontradikta, nuk jemi të drejtë kur gjykojmë, veprojmë pa menduar, nëse nuk na pëlqen mendimi, sulmojmë të zotin e tij pa kufi. Sikur u kërkohet njerëzve që të bien dakort me ne në gjithçka, të arrijnë kënaqësinë tonë, të na e bëjnë qejfin për gjithçka sikur të ishin mendimet tona shpallje hyjnore, e sikur e drejta të na shoqëronte kudo që të shkonim.

Një njeri që merret me kotësira, edhe në një ambient serioz shpirtëror mundohet ta ndryshojë atmosferën e ta ktheje në diçka joserioze. Por humbja e seriozitetit është një dëm i madh. Njeriu që humb seriozitetin përbrenda e shfaq atë edhe përjashta me njerëzit. E shfaq atë madje edhe në adhurime. Ai, sado që të mundohet të duket serioz kur i drejtohet namazit, kjo do të shkojë deri diku, por nuk do të zgjasë shumë gjatë. Herët a vonë ky person do të pasqyrojë karakterin e tij të vërtetë. Zgjidhja e kësaj çështjeje është që ai ta kthejë seriozitetin në natyrën e tij të pandryshueshme. Kjo arrihet me anë të vetëkontrollit dhe kthimit në shprehi të gjërave serioze. Nëse njeriu mbështetet nga bota e tij e brendshme, atëherë kjo përgatitje do të gjejë pasqyrim edhe në paraqitjen e jashtme. Në legjislacionin islam ka ura bashkëpunimi dhe afrimi më shumë nga c’mund të përshkruhet. Ne jemi të mëshirshëm, të mirë me vetët tona,  lavdërojmë çdo gjë që bëjmë, justifikojmë çdo gabim tonin, e mbrojmë veten prej çdo veprimi, kurse nga ana tjetër gjykojmë gabimet e të tjerëve, qortojmë me të madhe çdo gabim të tjetrit, e nganjëherë nuk e pranojmë pendimin,  e aq më pak justifikimin e tyre.

Nëse do të arrihet diçka, besimtari duhet të ketë për qëllim gradën më të lartë të saj. Në hadithin e mësipërm thuhet që me braktisjen e kotësive arrihet bukuria e mirësia e Islamit. Dhe padyshim që grada më e lartë e bukurisë dhe mirësisë së Islamit është ihsani, përkufizimin e të cilit Profeti (s.a.s.) e bën kështu në hadithin e Xhibrilit (a.s): “Ihsani është adhurimi i Allahut sikur po e sheh Atë. Sado që ti mos ta shohësh Atë, Ai të sheh ty”[4]. Atëherë mirësia më e lartë është të jetosh porsi një rob i denjë i Krijuesit, Zotëruesit të gjithçkaje. Aty e gjen lirinë e vërtetë njeriu. Dhe kjo në krye arrihet nga brenda dhe pastaj pasqyrohet edhe në paraqitjen e jashtme. Duhet të arrijë në një gradë të tillë që, kur ta shohësh besimtarin diku ai të të kujtojë Allahun. Ky është përfaqësimi i duhur i mëkëmbësit të Zotit në sipërfaqen e tokës, emërtim i bërë nga vetë Allahu për njeriun. Atëherë detyra është që të arrihet pikërisht kjo pikë.

Njeriu serioz, që ka braktisur kotësitë, që ka arritur ose është afër gradës së ihsanit, fiton gjithashtu siguri në çdo gjë. Ai është i sigurt në çdo punë e sjellje, sepse vetëdijen e tij e ka mbështjellë ideja që në çdo veprim ai vështrohet nga Krijuesi. Njeriu duhet ta kalojë kohën e tij me punë të dobishme. Në ajetin 105 të sures Teube thuhet që veprën e besimtarit do të shohë Allahu, i Dërguari i Tij dhe besimtarët. Këtë mund ta mendojmë si një inspektim, për të cilin duhet të bëjmë përgatitje. Këtu besimtari nuk duhet të dalë i turpëruar, prandaj veprat e tij duhet të jenë të shëndosha e të sakta. E pra, me ihsan veprimet e njeriut do të jenë të përsosura dhe ai kurrë nuk do të bëjë kotësira. Nëse vazhdon drejt kësaj rruge, Allahu (xh.sh.) thotë në një hadith kudsij: “Nëse robi im afrohet tek Unë me një pëllëmbë, i afrohem atij një krah dhe, nëse afrohet tek Unë një krah, i afrohem atij një pash. Nëse vjen tek unë duke ecur, i vij atij me vrap.”

Në librin e tij El – Muatta, imam Maliku shkruan: Dikush e pyeti Llukmanin e urtë se si e kishte arritur gjithë atë pozitë të lartë si njeri. Llukmani përgjigjet: “Duke folur gjithnjë të vërtetën,  duke plotësuar amanetet dhe duke mos u marrë me atë që nuk më përket”. Po e mbyll shkrimin me këshillën e Profetit (a.s.), i cili thotë: “Ndonjëherë njeriu flet ca fjalë për t’i bërë të tjerët të qeshin, por prej tyre hidhet në xhehenem, në një thellësi sa distanca ndërmjet qiellit dhe tokës”[5].

Dorian Demetja

[1] Tirmidhiu

[2] Bekare, 159

[3] Ebu Daud

[4] Muslim

[5] Ahmed