Një nga elementët më kryesorë të identifikimit të njeriut janë fjalët e tij. Janë ato që e shoqërojnë që nga vegjëlia e deri në vdekje. Janë ato që janë vënë në shërbim të tij për t’ia lehtësuar atij komunikimin me të tjerët. E imagjinoni dot njerëzimin pa përdorimin e fjalëve? Do ishte një katastrofë e vërtetë, prandaj dhe Allahu i Lartësuar bashkë me krijimin e njeriut, krijoi fjalët dhe gjuhët e ndryshme, në mënyrë që njerëzit të merren vesh mes tyre. Megjithë këtë mirësi kaq të madhe, njeriu shpesh-herë zgjedh që të abuzojë dhe të keqpërdorë fjalë duke lënduar me to njerëzit që e rrethojnë.

Atë që e ka bërë gjuha e njeriut s’e ka bërë as gjuha e kafshës më të egër. Gjuha e Tigrit është aq e fuqishme saqë kur e zë gjahun, i ndan lëkurën nga mishi, por prapë se prapë ajo renditet e dyta pas gjuhës së njeriut, e cila ndan burrin nga gruaja; vëllain nga vëllai, shokun nga shoku….e kështu me radhë. Edhe pse pa kocka vetë, shumë kocka thyen. E këtë si e bën? E bën nëpërmjet fjalëve lënduese, therrëse, nënçmuese, tallëse, ofenduese, etj. Fjalët mund të shndërrohen në veshjen më të bukur ose më të shëmtuar të njeriut. Sa e sa njerëz, nga pamja e jashtme të marrin në qafë: të bukur, të veshur me gusto, me një jetesë të standardit të lartë, në një pozicion pune të lakmueshëm. Sapo fillon e flet me ta, kupton që e gjithë ajo piramidë që mendoje se kishe para teje, shkrumbohet për një çast e bëhet një bunker i shëmtuar, që nuk do të doje të rrije pranë tij, qoftë edhe për një moment. E nga ana tjetër nuk mungojnë rastet kur njerëz të thjeshtë, të raskapitur nga vuajtjet e mundimet, me të cilat i ka përballur jeta. Ke dëshirë të rrish pranë tyre e të bisedosh me ta. Fjalë-ëmbël, të matur në secilën fjalë që nxjerrin prej gjuhëve të tyre; të këndshëm, të sjellshëm e me edukatë, të kujdesshëm ndaj të tjerëve, të respektueshëm…e kështu me radhë. Bardhësia e zemrës dhe shpirtit të tyre reflekton në fjalët e tyre dhe një nur ndriçues mbulon fytyrën e tyre. Ky është petku që asnjë shumë parash nuk mund ta blejë dhe asnjë thesar nuk mund ta zhvlerësojë.

Po të bëhet një studim global mbi plagët e njerëzve, do të konstatohet se pjesa dërrmuese e tyre nuk u ka ardhur nga lufta, as nga shpata, e as nga zjarri, por nga fjala, e cila brenda saj i ka të dyja: edhe mjaltin edhe thumbin, njësoj si bleta. Varet se cilën prej tyre (mjaltin apo thumbin) nxjerr më në pah gjuha e njeriut. Më e keqja është se fjala të vret më shumë se plumbi, aq më tepër kur të vjen nga një i afërm; nga dikush që e vlerëson. Numri i vrasësve me fjalë, sigurisht që është shumë herë më i madh sesa numri i vrasësve me armë.

E gjithë kjo që u përmend më lart, duhet të na shërbejë për të reflektuar për çdo fjalë që del nga gjuhët tona dhe që i drejtohet dikujt. Duhet t’i peshojmë fjalët para se t’i nxjerrim; para se të pendohemi për to kur të jetë vonë; para se të llogaritemi për to Ditën e Llogarisë, kur s’do të kemi as më të voglin justifikim as argumentim. Profeti ynë i dashur Muhamedi (Paqja e Allahut qoftë mbi të) na premton Xhenetin dhe mirësitë e tij, nëse e frenojmë gjuhën tonë dhe e ndalojmë atë nga fjalët e liga. Të mos lejojmë veten tonë të bie aq poshtë e të bëhet peng i fjalëve të nxituara e të thëna në situata të pakontrolluara mirë emocionalisht dhe logjikisht, apo në situata acaruese dhe në gjaknxehtësi e sipër. Le të mos e marrim veten në qafë duke humbur njerëzit me të cilët na lidh familja, afrimiteti, puna, shoqëria, etj, si dhe të humbasim të ardhmen tonë të pashmangshme, shpërblimin në Botën e Përtejme, për shkak të fjalëve që dalin pa kontroll; për shkak të një mllefi apo zjarrmie të brendshme, që e shfaqim në formën më të shëmtuar nëpërmjet fjalëve.

Sa e sa njerëz janë penduar për fjalët që kanë thënë, saqë do donin ta prisnin gjuhën e të mos ishin në gjendje të artikulonin asnjë fjalë; do të donin të ishin memecë, sesa t’i shkaktonin vetes dëmin që po e përjetojnë apo që do ta përjetojnë në vijimësi. Ne jemi të rrethuar nga mirësi pa fund, të cilat nuk duhen shpërdoruar, siç janë edhe fjalët dhe gjuha e komunikimit midis njerëzve. Lusim Zotin Fuqiplotë të na furnizojë me fjalët më të mira, më të ëmbla, më shpresëdhënëse, më falënderuese, ato që ngjallin dashuri dhe forcim të lidhjeve ndërnjerëzore dhe mbi të gjitha forcim të lidhjes tokësore me atë hyjnore. Zoti na bëftë prej atyre që dëgjojnë më të mirën dhe e vënë në zbatim me fjalë dhe vepra! Amin.

Qani Sulku

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu