Rituali i haxhit, në formën e tij të njohur, është një adhurim që zë fill nga koha e Ibrahimit (a.s.). Kur’ani fisnik, në ajetet 26-28 të sures Haxh, bën fjalë për haxhin e Ibrahimit, për thirrjen e tij drejtuar njerëzve për të marrë pjesë në haxh, për historinë e Qabes e të riteve të haxhit. Haxhi është vizita që kryhet në Qabe dhe në vendet e bekuara përreth saj, me qëllim përmbushjen e një adhurimi fetar në intervalin e caktuar kohor. Në Kur’an është urdhëruar e thënë: “Kryeni Haxhin dhe Umren për hir të Allahut.” (Bekare, 196). Riteve që kryhen në haxh, me një shprehje të përgjithshme, u thuhet “menasik”, ndërsa ai që e zbaton këtë ritual quhet “haxhi”.
Profeti ynë, paqja qoftë mbi të, në një hadith ka urdhëruar: “Pa dyshim, Allahu jua ka bërë detyrim haxhin, ndaj kryejeni atë.” (Muslim, Haxh 412; Nesai, Menasik,1). Ndërsa një tjetër hadith është formuluar kështu: “Islami ngrihet mbi pesë shtylla. Këto janë: të dëshmosh se nuk ka tjetër Zot përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut, të falësh namazin, të mbash agjërimin, të japësh zekatin dhe të kryesh haxhin.” Kështu, Profeti e ka cilësuar haxhin si një ndër pesë kushtet themelore të Islamit dhe ka treguar personalisht në mënyrë praktike se si duhet bërë ai.
Kur Profeti ynë, paqja qoftë mbi të, u bëri të ditur shokëve të tij obligimin e haxhit, njëri prej tyre pyeti: “Çdo vit?” Profeti heshti. Kur kjo pyetje u përsërit tri herë, ai u përgjigj: “Nëse do të thosha po, haxhi do t’ju bëhej i detyruar për çdo vit dhe ju për këtë nuk do të kishit mundësi.” (Muslim, Haxh, 412; Nesai, Menasik, 1). Çdo mysliman, mashkull apo femër, që plotëson kushtet përkatëse, pra që ka mundësitë shëndetësore dhe financiare për të kryer haxhin, të paktën një herë në jetën e tij duhet ta çojë në vend këtë detyrim. Rituali i haxhit, sapo të krijohen mundësitë, duhet të përmbushet pa vonesë. Çdo mysliman që e ka kryer haxhin një herë në jetën e tij, llogaritet ta ketë kryer këtë detyrim. Kryerja e haxhit pa u vonuar, krahas ajeteve përkatëse që shërbejnë si argument, theksohet edhe prej hadithit vijues:
“Nxitoni të shkoni në haxh, sepse askush prej jush nuk mund ta dijë se kur do t’i vijë vdekja.” (Ebu Davud, Menasik,5; Ibn Maxhe, Menasik, 1).
Haxhi ka plot dobi vetjake dhe shoqërore. Më kryesoret janë këto: haxhi mundëson që individit t’i falen mëkatet dhe zemra e tij të pastrohet prej gjynaheve. Profeti i nderuar, paqja qoftë mbi të, në një hadith të tij thotë: “Kushdo që për hir të Allahut kryen haxhin dhe u shmanget fjalëve dhe sjelljeve të pahijshme e nuk përlyhet prej mëkatesh, kthehet i pastruar prej mëkateve sikur sapo të ketë lindur nga nëna.” (Buhari; Haxh, 4). Në të tjera thënie të tij qëndron: “Shpërblimi i haxhit të pranuar nuk është asgjë tjetër veç parajsës”, “Edhe në umre pastrohen mëkatet e kryera në kohën që ndan njërën umre nga tjetra.” (Muslim, Haxh, 437; Nesai, Menasik, 3-5).
Pyetjes “Cila nga veprat është më e rëndësishmja?”, Profeti ynë i është përgjigjur: “Besimi tek Allahu dhe tek i Dërguari i Tij”. I pyetur: “Po më pas?”, është përgjigjur: “Xhihadi në rrugën e Allahut”. I pyetur sërish: “Po më pas?”, ka urdhëruar e ka thënë: “Haxhi i pranuar.” (Buhari, Haxh, 4; Nesai, Menasik, 4).
Vlerat e besimtarëve që kryejnë haxhin, në vështrimin e Allahut janë shumë të larta. Profeti ynë i nderuar e ka shprehur këtë të vërtetë duke pohuar: “Ata që kryejnë haxhin dhe umren janë mysafirët e Allahut. Nëse i drejtohen Allahut me lutje, Ai ua pranon. Në iu drejtofshin me pendesë, Ai i fal.” (Ibni Maxhe, Menasik, 5). Në një tjetër hadith, që thotë: “Kryejini njërën pas tjetrës haxhin dhe umren, sepse haxhi dhe umra i asgjësojnë varfërinë (për shkak të tregtisë që mund të bëhet) dhe gjynahet siç pastron kaceku hekurin, arin dhe argjendin prej ndryshkut” (Tirmidhi; Haxh, 2; Nesai, Menasik, 6); na jepet sihariqi se haxhi, krahas pastrimit prej mëkateve, bëhet shkak që njeriu të shpëtojë edhe prej varfërisë.
Haxhi dhe Umra bëhen shkak që faltorja e bekuar e Qabes çdo vit të mbushet me shend e gjallëri. Haxhi e pastron egon e njeriut prej mëkateve, e bën atë të dëlirë, e pajis me kthjelltësi besimi, i çel dyert e një jete të re, përforcon jetën shpirtërore, konsolidon besimin që ai ndien kundrejt mëshirës dhe faljes hyjnore. Haxhi forcon e rrit besimin, ndihmon në ripërtëritjen e besës së dhënë Allahut, çon drejt asaj pendese të fuqishme që nuk shkelet lehtë, e pastron krejt shpirtin duke rafinuar ndjenjat dhe thuajse i jep krahë atij.
Haxhi i kujton njeriut të kaluarën e shkëlqyer të Islamit. Ai i sjell ndërmend besimtarit Profetin tonë, paqja qoftë mbi të, që me moralin dhe me veprat e tij ndriçoi botën, si dhe sakrificat dhe heroizmat e sahabëve të tij të zgjedhur dhe të njerëzve të ruajtur që i pasuan ata në mënyrën më të bukur.
Për më tepër, haxhi e mëson njeriun me durim, me vetëdisiplinë dhe bëhet shkak që ai të fitojë ndërgjegjen e bindjes ndaj urdhëresave hyjnore. Përmes ritualit të haxhit, njeriu e falënderon më mirë Zotin e vet, gjen rrugën e të qenit më thellësisht mirënjohës për mirësitë e pasurisë, të shëndetit e të mirëqenies që Zoti i ka dhuruar.
Për sa u përket vlerave shoqërore, haxhi, pa marrë parasysh ndarje në baza ngjyre, gjuhe, race, kombësie, kulture, pozite shoqërore e posti politik, bashkon me një qëllim të vetëm miliona myslimanë duke u bërë shkak për krijimin e një tabloje fort të gjallë të barazisë e të vëllazërisë. Të gjithë haxhinjtë, të pasur e të varfër, të fuqishëm e të dobët, të veshur njëlloj, duke ndjekur të njëjtat rregulla, duke iu nënshtruar të njëjtave vështirësi, duke lëvizur në të njëjtat kushte, kalojnë nëpër një edukim të barazisë fizike e të vëllazërisë. Teksa një besimtar i pasur që ka në zotërim pasuri të mëdha, sikurse dhe një besimtar më i varfër e që përjeton shumë vështirësi ekonomike, çelin së bashku duart për t’u lutur në Arafat dhe ecin pranë e pranë në tavaf rrotull Qabes. Rituali i haxhit u mëson njerëzve që të mos mburren me pozitën shoqërore e politike, me begatinë e me pasurinë, por të njihen e të shoqërohen me myslimanë të tjerë.
Rituali i haxhit lë te myslimanët kujtime të thella që nuk fshihen dot gjatë gjithë jetës. Në saje të haxhit, mes myslimanëve që vijnë e bashkohen nga vende të ndryshme të botës lindin njohje e ndërveprime të bukura. Myslimani që kryen haxhin zhvillon cilësi të bukura si durimi, kapërcimi i vështirësive, të mbështeturit dhe të ndihmuarit e ndërsjellë dhe përshtatja me rregulla të caktuara.
Haxhi i mbart vizitorët në kohë katërmbëdhjetë shekuj më parë. Ai u kujton atyre ato beteja të mëdha që janë zhvilluar në ato vende në emër të besimit. Haxhi e bën njeriun të përjetojë një panoramë që i përket parajsës dhe i shfaq të vërtetën se në këtë botë ai s’është veçse një vizitor i përkohshëm.
Bujar Spahiu