Kurbani nga aspekti juridik

Personi që obligohet me therjen e një kurbani duhet të jetë mysliman, me mendje të shëndoshë dhe adult, nuk duhet të jetë udhëtar dhe duhet të zotërojë mundësi financiare minimale të përcaktuara fetarisht për t’u quajtur i pasur. Por që adhurimi i tij të plotësohet, duhet të zbatojë disa kushte për sa i përket kafshës së kurbanit dhe therjes së saj.
Kafsha e zgjedhur për kurban mund të jetë dele, dhi, lopë, buall, deve dhe nga kafshët e tjera të ngjashme. Kjo është e pranuar unanimisht nga të gjithë dijetarët islamë. Ndërsa dykëmbëshet si: pula, rosa, pata, gjeli i detit etj., nuk pranohen e nuk vlejnë për kurban. Kafshët e lartpërmendura si të përshtatshme mund të theren si kurban nga të dyja gjinitë. Por për sa i përket familjes së deleve është më e pëlqyeshme të theret dashi.
Për kafshët si delet dhe dhitë, ato duhet të kenë mbushur një vit që të mund të pranohen si kurban. Vetëm nëse një dele 6 muajsh është e shëndetshme dhe tregon për një vit, atëherë edhe ajo mund të pritet si kurban. Ndërsa dhia, duhet patjetër të ketë mbushur vitin. Kafshët si lopa dhe bualli, duhet të jenë mbi dy vjeç, ndërsa deveja, duhet të jetë mbi pesë vjeç.
Delja dhe dhia mund të theren si kurban vetëm në emër të një personi, ndërsa kafshët si lopa, kau dhe bualli mund të theren si në emër të një personi, ashtu edhe në emër të shtatë personave, që bien në ujdi me njëri-tjetrin. Pasi theret kurbani, mishi ndahet ndërmjet tyre në mënyrë të barabartë.
Kafsha që theret si kurban me qëllim adhurimi, duhet të jetë e shëndetshme, e majme dhe me organe të rregullta. Kjo shërben si për qëllimin dhe mënyrën e adhurimit, ashtu edhe për rregullat e shëndetit. Për këtë arsye kafsha nuk duhet të ketë ndonjë mangësi që ta pengojë plotësimin e kushteve të kurbanit, si për shembull të jetë e sëmurë, e verbër, sakate, me brirë të shkulur ose të thyer, me bisht apo veshë të prerë dhe me pjesën e madhe të dhëmbëve të rënë.
Të gjitha adhurimet kryhen në kohën dhe sipas kushteve të caktuara nga Allahu. Kështu që kurbani mund të theret nga mbarimi i namazit të bajramit deri në perëndimin e ditës së tretë (të bajramit).
Përgjithësisht dhe më e preferueshme është që kurbani të theret në ditën e parë. Por ata që s’gjejnë rast për ta therur ditën e parë, mund ta therin edhe në ditët e tjera në vazhdim.
Kafsha që do të theret merret dhe pa e munduar shtrihet në drejtim të kibles nga ana e majtë. Kurbanin mund ta therë vetë personi ose mund t’ia lerë ndonjë tjetri. Ai që e ther nuk lejohet ta torturojë kafshën dhe thika që do të përdorë duhet të jetë e mprehtë. Profeti (a.s.) në lidhje me këtë pikë ka urdhëruar: “Kur të therni një kafshë, thereni me butësi, ai që ther prej jush, le ta mprehë mirë thikën dhe mos ta mundojë kafshën”. Thika mbahet me dorën e djathtë dhe në momentin e therjes thuhet “Bismilahi Allahu Ekber”, duke e prerë kafshën në të dyja anët e damarëve të qafës. Nga sahabet Xhabiri transmeton se Profeti (a.s.) ditën e kurbanit theri dy desh me brirë dhe të majmë. Para se ta kryente këtë veprim ai tha: “Unë fytyrën time e drejtova nga Ai, i cili ka krijuar qiejt e tokën dhe unë nuk jam prej idhujtarëve (En’am, 79). Namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë për Allahun, Zotin e botëve. Ai nuk ka asnjë shok dhe unë jam prej myslimanëve” (En’am, 162-163). O Zoti im, ky kurban është prej Teje dhe për Ty. Në emër të Muhamedit dhe ymetit të tij, Bismilahi Allahu Ekber.” (Et-Taxh, III, 207).
Një kusht tjetër është që kafshës duhet t’i rrjedhë i tërë gjaku pasi të jetë therur. Për të mos e munduar shumë kafshën nuk fillohet rrjepja e lëkurës derisa ajo të mos lëvizë më.

Mishi dhe lëkura e kurbanit
Nga kurbani i therur në Bajramin e Kurbanit mund të konsumojë mish i zoti, pasi edhe ai në ditën e Bajramit, si të gjithë njerëzit e tjerë, është mysafir i Zotit dhe mund të përfitojë nga bereqeti i sofrës së Allahut. Është sunet për personin që të hajë vetë nga mishi i kurbanit dhe t’i japë afërmve të tij dhe të varfërve. Profeti Muhamed (a.s.) në lidhje me këtë porosit: “Nga kurbanet, hani, shpërndani dhe ruani” (Buhari, Edebu’l-Mufred, I, 198). Dijetarët myslimanë kanë këshilluar që është mirë që mishi të ndahet në tre pjesë, ku një pjesë të veçohet për pjesëtarët e familjes, një pjesë t’u shpërndahet të varfërve dhe një pjesë t’u jepet fqinjëve ose të afërmve. Në Kur’anin fisnik, na bëhet e ditur se mund të bëhet një ndarje e tillë. “…hani nga mishi i tyre (kurbaneve) dhe ushqeni nevojtarin e të varfrin.” (Haxh, 28).
Krahas kësaj, nëse dikush që ther kurban ka një familje të madhe dhe nuk i ka mundësitë ekonomike shumë të mira, atëherë është më e përshtatshme që ta mbajë të gjithë kurbanin në shtëpinë e tij, sepse nevoja vetjake dhe e familjes ka përparësi ndaj nevojave të njerëzve të tjerë. Profeti (a.s.) duke tërhequr vëmendjen për këtë çështje, ka bërë të ditur se nevojtari duhet të nisë dhurimin së pari nga vetja dhe nga familja e vet. (Muslim, Zekat, 41; Buhari, Zekat, 18; Tirmidhî, Zekat, 38).
Mishi, lëkura, dhjami, koka, leshi i kurbanit të therur për hir të Allahut nuk shiten. Nëse shiten, paratë e tyre duhen dhënë për sadaka. Madje nëse kafshës së kurbanit përpara se të theret i është marrë qumështi dhe i është qethur leshi, edhe vlera e këtyre duhet dhënë për sadaka, pasi kafsha e kurbanit me gjithë ç’përmban është përgatitur e ndarë për të fituar kënaqësinë dhe afrinë e Allahut.
Lëkura e kurbanit mund të mbahet në shtëpi për t’u përdorur për shtrojë, por më e mira është t’u jepet institucioneve humanitare. Në një hadith, Profeti, paqja qoftë mbi të, ka thënë se ai që e shet lëkurën e kurbanit që ka therur, do të mbetet pa shpërblimin që i premtohet therësit të kurbanit. (Hakim, Mustedrek, 2/422; Beyhaki, Sunenu Kubra, 9/294; Munavî, Feyzu’l-Kadîr, 6/93)
Në lidhje me këtë çështje, Aliu (r.a.) tregon: “I Dërguari i Allahut më dërgonte që të interesohem për devetë e kurbanit, duke më urdhëruar për të dhuruar prej mishit, lëkurës, leshit të tyre dhe për të mos e bërë pagesën e kasapit prej këtyre,” duke shtuar më tej: “Pagesën e kasapit e bënim nga ana jonë.” (Buhari, Haxh 122, Vekalet 1; Muslim, Haxh 348).
Edhe nëse këshillohet dhe preferohet që mishi i kurbanit të shpërndahet në zonën ku është bërë therja, nëse në vendbanime të tjera ka më shumë njerëz nevojtarë, mund të dërgohet edhe atje.
Pas therjes së kurbanit, ambienti duhet të pastrohet sa më mirë. Është e nevojshme që mbetjet e kafshëve të groposen sa më thellë në tokë dhe nëse është e mundur, asgjë të mos mbetet sipër. Një sjellje e tillë është shprehje e respektit për kafshën dhe njëkohësisht, është shumë e rëndësishme edhe për pastërtinë e mjedisit. Profeti ynë ka theksuar në shumë hadithe rëndësinë e mbajtjes së mjedisit të pastër. (Muslim, Taharet 1; Tirmidhi, Da’avat 91). Duhet bërë kujdes që shpërblimi i therjes së kurbanit dhe i shpërndarjes së mishit për nevojtarët të mos pakësohet duke shkaktuar papastërti në mjedis dhe duke cenuar, kështu, të drejtat e njerëzve të tjerë.
Nga Ebu Hurejre transmetohet se Profeti (a.s.) i ka paralajmëruar personat që kanë mundësi të therin kurban por nuk e bëjnë atë, në këtë mënyrë: “Ai që ka mundësi të therë kurban dhe nuk e bën këtë, të mos i afrohet faltores sonë” (Ibn Maxhe, Edahi, 2, Ahmed). Në këtë ditë feste nuk lejohet agjërimi i çdo lloji qoftë. Në lidhje me këtë Ibn Abasi transmeton se Profeti (a.s.) dërgoi një person të lajmërojë: “Mos agjëroni në këto ditë (ditët e teshrikut), pasi janë ditë në të cilat hahet, pihet dhe gëzohet me familjen” (Taberaniu).

Islam Hoxha