“A mund t’i thotë mendja se trupat qiellorë dhe toka kanë vetveten? Kurrsesi, sepse njeriu nuk sheh asgjë në botë që të krijojë vetveten.”[1]

 

Dituria është mjeti që të çon në krijimin e një jete të qetë e të lumtur, të mbron nga pengesat e vështirësitë dhe është stolia më e bukur që hijeshon mendjen e shpirtin e njeriut. Ajo është arma më e fortë në këtë jetë tokësore dhe kapitali më i çmuar për jetën tjetër. Me diturinë te Zoti i Lartësuar fillon angazhimi hyjnor që ia dërgoi nëpërmjet engjëllit Xhibril Muhamedit a.s.. Ai i tha: “Lexo!” Përgjigja ishte: “Nuk di”. Së fundi i tha: “Lexo, me emrin e Zotit tënd”. Pra Allahu i Lartësuar e filloi edukimin e arsimimit, që do të thotë se Ai merret në vazhdimësi me edukatën e krijesave të Tij. Ai tregon qartazi se mëshira e Tij e pakufizuar është që të ndriçojë zemrat e njerëzve me dritën e diturisë, t’u mësojë atyre vlerën e madhe që ka shkrimi e leximi, sepse mungesa e tyre do të linte njerëzimin në errësirën e paditurisë. Por tërheq vërejtjen se dituria nuk ka fund dhe prandaj Profeti a.s. është lutur: “Zoti im, më shto mua diturinë!” Në të vërtetë, Profeti a.s. ka qenë përmbledhësi i diturive të ardhura para tij dhe atyre që do të vijnë më pas. Dituria duhet të jetë gjithëpërfshirëse, si fetare ashtu edhe shoqërore e shkencore, që t’i shërbejë njeriut në përmirësimin e kushteve materiale e shpirtërore. Profeti a.s. ka thënë: “Kërkimi i diturisë është detyrë e domosdoshme e me rëndësi për çdo burrë dhe grua”. Pra kërkimi i diturisë i përket të dy gjinive së bashku, pa asnjë dallim, por deklaron në mënyrë shprehëse se burrat dhe gratë myslimane, përgjithësisht duhet të jenë të ditur. Zoti në Kur’an urdhëron e thotë: “Nuk janë të barabartë ata që dinë me ata që nuk dinë”.

Feja islame i kushton një vëmendje të veçantë gruas, pajisjes me dituri dhe edukimit të saj të shëndoshë, sepse ajo konsiderohet si edukatorja e të gjithë njerëzimit.

Sot, edhe pse jetojmë në shekullin e shkencës dhe diturisë, teknologjisë më të avancuar, qenia njerëzore mbetet përpara sekreteve që mbart universi. Mendja e njeriut përpara fenomeneve të natyrës ka bërë hapa të rëndësishëm për t’u futur në të fshehtat e tyre. Por këto nuk janë veçse argumente që do t’i shërbejnë njeriut për të njohur Krijuesin apo Ligjvënësin e tij. Pra, duhet përdorur logjika e shëndoshë duke besuar se të gjitha të fshehtat që zbulohen janë krijuar nga Zoti i lartësuar, i Cili është i gjithëditur dhe i gjithëfuqishëm, pa fillim dhe pa fund. Një nga atributet e Allahut është dituria. Në Kur’an thuhet: “Ai është Allahu përveç të cilit nuk ka zot tjetër. Ai e di të fshehtën, edhe të dobishmen. Ai është mëshiruesi, bamirësi.”[2]

Si ka mundësi njeriu të jetë mosmirënjohës kur i përdor disa shkenca antifetare si teoria e Darvinit që i merr si të vërteta dhe mohon Zotin e tij? Nuk mundet në asnjë mënyrë që njeriu të zgjidhë gjithë çështjet që përjeton në natyrë nëpërmjet argumenteve shkencore. A kujton ai se është krejtësisht i përsosur? Jo, ai e ka pronarin e pazëvendësueshëm, që nuk bën ortakëri me askënd në punën e Tij. Sot shkenca është tronditur nga të vërtetat e padiskutueshme që ka sjellë Kur’ani dhe të vërtetat e tij po dalin në shesh dhe po i nxjerrin studiuesit e rinj. Në Kur’an thuhet: “Çelësat e fshehtësive janë vetëm në dorën e Tij. Fshehtësinë nuk e di tjetërkush veç Tij. Ai e di çka ka në tokë e në dete. Jashtë dijes së Tij edhe një gjethe s’mund të bjerë dhe s’ka kokërr në thellësi të tokës, s’ka të njomë e të thatë që s’është shënuar në librin e hapur.”[3]

Në këtë dritë duhet të shohim shkencat e ligjet e natyrës dhe krijesat në tokë e dete. Mbi këtë bazë duhet të ndërtojmë vëzhgimin e botës së gjallë, të bëjmë eksperimente dhe të vërtetojmë se asgjë nuk krijohet në mënyrë të rastësishme, qoftë edhe instinkti i kafshëve. Krijimi i të gjitha gjallesave është projektuar me ligje të sakta si për botën bimore ashtu edhe shtazore, për të ruajtur trashëgiminë e tyre. Në këtë fushë bëhen eksperimente, por asgjë nuk krijohet pa pasur qelizën origjinale. Le të marrim iniciativën dhe të krijojmë jetë të gjallë. Janë përpjekur, por nuk e arrijnë dot. Ligjet e Allahut për krijimin e jetës së gjallë, nuk mund të eksperimentohen. Këtu kemi të bëjmë me shpirtin që nuk është lëndor dhe s’mund të eksperimentohet. Shprehja e popullit thotë për njeriun që vdes: “I doli shpirti”. Pra, nuk mundet që çështjet fetare të zgjidhen me metoda shkencore, por duhet t’i nënshtrohen diturisë dhe fuqisë absolute që e solli vetë njeriun në një organizëm të përsosur, çdo organ në vendin e duhur, në harmoni me njëri-tjetrin dhe të gjithë së bashku përbëjnë unitetin apo “unin njeri”. Ky mbasi i fitoi këto nuk tregohet mirënjohës, falënderues dhe adhurues ndaj Tij. Njeriut iu dhurua mendja për të fituar dituri dhe me anë të kësaj është i detyruar të vërtetojë Krijuesin e vërtetë. Feja nuk është produkt i vetë njeriut, por Krijuesi për të ruajtur të pastër krijesën e Tij dërgoi mesazhe hyjnore nëpërmjet të dërguarve të Tij. Njeriun e ka shoqëruar feja që nga origjina e deri më sot. Ai s’mund të ndryshojë rrjedhën e jetës, të kthejë pleqërinë në moshën e rinisë, apo të kthejë të vdekurit në jetë. Ku është kompetenca e shkencës? Pse shkencëtari apo mjeku nuk mbron veten e tij? Pra është feja, besimi në Zotin që i hap dritat shkencës dhe të gjithë njerëzit nën këtë moto të jetojnë të qetë e në harmoni me njëri-tjetrin.

Njeriu gjatë shekujve ka përjetuar luftëra shkatërrimtare dhe vetë ka prodhuar armët më të përsosura për të asgjësuar veten. Pra një armiqësi e tmerrshme vetëm për interesa materiale. Në këtë mënyrë shkencëtarët nuk kanë bërë përpjekje lidhur me formën e jetës së individit e shoqërisë. Për shkencëtarët nuk ka pasur as nuk ka vlera fakti që jeta jetohet kështu ose ashtu, që njerëzit të jetojnë të qetë e të lumtur. Njerëzit po sillen si ujqër ndaj njëri-tjetrit, krimet kanë arritur deri brenda familjes, gjë që tregon një ftohtësi të jashtëzakonshme. Po hidhen bomba e dinamit që nuk kursejnë as nënat e fëmijët e vegjël. Ka një kontradiktë të madhe sot brenda vetes së njeriut që është shkencëtar apo mjek. Është i njëjti njeri, nga njëra anë përpiqet të shpëtojë jetë njerëzish, nga ana tjetër angazhohet për të prodhuar helme për ta mbytur atë. Me bomba të tilla kanë humbur miliona jetë njerëzish. Këtë e bën mungesa e fesë dhe e moralit fetar. Shkenca e pabazuar në miratimin e Krijuesit, Zotit të lartësuar, i sjell shkatërrime në tokë njerëzimit. Për të këtë arsye Allahu i madhërishëm mesazhin e parë hyjnor e dërgoi në urdhrin “Lexo!”. Ky urdhër i është dhënë të dërguarit të Tij, Muhamedit a.s. bashkë me emrin e Tij: “Lexo, në emër të Zotit tënd!”. Të mësosh dituri pa emrin e Krijuesit, do të thotë të mos e njohësh Atë. Atëherë prit ndëshkimin e tij. Prandaj Allahu i lartësuar u drejtohet mirënjohësve dhe atyre që u besojnë shkencave e u thotë: “Thuaj: “Sikur Allahu të na zgjaste natën deri në kiamet, cili zot tjetër do të mund të na sillte dritë? A nuk e kuptoni? Thuaj: “Sikur Allahu të na zgjaste ditën deri në kiamet, cili zot tjetër do të mund të na sillte natën që të çlodheshit? Akoma nuk doni të shihni të vërtetën.””

Njeriu me logjikë e arsye duhet t’i thërrasë ndërgjegjes së tij, të besojë Zotin e lartësuar, sepse këtu, në këtë botë, nuk mbaron çdo gjë për të. Kjo është botë provizore e tranzitore për të kaluar në botën tjetër në të cilën njeriu do të përgjigjet përpara Krijuesit për veprimtarinë e tij. Do të jetë përballë gjykatësit, fuqia e të Cilit është e pashembullt, që çdo send e ka krijuar nga hiçi apo asgjëja, e bëri të mirëqenë për njeriun, që është krijesa më e lartë dhe sundues në këtë botë me dijen e tij. Por pa dyshim, ka krijuar edhe një botë tjetër, të amshuar, të cilën mendja e njeriut nuk arrin ta konceptojë, por logjika e tij duhet ta provojë se ai vend nuk ka mbarim dhe këtu do të përjetojë shpërblimin ose dënimin për veprat e kryera. Prandaj secili duhet të kthehet me vetëdije në Islam e të dëshmojë: “S’ka zot tjetër veç Allahut dhe Muhamedi është i dërguari i Tij”.

Xhemal Balla

[1] H. I. Dalliu, Ajka e kuptimeve të Kurani Qerimit, f. 159.

[2] Hashr, 22.

[3] En’am, 59.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu