Mbyllja e vitit shkollor, një maratonë plot me bilance

“Kemi trokitur në mijëra çaste lodhje dhe djersa e vullnetit kurrë nuk u shter. A mundem vallë të them se ia dola?! Por kujtimet e këtyre viteve do t’i mbaj thellë në zemër. Do të më marrë malli edhe për ju mure, që si karnavale nën penat tona u bëtë, por më shumë me lot mërzitje do të qaj gjërat e pabëra mirë.”

Monologu i një nxënësi 

Të gjithë nxënësit në muajin shtator rreshtohen përpara dyerve të pritjes. Në këtë muaj ata e gjejnë veten në një derë nga e cila ka kaluar mbarë njerëzimi, shkolla. Në fakt, shkollimi është pjesa më e rëndësishme e jetës. Shkolla është vendi ku truri dhe zemra mbushet me dije.

Të gjithë, nxënës dhe studentë, ulen nëpër banka, për të marrë prej tyre cakun e dashur të dijes. Shkolla na shoqëron çdo ditë të jetës sonë, derisa na dorëzon në duart e profesionit. Në këto banka jeta njerëzore merr një kuptim, duke nisur që nga fillorja e deri më lart. Gjatë vitit shkollor nxënësit përpiqen të japin maksimumin dhe të jenë pozitivë. Të shumta kanë qenë përpjekjet e tyre për të arritur më të mirën për shkollimin e tyre.

Një vit të tërë përshëndetësi i çdo mëngjesi ka qenë zilja e zgjimit. Ajo u kujtonte se duhet të shkonin në ndërtesën e diturisë.  Lëndët me lodhje, por edhe me kënaqësi, i kanë munduar, por edhe i kanë shërbyer sadopak njëra-tjetrës. Numra, shifra e fjalë ngatërrohen, e ndoshta kanë dalë edhe në gjumin ëndrrashumë. Dikush ka pasur prirje për shkenca e dikush oratorinë e ka cilësi të lindur, por përpjekjet janë bërë në çdo fushë, sepse shkollimi është një e ardhme më e mirë.

Dihet se leximi e dëmton rëndë injorancën. Por fare në fund të gjithë e dinë se edhe mundi edhe neglizhenca shpërblehen, sepse po nuk ditën të ruajnë dijen, dihet që do të humbasin shumë në jetë. E ja ku vjen shumë shpejt qershori, ku të gjitha stadet e shkollimit mbyllin maratonën duke pyetur veten: “Sa shpejt fluturuan muajt?”. Dhe pikërisht, në këtë moment, duhet të bëjmë llogaritë. Ku kemi ngecur, çfarë nuk bëmë si duhet, përse nuk i dhamë shkollës vendin që meriton? Ose na mbetet të jemi të kënaqur me punën dhe mundin tonë dhe le të vazhdojmë kështu.

Sa net pa fund në fakt u kaluan mbi germa dijesh, kur të nesërmen njohuritë do të testoheshin? Sa caqe stresi u kaluan, kur nota si kënaqi pritshmëritë? Ai ishte edhe shansi i fundit për këtë vit shkollor? Çdo fund viti duhet në fakt të jetë kulmor. Fundviti duhet të jetë moment triumfi, por edhe reflektimi.

Në fund fare, mirë do të ishte që nxënësit të shkruajnë gjërat të cilat u kanë sjellë sukses, ose mënyrat e të mësuarit të cilat duhet t’i praktikojnë më shumë.

Por kur përmendim suksesin na vjen në mendje diçka. Në krye të frontit të këtyre përpjekjeve qëndrojnë të palodhur për të dhënë këshilla e kujtesa, e ndonjëherë për të dhënë edhe vërejtje. Detyrimet ndaj tyre herë shkojnë në heshtje e herë në formë kartoline. Ata janë mësuesit tanë. Në rrugëtimin drejt dijes nxënësit nuk i ndihmojnë vetëm farefisnia e shkolla, por edhe mësuesit e përkushtuar.

Ja edhe një tjetër vit shkoi. Ata festojnë bashkë sukseset, por jo rrallë i bie edhe të reflektojnë për disfatat, të cilat i mësojnë si të mos gabojnë përsëri. Por dihet se suksesi në jetë nuk arrihet lehtë. Ëndrrat për sukses dhe ecuri nuk kanë fund.

Disa këshilla dhe objektiva për të ardhmen

Për ju prindër të dashur

Nxënësit e nisin shumë herët edukimin para se të hyjnë në dyert e shkollave, prandaj pikërisht në familje për ta duhet treguar një vëmendje e veçantë. Mbështetjen dhe përkujdesjen çdo nxënës e merr të plotë në familje.

Le të ushtrojnë dijet e marra në mënyrë praktike në familje, nëse ata kanë mundësi. Përdorni gjithashtu mbrëmjen për të kontrolluar përgatitjen e tyre.

Që një nxënës të jetë studioz duhet të motivohet, por edhe të marrë shembullin e tij personal nga prindër që lexojnë.

Nëse ju i jepni shumë rëndësi seriozitetit të të punuarit, të tillë do të jenë edhe fëmijët tuaj.

Të marrim informacion nëse mirëqenia në shkollë e bën të ndihet i motivuar. Le të jetë mirëqenia e fëmijës një çelës për sukses dhe një objektiv për vitin që vjen.

Ndoshta prindërit duhet të qëndrojnë më shumë në kontakt me mësuesin, në mënyrë të tillë që të njohin ecurinë. Edhe kjo e ndihmon suksesin e nxënësve.

Duke i vlerësuar përpjekjet e fëmijëve në mënyrë të tillë që ata të ndjejnë mbështetje dhe të ecim përpara.

Dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishmja për ju prindër të dashur: Le të këtë fëmija juaj qoshkën e tij të studimit, ku ai ka rehati dhe studion i qetë.

Edhe ky vit kaloi, pushimet nxënësit tanë le t’i kalojnë me libra qetësues në duar, e pse jo, edhe me përsëritje të shkurtra të lëndëve të vitit të shkuar.

E në fund, suksese, shumë suksese në vitin vijues.

Entela Hidri