Fjalët e para që iu shpallën profetit Muhamed (a.s.) nga Zoti, ishin 5 ajetet e para të sures Alak: Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (gjithçka)/e krijoi njeriun nga një droçkë gjaku!/Lexo, sepse Zoti yt është Bujari më i madh/ i Cili, me anë të penës i mësoi/njeriut gjëra që nuk i dinte.
Atëherë si duhet të jetë ky ymet, libri i të cilit fillon me fjalët “Lexo”? A mund të jetë analfabet një ymet i tillë? A nuk është paradoks që këtij ymeti, të cilit i janë shpallur këto ajete, të ketë probleme me arsimin dhe dijen?!
Në shpalljen e parë Kuranore i bëhet thirrje intelektit të njeriut me urdhrin: “Lexo…” Fillimisht kjo thirrje i drejtohet Muhamedit (a.s.) dhe pastaj përmes tij tërë njerëzimit, të gjithë ne besimtarëve dhe besimtareve. Kërkimi i diturisë i paraprin edhe kultivimit të besimit. Ne e dimë se Imani (besimi) është shpirti i fesë dhe faktori kryesor i saj, megjithatë shpallja filloi me “Lexo, Mëso” dhe jo “Beso”.
Ne jemi një popull, që na kanë preokupuar gjërat dytësore duke lënë anash gjërat parësore, sekondaret në vend të gjërave thelbësore, forma e jashtme në vend të përmbajtjes, të folurit dhe paraqitja në vend të tiparit dhe sjelljes.
Mësimi dhe arsimi janë baza dhe jeta e Islamit. Ato zënë vend kryesor në historinë islame, sepse janë shtyllat themelore të kulturës e civilizimit islam. Mësimi dhe arsimimi në Islam janë përcaktuar me fjalën e Zotit në Kuranin famëlartë, në thëniet e Pejgamberit (a.s.), i cili i ka porositur të gjithë myslimanët të mësojnë dhe të studiojnë prej djepit deri në varr.
Sa herë që i jepej mundësia, Muhamedi (a.s.) i nxiste shokët e tij dhe myslimanët që të kërkonin dije dhe të arsimoheshin. Ai nuk pranonte që myslimani të mjaftohej me adhurimin, por kërkonte prej tij të merrte dije dhe të arsimohej. Allahu xh.sh. thotë : “Nun. Betohem për penën dhe për rreshtat që shkruajnë.” (Kalem, 1)
Surja Kalem është kaptina e dytë që iu shpall Pejgamberit (a.s.), pas ajeteve të para të sures Alak. Edhe në ajetet e para të sures Alak, i bëhet thirrje njeriut që të njohë dhe të prezantohet me Zotin, Krijuesin e tij. Surja Kalem i bën thirrje myslimanëve që dijet e përftuara të shkruhen dhe të regjistrohen, me qëllim që të mos harrohen. Kjo duket qartë në faktin se në ajetin e parë, përmendet pena, mjeti i shkrimit.
Është e vështirë për një ymet që nuk interesohet për të përftuar dije dhe një rini që nuk bën kërkime dhe hulumtime shkencore, të rimëkëmbet dhe të zhvillohet. Të jesh i suksesshëm në fushën shkencore, të përvetësosh dije dhe njohuri të reja, të merresh me zbulime dhe hulumtime shkencore, është kusht themeltar për zhvillimin e çdo populli dhe kombi. Ajo është thelbësore për të ndryshuar veten dhe për të pritur ndryshimin nga Zoti më pas.
Të gjithë profetët para profetit Muhamed (a.s.), triumfonin me anë të mrekullive. Musai
kishte shkopin e tij, Nuhu triumfoi nga tufani, i cili i shkatërroi armiqtë e tij, Hudi triumfoi me anë të erës së fuqishme, etj. Kurse ymeti i Muhamedit do të triumfojë vetëm me dije dhe arsim.
Vetë fjala “i ditur” përmendet 224 herë në Kuranin famëlartë. Emri i Zotit “iGjithëdituri” përmendet 185 herë, “dija” përmendet 375 herë, vetëm në hadithet e Buhariut, fjala “dije” përmendet në 102 hadithe në kapitullin e dijes.
Në betejën e Bedrit, myslimanët kapën shtatëdhjetë mekas robër. Si kusht që të fitojnë lirinë, Pejgamberi (a.s.) i kërkoi secilit prej tyre që t’u mësojë dhjetë myslimanëve shkrim e këndim. Kështu, shtatëdhjetë robër, do u mësonin shtatëqind myslimanëve shkrimin dhe këndimin. Edhe pse myslimanët kishin nevojë për të holla, Pejgamberi (a.s.) nuk kërkoi pasuri materiale në këmbim të lirisë, por u kërkoi t’u mësonin myslimanëve shkrimin dhe leximin.
Përveç mësimit të shkrimit dhe këndimit, Pejgamberi (a.s.) i kushtoi një rëndësi të veçantë edhe mësimit të gjuhëve të huaja. Ai e thirri një ditë Zejd ibn Thabit dhe i tha: “Do të shkosh tek çifutët dhe do të mësosh gjuhën e tyre. Mos u kthe pa e Përvetësuar mirë atë.”
Prandaj kushdo që kërkon të nxërë dije, duhet të plotësojë tre kritere të rëndësishme: Të jetë këmbëngulës dhe të ketë vullnet për të mësuar, të jetë modest me mësuesit e tij, të mësojë diçka të dobishme që i vlen ymetit dhe njerëzimit, jo çdo lloj dijeje. Vetë Pejgamberi (a.s.) lutej: “O Zot, më ruaj nga dija e pavlerë!”
Çdo mysliman, pavarësisht nga gjinia, duhet të kërkojë dituri, të mësojë, të arsimohet, madje edhe të aftësohet profesionalisht në mënyrë që të jetë në gjendje ta mbrojë dhe ta argumentojë mendimin dhe besimin e tij. Besimi ynë duhet të jetë i shoqëruar me dituri e bindje, i dëshmuar me fakte e sinqeritet, jo me fanatizëm dogmatik e hipokrizi. Besimi i myslimanit duhet të jetë i gjallë e produktiv dhe jo i ngurtë në vetvete.
Naim Drijaj