Muhamed, o i dashuri Profet!

Sa herë që përjetoj muajin në të cilin ti linde, thellësia e zemrës më shtyn që ndjenjat e mia, që burojnë nga thellësia e shpirtit me një forcë të papërshkrueshme, t’i përcjell nëpërmjet fjalëve të thëna apo të hedhura në letër, por a do të munden fjalët e mia ta përshkruajnë dashurinë dhe admirimin tim për ty?! Mallin tim për ty?! Lidhjen time me ty?! Nuk e di, por gjithsesi do të përpiqem. Çdo vit shkruaj për ty, dhe çdo herë fjalët për ty rrjedhin vetë, si burimi i pashterur i Zemzemit, apo si burimi i Keutherit. Kur mendoj për ty, kur shkruaj për ty, kur flas për ty, më duket sikur e shuaj një pjesë të mallit tim për ty.

Edhe pse nuk je në mesin tonë fizikisht, prania jote ndihet gjithandej, sepse fjalët, këshillat dhe udhëzimet e tua janë parimet dhe motot që më shoqërojnë në përditshmërinë time. Të drejtohem me “ti”, sepse të ndiej shumë të afërt dhe kam krijuar kofidencë. Të gjithë e kanë një person të cilit duan t’i ngjajnë, ndërsa për mua, ti je personi që mundohem ta ndjek, që mundohem t’i afrohem me punë e me sjellje, edhe pse e di se je i paarritshëm.

Të dua shumë o i dashuri Profet, pasi ti më mëson të dua Zotin. Mrekullia jote ende vazhdon, morali dhe personaliteti yt ende zgjojnë zemra të përgjumura ndër vite. Udhëzimi yt ende shpëton njerëz të vdekur në pellgun e injorancës. Largpamësia dhe vizioni yt ende shërojnë të verbrit që jetojnë në errësirën e ferrit të kësaj bote. Tani po e kuptoj në realitet se pse Allahu të quajti “Mëshirë për mbarë botët”.

Çdokush që të ka njohur nga afër, ka dashur që të mos largohet kurrë prej teje. Kushdo që ka dëgjuar për ty, ka dashur të të afrohet pranë e më pranë. Ti paske qenë magnet i zemrave, melhem i shpirtrave, ilaç i brengave, drita e syve, oksigjeni i jetës, pasi ti je pishtari i të vërtetës.

Sa herë që rikujtoj cilësitë e tua fizike, duke i hasur nëpër libra të ndryshëm, i mbledh të gjitha bashkë dhe mundohem t’i formësoj në imagjinatën time dhe të të përfytyroj. Kur dëgjoj nga të tjerët pyetje të llojit: Kush dëshironi t’ju vijë për vizitë? Menjëherë më pushton dëshira e flaktë e imja: Sa do doja të më vizitoje ti, o Profeti im i dashur, edhe pse fizikisht e di që është e pamundur në këtë botë, të paktën të më vizitoje në ëndërr dhe kështu ëndrrat e mia t’i shndërroje në realitet.

Në kohën tënde, sa më shumë të sulmonin, aq më shumë njiheshe në mesin e të tjerëve dhe aq më tepër të dilte nami për mirë dhe aq më lart të ngrinte Zoti i Madhëruar. E njëjta gjë të ndodh edhe sot, kudo nëpër botë. Edhe tani ka prej atyre që mundohen të hedhin baltë mbi figurën tënde të ndritur, por a mund të mbulohet Dielli me shoshë, a mund të shuhet Kandili Ndriçues që shndriti gjithë njerëzimin dhe që vazhdon ende ta bëjë deri në ditën e fundit të kësaj bote dhe më pas. Çdo tentativë kundër teje, është një ftesë drejt teje, një ftesë që i bëhet njerëzimit për të zbuluar Thesarin e Jetës, vlera e të cilit nuk humbet kurrë dhe që është e mjaftueshme për këdo.

O i dashuri Profet! Ti erdhe si më i zgjedhuri njeri në faqen e dheut, por edhe emrin e pate të zgjedhur. A e di ti se emri yt kurrë s’do të harrohet?! Dhe a e di pse? Sepse ende ka prindër, të cilët që nga momenti në të cilin Allahu i bekon me lajmin e shtatzënisë, ata vendosin me shumë krenari, që nëse fëmija i tyre do të jetë djalë, të mbajë emrin tënd. Dhe nëse do t’i gëzojë Zoti me vajza, u vënë emrat e njerëzve që qenë lidhur më shumë me ty: Fatime, Hatixhe, Aishe, etj. Emri yt o i dashuri Profet, është emri më i përhapur në të gjithë botën. Sa herë që të dërgoj salavat, gjuha ime ndihet krenare me përmendjen e emrit tënd.

Çfarë e shtyn zemrën të ndiejë për ty?! Çfarë e shtyn syrin të lotojë për ty?! Çfarë e shtyn gjuhën të rrijë e lagur duke të përmendur ty?! Zemra më përgjigjet duke thënë: “Zemra e Profetit Muhamed a.s. digjej për të mirën e njerëzimit”, syri më thotë: “Syri i Profetit ka lotuar për vuajtjet dhe padrejtësitë ndaj njerëzimit”, gjuha më thotë: “Gjuha e Profetit kurrë nuk pushoi së foluri për shpëtimin dhe udhëzimin e njerëzimit”. I dashuri Profet! Ti flisje i frymëzuar nga ana hyjnore dhe fjalët e tua dilnin nga shpirti dhe nga zemra jote, ato edhe sot e kësaj dite trokasin nëpër zemrat e njerëzve dhe kudo ku hyjnë ngjallin emocione të papara, ndjenja të papërjetuara më parë, shkaktojnë ndryshime pozitive të paimagjinuara, pasi ato shëmbëllejnë si shkopi magjik i Musait a.s. me të cilin e ndau detin në dy pjesë, ashtu edhe fjalët e tua o i Dërguari i Zotit, e ndajnë shapin nga sheqeri, të mirën nga e keqja, dritën nga errësira, udhëzimin nga humbja dhe shpëtimin final nga dënimi i përjetshëm.

Mendimtarë dhe dijetarë të ndryshëm, nuk të shëmbëllejnë kot së koti si “Lulishte Dritash”, pasi ti i tillë je. Drita jote shihet sado larg qofshim ne, sado që na ndajnë kontinente, sado që na ndajnë gjuhë të ndryshme. Ti je i yni dhe ne jemi të tutë. Ti me gjuhën tënde na pranove si Umetin tënd; ti me ndërmjetësimin tënd do të ndërhysh te Zoti i Lartësuar Ditën e Gjykimit për të kërkuar falje për ne, mëshirë për ne, shpëtim për ne. E kush jemi ne të të refuzojmë ty. Ty, që i madhi Zot të mbajti më afër se çdokush tjetër. Përkundrazi, ty të mbajmë gjithmonë me vete, kudo ku shkojmë me trup e me shpirt, pasi ti për ne je si jeleku i shpëtimit në mesin e një deti pa fund, me dallgë të furishme në një kohë plot stuhi; ti je parashuta jonë e shpëtimit në një avion që ka dhënë sinjalin e alarmit duke ua prerë njerëzve shpresat për jetë.

Edhe në trevat tona shqiptare, emri yt kurrë nuk është harruar. Prindërit, gjyshërit, stërgjyshërit dhe të parët tanë të kanë ruajtur si pasurinë më të shtrenjtë. Edhe sot filizat e rinj që po rriten, dëgjojnë çdo ditë e më tepër për ty. Rrugëtimi ynë i përbashkët vazhdon, ti je prijësi i rrugës dhe ne jemi pasuesit e tu.

Unë nuk kam frikë nga jeta, nga hallet dhe sprovat e shumta me të cilat përballem, pasi ti më jep zgjidhjet më adekuate për çdo situatë. Nuk qahem dhe nuk ankohem asnjëherë në raste vështirësish dhe vuajtjesh, pasi më vijnë në mendje vuajtjet e shumta që përjetove dhe prapë se prapë Zotit nuk iu ankove. Nuk e imagjinoj botën pa praninë tënde, sepse do ishte e zbrazët dhe e pakuptimtë.

Edhe pse kanë kaluar 1500 vjet nga lindja jote, më duket sikur të njoh nga afër, sikur të kesh jetuar afër meje me vite të tëra. Jeta jote është e pastër dhe transparente si qelqi më i tejdukshëm. Çdokush që dëshiron të prezantohet me ty, e ka pasur dhe e ka këtë mundësi, pasi çdo moment i jetës tënde është transmetuar qartazi deri në ditët tona. Ne dimë gjithçka për ty, pasi ti ishe një libër i hapur, ku çdokush mund të lexonte të vërtetën, ti ishe pasqyra që reflektoje imazhin e mirësisë, dashurisë, butësisë, ngrohtësisë, etj.

O i dashuri Profet! Sa herë që lexoj dhe rilexoj biografinë tënde, arrij të të njoh në këndvështrime të ndryshme dhe sa herë që lexoj rreth teje, aq më tepër zbuloj për ty, pasi ti je si një minierë ari, por ndryshe nga minierat e zakonshme, nuk është e nevojshme që të zbres nën tokë për disa kate, përkundrazi, duke të njohur ty, unë lartësohem disa kate mbi tokë.

O i dashuri Profet! Ti ishe i Dërguari i paqes dhe paqe kudo shpërndaje. Në kohët e sotme shumë gjëra kanë ndryshuar. Gjakderdhja e njerëzve është bërë lum i pafund. Jeta e njeriut nuk e ka atë vlerë që ti i dhe. E gjithë bota është pllakosur nga një kasaphanë, prej të cilës mijëra jetë njerëzish humbasin çdo ditë. Sa do doja që të jetoje në këtë kohë, qoftë edhe për një kohë të shkurtër. Të zgjidhje këto konflikte që s’kanë të mbaruar, që larguan njerzillëkun nga njerëzia, e në vend të tij sollën kafshërinë. Të zgjidhje këto konflikte që s’i ndalën lotët e nënave, që i mohuan buzëqeshjen fëmijëve, që i hapën mejdanin të padrejtëve dhe mizorëve.

Për fat të keq, shumë prej parimeve që ti le si trashëgimi për brezat në vazhdim, tashmë kanë humbur, nuk ekzistojnë më. Humbi vëllazëria, në vend të saj është përçarja. Humbi dashuria, në vend të saj është urrejtja. Humbi solidariteti, në vend të tij është kundërvënia. E po të vazhdoja më tutje, s’do të kishte të mbaruar ky zinxhir.

O i dashuri Profet! Tashmë, më shumë se kurrë, e gjithë bota ka nevojë për ty. Për një udhëheqës shteti si ti, për një udhëheqës shpirtëror si ti, për një vizionar si ti, për një kryefamiljar si ti, për një prind si ti, për një bashkëshort si ti, dhe mbi të gjitha për një njeri si ti.

O i dashuri Profet. Shpresa dhe dëshira e madhe për t’u takuar me ty, është një nga synimet e mia në këtë jetë, jo për në këtë botë, por për në Ahiret. Pikërisht është kjo që më mban në rrugën tënde, krenar dhe ballëlart, i qartë në synim, i kujdesshëm në veprim, i matur në reagim, sepse i tillë ishe dhe ti, o Profeti im.

Sado që të shkruaj, s’do të mund t’i them të gjitha, pasi jo çdo gjë e brendshme mund të thuhet me fjalë, por unë të jap besën e shqiptarit, që se tret as dheu, të jap besën e myslimanit, se rruga e vetme që do të ndjek, do të jetë vetëm ajo që më rrëfeve ti, derisa të arrij në fundin e saj, derisa të arrij në Parajsë, atje ku ndodhesh ti, që të më hapësh derën dhe të jem mysafiri yt. Për ta realizuar këtë ëndërr do të punoj përjetë, derisa trupi im nga dheu të jetë tret, derisa të bashkohem me ty, o i dashuri Profet, o Muhamed!

Qani Sulku