Lukmani ishte njeri i ruajtur dhe person që shquhej për devotshmëri dhe moral të lartë. Për shkak të sinqeritetit dhe ndjenjës së lartë në adhurim Allahu xh.sh. i fali maturi dhe urtësi për të cilat do të zinte një vend të merituar në faqet e historisë njerëzore. Mori epitetin “i urtë” për shkak të peshës së fjalës dhe të folurit lakonik.

Krahas mirësive dhe virtyteve, Lukmani zotëronte një armë të fortë – këshillën. Këshillat e tij plot urtësi përcilleshin me vëmendje dhe zinin vend në zemrat e njerëzve. Një kujdes të veçantë ai tregonte për familjen, sidomos për fëmijët. Janë të njohura këshillat e tij drejtuar të birit. Në thelb të tyre qëndron besimi në Zotin Një, zbatimi i ligjit të Tij dhe zgjedhja e rrugës së moralit e virtytit, si e vetmja mundësi shpëtimi për të dy jetët. Kështu, në apelin e tij prej prindi ai e këshillon të birin për njohjen e Zotit dhe bindjen ndaj Autoritetit të Tij. Më pas i flet për kryerjen e namazit, si ritual që përkon me urdhërimin për të mira dhe largimin nga të urryerat. Në vijim porosit për zbatimin e parimeve të moralit, prej të cilave veçon: durimin, sinqeritetin, modestinë dhe të biseduarit me zë të ulët. Sipas tij, tre të parat garantojnë sukses, ndërsa maturia në fjalë dhe mosngritja e zërit gjatë bisedës, sjellin afrimin dhe fitimin e zemrës së bashkëbiseduesit.

Këto porosi të larta Allahu i jep me gjuhën e Lukmanit në Librin e Tij të zgjedhur – Kur’anin, ku thotë:

“Ne i dhamë Lukmanit urtësinë (duke i thënë): “Falënderoje Allahun! Kush është falënderues, e bën për të mirën e vet dhe, kush mohon, ta dijë se vërtet Allahu është i Vetëmjaftueshëm dhe i Denjë për lavdërim”. (Kujtoje) kur Lukmani i tha të birit, duke e këshilluar: “O djali im, mos i shoqëro Allahut asgjë (në adhurim)! Pa dyshim, idhujtaria është një padrejtësi shumë e madhe”. Ne e kemi urdhëruar njeriun që t’i nderojë prindërit e vet. Nëna e ka mbartur atë, duke duruar mundim pas mundimi, e ndarja e tij (nga gjiri) është brenda dy vitesh. Ne i thamë atij: “Bëhu falënderues ndaj Meje dhe prindërve të tu! Tek Unë do të ktheheni të gjithë”. Nëse ata orvaten, që të më shoqërosh Mua (në adhurim) diçka, për të cilën ti nuk ke dijeni, mos i dëgjo, por sillu mirë me ata në këtë jetë dhe ndiq rrugën e atij që drejtohet tek Unë me devotshmëri; pastaj, tek Unë do të ktheheni dhe Unë do t’ju lajmëroj për atë që keni bërë. “O djali im, edhe veprën e rëndë sa kokrra e sinapit që ndodhet në shkëmb, në qiej apo në tokë, Allahu do ta nxjerrë në shesh. Me të vërtetë, Allahu njeh mirë çdo imtësi dhe i di të gjitha fshehtësitë. O djali im, kryeje namazin, urdhëroje të mirën, pengoje të keqen dhe bëhu i durueshëm për çfarëdo që të godet! Me të vërtetë, ky është thelbi i patundur i të gjitha punëve! Mos i trajto njerëzit me nënçmim dhe mos ec në tokë me mendjemadhësi, se Allahu nuk i do mendjemëdhenjtë e mburracakët! Ec me kujdes e i përmbajtur dhe fol me zë të ulët; se zëri më i vrazhdë është zëri i gomarit!” (Lukman, 12-19)

Ky ishte Lukmani i urtë, robi i ruajtur i Zotit, njeriu që, edhe pse nuk ishte profet, punoi dhe jetoi si i tillë, duke i udhëzuar njerëzit drejt pastërtisë së besimit, moralit dhe virtytit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here