Padrejtësia ndëshkohet

Racial discrimination in society or racist intolerance at work as a white person with an unfair advantage and a black african american facing an obstacle with 3D illustration elements.

Të flasësh për drejtësi në ditët e sotme është një temë sa aktuale aq edhe e nevojshme, sepse thuajse kudo mbizotëron padrejtësia. Padrejtësia apo zullumi është e pranishme në forma të ndryshme, në kohë dhe hapësirë, dhe është karakteristikë e njerëzve të këqij, e grupeve, madje edhe e popujve të këqij. Ajo është shkaku i shkatërrimit të njerëzve dhe shoqërisë, i familjeve dhe individëve. Kur përhapet padrejtësia në një shoqëri, atëherë zhduket bereqeti, zvogëlohet mirësia dhe përhapen sëmundjet e dënimet.

Dijetarët myslimanë kur e përkufizojnë padrejtësinë, thonë se ajo është vendosja e gjërave në vendin që nuk u përket, si dhe veprimi me pasurinë dhe të drejtat e të tjerëve në kundërshtim me parimet e drejtësisë. Allahu i Madhëruar, edhe pse ka mundësi të bëjë ç’të dojë, kur të dojë dhe kujt të dojë, Ai nuk i bën zullum askujt. Në një hadith kudsij, Allahu i Plotfuqishëm thotë: “O robërit e Mi, Unë Vetvetes ia kam ndaluar padrejtësinë, prandaj as ju mos i bëni padrejtësi njëri-tjetrit…” (Muslim)

Padrejtësia është prej gjynaheve të mëdha, e cila të çon në ndëshkimin e Allahut. Kur çdo gjë këputet me hollimin e saj, te zullumi ndodh ndryshe, ajo këputet kur trashet. Ndonjëherë të padrejtët, për shkak se nuk ndëshkohen aty për aty, mashtrohen dhe kështu zhyten thellë e më thellë në padrejtësi. Kjo nuk nënkupton se ata i shpëtojnë dënimit të Allahut të Madhëruar, përkundrazi, Allahu i Plotfuqishëm i monitoron zullumqarët dhe i lë ata deri në një afat të caktuar, për të mbyllur çdo derë justifikimi. Ndërsa në Ditën e Gjykimit ata do ta marrin dënimin e merituar.

Ka shumë argumente në Kuran dhe Sunet, të cilat e ndalojnë myslimanin të bëjë padrejtësi, por edhe t’i ndihmojë zullumqarët për të bërë padrejtësi. Allahu i Plotfuqishëm urdhëron e thotë: “E ti kurrsesi mos e mendo Allahun si të pakujdesshëm ndaj asaj që veprojnë zullumqarët; Ai, vetëm ua shtyn (dënimin) deri në Ditën kur sytë e tyre shtangen (do të mbesin hapur). (Ibrahim, 14:42) “Dhe mos anoni nga ata që bënë zullum, e për atë shkak t’ju kapë zjarri, sepse përveç Allahut nuk keni mbrojtës, e mbeteni të pa ndihmuar.” (Hud, 11:113)

Edhe në të kaluarën ka pasur njerëz që, kur ishin në ndonjë pozitë të lartë u bënin padrejtësi të tjerëve. Ata menduan se do të mbeteshin përgjithmonë të pamposhtur dhe e harruan Krijuesin e Gjithësisë. Në hadithin të cilin e përcjell Buhariu thuhet: “Allahu me të vërtetë i jep kohë zullumqarit, por kur e kap, nuk e lë atë!”Pastaj e lexoi ajetin: “I tillë është dënimi i Zotit tënd, kur ndëshkon vendbanimet që bënin zullum. Me të vërtetë, dënimi i Tij është i dhembshëm dhe i ashpër.” (Hud, 11:102)

Misioni më i rëndësishëm i Profetit Muhamed (a.s.) dhe detyra e çdo myslimani që ndjek rrugën e tij, është përcjellja e mesazheve të Allahut, kumtimi i të drejtës dhe të vërtetës. Ai parashtron se ftesa e njerëzve për tek e mira dhe pengimi i tyre nga e keqja bart një rëndësi të madhe për shoqërinë. Duke porositur si më poshtë, Profeti (a.s.) ka qartësuar se detyra e kundërshtimit të së keqes është pjesë e besimit: “Kush nga ju sheh një të keqe, ta rregullojë me dorë; po të mos ketë mundësi, ta rregullojë me gojë dhe, po të mos ketë mundësi as për këtë, ta përbuzë me zemër, gjë që është forma më e dobët e besimit!” (Muslim, Iman, 78).

Gjendja e atyre që nuk e kryejnë detyrën e kumtimit parashtrohet kështu në hadithin profetik: “Në kohën kur mes bijve të Izraelit, padrejtësia dhe dhuna morën përhapje të gjerë, ndodhte që ata, për hir të interesit, nuk ia vinin në dukje të metat njëri-tjetrit dhe nuk e pengonin njëri-tjetrin kur e shihnin se po vepronin keq. Atëherë Zoti i lëshoi ata kundër njëri-tjetrit dhe zbriti për ta këto ajete. Kështu, edhe ju, ose i bëheni pengesë padrejtësisë dhe dhunës, duke e tërhequr atë që bën padrejtësi dhe dhunë tek e drejta, ose do t’ju bjerë mbi kokë e njëjta gjë!” (Ibn Maxhe, Fiten, 20; Tirmidhi, Tefsiru Sureti’l-Maide, 7). “Ata izraelitë që ishin mohues, u mallkuan me gjuhën e Dautit dhe të Isait, të birit të Merjemes, për shkak se kundërshtonin, shkelnin çdo kufi dhe nuk e ndalonin njëri-tjetrin të bënin vepra të këqija. Eh, sa të shëmtuara ishin veprat që bënin ata!” (Maide, 5:78-79). Në një hadith tjetër, në lidhje me këtë çështje, Profeti Muhamed (a.s.) ka thënë: “Betohem në Allahun që ma ka dhuruar jetën se ju ose do të urdhëroni për të mirë e do të pengoni të keqen, ose Allahu do të dërgojë mbi ju një ndëshkim. Atëherë do të luteni, por lutja nuk do t’ju pranohet!” (Tirmidhi, Fiten, 9).

Mendimtari i njohur mysliman Ibn Halduni, ka bërë me dije për ngatërresat që shkakton padrejtësia. Ai thotë: “Sa më shumë njerëzit humbasin besimin te ligji dhe drejtësia, aq më shumë shtohet kaosi dhe është shenja e parë e nevojës për reforma. Ligji (drejtësia) është mendja, inteligjenca e një kombi, dhe kur e humbin atë, pra ligjin, humbin mendjen. Një nga padrejtësitë më të rënda dhe më e rrezikshmja për rrënimin e shoqërisë është detyrimi i padrejtë dhe shfrytëzimi i padrejtë i klasës punëtore. Plaçkitja e pasurisë së popullit e zhduk iniciativën për fitimin e pasurisë, sepse ata e shohin se qëllimi i asaj padrejtësie është që njerëzit të mbeten pa pasuri. Kur iniciativa zhduket, duart nuk kanë fuqi dhe njerëzit nuk bëjnë më përpjekje për të arritur diçka… Nëse vjen deri te rënia e vullnetit – dëshirës për të fituar mjete për jetesë dhe nëse duart e tyre dobësohen për të fituar të ardhura, atëherë tregu dhe e gjithë situata sociale dështojnë dhe njerëzit emigrojnë në vende të tjera në kërkim të lumturisë që u është zhdukur. Popullsia zvogëlohet, familjet pakësohen, qytetet shemben. Shpërbërja e shoqërisë çon në rënien e shtetit dhe të pushtetarëve, sepse ata janë vetëm forma të jetës shoqërore, dhe forma humbet domosdoshmërisht nëse humbet materia”.          Në kryeveprën e tij “Mukadime”, Ibn Halduni tregon për një tjetër pasojë të padrejtësisë, e cila dëshmon se, edhe pse koha dhe rrethanat kanë ndryshuar, disa gjëra mbeten të njëjta. Ai thotë: “Kur shtetet fillojnë të shpërbëhen, shtohen gënjeshtarët e mendjemëdhenjtë, thashethemet përhapen, njerëzit përfshihen në debate shumë të gjata dhe të kota, njohuritë e vërteta zvogëlohen dhe dyshimet rriten.”

Duhet të dimë se padrejtësia ose zullumi është tre lloje: Lloji i parë është padrejtësia e njeriut ndaj Zotit të tij, përmes mosbesimit dhe formave të ndryshme të idhujtarisë. Lloji i dytë është padrejtësia e njeriut ndaj vetvetes, duke i braktisur gjërat e urdhëruara, duke ndjekur egon dhe duke bërë gjynahe. Lloji i tretë është padrejtësia e njerëzve ndaj njëri-tjetrit, duke i marrë jetën, nderin, si dhe duke i privuar ata nga të drejtat dhe pronat e tyre.

Për mëkatin që është mes teje dhe Allahut, ka shpresë se  Allahu është Falës dhe do ta falë. Nëse mëkati është mes teje dhe njerëzve të tjerë, atëherë nuk ka shpresë tjetër vetëm se ta falë ai që e ke dhunuar, që i ke hyrë në hak, e ke ofenduar, ke shpifur, e ke përgojuar apo që i ke bërë ndonjë dëm. Zullumqari do të duhej të pendohet për padrejtësinë që u ka bërë tëtjerëve dhe të kërkojë mundësinë për të marrë hallallikun prej atij që i ka bërë dëm, duke qenë akoma në dynja.

Pendimi për padrejtësinë është kërkimfalja ndaj personave që u është bërë e padrejta. Transmetohet prej Ebu Hurejres se i Dërguari (a.s.), ka thënë: “Kush i ka bërë ndonjë të padrejtë vëllait të vet mysliman, qoftë morale apo materiale, le të kërkojë sot t’ia falë dhe t’ia bëjë hallall, para se të vijë dita kur nuk do të ketë as dinarë, as dërhemë. Atë ditë do të merren prej veprave të mira të tij, nëse do t’i ketë, aq sa vlen ofendimi që ka bërë. Nëse nuk do të ketë vepra të mira, atëherë do të merren prej mëkateve të atij që i është bërë padrejtësi dhe do t’i ngarkohen atij.” (Buhariu dhe Muslimi).

Padrejtësia është burimi i të gjitha të këqijave. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar nuk i do zullumqarët dhe nuk e udhëzon popullin zullumqar. Kur i Dërguari i Allahut vendosi ta dërgonte Muadhin në Jemen, e këshilloi me fjalët: “Ruaju lutjes së atij që i është bërë padrejtësi, sepse me të vërtetë ndërmjet lutjes së tij dhe Allahut nuk ka kurrfarë perdeje (pengese).” (Buhari) Guvernatori i një province i kishte shkruar halifit Omer Ibn Abdulazizit: “Qyteti ynë ka nevojë t’ia ndryshojmë muret rrethuese!” Halifi i ishte përgjigjur:“Mbroni qytetin tuaj me drejtësi, jo me mure rrethuese, ndërsa rrugët e tij pastrojini nga zullumi!”

Lusim Allahun e Plotfuqishëm të na bëjë njerëz të sinqertë dhe të na ruajë nga zullumi. Allahu na ruajte besimin në zemrat tona, na forcoftë në këtë Fe, na bëftë të jetojmë si myslimanë, të vdesim si myslimanë dhe të ringjallemi si myslimanë. Lusim Zotin të na bëjë udhëheqës të umetit në devotshmëri, në bujari, në guxim, në modesti e përulësi!

O Zot! Udhëzoji fëmijët e pasardhësit tanë dhe bëji ata gëzimi i syve dhe i zemrave tona. Na mëshiro në Ditën e Gjykimit dhe na ndero me Xhenet, në shoqëri me profetët, me të sinqertët, me dëshmorët dhe me njerëzit e mirë!

Dorian Demetja