PAQJA, SIGURIA DHE ROLI I LIDERËVE TË BESIMIT

Nisur nga termi “islam”, kuptojmë që në thelbin e tij ka paqen. Kjo për faktin se njeriu i nënshtrohet vetëm Krijuesit, Zotit të Lartësuar, dhe nëpërmjet Tij besimtarët fitojnë dinjitet, qetësi, barazi e liri, duke u mbrojtur të gjithë në mënyrë të barabartë. Islami është feja e kënaqësisë, sigurisë dhe paqes. Këto principe janë aq të zakonshme në jetën e myslimanëve, saqë kur ata fillojnë namazin (lutjen), shkëpusin të gjitha lidhjet me botën, përkulen dhe shtrihen para Zotit duke qëndruar në shenjë respekti. Kur ata lënë lutjen, është sikur kanë filluar një jetë të re. Fillojnë të përshëndesin të tjerët në të djathtë e në të majtë dhe duke u uruar atyre shëndet, siguri e paqe, shkojnë dhe kryejnë punët e tyre.

Përshëndetja e të tjerëve dhe urimi i tyre për paqe janë konsideruar ndër aktet më të pëlqyeshme që mund të kryhen në Islam. Në të vërtetë, kur Profeti Muhamed, paqja dhe bekimi qofshin mbi të, ishte pyetur, “Cili është veprimi më i pëlqyeshëm në Islam?” ai përgjigjej: “Dhënia e ushqimit për të tjerët dhe përshëndetja e të gjithë atyre që njihni dhe nuk njihni.[1]

Ne si njerëz, jemi dërguar në këtë botë që me anë të dijes dhe besimit, të kuptojmë atë që është e vërtetë. Duke vënë re ndryshimin që ne kemi me krijesat e tjera dhe duke parë mundësitë që na janë dhënë, ne si njerëz na takon që me anë të rrugës së dijes dhe besimit të ndërtojmë botën e të vendosim paqen, dhe ky qëllim, na ngarkon me përgjegjësi të ndryshme ndaj Krijuesit të gjithësisë dhe krijesave të tjera. Islami duhet kërkuar përmes burimeve të tij dhe përfaqësuesve të vërtetë përgjatë historisë, dhe jo nëpërmjet veprimeve të një minoriteti të vogël që e shtrembëron atë. E vërteta është që në Islam nuk ka fanatizëm apo detyrim. Islami është plotësisht një fe e paqes, mirëkuptimit dhe e tolerancës.

Dikur myslimanët dalloheshin shumë më tepër se sot për mëshirën, devotshmërinë, korrektesën dhe nderin. Ata ishin më të përgatitur të mbizotëronin në fusha të ndryshme në gjithë botën, falë horizontit të tyre shoqëror e politik, si dhe mënyrës së tyre të të menduarit që ishte më përparimtare dhe e sofistikuar. Ata e praktikonin fenë e tyre pa gabime apo dështime, duke përsosur moralin e duke kuptuar vendin dhe vlerën e shkencës e dijes, gjithmonë të aftë për të qenë në ballë të përparimit në dije për standardet e epokës në të cilën jetonin; duke vlerësuar në të njëjtën kohë siç duhet e duke ekuilibruar lidhjen dhe ndërthurjen ndërmjet frymëzimit, arsyes e përvojës.

Intelektualët myslimanë shqiptarë, krahas rilindësve të tjerë, pa dallim feje e krahine, kanë dhënë një kontribut të fuqishëm në drejtim të lirisë dhe emancipimit të vendit. Shqiptarët gjatë historisë së tyre, nuk i kanë njohur konfliktet fetare. Edhe sot ekziston një respekt i ndërsjellë midis tyre. Por, ajo që kërkohet tani është që intelektualët dhe teologët myslimanë, të posedojnë më shumë vetëdije e ndjenjë të lartë përgjegjësie për t’i drejtuar besimtarët drejt një shoqërie të civilizuar e bashkëkohore. Intelektualëve të pajisur me kulturë fetare e veçanërisht teologët, të cilët janë angazhuar me detyra fetare, u bie detyra të zbërthejnë me kompetencë dallimet ideologjike dhe fetare, duke i interpretuar drejtë mesazhet e fesë. Kjo do të arrihet gjithashtu edhe nëpërmjet një sërë botimesh, si islame ashtu edhe për problematikat sociale të shoqërisë, që do të jenë dokumente të rëndësishme në historinë e zhvillimit të shoqërisë shqiptare e ndikimit të Islamit në të.

Feja islame nuk i përket ndonjë fraksioni të posaçëm dhe nuk mbështetet në mendimin e individit. Ajo kërkon bashkimin e mendimeve dhe të ideve, me qëllim që aktiviteti i Islamit të jetë sa më efektiv dhe frytdhënës për një shoqëri demokratike dhe të civilizuar. Islami nuk është i ngjyrosur, sepse është gjithmonë me të vërtetën, dëshiron bashkimin dhe urren përçarjen. Zoti e dërgoi këtë fe që të jetë e përshtatshme për të gjitha kohërat dhe shoqëritë, për këtë arsye ajo është fe e ekuilibrit dhe e butë, nuk është statike dhe as e vrazhdë. Islami u bën thirrje dijetarëve, intelektualëve, teologëve dhe gjithë besimtarëve që mendimet t’i analizojnë së bashku, në një atmosferë të pastër plot dashuri e mirëkuptim.

Është e vërtetë që feja sot përballet me mendje konservatore, me zemra të sëmura, me fuqi të dhunshme të individëve të veçantë, apo grupeve, që frymëzohen nga egoja e pasioni. Për të përballuar këto sfida të kohës, intelektualët myslimanë dhe teologët në veçanti, duhet të jenë njerëz me potencial të fuqishëm fetar e kulturor, që t’u përgjigjemi të gjitha situatave, t’u paraprijmë atyre për të ndriçuar mendjet e vetëdijen e njerëzve dhe t’i mbushim zemrat e tyre me besim e optimizëm për jetën praktike të përditshme. Me ajetin në Kuran: “Ne ta shpallëm librin sqarim për çdo send, udhëzim e mëshirë dhe myzhde për myslimanët[2], kuptojmë Islamin e pastër pa asnjë lloj shtese, të plotë dhe jo të pjesshme, Islamin si drejtim i posaçëm i jetës individuale, familjare, shoqërore, materiale e shpirtërore.

Ka shumë të rinj që kanë studiuar jashtë në shkollat islame, por duhet të njohin edhe historikun e Islamit në Shqipëri për të vazhduar me ato tradita e jo për të kopjuar e importuar nga jashtë zakonet dhe mentalitetet, që bien ndesh me shoqërinë tonë. Shumë besimtarë e kanë keqkuptuar fenë, e cila është shpirti i ekzistencës sonë dhe sekreti i jetës. Janë intelektualët dhe teologët që duhet të rrënjosin te besimtarët vetëdijen islame, për t’i bërë ata më të dobishëm për shoqërinë në të cilën jetojmë, sepse ata konsiderohen si trashëgimtarë të profetëve, predikues të së vërtetës e udhëzues të njerëzve. Shembulli i tyre do të provojë se Islami nuk është fe e nivelit të ulët, por fe e përparimit dhe zhvillimit, fe e qytetërimit dhe civilizimit.

Besimtari i orientuar sipas parimeve të Islamit është i aftë t’i përgjigjet nevojave materiale e shpirtërore të shoqërisë dhe në të njëjtën kohë të përballet, në çdo moment të tij, me realitetin social. Ai i hap perspektivë të re e të vazhdueshme, vlerave, sjelljeve dhe dijeve social-kulturore, për të zgjedhur më tej modelin racional të jetesës. Kjo do të thotë se Kurani, Fjala e Zotit, renditet në të parën kushtetutë islame për besimtarin, që hap horizonte të sigurta e që shërben si bazë për kapërcimin e vështirësive, në sajë të një ndërgjegjësimi të thellë shpirtëror të besimit te Zoti. Një besimtar i tillë vishet me një personalitet, gjuha e të cilit flet për korrektësi, bashkëpunim, solidaritet në marrëdhënie të ndërsjella etiko-shoqërore dhe që bëhet shembull për të tjerët.

Kurani, si statut hyjnor, e orienton njeriun të veprojë me korrektësi në zgjedhjen e drejtimit në jetë; në angazhimin për të mos iu nënshtruar veseve e pasioneve negative, që dëmtojnë individin, familjen e shoqërinë. Me ajetin “Është e vërtetë se ky Kuran udhëzon për atë rrugë, që është më se e vërteta[3], Zoti synon të realizojë çlirimin dhe emancipimin e njeriut pa dallime, për njohjen dhe realizimin e plotë të personalitetit të tij, në potencialin përkushtues ndaj Zotit dhe ligjeve të Tij. Ndërsa Profeti (a.s.) në haxhin e lamtumirës ndër të tjera, tha: “Mos lëndoni njeri, kështu askush nuk mund t’ju lëndojë juve. Mbani mend që vërtetë ju do të takoni Zotin tuaj dhe Ai vërtetë do t’i llogarisë veprat tuaja”.

Me pak fjalë, ky është Islami i vërtetë, Islami i paqes, sigurisë e zhvillimit dhe ky është roli i liderëve të besimit Islam në këtë drejtim.

Dorian Demetja

 

[1]. Buhari, Nesai

[2]. Kuran, En-Nahl, 16:89.

[3]. Kuran, El-Isra, 17:9.