QËNDRIMI I EKUILIBRUAR DHE RUAJTJA E BARASPESHËS

Image of scales

Për ta jetuar fenë ashtu si kërkon Krijuesi ynë, është shumë e rëndësishme që të jemi të ekuilibruar dhe ta ruajmë gjithnjë baraspeshën në gjykimet, ndjenjat dhe veprimet tona. Bëhet fjalë për marrëdhëniet tona me veten, Zotin dhe të tjerët. Është një fakt i pamohueshëm dhe i njohur nga të gjithë besimtarët se kjo botë është e vetmja mundësi që na jepet nga i Madhi Zot për të fituar botën e amshuar. Kjo është edhe arsyeja e lidhjes së fortë që ekziston mes kësaj bote dhe tjetrës. Pra, kjo botë, është vendi ku ne mbjellim punët për aq kohë sa jetojmë, kurse tjetra është bota e përjetshme, ku do të korrim ato që kemi mbjellë. Për këtë arsye, secilës botë ne duhet t’i japim rëndësinë dhe vlerën që i takon. Allahu xh.sh. në Kur’an na jep disa kritere të rëndësishme për raportin dynja-ahiret: “… përpiqu me atë që të ka dhënë Allahu të fitosh jetën e botës tjetër, duke mos harruar pjesën tënde në këtë botë…” (Kasas, 28/77). Nga ky ajet kuptojmë se duhet të përpiqemi për mirëqenie, duke bërë të pamundurën në çdo fushë të jetës, dhe këtë botë mos ta braktisim në drejtimin material, por me zemër. Madje, sukseset e ndryshme materiale në këtë botë, t’i shijojmë si dhurata të Zotit, por pa i lejuar që të na pushtojnë zemrën dhe shpirtin.

Të kalojmë tek ekuilibri në jetën tonë të përditshme  të përçimit të ftesës në islam, pra të përpiqemi t’i shfaqim njerëzimit realitetin ndriçues të Islamit, duke ekspozuar një përfaqësim dinjitoz të fesë, mbështetur në një përpjesëtim të drejtë të fjalës që themi me veprën që kryejmë. Vetëm kështu, me lejen e Zotit, do të kemi sukses në këtë drejtim dhe do të na lehtësohen punët e dynjasë. Pas kësaj, ato çfarë i kanë hije besimtarit kundrejt këtyre arritjeve e sukseseve, janë thjeshtësia, modestia dhe përulësia, si dhe duke ia atribuuar ato arritje Zotit, si dhurata të Tij. Pra, për një qëndrim të ekuilibruar, është shumë e rëndësishme që njeriu, rezultatet dhe frytet e arritura, të mos ia atribuojë vetes si merita dhe të mos pre e egos apo në ndjesi vetëkënaqësie për shkak të shërbimeve të kryera e të përpjekjeve të realizuara. Madje, duke mos e nxjerrë asnjëherë nga mendja se edhe ato shërbime apo suksese të arritura mund të jenë një tjetër trajtë e sprovimit, besimtari duhet ta ndjejë shqetësimin se kjo mund të jetë sprovë që shpie në pasoja të rrezikshme. Pra, kundrejt lëvdatave, admirimit dhe vlerësimeve, njeriu mund të shkasë nga trualli i nënshtrimit e bindjes drejt egos së sëmurë. Për pasojë, mund të ketë spostim të qëndrimit të ekuilibruar. Ata që bien në të tilla vlerësime e admirime, duhet t’i kthehen Zotit që të mos i ngarkojnë vetët e tyre me mëkate. Por nëse personi që i përfiton këto lëvdata dhe – Zoti na ruajttë! – kaplohet nga mendime si “vlerësimi është me vend”, atëherë do të thotë që, në të vërtetë, ai është duke e humbur rrugën e fitores. Për këtë arsye, për aq kohë sa ndiqet rruga e mesme, e ekuilibrit dhe e baraspeshës, edhe egoja, që i është pjesë e natyrës njerëzore, e cila në pamje të parë duket si diçka negative, kthehet në favor për besimtarin. Zoti i Madhëruar na ruajttë prej asaj sjelljeje të rëndë të të krenuarit me shërbimet që kryejmë, sepse kjo do të ishte mungesë vetëpërmbajtjeje dhe mungesë ekuilibrimi kundrejt asaj që na kërkohet. Në këtë çështje, ekuilibër do të thotë që gjithçka t’ia njohim Zotit.

Allahu xh.sh. me ajetin: “Prandaj qëndro i patundur (o Muhamed) në udhën e drejtë ashtu siç je i urdhëruar!” (Hud, 11/112) , i ka thirrur myslimanët, drejt rrugës së drejtë. Duke u mbështetur edhe në stilin e të shprehurit që zotëron ajeti, kuptojmë se marrësi i vërtetë i mesazhit është tërësia e gjithë umetit. Njeriu që humb ekuilibrin, fillon të çorientohet me ngadalë, derisa, pa e kuptuar, “fundoset gropave” të kryeneçësisë e devijimit. Prandaj, qenia njerëzore, që sprovat janë pjesë e realitetit të saj, teksa thirret për të qenë në rrugë të drejtë (në të mesmen e artë), këshillohet me njëfarë paralajmërimi “Kujdes se mos çorientohesh!”

Njëlloj siç qëndrojmë larg çdo virusi material, që mund të na dëmtojë rëndë shëndetin tonë fizik, ashtu duhet të qëndrojmë sa më larg prej viruseve që mund të na çojnë në “anim”, drejt padrejtësisë, dhe në fund drejt humbjes së orientimit të rrugës së drejtë. Ata që ruajnë balancën dhe nuk rendin drejt “animit”, do ta marrin shpërblimin nga Zoti dhe do të përgëzohen nga engjëjt.

Në një ajet kuranor, Allahu xh.sh. tregon qartë për shpërblimin që do marrin ata që ruajnë baraspeshën dhe janë përherë përfaqësues të denjë të ekuilibrit në objektiva, fjalë, sjellje dhe veprime: “Me të vërtetë atyre që thanë: ‘Zoti ynë është Allahu.’, e pastaj vazhdojnë të vendosur në rrugën e drejtë, do t’u zbresin engjëjt (para vdekjes), e do t’u thonë: ‘Mos u frikësoni dhe mos u pikëlloni. Dhe gëzojuni xhenetit që ju është premtuar.’” (Fussilet, 41/30)

Dorian Demetja