Që nga dita kur ngrohtësia jote filloi të na përkëdhelte, pesha e zhdukjes së përjetshme, është hequr, sihariqet e reja të bashkimit kanë mbërritur tek zemrat që rrahin me hidhërimin e ndarjes dhe buzëqeshjet plot kuptim të jetës kanë përfshirë gjithë ekzistencën. Në këtë udhëtim misterioz, ishe ti kapiteni dhe ciceroni ynë në këtë breg ku ne të prisnim, një udhëheqës dhe ndërmjetësues për destinacionin tonë përfundimtar.

Udhërrëfyesi i çdo grupi që shkeli në këtë botë, i tregoi grupit të vet Krijuesin e Gjithësisë e më pas i tregoi për ty. “Një ditë do të vijë Zotëria i Universit, nëse do ta mbërrini atë jepni fjalën se do t’i bindeni atij”, dhe duke marrë besën e tyre u dërgove ti si një vulë mbyllëse e asaj porte. Qielli festonte, toka festonte dhe bota u mbush plot e përplot me dritë e engjëjt garonin midis tyre për të të mirëpritur. Në një çast bota ndali…, ndali që ty të priste.

Mbretërit vijnë të fundit dhe ti ashtu erdhe, por para se të vije ti, drita e syve tanë, kjo botë ishte në kanxhat e fatkeqësive. Para se të vije ti, dita nuk kishte ndryshim nga nata, as vera nga dimri. I vetmi zë që dëgjohej ishte mërmëritja e fatkeqësive në çdo cep. Pa ardhur ti, mizori shkatërronte i lirë, i shtypuri rrinte kokulur dhe çthurja i kishte pushtuar pothuajse të gjithë.

Krijuesi i Universit, robin e Tij të cilin e quajti “I Dashuri im” dhe e dërgoi si mëshirë për botët.

Ti erdhe për të copëtuar errësirën dhe për të përhapur dritën cep më cep; ti erdhe për të mposhtur padrejtësitë e tiranëve. Tashmë foshnjat nuk ndahen më prej nënave, nuk hapen më varre për fëmijë të pafajshëm dhe nuk shpërfillet më i ndershmi e nevojtari.

Ti nuk ushqeje dashuri vetëm për ata që ndodheshin në atë shekull që u dërgove, por për të gjithë umetin tënd, për mbarë njerëzimin dhe për të gjithë kohërat.

Edhe në shekullin tonë fatkeqësitë paskan ndjekur njëra-tjetrën. Deshën të të fshinin ty prej mendjeve dhe zemrave tona, dhe shekullin tonë u munduan ta shndërronin në shekullin e injorancës. Edhe ne morëm pjesën tonë prej kësaj përçapje. U shndërruam në njerëz pa ndjenja dhe pa emocione. Nuk mundëm të të donim siç duhej dashur, nuk t’i hapëm të gjitha portat e zemrës si duhet.

Gjithsesi, edhe pas gjithë këtyre, kraharorët e brengosur nuk ndenjën duarkryq, por u përpoqën me mish e me shpirt për të treguar ty. Ka të tillë që kanë ndenjur nëpër burgje, ka prej umetit tënd që e kanë marrë nëpër këmbë egon e tyre, dhe ty së të treguari nuk kanë reshtur. Dhe në ditën e sotme ka shumë kraharorë të mbushur plot e përplot me dashurinë për ty. Shqetësimi i tyre është vetëm të tregojnë Zotin tënd dhe të tyre, Zotin e Gjithësisë; si dhe t’i tregojnë njerëzimit Profetin e tyre dhe të hyjnë në rrethin e atyre që Ti i ke përshëndetur dhe u ke thënë “vëllezërit e mi.”

Ne na mban të gjallë shpresa se do të vijë një ditë kur njerëzimi do të vrapojë pas teje pa u ndalur dhe ti do të bëhesh mbreti i zemrave dhe drita e syve për ta. Një post që vetëm ti e meriton, Profeti im…

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here