“Vërtetë Allahu i Madhërishëm gjatë natës e mban të shtrirë dorën për të pranuar pendimin e mëkatarëve të ditës, dhe e shtrin dorën gjatë ditës për të pranuar pendimin e mëkatarëve të natës. Kjo vazhdon kështu derisa të lindë dielli nga perëndimi”[1]

Në terminologjinë islame, ajo që Zoti pret prej nesh dhe që duhet të bëjmë bazuar në fjalën e profetit të sipërcituar, quhet teube (pendesë). Teube do të thotë: “Të ndjesh shqetësim në zemër për shkak se ke dalë kundër Zotit dhe, ta rrëfesh këtë ndjenjë me fjalët e caktuara të pendesës e kërkimit të faljes, duke qenë i ndërgjegjshëm për mëkatet e bëra dhe duke iu drejtuar derës së Zotit me gjithë ndjesinë tënde”.

Në fakt, çdo person që e sheh rrjedhën e jetës së vet me një sy vetëgjykimi, pavarësisht nivelit që ka, mund të gjejë përherë hapësira ku detyrohet të thotë një “estagfirullah” (O Zot më fal). Ndoshta shikimit të tij i është pleksur diçka e ndaluar. Kur i është folur për cilësitë e mira të dikujt, i shqetësuar nga lëvdimi i atij, mund të ketë hedhur një llaf ashtu. Ndoshta është zhytur në batakun e përfoljes, për të cilën as që ka qenë i vetëdijshëm. Në çdo rrethanë apo në çdo mënyrë qoftë ai mëkat, dera e pendimit është e hapur ditë-natë për njeriun deri në frymën e fundit të tij dhe deri në shenjën e madhe të Kiamentit, pra kur dielli të lind nga perëndimi.

Ajo që pritet nga besimtari ideal është që ai, me gjuhën e Kur’anit, të bëjë teube-i nasuh. Kjo teube përbëhet nga bashkimi i tre elementeve me të cilën merr një kuptim të plotë. Ato janë dituria-gjendja –vepra (ilim-hal-amel). Teube-i nasuh do të thotë pendim individual i personit sipas gjendjes së tij natyrale në mënyrë të sinqertë, serioze, i vendosur nga thellësia e zemrës, me një nijet të pastër e mendime të mira, duke u bërë kështu një shembull i mirë për të tjerët sikurse t’i këshillonte ata. Edhe Kur’ani famëlartë duke thënë: “O ju që keni besuar! Pendohuni tek Allahu me një pendesë të sinqertë”[2], na jep një shenjë rreth pendesës së vërtetë.

I dërguari i Allahut në një thënie të tij thotë: “Ai që bën teube është i dashuri i Allahut dhe ai që bën teube prej gjynahut është sikur nuk e ka kryer atë gjynah”[3] e më pas këndoi këtë ajet: “Nuk ka dyshim që Allahu i do njerëzit që pendohen shumë e që janë kulluar (pastruar me anë të pendimeve të tyre)”[4]. Ndërsa ata që e lënë teuben për më vonë përballen me dy rreziqe. Duke vazhduar me gjynahe zemra i errësohet derisa kjo gjendje i bëhet natyrë duke mos u pastruar më. Si dhe ardhja e sëmundjes e vdekjes në mënyrë të papritur dhe ai nuk gjen rast për të pastruar zemrën.

Pendesa dhe kërkimi i faljes nga njëra anë i pret hovin prirjes së njeriut drejt së keqes, nga ana tjetër përforcon prirjet e tij për të kryer vepra të mira. Madje Allahu (xh.sh.) në Kur’an thotë: “Përjashtim bën ai që pendohet, beson dhe bën vepra të mira. Një njeriu të tillë Allahu ia kthen veprat e këqija në të mira. Allahu është Falës e Mëshirëplotë”[5]. Sipas këtij ajeti, një njeri që është deformuar shpirtërisht si pasojë e gabimeve dhe gjynaheve, i cili pendohet e kërkon falje, që e rifreskon besimin dhe drejtohet kah punët e mira, Allahu do t’ia fshijë të gjitha mëkatet që ai mund të ketë bërë nëpërmjet dorës, këmbës, syrit, veshit, mimikës apo gjesteve të ndryshme; madje edhe do t’i shkruajë të mira në vend të tyre. E kjo është një tjetër pasqyrim i faktit se mëshira e Allahut qëndron mbi ashpërsinë e Tij.

Në fakt çdo njeri duhet të tregojë kujdes të veçantë për të ndaluarën përpara se të hedhë hapa në të. Ai duhet të përpiqet që t’i formojë vetes një ambient të pastër, ku të mos bjerë dot në gjynah, madje duhet të largohet prej vendeve që janë të hapura prej gjynaheve. Sa e sa mirë do të ishte sikur njeriu të ngrinte prita për t’u mbrojtur prej dëmeve të këtyre situatave, përpara se të shqetësohej se si të bëjë restaurimin e jetës së tij materiale dhe shpirtërore! Sepse restaurimi i diçkaje pasi është shkatërruar është shumë e vështirë. Ta kthesh diçka të prishur në identitetin e saj autentik, është më e vështirë sesa ta ndërtosh atë nga fillimi. Nuk është e lehtë që një njeri që ka pësuar deformim prej mëkateve të tij të kapë edhe njëherë gjendjen e mëparshme.

Pas një mëkati njeriu ndjen një dëshpërim në vetvete. Dëshpërimi i zemrës është jashtë vullnetit të tij. Nuk e zgjedh njeriu dëshpërimin, ai vjen, sepse krijesa po humb dashurinë e Krijuesit. Sepse njeriu me mëkatin që bëri hodhi një hap më tej për t’iu larguar Allahut. Nëse në zemër nuk formohet një neveri ndaj mëkatit, mund të thuhet se ajo zemër është e vdekur. E për këtë shkak, një zemër që beson, tregon medoemos njëfarë reagimi ndaj mëkatit. Dhe reagimi më parësor që duhet të tregojë, është pendesa dhe të kërkuarit falje.

nga DORIAN DEMETJA


[1] Muslim

[2] Tahrim, 8

[3] Ibn Maxhe

[4] Bakara, 222

[5] Furkan, 70

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu