Është në natyrën e njeriut që të jetë gabimtar dhe i dobët në aspektin e përgjithshëm. Kjo gjë nuk është një veti e domosdoshme dhe e pandashme e karakterit të tij, por është një fazë që i përket rrugëtimit dhe kohës që merr metodologjia e ndjekjes së hapave në mënyrë që të përshkohet distanca nga fara te lisi, nga dobësia në forcë, nga lëkundja në qëndrueshmëri. Kur themi në “natyrën e njeriut” kemi parasysh hadithet dhe ajetet që na e shpjegojnë krijimin e njeriut nëpërmjet spektrit të fuqisë së Krijuesit i Cili fsheh urtësi dhe fuqi të jashtëzakonshme në një pikë të vogël.
Duke qenë se kjo anë gabimtare, e tundueshme, pra kjo anë e nefsit që priret nga e keqja, është pjesë e jona, është me patjetër një mënyrë që nxjerr në pah disa Cilësi të Zotit që pasqyrohen në shembëllim te njeriu. Gabimtarit i bën karshillëk Falja, nevojtarit Mëshira dhe bujaria, të sëmurit, Shërimi e kështu me radhë shpalosen tek njeriu mrekullitë e krijimit të Zotit.
Dobësia dhe nevoja e shtyjnë njeriun në mënyrë të drejtpërdrejtë tek Zoti, ato bëhen urë për të gjetur të vërtetën dhe për t’u shkëputur nga lidhjet e përkohshme si dhe nga ato që mund të quhen “shirk i fshehtë” që bëhen pengesë për njësimin e vërtetë të Zotit në zemër. Është për këtë arsye që Profeti Muhamed s.a.s. duke vijëzuar shembullin e përkryer të besimtarit, thekson rëndësinë e istigfarit duke thënë:
“ يا أيُّهَا النَّاسُ، تُوبُوا إلى اللهِ واسْتَغْفِرُوهُ، فَإنِّي أَتُوبُ في اليَّومِ مائةَ مَرَّةٍ”
“O njerëz, kthehuni me pendim tek Zoti dhe kërkoni falje prej Tij, sepse me të vërtetë që unë pendohem njëqind herë në ditë”.[1]
Po, ka gjynahe që i bëjmë pa dijeni, në përhumbje, por ka gjynahe që i bëjmë nga dobësia duke e ditur që këmbët, si shkak i pafuqisë ndaj tundimit të nefsit, qoftë epsh, zemërim, tundim, a lapsus e lëkundje, na shkojnë drejt gabimit e mëkatit, për këtë arsye, istigfari duhet të jetë i vazhdueshëm dhe nuk duhet që kurrsesi të vijë një çast në jetën e besimtarit, kur, Zot ruana, atij t’i vijë në mendje mendimi se nuk ka më nevojë për kërkimfalje se mund të jetë pastruar tërësisht. Ruana Zot, jeta, ditët, orët dhe çastet janë aq të shumta dhe kushdo prej nesh është hapërdarë në ujrat e lodhshme të gafletit e nuk e dimë se çfarë kemi dërguar në botën e përtejme qoftë nga vepra, fjalët apo edhe nga mendimet tona. Profeti (paqja qoftë mbi të) të cilit i janë falur mëkatet e kaluara dhe të ardhshme, i urdhëron njerëzit të pendohen. Kjo është një metodë edukimi dhe gjithashtu një theksim i rëndësishëm që shkon natyrshëm me karakterin njerëzor. Gjithashtu na njofton se kërkon falje nga Allahu njëqind herë në ditë (edhe pse i janë falur mëkatet) dhe pendohet tek Ai. Duke e bërë këtë, ai inkurajon umetin e tij që të bëjnë të njëjtën gjë.
Ibn Omeri na përcjell se, në një mexhlis të mbledhur, i Dërguari i Allahut (a.s.) u ul dhe tha njëqind herë:
رَبِّ اغْفِرْ لِى وَتُبْ عَلَيَّ إِنَّكَ أَنْتَ التَّوَّابُ الرَّحِيمُ
“Zoti im, falmë, pranomë pendimin se vërtetë ti je Pranues i pendesës dhe je i Mëshirshëm!”[2]
Rrezatimi i istigfarit
Janë një sërë gjynahesh që ndikojnë në botën tonë shpirtërore dhe nxijnë kudo që prekin, duke shkaktuar tek ndërgjegja një shkundje të fortë. Hadithet si edhe ajetet kuranore na shpjegojnë në mënyrë të qartë atlasin e ndikueshmërisë që kanë gjynahet në nxirjen e zemrës apo edhe verbërimin e saj, duke shkakuar eklipse në kraharorët e njerëzve. Këto eklipse, përveçse i bëjnë pritë dritës e nurit hyjnor, nga ana tjetër, hedhin hije edhe në rrezatimet e tjera të jetës dhe të shpalosjes së kaderit hyjnor, duke bërë kështu të ngushtë këtë botë, por edhe tjetrën. Kështu, ka gjynahe që ndërpresin rrizkun, e ka të tjera që ndalojnë mirësitë e Zotit të vijnë, por, Ruana Zot, ka gjynahe që tërheqin më pas në efekt zinxhir zemërimin e Zotit dhe belatë e fatkeqësitë nga të gjitha anët, dhe njeriu i rrokullisur në humnerën e gjynaheve s’ndalet gjersa të përfundojë në zjarr. Kështu, rëndësia e kërkimfaljes dhe pendesës zgjerohet në të gjitha dimensionet e jetës si një parzmore mbrojtëse dhe si një metodologji pastrimi dhe purifikimi.
Thamë që natyra e njeriut është gabimtare, por kurrsesi nuk duhet ta bëjmë fakt të kryer këtë gjë dhe të pranojmë e të mundemi në gabim. Është dëshira dhe përpjekja e njeriut për të dalë nga fara e keqe, prej palcës së urrejtjes, ajo që e bën atë të lartësohet në horizontet e larta të krijimit duke u bërë qenia më e ndershme ndër krijesa.
Në një hadith, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) na kumton: “Nëse dikush nuk e lëshon nga gjuha e tij e përmendjes istigfarin (kërkimfaljen), Allahu (xh.sh.) do t’i japë atij rrugëdalje nga çdo ngushtim, lehtësim e shpëtim prej çdo ankthi e mërzitije dhe do ta furnizojë atë me rrizk andej nga nuk e pret.”[3]
Istigfari, në fjalë të thjeshta, është tërheqja e robit të Zotit prej egos, epshit, nefsit dhe ndienjave të errëta, duke u përgjunjur drejt Krijuesit me modesti, me varfëri ndaj Tij dhe me pendesë, duke thënë: “O Zoti im! Unë jam i pafuqishëm, Ti je i Fuqishëm dhe i Mëshirshëm! Unë jam shërbëtori Yt i përulur që kam nevojë për mëshirën dhe faljen Tënde. Më trego butësinë dhe mëshirën tënde nëpërmjet Bujarisë Sate.” Këtë lutje duhet të jetë në gjendje që ta thotë dhe jo ta lërë vetëm me fjalë, por ta përforcojë me vepra të mira, duke përndritur kështu botën e tij të jashtme e njëkohësisht edhe atë të brendshme, pa u ndalur dhe pa u lodhur në rrugën e pastrimit.
Është për shkak të këtyre konsideratave të larta në raportet me Krijuesin ajo që i ka bërë disa prej evlijave të Zotit shpeshherë të luten kështu: “Zoti ynë! Ndërsa ne nuk kishim nevojë as për ekzistencë, as për këtë apo atë gjë, Ti na ke dhënë si bekime edhe gjërat që nuk na duheshin. Tani na duhet robëria e sinqertë. Ne kemi nevojë për Ty dhe mëshirën Tënde. Ne as që ekzistonim, nuk mund të kishim menduar kurrë të ekzistonim, nuk e kishim menduar kurrë të ishim njerëz, s’ishte kjo gjë në mundësitë tona. Këto gjëra nuk ishin ato që na duheshin. Mirëpo Ti u tregove mjaft Bujar për të na i dhënë të gjitha. Megjithatë, tani e tutje ne kemi aq shumë nevojë për Ty që të mund të qëndrojmë në këmbët tona; Ne kemi aq shumë nevojë për Ty që të mos pengohemi e të mos biem… Ne kemi nevojë për Ty aq shumë që të mund të qëndrojmë në rrugën e Xhenetit; Ne kemi aq shumë nevojë për Ty, që të mos ngërthehemi nga dobësitë tona dhe të ecim drejt kënaqësisë Tënde. O Zot, që na jep gjëra që nuk na u deshën! Të kërkojmë atë që na nevojitet…”
Mehmet Disha
[1] Muslimi, Dhikr, 42.
[2] Ebu Davudi, Vitr, 26/1516; Tirmidhiu, Deavat, 38/3434.
[3] Ebu Davudi, Vitr, 26/1518; İbn-i Mâxhe, Edeb, 57; Ahmed, I, 248; Hâkim, IV, 291/7677.