Ramazani po na thërret

Muaji i begatë i Ramazanit, është muaji i mëshirës së pakufishme të Allahut (xh.sh.). Arsyeja përse e quajmë kështu, është për faktin e shpërblimeve të mëdha që besimtari fiton prej punës së tij të dedikuar me sinqeritet për Zotin e tij. Allahu (xh.sh.) duke dashur ta mëshirojë besimtarin dhe ta lartësojë në grada, ia ka bërë obligim agjërimin dhe nuk ia ka lënë atë si një punë të pëlqyeshme apo vullnetare. Duke qenë një urdhër i drejtpërdrejtë nga Zoti i botëve, atëherë askush prej besimtarëve që i përgjigjet me sinqeritet kësaj urdhërese, nuk do të humbasë mundësinë e madhe të fitimit të mëshirës së pakufishme të Zotit të tij.

Mëshira e Allahu (xh.sh.) padiskutim që është prezente çdo ditë të jetës tonë. Kushdo që troket me punë të mira tek dera e  Tij e mëshirës, do ta gjej shpërblimin dhe pranimin e Tij. Në Kuranin Fisnik, Allahu (xh.sh.) thotë kështu: “Kush bën një vepër të mirë, do të shpërblehet dhjetëfish”. (Enam,160). Pra, ky shpërblim është specifik për çdo ditë normale dhe për çfarëdo pune të mirë që besimtari bën.

Mirëpo kur flasim për shpërblimin e muajit të begatë të Ramazanit, kjo gjë ndryshon tërësisht. Për këtë na vjen në ndihmë hadithi Kudsi, ku Allahu (xh.sh.) thotë: “Çdo punë e birit të Ademit është për të, përveç agjerimit. Agjerimi është për Mua dhe Unë shpërblej për të”. (Buhariu). Nga ky hadith kuptohet qartë se shpërblimi i agjëruesit është i papërcaktuar, duke nënkuptuar shpërblimin e madh dhe të pakufishëm që besimtari do të fitojë ditën e gjykimit nga ana e Allahut (xh.sh.).

Në suren En’am, në ajetin 54, Allahu i Lartësuar i drejtohet kështu profetit të tij të dashur:

Kur të vijnë te ti ata që besojnë në shpalljet Tona, thuaju: Paqja qoftë mbi ju!. Zoti juaj ia ka bërë detyrim Vetes mëshirën. Nëse dikush nga ju bën ndonjë vepër të keqe pa e ditur, e pastaj pendohet e përmirësohet, ai do ta gjejë Allahun Falës dhe Mëshirues.

E ku më mirë se në muajin e Ramazanit do të merrte më tepër vlerë ky ajet fisnik. Në këtë muaj të begatë, në të cilin zemrat e mbushura me besim vrapojnë drejt kënaqësisë hyjnore, duke agjëruar dhe duke shtuar veprat e mira.

Muaji i Ramazanit është një thirrje e Zotit të lartësuar për mbarë besimtarët, për t’u ofruar atyre një ndihmesë shumë të madhe, dhe për t’u dhënë një mundësi të re, në mënyrë që të arrijnë horizontet e larta të devotshmërisë dhe përkushtimit.

Besimtari gjithmonë ka nevojë për ndihmën e Zotit. Këtë nevojë profeti Muhammed (a.s), do ta shprehë në një nga lutjet e tij të mrekullueshme, ku ai do lutej kështu: “O i Gjallë o i Përjetshëm ( ja Hajju ja Kajjum), mëshirën Tënde kërkoj. Më përmirëso mua në mënyrë të plotë dhe mos ma lër në dorë veten time qoftë dhe për një moment sa hap dhe mbyll sytë”. (Nesaiu, Sunen Kubra).

Me anë të kësaj lutjeje, mësojmë që t’i nënshtrohemi Allahut të Lartësuar në mënyrë të plotë, aq sa të mos të mendojmë kurrsesi se jemi të aftë të rregullojmë vetet tona pa ndihmën e Tij. Nëse përmirësimin e veteve nuk do ta kishim prej mëshirës së Allahut të Lartësuar, atëherë kurrsesi nuk do të kishim arritur të jemi qoftë dhe prej besimtarëve.

Në muajin e Ramazanit kjo lutje sikur arrin kulminacionin e pranimit të saj nga ana e Allahut të Lartësuar. Kjo sepse i gjithë muaji i Ramazanit nuk është gjë tjetër veçse një mundësi e artë e dhënë prej Zotit për të përmirësuar vetet tona. Le të mendojmë në këtë mënyrë: Gjatë gjithë vitit ne kemi ulje-ngritje në raport me Allahun e Lartësuar.  Ndoshta jo gjithmonë jemi treguar korrekt ndaj urdhëresave të Tij, qoftë për ti zbatuar ato, apo dhe për të qëndruar larg ndalesave. Duke qënë në këto intervale ulje-ngritjeje, është shumë vështirë për besimtarin që të arrijë një devotshmëri të mirëfilltë. T’i shtojmë kësaj dhe armikun tonë të përditshëm, shejtanin e mallkuar, i cili është gjithmonë në gatishmëri për të na sulmuar në pikat më të dobta dhe për të na shkatërruar devotshmërinë duke na mbushur me gjynahe. Pikërisht mbas një situate të tillë, vjen ndihma e Allahut të Lartësuar mbi besimtarët, duke u dhuruar atyre dhe një herë mundësinë për të përjetuar muajin e faljes, mëshirës dhe muajin e përfitimit të devotshmërisë sublime.

Allahu thotë në Kur’anin Fisnik: “O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat (të jeni të devotshëm) ( Bekare, 183)

 Allahu (xh.sh.) dëshiron që besimtari të arrijë devotshmërinë. Për ta arritur këtë objektiv Allahu (xh.sh.) pikë së pari, ndihmën kryesore e jep duke dhënë mundësinë e agjërimit të muajit të Ramazanit. Kjo për arsye se gjatë vitit që ka kaluar shumë besimtarë të cilët i kemi njohur, ndoshta nuk janë më midis nesh. Apo sa besimtarë të cilët ne i njohim nuk mund të agjerojnë dot, sepse janë të sprovuar në shëndetin e tyre.

 Së dyti, ndihma që na jep Allahu (xh.sh.) kundrejt armikut të përbetuar, shejtanit të mallkuar. Thotë Profeti Muhamed (a.s.): “Në muajin e Ramazanit prangosen shejtanët, mbyllën dyert e Xhehenemit dhe hapen dyert e Xhenetit”, (Buhariu). Pra, përgjatë një muaji, armiku i përbetuar të lë të qetë drejt rrugës së devotshmërisë.

Së treti, është inkurajimi dhe shpresa e madhe në zemër që fiton besimtari në këtë muaj si shkak i shpërblimit të madh që ka ky adhurim.

Për të kuptuar vlerën, madhështinë, shpresën, ndihmën dhe optimizmin e madh që fiton besimtari në këtë muaj si dhuratë prej Allahut të Lartësuar, na vjen në ndihmë kjo ngjarje kaq e bukur që ka ndodhur në kohën e Profetit Muhamed (a.s.). Talha bin Ubejdullah tregon se dy persona u bënë muslimanë në të njëjtën kohë. Njëri nga këta të dy ishte më shumë i dhënë pas fesë se sa tjetri, aq sa mori pjesë në një ekspeditë luftareke bashkë me profetin Muhamed (a.s.), dhe qe e shkruar që të binte dëshmor, ndërsa tjetri ndërroi jetë në kushte normale pas një viti. Pas pak kohësh Talhaja (r.a.) i shikon të dy në ëndërr, ku së bashku me ta shikon dhe veten e tij në hyrjen e portave të Xhenetit. Ai tregon se roja i Xhenetit thërret të parin për t’u futur në Xhenet, personin i cili vdiq në kushte normale një vit më vonë. Mbas pak kohësh vjen përsëri dhe thërret në Xhenet dëshmorin. Ndërsa kur vjen herën e tretë mua më tha që të kthehem se ke ende kohë. Pasi zgjohet në mëngjes, Talha ibn Ubejdullah shkon në xhami dhe ja tregon ëndrrën profetit Muhamed (a.s.), ku çudia më e madhe ishte se si ka mundësi që ky person që vdiq në kushte normale ja kaloi shehidit dhe u fut para tij në Xhenet?! Profeti Muhamed (a.s.) i përgjigjet duke i thënë se nuk ka asgjë për t’u çuditur me këtë situatë. Ai i pyeti të pranishmit:

-A jetoi një vit më shumë?, -Po i thanë të pranishmit.

 -Gjatë këtij viti a ka falur kaq e kaq namaze, a ka bërë kaq e kaq sexhde?

-Po iu përgjigjën ata.

-Gjatë këtij viti a e ka arritur dhe agjëruar muajin e ramazanit? -Po i thanë ata.

Atëherë profeti Muhamed (a.s) vazhdoi e tha: Distanca midis atyre të dyve është sa distanca midis qiellit dhe tokës, duke treguar kështu se sa grada të larta mund të fitojë njeriu përgjatë një viti, sidomos kur arrin muajin e Ramazanit dhe e agjëron atë. (. Musned, 1/163; İbn Maxhe, Tabir 10, no: 3925).

Të meditojmë pak gjithashtu mbi tre hadithet shpresëplotë që Muhamedi (a.s) na ka thënë mbi muajin e Ramazanit duke i dhënë vlerë të madhe agjërimit dhe sexhdeve të shumta që bëhen gjatë këtij muaji.

Kush e agjëron Ramazanin me iman dhe shpresën e shpërblimit e ka vetëm nga Allahu, atij do ti falen gjitha gjynahet e mëparshme”. (Buhariu)

“Kush e fal namazin e teravive gjatë Ramazanitn me iman dhe shpresën e shpërblimit e ka vetëm nga Allahu, atij do t’i falen gjitha gjynahet e mëparshme”. (Buhariu)

“Kush e kalon me namaz natën e Kadrit  me iman dhe shpresën e shpërblimit e ka vetëm nga Allahu, atij do t’i falen gjitha gjynahet e mëparshme”. (Buhariu)

Gjithashtu, në një hadith tjetër, i dërguari i Allahut shprehet kështu:

“I shkatërruar është ai i cili e arrin Ramazanin dhe nuk i falen gjynahet!”.(Tirmidhiu)

E gjithë kjo shpresë e madhe, falje, mëshirë, devotshmëri dhe lartësim në grada të larta, është një melhem për zemrën e besimtarit mysliman. Melhem ky që vjen me muajin e begatë të Ramazanit.

Leonard Çela