SAKRIFICAT E SAHABËVE NË MISIONIN E KUMTIMIT TË FESË

“Sahabe” quhet çdokush i cili ka parë Rasulallahun a.s. me sy të lirë, që ka jetuar pak kohë me të dhe që i ka besuar atij si profet.

Sahabët janë njerëzit më të mëdhenj të njerëzimit pas profetëve, sepse ata janë edukuar drejtpërsëdrejti nga i dërguari i Zotit a.s. Por që edhe sahabët nuk janë në të njëjtën gradë. Patjetër që edhe ata kanë grada devotshmërie të ndryshme nga njëri-tjetri. Ata të cilët besuan në momentet më të vështira në periudhën e Mekës, ata të cilët besuan pas emigrimit në Medine dhe ata të cilët besuan pas çlirimit të Mekës me shumë mundësi janë në grada të ndryshme. Kjo çështje edhe në Kuran dhe Sunet është trajtuar si e tillë. Në ajetet përkatëse thuhet qartë ndryshimi i Muhaxhirëve dhe Ensarëve të parë,[1] ashtu siç theksohet edhe ndryshimi i atyre që besuan dhe u përpoqën për fenë e Allahut para çlirimit të Mekës me ata të cilët besuan dhe u përpoqën pas çlirimit të saj.[2] Njëkohësisht këtë ndryshim e hasim edhe te hadithet e Resulallahut a.s. Ibn Hazmi, duke theksuar edhe mendimin e shumë prej muxhtehidëve të tjerë thotë: “Të gjithë Sahabët janë ehli Xhenet.”[3]

 

Sahabët në Kuran

 

Në shumë ajete të ndryshme në Kuranin Famëlartë përmenden Sahabët e nderuar.

Muhammedi është i dërguar i Allahut, e ata që janë me të (sahabët) janë të ashpër kundër jobesimtarëve, janë të mëshirshëm ndërmjet vete, ti i sheh kah përulen (në rukuë), duke rënë me fytyrë në tokë (në sexhde), e kërkojnë prej Allahut që të ketë mëshirë dhe kënaqësinë e Tij ndaj tyre. Në fytyrat e tyre shihen shenjat e gjurmës së sexhdes. Përshkrimi i cilësive të tyre është në Tevrat dhe po ky përshkrim është edhe në Inxhil. Ata janë si një farë e mbjellë ku mbin filizi i vet, e ai trashet, përforcohet dhe qëndron në trungun e vet, ajo e mahnit mbjellësin. (Allahu i shumoi). Për t’ua shtuar me ta mllefin jobesimtarëve. Allahu atyre që besuan dhe bënë vepra të mira u premtoi falje të mëkateve dhe shpërblim të madh.[4]

Allahu është i kënaqur me të hershmit e parë prej muhaxhirëve (migruesve) dhe prej ensarëve (vendasve-ndihmëtarë) dhe prej atyre që i pasuan ata me punë të mira, e edhe ata janë të kënaqur ndaj Tij. Atyre u ka përgatitur xhennete, në të cilët rrjedhin lumenj, ku do të jenë përjetë të pasosur. E ky është fitim i madh.[5]

Duke marrë parasysh se ka shumë ajete në të cilët përmenden Sahabët, po mjaftohemi me kaq.[6]

 

Sahabët në Hadithe

 

Mos thoni fjalë të pahijshme për shokët e mi (Sahabët), edhe sikur njëri prej jush të ketë flori sa mali i Uhudit dhe ta shpenzoi atë në rrugë të Allahut, përsëri nuk mund të krahasohet as me një grusht shpenzim të tyre.[7]

Njerëzit më të hajrit janë ata që jetojnë në këtë shekull që jam unë. Pastaj ata që vijnë pas tyre (Tabiin), pastaj ata që vijnë pas tyre (Tebei Tabiin).[8]

Kush flet keq për shokët e mi, Allahu i mallkoftë. I mallkofshin engjëjt, dhe mallkimi i njerëzve qoftë mbi ata.[9]

 

Rëndësia e kumtimit të fesë (Teblig)

 

Tebligu (kumtimi i fesë) është të kumtosh çdo gjë që konsiderohet e mirë dhe të ftosh çdokënd ta pranojë atë. Tebligu është qëllimi i dërgimit të Profetëve.

Në shumë ajete të ndryshme të Kuranit Famëlartë tregohet qartë se detyra kryesore e Profetëve është tebligu.[10]

Në kumtimin e Islamit të gjithë njerëzit janë me të drejta të barabarta. T’ua shpjegosh Islamin të tjerëve është një përgjegjësi e të gjithë myslimanëve pa dallim race, ngjyre, kohe, vendi dhe gjeografie, sepse të ftosh në Islam nuk ishte veçanti vetëm e hz. Muhamedit a.s. dhe shokëve të tij. Sidomos kur dihet se pas Muhamedit a.s. nuk do të vijë më i dërguar tjetër për njerëzit. Ndërkohë Allahu në Kuran thotë: “Nga ju le të jetë grup që thërret në atë që është e dobishme, urdhëron për punë të mbara dhe ndalon nga e keqja. Të tillët janë ata të shpëtuarit.[11]

 

Durimi dhe Sakrificat e tyre

 

Idhujtarët e Mekës filluan presionin dhe torturat kundrejt të Dërguarit të Zotit dhe atyre të cilët pasuan besimin e pastër Islam. Mekasit spiunonin të gjithë ata të cilët takonin Muhamedin a.s. dhe si pasojë ata burgoseshin, rriheshin, liheshin pa ngrënë dhe pa pirë dhe torturoheshin në mënyrat më çnjerëzore, duke i shtrirë pa rroba në rërë të nxehtë, etj. Nuk ishin vetëm njerëzit e dobët pa mbështetje sociale si Bilali Habeshiu, Amari, Suhejbi apo Habab ibn Ereti që ishin të ekspozuar ndaj kësaj dhune, por edhe njerëz me status të lartë në shoqërinë e asaj kohe dhe të pasur, siç ishte Musab ibn Umejri, i cili ishte ndër të rinjtë më të përzgjedhur dhe më të pasur në Mekë. Një djalosh i cili i jepte rëndësi të veshurit bukur dhe të ngrënit mirë deri në momentin që pranoi Islamin. Familja e tij ishte e para që i doli kundër dhe ja shkëputi lidhjet familjare deri në vdekje,[12] sa që, kur ra shehid (dëshmor) në Uhud, ky djalosh me të shkuar të pasur, nuk kishte as rrobë të mjaftueshme për qefin.[13]

 

Hixhreti

 

Hixhret do të thotë të braktisësh vatanin për hir të së mirës së fesë, gjë që i dërguari i Zotit, Muhamedi a.s. e bëri në vitin 622(,) duke u larguar nga idhujtaria e Mekasve për në qytetin e zemrave të buta dhe të etura për besim të pastër, Medine. Mizoria e idhujtarëve Mekas bëri që çdo mysliman të detyrohej të braktiste vendlindjen e tij, mallin, pasurinë dhe familjen. Ndër ta ishte dhe Ebu Bekr Sidiku, Omeri Faruku apo Osmani Dhun-nurejn. Njerëz këta me pozitë të lartë në atë shoqëri, por që kur u larguan, lanë pas familjet dhe pasurinë e tyre. U detyruan të bënin 450 km rrugë në shkretëtirë të nxehtë, duke mos menduar se çfarë do të hanin apo pinin për 15 ditë rrugë shumë të vështirë. Këta njerëz të ndershëm dhe krenarë u ndihmuan nga banorët e Medinës mikpritës që u quajtën Ensar.

Vuajtje mbi vuajtje! Sakrificë mbi sakrificë! Por që ata njerëz të papërsëritshëm në historinë e njerëzimit, duruan pa kundërshtuar qoftë edhe një herë të vetme caktimin e Zotit të tyre. Pse? Sepse mbreti i fjalës a.s. u thoshte: “Duroni, sepse vendi ku do të shkoni është Xheneti.

 

Mesazhi përmbledhës

 

Sa të vazhdojë njerëzimi nuk kanë për të munguar sakrifikuesit e kësaj feje. Ndoshta feja e Zotit do të pësojë sulme dhe goditje të ndryshme por, ashtu si Sahabët në kohën e tyre, gjithmonë ka për të pasur durimtarë dhe sakrifikues të kësaj davaje (misioni). Ka për të pasur njerëz, të cilët për të shpjeguar fenë e Zotit do të sakrifikojnë nga rehatia e kësaj bote dhe ashtu si Sahabët, do të shpërndahen në vende të ndryshme të botës ku njerëzit janë të etur për besim dhe për vlera njerëzore që burojnë nga hyjnorja. Patjetër që organizimi dhe bashkimi i besimtarëve të shekullit njëzetenjë për të ringjallur fenë e Allahut dhe të Dërguarit të Tij a.s. do të kënaqë Krijuesin dhe Profetin tonë. Themi që do ti kënaqë, nisur nga fjala e Resulullahut a.s. e thënë para 15 shekujsh, pak para ndarjes nga kjo botë: “Bëjini selam vëllezërve të mi!” Sahabët e pyesin, a nuk jemi ne vëllezërit e tu? Ai u thotë se ju jeni shokët e mi, ndërsa vëllezërit e mi nuk kanë ardhur akoma, do të vijnë më pas. Do të vijnë në një kohë të vështirë ku feja e Zotit të nëpërkëmbet dhe Kurani të braktiset dhe të sulmohet. Ata do të jenë mbrojtësit e tyre, duke sakrifikuar ashtu si Sahabët, duke braktisur rehatinë, mallin, pasurinë dhe vendlindjen sa që njerëzit që do t’i shikojnë do të habiten dhe ashtu siç thoshin dikur “këta janë të çmendur” për Sahabët do u thuhet edhe atyre.

Allahu na mundësoftë një besim të shëndoshë dhe një zemër të ndjeshme ndaj fesë së Tij dhe me veprat që do të bëjmë të na mundësojë të ndjekim rrugën e të Dërguarit të Tij a.s. dhe Sahabëve të nderuar.

 

Taulant Bica

 

[1]. Surja Teube, ajeti 100.

[2]. Surja Hadid, ajeti 10.

[3]. Ibn Haxher, 1/10.

[4]. Surja Fet’h, ajeti 29.

[5]. Surja Teube, ajeti 100.

[6]. Surja Bekare, 207, 218; Surja Al ‘Imran, 172, 195; Surja En’am, 51-53; Surja Enfal, 64, 74; Surja Teube, 19-22, 88-89; 117; Surja Nahl, 41-42; Surja Haxh, 58-59; Surja Ahzab, 23; Surja Fet’h, 18; Surja Hashr, 9.

[7]. Buhari, Fedailul-Es’hab 5; Muslim, Fedailus-Sahabe 221.

[8]. Buhari, Fedailul-Es’hab 1; Muslim, Fedailus-Sahabe 212.

[9]. Mexhmau’z-Zeuaid, 10/21; Kenzu’l-Ummâl, 11/531(32477).

[10]. Surja Al ‘Imran, 20; Surja Maide, 92, 99; Surja Ra’d, 40; Surja Nahl, 35,82; Surja Nur, 54; Surja Jasin, 17.

[11]. Al ‘Imran, 104.

[12]. Ibn Haxher, 3/421.

[13]. Buhari, Xhenaiz 28.