Konsiderata mbi sëmundjen

Njëri prej faktorëve më të rëndësishëm(,) që përcaktojnë konsideratën mbi mjekësinë, është qëndrimi ndaj konceptit sëmundje. Ngaqë fakihët (specialistët e së drejtës juridike islame) e kanë nxjerrë në plan të parë aspektin juridik (Islam) të sëmundjes, çështjet lidhur me të sëmurët i kanë shqyrtuar në kapitujt funeralë ose mbi të vdekurit dhe trajtimin e tyre. Kurse specialistët e hadithit, në veprat e llojit sunen (sunetet, traditat) të shkruara sipas kapitujve të fikhut, hadithet lidhur me të sëmurët i kanë klasifikuar në kapitujt “Libri Funeral” (Kitabu’l Xhenaiz)[1]. Në kapitujt lidhur me kufomat (të vdekurit) janë rrëfyer hadithet lidhur me gradat shpirtërore që ua kanë përftuar njerëzve vizita te (tek) të sëmurët dhe sëmundjet, pastaj u është dhënë vend haditheve mbi vdekjen dhe përtej-vdekjen. Kjo metodë klasifikimi është kuptimplote nga këndvështrimi që tregon se myslimanët nuk e shohin ftohtë imazhin e vdekjes, por e konsiderojnë vdekjen pjesë të jetës.

Imam Buhariu (vd. 256/870), kapitullin e 22-të të veprës El-Xhamiu’s-sahih e ka veçuar për “Kitabu’l-Xhenaiz”, në kapitullin e 76-të ka shqyrtuar hadithet mbi mjekësinë dhe kapitullin e 75-të e ka klasifikuar si “Kitabu’l-Merda” (Libri i të sëmurëve). Në librat themelorë të hadithit të njohura si Kutub-i Site, vetëm në veprën e Buhariut ndodhet një kapitull më vete mbi të sëmurët. Në këtë kapitull, nën 22 tituj tematikë ka klasifikuar 37 transmetime (hadithe). Nën titullin e parë ka shqyrtuar “Transmetimet mbi Kefaretin e Sëmundjes”. Duke e përmendur ajetin që thotë, “Kush bën një punë të keqe, e heq dënimin e saj[2], tërheq vëmendjen mbi lidhjen e gjendjeve të pakëndshme që u bien njerëzve në kokë, me vullnetin e tyre. Në hadithet e rrëfyera më pas, përcjell hadithe që tregojnë se çdo lloj sëmundje dhe shqetësim ka një dimension shpirtëror. Kurse kreu i pjesës së tretë është në këtë formë: “Ndër njerëzit, ata që u janë nënshtruar sëmundjeve (fatkeqësive) më të rënda janë profetët, pastaj ata që u ngjajnë profetëve”. Me hadithet e rrëfyera në këto tre (tri) pjesë, tregohet se sëmundjet nuk janë e keqe(,) sepse krijimi i sëmundjes ka një sërë urtësish, se çdo shqetësim i vogël a i madh dhe sëmundja që i bie njeriut mbi kokë është kefaret (kompensim) për mëkatet. Ka mundësi që, duke menduar se njerëzit do ta kenë të vështirë t’i pranojnë aspektet pozitive të sëmundjes, Imam Buhariu ka rrëfyer në pjesën e tretë hadithin që tregon se sëmundjet më të rënda u kanë rënë në kokë profetëve.

Klasifikuesi i sunen-it, Imam Ebu Davudi (vd. 275/888), e ka filluar pjesën lidhur me kufomat (të vdekurit) me kreun që bën të ditur se sëmundjet janë kompensim për mëkatet. Në hadithin e parë të përmendur në këtë kapitull, tregohet një udhëtim i Profetit (a.s.). Gjatë udhëtimit të bërë në anët e Sirisë, duke pushuar nën një pemë, i Dërguari i Allahut (a.s.) po u shpjegonte sahabeve sëmundjet dhe po u thoshte: “Besimtarit i vjen një sëmundje, pastaj Allahu ia heq sëmundjen dhe i jep shëndet. Kjo sëmundje është kompensim për besimtarin për mëkatet e së kaluarës dhe, për të ardhmen, këshillë. Kurse hipokriti që sëmuret dhe pastaj shërohet, i ngjet devesë. Kur sëmuret, të zotët e lidhin devenë në një vend dhe, kur përmirësohet, e lënë të lirë. Deveja nuk e di as pse u lidh dhe as pse u la e lirë.[3]

Vështrimi i të sëmurëve si njerëz që janë goditur nga fatkeqësi materiale (të kësaj bote) si pasojë e mëkateve të tyre, është ndaluar me një gjuhë të hapur e të formës së prerë nëpërmjet haditheve të përmendura më sipër. Në këto kushte, s’është aspak e drejtë që të sëmurët të shihen me sy nënvleftësues, të ndodhë largimi prej tyre ose disa sëmundje të cilësohen si të mallkuara. Në Islam nuk është lejuar që sëmundja të mallkohet dhe të sëmurët të poshtërohen. Me hadithet me kuptimin “Mos rrini duke i vështruar lebrozët”, Profeti (a.s.) e pati ndaluar që të shqetësoheshin qoftë edhe me anë të soditjes të sëmurët me lebër, e cila ka qenë një nga sëmundjet e mallkuara në Perëndimin e mesjetës, kurse lebrozët janë mbajtur të izoluar.[4]

Kur çështja parashtrohet me anë të haditheve që njoftojnë se sëmundjet vijnë mbështetur mbi një sërë urtësish, se është Allahu i Lartë që e krijon sëmundjen, në mendje na vjen veçoria e ngjitjes te disa sëmundje. Meqë ngjitshmëria e sëmundjes mund të vëzhgohet nga çdokush, njerëzit e konsiderojnë si një të vërtetë të qartë idenë sipas së cilës shkaku i ngjitjes së një sëmundjeje është një i sëmurë tjetër. Madje, në periudhën pagane para islame, arabët besonin se sëmundjet u ngjiteshin personave që bënin vizita te (tek) të sëmurët[5]. Kështu, një beduin pretendonte se deve të sëmura ua kishin ngjitur deveve të tij sëmundjen e zgjebes. Duke e pyetur beduinin, “në është kështu, atëherë, kush ia ngjiti këtë sëmundje devesë së parë”, i Dërguari i Allahut (a.s.) na ka tërhequr vëmendjen se sëmundjet i ka krijuar Allahu[6]. Kurse në hadithin e dytë të kësaj pjese, Profeti (a.s.) ka urdhëruar: “I sëmuri (të mos vendoset) të mos rrijë pranë personit të shëndoshë!”[7]. Në shpjegimin e këtij hadithi, El-Baxhiu (vd. 474/1081), duke thënë se “ndërkohë që është Allahu i Lartë që e ka krijuar sëmundjen dhe shëndetin”, tregon se zakoni i Tij (në këtë botë) zhvillohet në formën e ngjitjes së sëmundjes, domethënë se edhe ngjitja e sëmundjeve krijohet nga Allahu.[8]. Fakihu (juristi) hanbelit Jusuf b. Muhammed es-Surremerri (vd. 776/1374), faktin që sëmundja ngjitet vetëm me anë të krijimit të Allahut, e shpjegon kështu duke përdorur argumentin e ngjarjes (pas):

“Gjërat e krijuara më pas nuk mund të ekzistojnë, pa një autor(,) i cili krijon së pari nga hiçi. Është e detyrueshme që krijuesi i ngjarjes të jetë i gjallë, i fuqishëm dhe i vullnetshëm. Kur kjo të pranohet kështu, sëmundja dhe shqetësimet do të jenë absolutisht të llojit trupa që formohen në shkallë të dytë, pas, tek (te) një vend ose person ngjitur ose afër, ose do të jenë një akcidencë e pranishme në trupat. Po qe se krijuesi i ngjarjes është një trup (fizik), është e pamundur të jetë autor i sëmundjes, sepse trupi (fizik) nuk është i gjallë dhe i fuqishëm (haj dhe kadir), i aftë për të bërë. Në këtë aspekt, ekzistenca e sëmundjes bëhet e pamundur. Po të konsiderohet i gjallë dhe i aftë për të bërë, për të krijuar (haj dhe kadir), përsëri kjo është diçka e pamundur, pasi është e pamundur që diçka e krijuar pas të jetë haj dhe kadir. Është absurditet të konsiderohet se akti i një gjëje të krijuar pas ndodhet (efektivisht) jashtë mjedisit të fuqisë ose mundësisë. Po qe se sëmundja është akcidencë, është akoma më jashtë mundësie që kjo akcidencë ta krijojë sëmundjen te dikush tjetër. Sepse (, sepse) akcidenca nuk ka jetë dhe mundësi vetiake.”[9]

Vështrimi i të Dërguarit të Allahut (a.s.) ndaj sëmundjeve dhe mjekimit të tyre i ka parandaluar kontradiktat mes njerëzve dhe është bërë njëra nga pikat themelore mbështetëse që mjekësia të fitojë një entitet shkencor. Shkencëtarët myslimanë, duke iu bindur autoritetit të mjekëve që kanë përfaqësuar traditën mjekësore antike, në vend që ta braktisnin kërkimin, e kanë analizuar nga e para çdo çështje me të cilën janë përballur nën dritën e ajeteve dhe haditheve. Për shembull, kur në zonën e Sirisë (së sotme) qe shfaqur kolera, Hz. Omeri i pati thirrur muhaxhirët (mekasit) dhe ensarët (medinasit) në grupe veç e veç dhe qe këshilluar me ta. Grupet patën rënë në kundërshtim për të hyrë ose për të mos hyrë në atë zonë dhe për t’u kthyer. Atëherë, Hz. Omeri i pati thirrur pleqtë e kurejshve që qenë bërë myslimanë gjatë çlirimit të Mekës dhe ata i patën thënë njëzëri që të ktheheshin prapë. Dhe Hz. Omeri pati vendosur të ktheheshin prapë. Në këtë mes, Abdurrahman b. Auf që s’ndodhej aty, pati ardhur dhe pati thënë: “Unë di një hadith mbi këtë çështje. Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s.) të thotë kështu: ‘Po qe se dëgjoni se në një vend ka rënë kolera, mos hyni, kurse, po qe se në vendin ku ndodheni ju, bie kolera, mos dilni që aty me mendimin për të ikur nga kolera e për të shpëtuar.’” Me ta dëgjuar hadithin, Hz. Omeri e pati lavdëruar Allahun dhe qe kthyer pas.[10]

 

KONKLUZION

Sipas besimit islam, baza e çdo gjëje dhe burimi i ekzistencës janë Emrat e Bukur të Zotit. Siç janë esenca e krijimit, emrat ose atributet hyjnore janë edhe burimi i shfaqjeve dhe i transformimeve të ndryshme të jetës. Për t’i treguar variacionet e shfaqjeve të tyre, Esma-i Husna (Emrat e Bukur të Allahut) e transformojnë universin vazhdimisht me anë të një ndryshimi dhe kthimi nga gjendja, në gjendje; po kështu, jetën e njeriut e kthen në gjendje të ndryshme. Secili nga Emrat e Bukur të Allahut ka shfaqjet e veta tek universi dhe njeriu. Shfaqja e secilit emër bëhet shkak që të shfaqen te materia dhe njeriu gjendje të veçanta. Nënvleftësimi i kërkimit dhe i marrëdhënies shkak-pasojë(,) duke i vënë sëmundjet në varësi të besëtytnive, në varësi të një sërë elementesh dhe ngjarjesh misterioze me enigmë të pa zbërthyer që ndodhen në univers, janë pengesa më e madhe para zhvillimit shkencor.

Marrja parasysh vetëm e aspekteve materialë të sëmundjes, është bërë shkak që, me kohë, konceptet i sëmurë dhe sëmundje të vështrohen si një eveniment ekonomik. Për disa njerëz, të sëmurët kanë filluar të shihen si mall tregtie dhe burim të ardhurash. Është e qartë nevoja që ndjehet për një këndvështrim të ri me bosht mëshirën dhe dhembshurinë. Për realizimin e këtij ndryshimi është e domosdoshme që konceptet sëmundje dhe shërim të interpretohen sërishmi. Pranimi se emrat e bukur të Allahut të Lartë (xh. xh.) shihen mbi të sëmurin, do ta ndryshojë edhe qëndrimin tonë ndaj të sëmurëve, edhe vështrimin e mjekëve ndaj të sëmurit. Në këto kushte, mjekësia do të ketë një metafizikë të re e cila t’i përfshijë si një e tërë universin, jetën dhe njeriun.

Profeti ynë (a.s.) e ka nxitur dhe inkurajuar mjekimin, të sëmurët i ka dërguar te mjeku, madje edhe vetë është mjekuar. Kështu, Profeti ynë, si në çdo çështje, edhe në çështjen e mjekimit është bërë shembull për umetin ose bashkësinë e vet. Ai na ka tërhequr vëmendjen edhe për faktin se është e domosdoshme që, për shërimin e personit që mjekohet me barna, të mos e nënvleftësojmë lutjen drejtuar Allahut të Lartë. Ai ka theksuar se s’duhet harruar se është Allahu Ai që krijon shkaqet dhe ndikimet mbi të sëmurin(,) i cili zbaton shkaqet që mjekësia i sheh të domosdoshme për mjekim, si dhe jep shërim. Kështu, duke treguar se është e domosdoshme të përfitohet nga forca mjekuese e lutjes, ka treguar se si duhet të jetë marrëdhënia fizikë-metafizikë.

 

Prof. Dr. Ajhan Tekinesh

Përktheu: Mithat Hoxha

 

[1]. Shih. Muslim, “Kitabu’l-Xhenaiz”, kap. 11; Ebu Davud, “Kitabu’l-Xhenaiz”, kap. 15; Tirmidhi, “Kitabu’l-Xhenaiz”, kap. 8; Ibni Maxhe, “Kitabu’l-Xhenaiz”, kap. 6; Nesai, “Kitabu’l-Xhenaiz”, kap. 21. Në këtë kapitull, imam Nesaiu u ka dhënë vend vetëm haditheve lidhur me kufomat (të vdekurit). Në veprën e Nesaiut nuk gjendet as kapitulli mbi mjekësinë. Ndërkaq, vihet re se haditheve lidhur me sëmundjet dhe të sëmurët, u ka dhënë vend në kapitujt e tjerë të fikhut, si agjërimi dhe porosia.

[2]. Kur’ani, Nisâ, 4/123.

[3]. Ebû Dâvud, “Xhenâiz” 1.

[4]. Ibn Mâxhe, “Tibb” 44.

[5]. El-Bâxhî, El-Muntekâ, (bot. Muhammed Abdulkâdir, Bejrut 1999), VII, 263.

[6]. Buhârî, “Tibb” 53.

[7]. Muvattâ, ‘Ajn’ 750; Buhârî, “Tıbb” 53.

[8]. El-Bâxhî, el-Muntekâ, VII, 265.

[9]. Yusuf b. Muhammed es-Surremerrî, Dhikru’l-vebâ, f. 56, 57.

[10]. Buhârî, “Tibb” 30.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu