Serioziteti në balancën e Islamit

Të jesh serioz nuk do të thotë të privohesh nga qeshja dhe humori, por do të thotë ta marrësh sa më seriozisht jetësimin e roleve të tua në jetë, thënë ndryshe të jesh serioz në fjalët, veprat dhe reagimet e tua në raportet me të tjerët, madje edhe në paraqitjen tënde të jashtme; të jesh serioz në lidhjen me vetveten, duke i kërkuar llogari asaj, duke e qortuar, edukuar, disiplinuar dhe duke bërë me të marrëveshje të dobishme; e për më tepër të jesh serioz në lidhjen tënde me Krijuesin tënd…

Është vërtet një keqkuptim i madh barasvlerësimi i seriozitetit me ngrysjen e fytyrës, lënien mënjanë të buzëqeshjes dhe sensit të humorit… Përkundrazi, personi që di të buzëqeshë është konsideruar nga psikologët shumë më i mirë se i ngrysuri, madje disa prej shkencëtarëve të zhvillimeve njerëzore e konsiderojnë harenë prej cilësive të njeriut të suksesshëm, edhe pse kjo gjë nuk gëzon konsensus në mesin e tyre. Nuk ka asgjë të keqe që njeriu të jetë i hareshëm, por e keqja qëndron në rastin kur ai vuan nga mungesa e objektivitetit dhe nuk i peshon dhe s’u jep rëndësinë e duhur gjërave, thënë me një fjalë të vetme: kur ai është njeri margjinal. Prej të këtillit nuk mund të pritet të jetë i suksesshëm, madje prej tij as që mund të ndërtohet në afatgjatë suksesi.

Serioziteti nuk ka të bëjë fare me sjelljen e vrazhdë, por gjithë sa ai kërkon prej teje është që jeta jote të jetohet në një mënyrë serioze dhe dinjitoze. Antonimi i seriozitetit nuk është jeta pa dëfrim e buzëqeshje, por është jeta pa vlerë, pa objektiva dhe pa kuptim.

Serioziteti në jetë është një tipar që kërkohet jo vetëm prej liderëve, por edhe prej njerëzve të thjeshtë. Rëndesa e përgjegjësisë mbi të gjithë njerëzit, kërkon prej tyre të jenë seriozë, siç thotë Allahu i Madhëruar: “Ne ua ofruam përgjegjësinë qiejve, Tokës dhe maleve, por ato nuk pranuan ta marrin përsipër dhe u frikësuan ta pranojnë atë, kurse njeriu e pranoi. Me të vërtetë, njeriu u tregua i padrejtë me veten dhe i paditur (për pasojat e kësaj përgjegjësie).” (Ahzab, 72)

Pra, nëse njeriu nuk e kryen me seriozitet dhe ndërgjegje të pastër urdhrin e Allahut të Madhëruar, i bindur se përkundrejt kësaj bindje apo mosbindje atë e pret shpërblim ose ndëshkim nga Ai, në këtë rast konsiderohet i padrejtë dhe injorant; ndërsa nëse e realizon dhe përmbush urdhrin hyjnor me besim dhe duke kërkuar shpërblimin, ai do të shpërblehet më së miri dhe do të gradohet me gradat më të larta…

Njeriun serioz do ta gjesh të posedojë objektiva të qarta, synime të kthjellëta, të shoqërohet me njerëz seriozë dhe të zellshëm, të mos e ketë në fjalorin e tij fjalën “do të” dhe “më vonë” dhe të mos e preokupojnë salltanetet; do ta gjesh të përballet me guxim me problemet që i dalin dhe të përpiqet me këmbëngulje që t’i zgjidhë ato…

Këto janë disa nga tiparet kyçe të seriozitetit të domosdoshëm për njeriun e suksesshëm…

Ebu Bekri (r.a.) i përmbledh këto tipare në thënien e tij të famshme që e tha teksa po i jepte lamtumirën e fundit kësaj bote:

“Betohem në Allah, nuk kam fjetur e të kem ëndërruar dhe as kam fantazuar e të kem neglizhuar. Kam qenë mbi rrugë i pa devijuar.”

Menaxhimi i kohës, tregues kyç i seriozitetit

Personi që ia di rëndësinë kohës së tij dhe e perfeksionon menaxhimin e saj, reflekton qartë se është individ serioz. Njeriu që synon të jetë i suksesshëm në jetë, lipset ta dijë se koha është mosha e tij dhe kapitali më i çmuar që ai posedon.

Shkencëtaret e zhvillimeve njerëzore angazhimin e njeriut në kohë e kanë ndarë në:

  1. a) i rëndësishëm / urgjent, testi që më pret nesër, vizita mjekësore, puna me orar; b) i rëndësishëm / jo urgjent, ushtrimi në një teknikë të dobishme, mësimi i një gjuhe të huaj, mësimi si të planifikoj për jetën time, etj., gjëra që mund t’i mësoj tani shpejt, por edhe pas disa kohësh, ndërsa nëse do t’i neglizhoj, kjo do të bëhet shkak për mua që të privohem prej të mirave të shumta).

Në të dyja rastet duhet të tregohet interesim maksimal për kohën, por nëse shikojmë me vërejtje do të gjejmë se angazhimi “i rëndësishëm / jo urgjent” është kuadrati në të cilin gjenden njerëzit e suksesshëm, teksa shumica dërrmuese e njerëzve gjenden te kuadrati i angazhimeve “të rëndësishme / urgjente” por edhe te kuadrati i angazhimeve:

  1. c) i parëndësishëm apo i dëmshëm/ urgjent apo jo urgjent, sikurse shfaqjet televizive, ndeshjet e sportit, informacionet në internet, ku do të darkojmë sot, ku do e kalojmë natën sonte, etj., të njohura ndryshe si hajdutët e kohës.

Padyshim që modeli më i lartë në shfrytëzimin e kohës gjendet te profeti Muhamed (a.s.). Atij nuk i shkonte asnjë moment përveçse për Allahun e Madhëruar, në ato gjëra të dobishme individuale dhe shoqërore që Ai ka urdhëruar. Rëndësia e kohës vjen qartë në thënien profetike në të cilën Profeti (a.s.) thotë:

“Ditën e Kiametit nuk do të lëvizin këmbët e birit të Ademit (njeriut) derisa të pyetet (për katër gjëra): për jetën ku e ka harxhuar; për diturinë e tij, çfarë ka vepruar me të; për pasurinë, ku e ka fituar dhe ku e ka harxhuar; dhe për trupin e tij ku e ka brejtur”.

Dijetarët në të shkuarën, por edhe në të tashmen porosisin që koha të ndahet në katër pjesë: një e katërta e parë të jetë për gjumë, ndërsa më shumë se kaq është shpërdorim kohe; një e katërta e dytë të jetë për çështjet personale, si adhurimi, pastrimi, ngrënia, etj.; një e katërta e tretë të jetë për çështjet shoqërore, raportet familjare dhe më gjerë; dhe një e katërta e fundit të jetë për punën dhe arritjet.

Kjo është një ndarje e thjeshtëzuar, teksa njeriu në varësi të prioriteteve që ka mund të bëjë sistemime duke akorduar (marrë ose shtuar) kohë në hapësirat e këtyre katër lëmenjve kryesorë, sipas rrethanave, nevojave dhe angazhimeve.

 

 

Mishërimi i tiparit të seriozitetit në personin e Profetit a.s.

I Dërguari i Allahut shquhej për pjesëmarrje aktive në marrëveshjet, aleancat dhe veprimtaritë e rëndësishme dhe serioze humane.

Profeti na tregon për veten se si u bë pjesë e një aleance të tillë, në rininë e tij, ku bëhet dëshmitar i Hilful Fudul (Aleancës së të Virtytshmëve).

Kjo aleancë ndodhi 20 vjet para shpalljes islame. Bëhet fjalë për një aleancë të përkrahësve të së mirës, të cilët bënë një pakt midis tyre për të themeluar drejtësinë, luftuar shtypjen, vendosur në vend të drejtat e nëpërkëmbura dhe ringjallur cilësitë e virtytshme që ishin zhdukur në tokën e Shenjtë (Mekë). Kjo aleancë u mbajt në shtëpinë e Abdullah ibën Xhud’anit ku morën pjesë liderë të shquar të Kurejshëve, ndër të cilët edhe xhaxhallarët e Muhamedit. Përkrah xhaxhallarëve të tij do të merrte pjesë edhe Muhamedi (a.s.), asokohe një djalosh rreth të njëzetave. Shkak që çoi në lidhjen e kësaj aleance përmendet të ishte fakti se një ditë prej ditësh, në Mekë, A’s ibën Ua’il Sehmiu, kishte blerë mallin e një tregtari dhe më pas kishte refuzuar që ta paguante atë. Ky i fundit u kërkoi Kurejshëve dhe aleatëve të tyre ta ndihmonin, por ata s’i dhanë vëmendje. Në këtë situatë pa rrugëdalje, tregtari qëndroi para Qabesë dhe recitoi me zë të lartë vargje që shprehnin hallin e tij. Zubejr ibën Abdulmutalibi, xhaxhai i Muhamedit, e dëgjoi atë dhe tha: A nuk paska njeri që ta ndihmojë atë. Më pas Zubejri mblidhet me personazhet e Aleancës së të Virtytshmëve dhe bëjnë pakt që çdokujt që do të dhunohej në Mekë, nga banorët e saj apo të tjerët, do t’ia mbanin anën deri sa t’i kthehej e drejta e cenuar. Pas kësaj ata shkuan tek A’s ibën Uail, ia morën mallin që kishte marrë padrejtësisht dhe ia kthyen atij që i takonte. Për këtë Aleancë, Muhamedi, pasi i kishte zbritur Shpallja hyjnore, thotë: “Unë nuk dua ta këmbej atë as për luksin më të shkëlqyer. Nëse do të thirresha në Islam për të marrë pjesë në punë të tilla, sigurisht që do të përgjigjesha (pozitivisht).”

Nga kjo ngjarje del në pah se si në të tilla aleanca dhe marrëveshje që apelojnë mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, edhe nëse këto marrëveshje nuk janë iniciuar nga myslimanët, duhet që ata të bëhen palë përkrahëse dhe aktive në to.

Profeti na njofton se ai mori pjesë në këtë aleancë të kthimit të të drejtave të dhunuara si dhe thekson se nëse do të ftohej në atë aleancë tani në Islam, me siguri që do t’i përgjigjej; pra kemi të bëjmë me disa norma humane themeltare të drejta, të cilat duhet t’i mbrojmë me seriozitet dhe të bëhemi aktiv në mbrojtjen e tyre, pavarësisht se kush është iniciuesi i tyre.

E lusim Allahun të na bëjë prej myslimanëve seriozë, që model të seriozitetit të tyre kanë modelin më të arrirë njerëzor, Muhamedin (a.s.).

Bazuar në literatura të dr. Tarik Suejdan 

Altin Torba