OLYMPUS DIGITAL CAMERA

“Urdhërojini fëmijët tuaj me namaz kur të bëhen shtatë vjeç”, thotë Profeti ynë i nderuar (a.s.). Ky hadith na  tregon mjaft qartë se kur duhet të fillojë namazin fëmija.  Por si duhet mësuar fëmija me faljen e rregullt të namazit, ose thënë ndryshe si duhet edukuar ai me të? Si duhet bërë ky edukim në përshtatje me shpirtin dhe botën e fëmijëve? Si duhet ta përjetojë namazin  e parë në mënyrë  që mbresat e tij të ndikojnë thellësisht në botën e tij të brendshme?

Çfarë shenjash lë eksperienca e parë?

Çdo gjë e parë lë shenjë. Gjërat e mësuara në fillim qëndrojnë më gjatë në memorien dhe shpirtin e njeriut. Të parat më pas sjellin me vete dhe ndjenjat. Më pas me përsëritjen e të njëjtave gjëra ndjenjat zhduken. Shpesh themi se njeriu nuk e harron dashurinë e parë. Asnjëherë nuk harrohet mësuesja e klasës së parë. Secili prej nesh mund ta harrojë mësuesen e nëntëvjeçares, të të mesmes, por atë të klasës së parë nuk mundet. Sepse ndjenjat e para në lidhje me mësuesen janë krijuar pikërisht atëherë kur e ka parë atë. Ndjenjat në të vërtetë janë kanalet lidhëse me shpirtin. Ato lidhin botën e jashtme me përjetimet e botës së brendshme. Parë nga ky aspekt, çdo gjë e përjetuar së pari është shumë e rëndësishme për njeriun. Është e rëndësishme për jetëgjatësinë ashtu dhe për kuptimin që përmban. Kuptimi i një veprimi apo i një objekti është i lidhur me ndjenjat apo shpirtin që ia keni ngarkuar ju.

Ndjenjat e përjetuara në atë çast janë shumë të rëndësishme dhe cilësohen si një burim  për sa i përket ndjenjave që mund të lindin nga zhvillimi apo organizimi i një ceremonie. Ceremonia i dhuron një kuptim objektit. Për këtë arsye themi se, ceremonitë janë shumë të rëndësishme në konceptimin e drejtë të adhurimit dhe nxitjen e ndjenjave pozitive ndaj tij.

Si duhet urdhëruar fëmija me namaz? T’i themi: “hajde,  djali im/vajza ime, tashmë mbushe shtatë vjeç dhe duhet të falësh namaz”, apo të organizojmë një ceremoni të thjeshtë? Cila do të ishte më ndikuese për fëmijën? Në të vërtetë kjo nuk është diçka e prerë dhe nuk do të thotë që fëmija të falet menjëherë. Ekzistojnë edhe parapërgatitjet para moshës 7 vjeç. Nëse para moshës shtatë vjeç fëmija është falur me prindërit  e tij, nëse ka sexhaden personale, atëherë namazi nuk është diçka e panjohur për të, thjesht i duhet kujtuar si adhurim. Këtu me organizimin e një ceremonie  zhvillojmë nënvetëdijen e fëmijës.

Fëmija duhet ta kuptojë që namazi është elementi më i rëndësishëm në familjen e tij dhe se është një adhurim që pritet të bëhet edhe prej tij. Por, për ta ndjerë këtë, familjet duhet të tregojnë ndjeshmërinë përkatëse.

Çfarë duhet bërë tjetër për krijimin e një bazamenti të fortë?

Edhe lidhja e fëmijës me personin i cili e ka mësuar me namazin është shumë e rëndësishme. Për shembull, nëse fëmija nuk ka një marrëdhënie të shëndetshme me babanë e tij, atëherë ky fakt nuk do ta tërheqë fëmijën në faljen e namazit bashkë me të. Madje mund të ftohet më shumë nga namazi. Edukimi fetar lidhet ngushtë me dashurinë  e shprehur ndaj edukuesit. Askush nuk është bërë mysliman, përveç profetëve, vetëm duke njohur Zotin. Njerëzit i deshën Profetët e Zotit dhe si rrjedhojë edhe fjalët apo urdhëresat e tyre u bënë të dashura për to.

Për sa i përket zhvillimit të namazit në mënyrë ceremoniale, vlen të theksojmë se ky adhurim nuk duhet bërë në trajtën e festave të ditëlindjes apo festave tjera ku njerëzit hanë, pinë zbaviten e të tjera. Në këtë ceremoni lexohet Kuran, i kushtohet një rëndësi shumë e madhe namazit dhe fëmijës i drejtohet me këto fjalë: “Ti tashmë je një djalë që fal namazin. Ne, mami, babi, gjyshërit jemi dëshmitarë për ngritjen tënde në këtë gradë. Jemi shumë të lumtur që ia arrite kësaj dite. Lutemi për ty dhe për veten tonë. Shpresojmë ta ruash gjithmonë këtë sjellje të bukur dhe ta falësh rregullisht namazin”.

A i duhen dhënë dhurata fëmijës në atë çast? Nëse po, çfarë dhuratash duhen zgjedhur?

Në të vërtetë ai çast nuk duhet prishur me gjëra të tjera. Nëse fëmijës do i jepeshin dhurata atëherë vëmendja e tij do të ngulej mbi dhuratat dhe kështu emocioni i faljes së namazit do të zhdukej menjëherë. Gjëja më e rëndësishme aty janë ndjenjat e fëmijës. Fëmijës mund t’i dhurohet një Kuran dhe më pas të puthet në ballë. Vajzave mund t’i dhurohet një veshje e posaçme për namazin. Sugjerojmë të dhurohet diçka me vlera të larta shpirtërore.

Gjatë zhvillimit të një ceremonie të tillë serioziteti i familjarëve luan rolin më të rëndësishëm  në kuptimin e rëndësisë  së një adhurimi siç është namazi. Edhe pasi të bëhet 40 vjeç, fëmija duhet të mbajë në kujtesën e tij atë moment të rëndësishëm të fillimit të namazit. Të kujtojë lotët  e rrjedhur nga sytë e babait në çastin e përgëzimit.

A mund të filmohet me kamera apo shpërndahet në rrjete sociale një ceremoni e tillë?

Mundet, por modele të tilla mungojnë në ditët e sotme. Në këtë mënyrë familjet do të bëhen shembull edhe për familjet tjera. Por sigurisht kjo gjë lidhet me privatësinë e vetë familjes, është zgjedhje e saj.

nga AISA KOKIÇI

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here