Të pasurit e varfër – të varfrit e pasur

Jeta e njeriut është e lidhur ngushtë me ushqyerjen. Ne si qenie e kemi të pamundur t’i qëndrojmë vdekjes fizike pa ushqimin fizik. Megjithatë, ka edhe një çast në të cilin ushqimi fizik nuk mund ta ndalë vdekjen fizike, pasi rezistenca ndaj saj nuk është e lidhur domosdoshmërisht vetëm me ushqyerjen.

Sigurimi i mjeteve të jetesës ka qenë sfidë që nga hershmëria e qenies së parë që zbriti apo u hodh në sipërfaqen e tokës. Në përpjekje e sipër për sigurimin e mjeteve të jetesës ka ndodhur ndryshueshmëria në sasinë e zotërimit të tyre. Jo më kot thuhet se ka 99 lloj rrojtjesh, pra që nga më i varfri e deri te më i pasuri. Ka të varfër që bëhen të pasur. Ka të pasur që bëhen të varfër. Ka të varfër që mbeten të varfër. Ka të pasur që mbeten të pasur. Kjo panoramë është treguese së në shoqërinë njerëzore barazia materiale është kryekëput e përjashtuar. Kësisoj, diferencimi pasuror do të vazhdojë të jetë tipar shques i shoqërisë njerëzore, për aq sa ajo do të ekzistojë.

Çdocila qenie njerëzore dëshirën për pasuri e ka në gjenetikën e vet. Është çështje tjetër nëse arrin të pasurohet apo jo. Në drejtim të zotërimit të pasurisë njeriu ka një uri të vazhdueshme. Është një uri gati e pashtershme. Sa më shumë të grumbullojë aq më shumë i shtohet oreksi. Edhe në pastë miliarda në llogari, edhe në pastë bizhuteri të çmuara me vlera kolosale, sërish mendon se si do të ketë edhe më shumë, edhe pse është i sigurt se asgjë prej tyre nuk do ta ndjekë pas, kur vdekja fizike ta ndalojë nga prezenca mbi tokë.

Po në qoftë i varfër? Edhe në qoftë i varfër nuk i shpëton dot gjenetikës. Do rropatet për të dalë nga gjendja ku është. Edhe në mos pastë sukses, më e pakta gjë do të ishte djegia nga dëshira për ta parë veten një ditë të pasur, për ta parë një ditë veten të përkundur nga përfitimiet që të siguron qenia i pasur në një shoqëri ku kësaj kategorie i hapen dyert, i bëhen temenara pështirosëse e të pamerituara me drejtësi.

Me të drejtë mund të pyesim se çfarë duhet bërë? A të pajtohemi me gjendjen ekzistuese në të cilën na gjeti të qënurit trashëgimtarë, apo të punojmë shumë e më shumë që të pasurohemi e të pasurohemi? A t’i shtrydhim gjithë energjitë tona për shtimin e sasisë pasurore apo të bëjmë një shpërndarje ndryshe të tyre? A të punojmë të pasurohemi që të tjerët të na qepen nga pas e të na respektojnë për atë që zotërojmë dhe jo për atë që jemi? A të pasurohemi që të tjerët të mos na përçmojnë për varfërinë materiale dhe të na nderojnë nga halli kur na kanë përballë dhe të na fyejnë kur të kthejmë shpinën?

Në një shoqëri të molepsur fund e krye nga zjarrmia për pasurim, por të pashqetësuar mbi mënyrën se si, qenia njerëzore ka përballë një provë të rëndë. Që të jemi të qartë dhe të mos krijojmë konfuzion të panevojshmëm mbi pasurimin apo jo të njeriut, duhet të kemi në konsideratë pikërisht këtë, mënyrën se si. Nuk duhet të mendojmë së të pasurohesh është keq. As nuk duhet të mendojmë se të qëndrosh i varfër qenka mirë. Këtë nuk duhet ta përcaktojnë teoritë që shtjellojnë këto çështje. Qëndron i varfër apo punon që të bëhet i pasur, e zgjedh vetë njeriu. Nëse dikush vendos të qëndrojë i varfër, sepse kështu e ndjen më të sigurt veten nga zhytja në andrrallat e materializmit, nuk mund ta detyrojmë me forcë të pasurohet medoemos. Nëse dikush e ndjen se nuk i reziston dot vështirësive të varfërisë dhe kërkon të pasurohet drejtësisht, nuk mund ta detyrojmë të qëndrojë i varfër. I varfër apo i pasur, le ta zgjedhë vetë njeriu. Dhe bashkë me vendimin që merr le të mbajë edhe provat që vijnë prej këtyre dy gjendjeve.

Çuditërisht një shumicë syresh besojnë se të pasurit jetojnë pa vuajtje. Besojnë se ndihen të plotësuar. Blejnë gjithçka dëshirojnë. Ushqehen me gjithçka munden. Udhëtojnë anekënd dynjasë kur të dëshirojnë. Marrin pjesë në veprimtari jetësore luksoze. Kanë pushtet. Janë të privilegjuar në shoqëri. Njerëzit nxitojnë të bëhen miq të tyre. Iu përulen edhe kur nuk duhet. Iu servilosen për kockat që u hedhin dhe kënaqen që mbledhin thërrimet që bien nga tryezat luksoze të pasanikëve. Besojnë se ata kanë arritur të thithin nektarin e kënaqësisë së kësaj jete. Të besosh që ndodh kështu nuk do të thotë që domosdoshmërisht ndodh kështu.

Njerëzit besojnë kësisoj, sepse ata gjykojnë vetëm nga ajo që duket dhe e kanë të vështirë të zbresin e të shohin se çfarë realisht ndodh me brendinë e të pasurit. Po kështu edhe me të varfrin. Çdo vlerësim që na vjen për “lumturinë” e të pasurve, apo “tmerrin” e të varfërve duhet marrë me rezerva, për aq sa ky vlerësim është krejt sipërfaqësor.

Nuk ka rëndësi se sa zotëron pasuri njeriu. Rëndësi ka se si ndihet në botën e tij të brendshme.

Ajo mendonte se sa mirë do të ishte të vendosej për gjithë jetën në këtë manastir, ku jeta ishte e qetë dhe e patrazuar, si një mbrëmje vere; sa mirë do të ishte ta harronte fare princin mosmirënjohës, të shthurur, pasurinë e saj shumë të madhe, kreditorët që e shqetësonin çdo ditë, fatkeqësitë e veta, shërbëtoren Dasha, e cila, atë ditë në mëngjes kishte një shprehje të pacipë në fytyrë. Mirë do të ishte të rrinte ulur tërë jetën aty në stol dhe përmes trungjeve të mështeknave, të shikonte, se si larg, larg mbi pyll, si një re e zezë që i ngjante vellos, fluturonin drejt foleve të tyre për të kaluar natën mëllenjat, se si dy rishtarë – njëri hipur mbi një kalë pullali, tjetri më këmbë – shpinin kuajt në kullotë për të kaluar natën dhe të gëzuar nga liria, bënin çapkënllëqe si fëmijë të vegjël; zërat e tyre rinorë jehonin kumbueshëm dhe mund të shquaje çdo fjalë. Mirë ishte të rrije ulur e të mbaje vesh qetësinë, herë era frynte dhe luante majat e mështeknave, herë ndonjë bretkocë fëshfërinte në gjethet e vjetshme, herë pas murit sahati me këmbanë binte dhe lajmëronte çerekun e…Mirë do të ish të rrije palëvizur, të dëgjoje e të mendoje, të mendoje, të mendoje… (Çehov, A. (2014), Tregime & Novela, Tiranë: Argeta-LMG, f. 200)

Nuk ka rëndësi se sa pak zotëron njeriu. Rëndësi ka të mos zotërohet për shkak të kushteve materiale. Rëndësi ka që të ruajë të paprekur qenien e tij nga turbulencat që shkakton pasja apo mospasja. Ruajtja e thelbit të qenies njerëzore ka rëndësi. Gjithçka tjetër është e përkohshme.

Ah, gjithmonë janë të paktë ata që kanë në zemër një kurajo të gjatë e të zellshme dhe ata që kanë një shpirt durimtar. Gjithçka tjetër që mbetet është veç poshtërsi. Gjithçka tjetër që mbetet; si gjithmonë më të shumtit në numër, të rëndomtit, mendjecekëtit, ata që janë gjithnjë me tepri. Këta të gjithë janë frikacakë. (Nietzsche, F. (2001), Kështu foli Zarathustra, Tiranë: Phoenix, f. 144)

Nuredin Nazarko