TË PRANOSH REALIZIMET E SHKENCËS, NUK DO TË THOTË TË MOHOSH BESIMIN TËND

 

Për gati gjysmë shekulli ideologjia komuniste u përpoq të krijonte në Shqipëri një “njeri të ri” pa personalitet, “njeri masë” në turmën e njerëzve që u ishte mohuar liria e mendimit, një njeri robot tek i cili si mjete për arritjen e qëllimit ishin të programuara urrejtja dhe pabesia me të gjitha pasojat që vinin prej tyre. Para së gjithash, ky njeri duhet të ishte ateist, të mohonte Zotin, sepse për hiçgjë e fare lehtë mund të mohonte nënën që e kishte lindur, babanë, motrën, vëllanë, mikun e shokun “sa herë që e kërkonin interesat e partisë”. Prandaj, që në lindje, me anë të një makine të përbindshme e me njëmijë mënyra zotërit e rinj tokësorë donin të përgatisnin një njeri, i cili ose duhej t’i nënshtrohej pasioneve të tyre ideologjike, ose të flakej tej e të zhdukej. Në këtë mënyrë, ky njeri, qoftë polic, oficer, punëtor, fshatar, nëpunës apo intelektual, duhej të bëhej shërbëtor i pushtetit politik.

Intelektuali i brumosur me këtë ideologji, i cili u aftësua e u bë i dobishëm për shoqërinë në sferën prodhuese, si individ e kishte të cunguar lirinë e mendimit. Si mekanizëm me vlerë i shoqërisë, ai e kishte rreptësisht të ndaluar të kalonte caqet e këtij realiteti. Mendimi i tij i lirë për të zgjedhur në jetë atë që ndiente me të vërtetë e më të afërt, ishte i burgosur e dënohej si herezi. Prandaj truri i këtyre njerëzve “të formuar” ose të paformuar plotësisht ndihet sot i tejngopur me këtë ideologji dhe me zor përpiqet të dalë nga dilema.

Me këtë botëkuptim, çdo rezultat shkencor, çdo njohje e re, të bën fillimisht ateist. Por gradualisht, shtimi i diturive, që të përgatit ndërkohë për të qenë më i dobishëm për jetën dhe shoqërinë, të zbulon njëkohësisht shkallën e aftësisë për të njohur botën. Sa më shumë e njeh atë, aq më mirë e kupton se sa larg ndodhesh ndaj shumë të vërtetave thellësisht të komplikuara për të cilat të mbetet vetëm të meditosh. Do të mundohem ta argumentoj këtë në dy aspekte: në atë të njohjes së universit dhe në atë të njohjes së jetës në Tokë.

Mrekullia e qiellit: dielli, hëna, yjet e panumërt, shfaqja, zhdukja dhe lëvizja e tyre kanë tërhequr që herët vëmendjen e njeriut. Që 3000 vjet para erës së re ka të dhëna për studimin e tyre në Babiloni, Egjipt, etj. Fillimisht njeriu studioi Tokën, pastaj sistemin diellor, më tej zbuloi galaktikën tonë dhe ekzistencën e galaktikave të tjera, ku më e vogla ka rreth 10 milion yje, etj. Por gjithashtu vinte re se që nga sistemi diellor, që ishte më i vogli e më i thjeshti, trupat e tjerë qiellorë formoheshin në sisteme gjithnjë e më të mëdha, më të gjerë e me strukturë gjithnjë e më të komplikuar. Më vonë u zbuluan radiogalaktikat dhe sot flitet për kuazarët, të cilët, megjithëse konsiderohen si trupat qiellorë më të largët, rezultojnë të kenë energji 1000 herë më të madhe se galaktikat e tjera. Sa kolosale duhet të jenë? Po pas tyre? Pra nga më e vogla e më e thjeshta shkohet gjithnjë drejt dimensioneve më të mëdha e më të komplikuara. Asnjë nuk arrin ta shpjegojë këtë ekuilibër të mahnitshëm në hapësirë e në kohë, i cili bëhet gjithnjë e më i mistershëm. Kush e realizon këtë unitet të mahnitshëm në univers? A nuk bëhemi gjithnjë e më të verbër para kësaj mrekullie, pikërisht atëherë kur kujtojmë se jemi në prag të zbulimit të së vërtetës? Vetëm një ateist injorant, i cili kujton se filozofia materialiste që ka mësuar në shkollë i ka vënë vulën diturisë së tij, nuk mrekullohet para kësaj të panjohure.

Nga universi le të zbresim në Tokë ku mrekullon jeta me larminë e madhe të saj. Arritjet e deritanishme shkencore kanë përcaktuar se toka, ose më saktë korja e saj, është formuar rreth 4,7 miliard vjet më parë, ndërsa jeta në të ka filluar të lulëzojë shumë më vonë, por si dhe kur, ende nuk është bërë e mundur të tregohet. Disa herë në biologji është dukur sikur është arritur në pragun e zbulimit të jetës. Treqind vjet më parë me zbulimin e baktereve, u tha se shkenca depërtoi përfundimisht në thellësitë e jetës, në kufirin e fundit që ndante botën e gjallë me të vdekur. Por dyqind vjet më pas, teknika elektronike i dha mundësi zbulimit të një bote të re, krejt të panjohur, asaj të viruseve njëmijë herë më të vegjël se bakteret dhe jo me strukturën e zakonshme qelizore, por shumë më të thjeshtë, të përbërë vetëm nga një nukleoproteid (ADN ose ARN), që përbën boshtin rreth të cilit bëhet pështjellimi i molekulës proteinike. Përsëri ky zbulim tjetër i madh është publikuar si kufiri i fundit që ndan tokën e vdekur me atë të gjallë. Megjithëse kjo distancë konsiderohet shumë e vogël, ajo ka mbetur e paarritshme.

Me gjithë progresin e madh të biologjisë molekulare, përsëri nuk është arritur të shpjegohet se si ajo mori lëndësh organike e jo organike që gjenden në ujë, formuan qelizën e parë primitive të gjallë. Edhe pse janë arritur të krijohen në laborator (in vitro) aminoacide, proteina e acide nukleikë, të cilët janë përbërësit e qelizës së gjallë, përsëri ata kanë mbetur pa jetë.

Në lëmin teorik janë bërë shumë supozime interesante shkencore, por megjithatë akoma nuk ka asnjë argument bindës që të vërtetojë shfaqjen e jetës. Koncepti fiziko-kimik i formimit të saj nën ndikimin e faktorëve të jashtëm, përfundimisht nuk arrin të shpjegojë se si dhe kur filloi ajo. Gjithashtu për idenë e vetorganizimit të materies nga kombinimi i rastësishëm i elementeve të domosdoshëm, që çuan në formimin e proteinës së gjallë, janë bërë përpjekje për argumentim jo vetëm nga biologë e kimistë, por edhe nga matematicienë e biofizikanë. Stenli Miller, i cili provoi të imitonte disa kushte të atmosferës primitive brenda një aparati ku kishte futur amoniak, metan e hidrogjen, arriti të konstatojë vetëm formimin e disa aminoacideve që janë përbërës të proteinave e asgjë për jetën. Ai zbuloi vetëm një rrugë, të cilës askush nuk ia di fundin. Ndërsa fituesi i çmimit Nobel, Manfred Eigen, pas një studimi të përllogaritjeve të sakta, dëshmoi se, për të gjeneruar një molekulë proteinike në lojën e rastit, ujërat e planetit tonë edhe për afër 10 miliard vite të tjera do të mjaftonin për të formuar ndonjë tip të proteinës së gjallë. Edhe teoria e Oparin-it, që studiohet në shkollat tona, e koacervateve të përzgjedhura në natyrë, të cilat konsiderohen si stërgjyshet e qelizave të gjalla primitive, përfundimisht mbetet vetëm një ide përderisa nuk arrin të shpjegojë se si këto bulëza proteinike pa jetë u transformuan në qeliza të gjalla. Pra, të gjitha teoritë tregojnë vetëm rrugët e mundshme që kalon materia e vdekur drejt tranformimit në organizimin më të lartë, në “materie të gjallë”. Me një shprehje popullore mund të themi shkurt: të gjitha të çojnë në sofër, por të lënë pa ngrënë. Kështu, shkencëtarë të tjerë, duke mos mundur të shpjegojnë dot origjinën e jetës në tokë, supozojnë se aktiviteti biologjik në kozmos duhet të ketë filluar shumë më herët se krijimi i Tokës, duke ngritur kështu hipotezën e “jetës parajetës”.

Atëherë, përderisa shkenca nuk arrin të sjellë qoftë edhe një argument të thjeshtë të formimit të jetës jashtë organizmit të gjallë, mesazhin e saj, me gjithë bazën materiale plotësisht tokësore, duhet ta kërkojmë jashtë toke.

Janë interesante konstatimet në të gjitha shkencat, se shumë të panjohura të universit janë shpjeguar në esencë nga po ato ligje unikale që ekzistojnë në tokë. Pra, në qoftë se do të pranojmë se sistemi ynë diellor është më i vogli e më i thjeshti, kur e krahasojmë me sisteme të tjera më të mëdha deri te kuazarët gjigantë, atëherë njeriun, këtë mrekulli të tokës pse të mos e konsiderojmë, paralelisht, si qenien më të thjeshtë të universit, e për pasojë më të paaftën për të zbuluar të fshehtat e tij? Në këtë mënyrë duhet ta konsiderojmë veten të verbër para këtyre mrekullive.

Një gjë duhet të mbetet e qartë: që të pranosh realizimet e shkencës e të punosh për të, nuk do të thotë të mohosh besimin tënd, i cili fillon aty ku shkenca duket se nuk do të arrijë kurrë. Për këtë Kur’ani thotë: “…pyesni ata që dinë për ato që nuk dini” (16:113) dhe pastaj “…mos u kënaqni me pak dituri” (17:85) ose “Zoti im, shtoje diturinë time” (20:114). Ndërsa profeti Muhamed a.s. udhëzon: “Kërkimi i diturisë është farz(detyrim) për çdo mysliman e myslimane”. Pra, jo vetëm nuk ka asnjë kontradiktë midis shkencës e Islamit, por përkundrazi, ai u bën thirrje njerëzve për të studiuar botën, për ta shfrytëzuar atë për të mirën e tyre. Të besosh nuk ke asnjë humbje, veç fitim.

Përfundimisht, të gjitha çka parashtruam më lart, përputhen plotësisht me parimin e parë themelor të Islamit, në besimin te një fuqi e jashtëzakonshme, besimi te një fuqi e vetme dhe përkryer, të cilën e quajmë Zot. “Ai nuk ka lindur kënd. Ai nuk është i lindur prej askujt. Me atë askush nuk është i barabartë” (112: 3-4).

Muhamed Xhoi