Dihet se lumturia është parajsa e ëndrrave të çdo njeriu e që kërkohet prej të gjithë njerëzve. Lind pyetja: Ku është lumturia?

Është një pyetje që ka çuditur gjithë njerëzimin, që nga kohët e lashta e deri më sot. Është kërkuar nga shumë njerëz, por u kërkua atje ku nuk duhej të kërkohej, prandaj mbetën pa përgjigje. Tani le të hedhim dritë mbi gjërat në të cilat mendohet se gjendet lumturia. Bëjmë pyetjen: A është lumturia në mirëqenien materiale? Shumë njerëz mendojnë se të jesh i lumtur, do të thotë të jesh pasanik, të kesh mirëqenie të lartë materiale, pra të jetosh mes gjithë të mirave. Por me një vështrim të shpejtë në realitetin tonë, do të gjejmë se lumturia nuk qëndron në mirëqenien e lartë materiale, siç pretendohet. Përpara nesh kemi shembullin e vendeve që kanë nivelin e mirëqenies më të lartë, siç është për shembull, Suedia, por mirëqenia e lartë materiale nuk i ka bërë të kënaqur njerëzit. Po si është mirëqenia atje? Sistemi shoqëror arriti të eliminojë dallimet e padrejta të klasave dhe arriti të vendosë sigurime shoqërore, shëndetësore për të gjithë shtetasit. Kështu, për shembull, një shtetas suedez merr asistencë shoqërore, asistencë shëndetësore për ngritjen e çmimeve, asistencë banimi, asistencë për të verbrit, po ashtu edhe mjekimi në spital bëhet falas dhe gratë marrin asistencë për vete, duke përfshirë shpenzimet e lindjes, për kujdesin mjekësor në spital, po ashtu asistencë shtesë për çdo fëmijë që lind, përkrahja sociale që u jepet të papunëve është përkrahje në nivelin më të lartë në të gjithë botën. Ja pra, këto ishin disa nga përkrahjet dhe asistencat që u jepen njerëzve nga shteti në Suedi. Por, edhe pse ndodh kështu, atje numri i vetëvrasjeve është në nivelin më të lartë në të gjithë botën. Po ashtu edhe në Amerikë, që është shteti më i përparuar në botë, njerëzit nuk janë të kënaqur nga jeta. Shkrimtarja e madhe franceze, Fransuaza Sagian, e cila e ka vizituar Amerikën shpeshherë, thotë: “Kriza që po përjetojnë banorët e Nju Jorkut është shpirtërore dhe sentimentale, njerëzit atje po mendojnë se si ta krijojnë kohën, pa ditur se si mund ta harxhojnë kohën e tyre”. Po ashtu kemi edhe profesorin e madh, Kolen Uelsu, i cili thotë: “Zhvillimi material në Nju Jork është një mbulesë e bukur për një jetë të vështirë dhe pakënaqësish. Tani mund të pyesim nëse mirëqenia mund të jetë apo jo shkaku i vetëm për të realizuar qetësinë dhe kënaqësinë shpirtërore? Natyrisht që përgjigja është ‘Jo’”. Pra, ana materiale e jetës nuk zë vendin e parë, as vendin më të gjerë në realizimin e lumturisë së njeriut, por është një nga elementet e kësaj lumturie, sepse ka raste kur pasuria bëhet shkak për lodhjen dhe pakënaqësinë e njeriut. Allahu xh.sh. për hipokritët thotë: “Mos u josh (o Muhamed) nga pasuria dhe fëmijët e tyre, sepse nëpërmjet tyre Allahu kërkon t’i ndëshkojë ata në këtë jetë, kështu që t’u dalë shpirti duke qenë jobesimtarë” (Teube, 55).

Po a janë fëmijët lumturia e vërtetë e njeriut? Faktikisht, fëmijët janë lulja e jetës dhe zbukurimet e saj, po ashtu janë filizat e së ardhmes. Dashuria ndaj tyre është instinkt në brendësinë e njeriut. Ndërsa në suren Kehf, në ajetin 46, Allahu thotë: “Pasuria dhe fëmijët janë stoli e jetës së kësaj bote, por veprat e mira, që mbeten përherë, janë më të mira te Zoti yt sa i përket shpërblimit dhe, janë më të mira sa i përket shpresës (për shpëtim)”. Por ndodh edhe e kundërta. Sa fëmijë ka që u kanë shkaktuar mjerime prindërve të tyre dhe sa të tjerë ua kanë shpërblyer prindërve me mosbindje ndaj tyre dhe me mohimin e të gjithë atyre të mirave, që u kanë siguruar gjatë jetës së tyre?! Sa prindër ka që vriten nga fëmijët e tyre për t’ua marrë sa më shpejt pasurinë e tyre?! Edhe ne vetë po shohim përditë se sa të lodhur e të pakënaqur janë ata njerëz që të vetmin synim të tyre kanë mbledhjen e pasurisë. Profeti a.s. thotë: “Po të kishte biri i Ademit (njeriu) dy lugina me flori, do të lakmonte që të kishte edhe një tretë.” Pra këtu konkludohet se fëmija nuk është lumturia e vërtetë e kësaj bote, por vetëm një element i kësaj lumturie dhe jo elementi kryesor.

A është shkenca moderne lumturia e vërtetë? A ka mundësi që shkenca moderne të realizojë lumturinë e vërtetë për njeriun? Përgjigjen do ta marrim nga fjalët e personaliteteve të dijes. Filozofi materialist anglez Bertrant Rasëll, pranon se, njeriu, në luftën e vet me natyrën, ka fituar me anë të shkencës, ndërsa me luftën e tij me vetveten, nuk i ka vlejtur shkenca. Ai pohon se feja akoma vazhdon të jetë kalorësi i vërtetë i kësaj fushe, sundimtare e botës së brendshme të njeriut.

Le të marrim një shembull tjetër. Psikologu amerikan, doktor Link, thotë: “Ne nuk mund të arrijmë një zgjidhje të shërueshme për probleme të thella të jetës dhe nuk kemi për të arritur lumturinë e vërtetë vetëm duke marrë njohuri shkencore, pa kuptuar se ekziston diçka tjetër që plotëson mungesën e shkencës në fushën e shpirtit”.

Pra del që lumturia nuk është as në pasurinë e shumtë e as në ndonjë post, nuk është në fëmijët e shumtë e as në shkencën moderne. Lumturia është diçka jo konkrete, që nuk shihet me sy dhe nuk matet me sasi, nuk blihet e as nuk shitet. Lumturia buron nga brendësia e njeriut.

Tregohet se një burrë një ditë i thotë bashkëshortes së tij, duke e kërcënuar e duke i thënë se do të të bëj ty gruan më të pakënaqur në botë. Ajo ia kthen: “Nuk ke mundësi të më bësh të pakënaqur, ashtu siç nuk ke mundësi të më bësh më të lumturën në botë”. Burri e pyet: “Si nuk paskam mundësi?!” dhe ajo iu përgjigj duke i thënë: “Në qoftë se lumturia është në ato para që më jep, atëherë ke mundësi t’i ndërpresësh, nëse ajo është në stolitë e mia prej floriri, po ashtu ke mundësi të m’i marrësh, por është diçka tjetër, të cilën ti nuk e ke në dorë”. Burri e pyet sërish: “Atëherë më thuaj se cila është kjo gjë?” Gruaja, duke qenë shumë e sigurt, i thotë: “Unë e gjej lumturinë time në besim. Ai është në zemrën time dhe askush nuk e ka në dorë zemrën time, përveç Zotit tim”.

Kjo është lumturia e vërtetë, lumturi që askush nuk ka mundësi ta japë apo ta marrë. Nëse lumturia është një pemë që mbillet në zemrën e njeriut, atëherë besimi tek Allahu dhe Dita e Gjykimit është lëndë ushqyese dhe lënda e tyre vaditëse është drita e saj.

Redaksia e Dritës Islame

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu