Robtë e të Plotmëshirshmit janë ata që…
ecin në tokë me thjeshtësi dhe, kur u drejtohen të paditurit, thonë: “Paqe!”. Ata që kalojnë natën, për Zotin, me krye në tokë e më këmbë. Ata që thonë: “Zoti ynë, na e largo dënimin e skëterrës, sepse dënimi i saj është vuajtje e madhe. Një vendqëndrim dhe pozitë e keqe.” Ata që, kur shpenzojnë, nuk shpërdorojnë, as janë dorështrënguar, por të matur. Ata që nuk lusin me Zotin zot tjetër, nuk vrasin pa të drejtë një frymë që Zoti e ka ndaluar dhe nuk bëjnë pandershmëri. – Kush e bën atë, gjen dënimin. I dyfishohet dënimi Ditën e Ringjalljes dhe do të jetë në të përgjithmonë i poshtëruar. Përveç atij që pendohet, beson e bën të mira. Të tillëve Zoti ua këmben të këqijat me të mira. Zoti është Falës, Mëshirëplotë. Kush pendohet dhe bën mirë, kthehet te Zoti i penduar. Ata që nuk bëjnë dëshmi të rreme dhe, kur ndodhen në biseda të kota, kalojnë me nder. Ata që, kur u përmenden dëshmitë e Zotit, nuk mbesin shurdhë e të verbër. Ata që thonë: “Zoti ynë, jepna kënaqësi nga bashkëshortet dhe pasardhësit tanë, bëna shembull për të devotshmit.” Këta do të shpërblehen me vendet më të larta të parajsës pasi duruan dhe do të gjejnë atje mirëseardhje e paqe. Përgjithmonë. Ç’vendqëndrim dhe pozitë e mirë! Thuaj: “Zoti im nuk do të shqetësohej për ju të mos qe lutja juaj, porse përgënjeshtruat dhe u bë e domosdoshme.”
(Kur’an, Furkán: 63-77)
FJALA E MIRË
Allahu na mëson që të themi fjalën e mirë çdo ditë dhe në të gjitha rastet. Ai na udhëzon, gjithashtu, që të përmbahemi nga përdorimi i fjalëve të këqija.
“A nuk e ke kuptuar se si Allahu bëri shembull fjalën e mirë, si pemën e mirë, që rrënjët e saj janë thellë (në tokë), e degët e saj janë lart, e që me vullnetin e Zotit, ajo jep fruta në çdo kohë. Allahu, pra, u parashtron njerëzve shembuj, që ata të mendojnë.” (Kur’an, Ibrahim: 24-25)
Allahu na vë në dijeni, që Ai pranon nga ne fjalën e mirë dhe veprën e mirë. Është gjithashtu Ai, që na jep ne fuqi, pushtet dhe një pozitë të lartë në këtë botë dhe jetën tjetër.
“E ti robërve të Mi, thuaju: ‘Le ta thonë atë që është më e mira, pse djalli mbjell ngatërresa ndërmjet tyre, e është e ditur se djalli është armik i hapët i njeriut.” (Kur’an, Isra: 53)
Allahu na udhëzon me këtë ajet, që të themi fjalën e mirë dhe të flasim me dashuri me njerëzit, ndryshe do t’i humbasim ata. Djalli do të luajë rolin e tij për të na ndarë dhe për të krijuar armiqësi ndërmjet nesh.
Edhe nëse ekziston ndonjë mosmarrëveshje, mospërputhje, grindje apo përplasje mes dy personave, myslimani duhet të thotë fjalën e mirë dhe të bëjë më të mirën për mënjanimin e tyre.
Fjala e mirë është ajo çka njerëzit duhet të kujtojnë, që të përfitojnë prej saj, ta ndjekin dhe të nxisin të tjerët ta bëjnë atë. Fjala e keqe sjell pasoja të këqija, për ata që e shqiptojnë atë. Ajo është si zgjyra që mblidhet brigjeve të lumenjve.
Myslimani duhet të tregojë kujdes për sjelljet e tij, mënyrën e të folurit dhe çdo gjë që vepron. Nëse nuk e bën këtë, nuk mund t’u kërkojë të tjerëve atë që nuk e bën vetë. Tek Allahu është shumë e urryer të thuhet ajo që nuk punohet.
Fjala e mirë dhe fjala e keqe dalin që të dyja nga e njëjta gojë dhe pasqyrojnë personalitetin, pikëpamjen, sjelljen, mentalitetin dhe brendësinë e individit.
Profeti Muhamed a.s. na mëson të themi fjalën e mirë, ose ndryshe, le të qëndrojmë të heshtur. Në një rast tjetër, Profeti Muhamed a.s. këshillon të kontrollojmë gjuhën (të folurit), nëse duam të kemi sukses dhe të jemi të shpëtuar.
Nëse dëshiron të shlyesh mëkatet dhe gabimet e tua, duhet të marrësh nismën për të bërë mirë për veten tënde dhe për të tjerët.
Kontrollo veten, nëse je midis njerëzve të mirë apo jo.
Të bëhesh i mirë dhe të thuash të mirën, duhet që ushqimi yt të jetë hallall, shtëpia jote të jetë e rregullt, të vishesh mirë dhe pastër, mënyra jote e të jetuarit të jetë e rregullt…
Ti vetë duhet të jesh i ndershëm, i sinqertë, zemërhapur, i çiltër dhe i drejtë.
Kur të përpiqesh e t’i zotërosh këto cilësi, ti, padyshim, mund të thuash të vërtetën dhe fjalën e mirë.
UNË, NJERIU…
Rubini është një gur i çmuar, trëndafili një lule, bleta një insekt… Unë jam njeri. Por cili është vendi im midis tyre? Kush jam unë dhe kujt i përkas?
“Zotin e njeh, kush njeh vetveten!”
Meqë qenka kështu, m’u dashka të njoh më parë vetveten. Duhet ta përdor vetveten si një çelës, për të përcaktuar vendin tim në botë dhe për të njohur Zotin tim. Vetëm atëherë mund të kuptoj çdo gjë në mjedisin që më rrethon, sepse më i rëndësishëm nuk është objekti që vështrohet, por “mënyra e të vështruarit”. Po e njoha vetveten, edhe njeriun do të mund ta njoh.
“Pjesët janë pasqyrë e të tërës.”
Unë jam njeri… Mbështetjen e kam në tokë, por shpirti më fluturon hapësirave kozmike. Fshehtësia dhe dëshmia takohen tek unë, kuptimi dhe sendi tek unë, bëhen një. Asgjë s’është e imja dhe çdo gjë është e imja. Çdo gjë është për mua dhe unë jam për Allahun. Jam mbreti i botës, por robi i Tij.
I vetëm, jam një hiç. Qenia ime – një hije. Çdo gjë që kam, Ai ma ka dhënë. Unë ekzistoj për Të. Dija ime, vullneti, fuqia, të gjitha këto i kam prej Zotit. Unë ndodhem këtu, për t’i shërbyer Atij si rob. Brishtësinë time e njoh – Fuqisë së Tij i trembem; varfërinë time e kuptoj – Mëshirës së Tij i besoj; të metat e mia i dalloj – faljen e Tij kërkoj…
Te çdo gjë që hedh sytë, shoh atributet e Allahut. Ngado që të kthehem, ndeshem me veprat e Tij. Cilësdo qenie t’ia mbështes veshin në gjoks, më numëron emrat e bukur të Tij…
O VIZITOR I KËSAJ BOTE…
Çdo njeri është një vizitor i përkohshëm në këtë botë dhe largohet, duke lënë pas disa gjurmë në të. Disa nga këto gjurmë mbeten në shekuj, disa të tjera zhduken me largimin e tij. Ata që vijnë pas tij, i ndjekin këto gjurmë; disa prej tyre i ngjasojnë një autostrade, që të çon drejt përsosmërisë dhe përjetësisë; disa të tjera të shpien në shtigje të pakapërcyeshme dhe në mbrapshti.
O vizitor i kësaj bote, po ti çfarë gjurmësh ke vendosur të lësh?
Po rregullove njeriun, ke rregulluar botën
Ishte ditë e shtunë dhe ai po lexonte një revistë, që herët me mëngjes. Kur ngrinte kryet nga revista, në mendje i vinte ideja se atë ditë e kishte pushim, ishte fundjavë. “Nuk do të lejoj askënd të ma prishë këtë ditë pushimi”, tha me vete.
Por, pas disa çastesh, i vjen i biri i cili i thotë: “Babi, kur do të dalim për shëtitje dhe ku do të na çosh sot?”
I ati e pa me vëmendje dhe në çast iu kujtua se një javë më parë, i kishte premtuar se do të dilnin për shëtitje bashkë në një vend të bukur. Por, sot ai kishte vendosur të mos e bëjë qejfin qeder, të mos dilte fare nga shtëpia, ta shijonte çdo çast të asaj dite pushimi. Pa ditur ç’të bëjë, i hodhi një vështrim revistës që po lexonte dhe në një nga faqet, dalloi hartën e botës. Menjëherë, e grisi faqen ku ishte harta dhe e bëri copa-copa të vogla, të cilat i hodhi lart në ajër para të birit. Pasi ranë përtokë, i tha të birit: “Para se të dalim shëtitje, duhet t’i mbledhësh këto copa letre dhe t’i bashkosh ashtu siç ishin, të bashkosh hartën e botës. More vesh? Ky është kushti!” dhe iu kthye leximit të artikujve brenda revistës. Me vete mendoi: “As profesori më i madh i gjeografisë nuk do të mund t’i bashkojë copat e letrës, e jo më ky buzëqumështi im.”
Por, dhjetë minuta më vonë, i biri e befasoi. Ai iu afrua pranë dhe i tha: “Ja ku e ke hartën tënde! A të bëhem gati për të dalë tani?”
I ati u shtang nga ajo që i shihnin sytë dhe si i hutuar e pyeti të birin: “Si arrite t’i mbledhësh copat e letrës kaq shpejt?!”
Djali i vogël ia ktheu: “Kur ti babi më dhe letrën mbi të cilën ishte printuar harta e botës, unë e ktheva nga ana tjetër dhe pashë që në anën tjetër ishte printuar imazhi i një njeriu. Me vete mendova:
“Nëse unë rregulloj njeriun, për rrjedhojë do të rregullohet dhe bota!”
Elmaz Fida