“Vërtet, Allahu (patjetër) do ta ndihmojë këdo që e ndihmon Atë (rrugën e Tij). Allahu është vërtet i Fortë dhe i Plotfuqishëm.” (Haxhxh, 40)

 “Vërtet, ata që i përulen Allahut dhe bëjnë vepra të mira, do ta kenë shpërblimin te Zoti i tyre; (ata) nuk do të frikësohen e as nuk do të pikëllohen.” (Bekare, 112)

Allahu kërkon nga besimtarët që besimin e tyre ta dëshmojnë me vepra të mira. Ai gëzohet kur sheh që dikush i afrohet një tjetri dhe i thotë: “Më thuaj, si mund të të ndihmoj? Vëlla, ç’mund të bëj për ty? Ndihmë konsiderohet shprehja më e vogël e humanizmit. Dhënia e ndihmës, të ndihmosh, të ndihmosh vazhdimisht, ky është besimi i vërtetë.

O njeri, besimi nuk qëndron vetëm në atë që të tregohesh besimtar para të tjerëve, ndërsa në të vërtetë përfundon në dëshira të pavlera. Besim i mirëfilltë është vetëm ai që është gdhendur në zemër dhe të cilin e vërtetojnë veprat e tua të mira.

Merrni mësim nga veprat e mira njerëzore, jo nga fjalët, sepse Allahu nuk e ka dhënë asnjë fjalë e që si dëshmi të mos i ketë caktuar edhe veprën.

Vetëm veprat e mira vërtetojnë ose mohojnë të vërtetën e fjalëve të dikujt. Kur dëgjon ndonjë ligjëratë të bukur, ki kujdes, sepse vetëm nëse fjalët e tij do të shoqërohen me vepra, ai njeri është me të vërtetë i mrekullueshëm. Nëse veprat e tij nuk përputhen me fjalët që ka thënë, ruaju të mos i përngjash atij në asnjë drejtim.

Myslimani kurrë nuk duhet të harrojë se është detyrim të bësh mirë për çdo ditë, për çdo orë e pandërprerë.

Tregojnë se kur e pyetën një person, i cili kishte qenë shok e mik i ngushtë për tridhjetë vjet me një njeri të ditur e të urtë, se si ndihej pas humbjes së mikut të tij, ai u përgjigj:

“Pashë se çdokush në jetë ka shokë, miq e dashamirës. Disa shoqërohen me ta derisa nuk sëmuren, disa shoqërohen deri në varr, por asnjëri prej tyre nuk shkon në varr me të. Duke menduar për këtë, arrita në përfundimin se, për njeriun, shoku më i mirë është ai që shkon me të në varr, duke i qëndruar edhe atje mik. Dhe shokë të këtillë janë vetëm veprat e mira. Prandaj, nuk iu ndahem atyre, sepse ato do të jenë për mua dritë në varrin e errët dhe bashkëbisedueset e mia atëherë kur gjithë të tjerët do më lënë vetëm.”

O njeri, bëj kujdes për veprat e tua. Mendo se një ditë do ta takosh Krijuesin dhe Zotin tënd. Me çfarë do t’i dalësh Atij përpara?

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here