Thërrime urtësie 2

MASHTRIMI

Njerëzit i duan shumë tri gjëra që nuk iu përkasin; duan nefsin (egon) dhe shpirtin (plotësimin e dëshirave), por këto janë të Allahut, duan pasurinë, por harrojnë që ajo është e (trashëgimtarëve) atyre që do ta trashëgojnë atë, duan kënaqësinë dhe rehatinë në këtë botë, por harrojnë që këto gjenden në Xhenet.

Vrapojmë pas të përditshmes që na ka verbuar me kënaqësitë që zgjasin sa një hapje-mbyllje sysh:

që na ka shurdhuar me këngën e kënduar nga të tjerë njerëz të mashtruar po prej saj,

që na ka lidhur duart e këmbët me gjëra që na duken të pakapërcyeshme dhe primare,

që na fton në rrugën që kanë ndjekur shumica e banorëve të këtij hani (Dynjasë),

që na bën të hedhim logjikën në koshin e plehrave e na ul në nivelin e shtazëve,

që na bën të harrojmë fundin e atyre brezave që kanë jetuar para nesh,

që na bën të harrojmë qëllimin e ardhjes në këtë jetë,

që na bën të harrojmë se sikundër kemi dalë nga barku i nënës, pa asgjë prej atyre që kemi fituar, pa asnjë rrobë veç qefinit, krejt të vetëm kemi për t’u larguar prej kësaj bote,

që na bën të mbyllim sytë përpara realitetit,

që na kthen në krijesa që nuk marrin mësim prej së kaluarës për të përballuar më lehtë të ardhmen,

që na bën të mendojmë se vetëm ne jemi të rëndësishëm, se ne jemi boshti i çdo gjëje, ndërsa të tjerët hiçgjë.

Por jo, të gjitha këto nuk janë veçse mashtrime, mashtrime me anë të të cilave “Dynjaja Plakë” përpiqet që të biem në dashuri me të, nuk janë gjë tjetër veçse një makijazh, i cili fsheh fytyrën e rrudhosur e të shpërfytyruar të “botës plakë” që po i vjen fundi.

Nëse ne do të mashtrohemi dhe nuk heqim syzet që shtrembërojnë të vërtetën, fati ynë do të jetë i dhimbshëm, pikëllimi dhe pendimi do të jetë i madh, por ç’e do, gjithçka do të jetë e pavlerë, pasi çdo gjë do të ketë mbaruar.

AI QË DO…

Ai që do t’i zgjerohet varri, le të ngrihet në errësirën e natës dhe të falet.

Ai që do të jetë nën hijen e fronit të Mëshiruesit, le të mos jepet shumë pas kësaj bote.

Ai që do të ketë llogari të lehtë para Allahut, le të jetë këshillues i sinqertë për veten dhe vëllezërit e tij.

Ai që do ta vizitojnë engjëjt, le të jetë i devotshëm.

Ai që do të banojë në mes të xhenetit, le ta kujtojë Allahun ditën dhe natën.

Ai që do të jetë i pasur, le të jetë i kënaqur me atë që Allahu ka përcaktuar për të.

Ai që do të kuptojë fenë e Allahut, le të jetë i thjeshtë.

Ai që do të jetë i zgjuar, le të marrë dije.

Ai që do që të jetë i sigurt nga njerëzit, le të flasë mirë për të tjerët.

Ai që do madhështi në këtë botë, le të zgjedhë këtë botë para asaj bote.

Ai që do Firdeusin (gradën më të lartë të Xhenetit) dhe lumturinë e paimagjinueshme që nuk mbaron asnjëherë, le të mos e kalojë jetën e tij duke u marrë me gjërat e ulëta të kësaj bote.

Ai që e do parajsën këtu e atje, duhet të jetë bujar, sepse bujaria është afër Parajsës dhe larg zjarrit.

Ai që do t’i ndriçohet zemra me një dritë të përsosur, duhet të meditojë, të mendojë dhe t’i shtojë veprat e mira çdo ditë.