Kurbani është një shprehje përkushtimi, sakrifice, sinqeriteti dhe nënshtrimi ndaj vullnetit hyjnor. Ky nënshtrim e përkushtim simbolizohet në mënyrë kulmore me Ibrahimin dhe Ismailin.
Ngjarja e treguar në Kur’anin fisnik (Safat, 100 107) paraqitet si një horizont në emër të bindjes dhe nënshtrimit ndaj urdhrave të Allahut për besimtarët. Ç’përkushtim, besim e bindje e jashtëzakonshme vërehet te Ibrahimi?! Për vite të tëra zemra i ishte djegur nga dëshira për të pasur një fëmijë. Allahu i dhuroi një bir kur ishte në moshë të thyer. Më pas, kur djali e kaloi moshën e fëmijërisë dhe mbërriti në moshën që mund të rendte pas të atit, të shoqërohej e të punonte me të, Ibrahimi pa në ëndërr se i duhej të flijonte të birin. Ai e kuptoi se kjo ëndërr ishte një shenjë prej Zotit të tij, që i urdhëronte të bënte të birin kurban. E pra, ajo që ai shihte në ëndërr ishte veç një shenjë e jo një zbulesë e qartë. E megjithatë, kjo ishte e mjaftueshme që Ibrahimi të përulej përpara urdhrit të Allahut dhe t’i shprehte Atij bindje të plotë. Ndërkohë, ajo që po i kërkohej nuk ishte që ta dërgonte të birin në luftë apo t’i urdhëronte diçka që mund t’i kushtonte jetën, por ta flijonte me duart e veta. Ibrahimi, në një dorëzim e nënshtrim të plotë, me paqe e qetësi të brendshme, iu drejtua të birit dhe pa se edhe ai gëzonte të njëjtin përkushtim e nënshtrim. Atë e bir, në kulmin e përkushtimit ndaj Allahut, iu vunë punës për ta çuar në vend atë që u kërkohej. Kur Ibrahimi e përgatiti të birin duke e shtrirë për ta flijuar, Allahu i Lartësuar i bëri të ditur se e kaloi sprovën dhe i dërgoi një dash kurbani për ta flijuar në vend të tij. Kështu, kujtimi i kësaj ngjarjeje të madhe që lartohet si pishtar i bukurisë së bindjes dhe i madhështisë së përkushtimit, vijohet sot e kësaj dite me traditën e therjes së kurbanit. Profeti ynë, duke tërhequr vëmendjen për këtë çështje, ka urdhëruar e ka thënë: “Therni kurban, sepse therja e kurbanit është shembulli i Atit tuaj, Ibrahimit” (Ibnu Maxhe, Edahi, 3; Ahmed b. Hanbel, Musned, 4/368; Hakim, Mustedrek, 2/422).
Kurbani zhvillon shpirtin e bindjes e të përkushtimit ndaj Allahut. Në këtë mënyrë, njeriu mbart në vetvete sjelljen e nënshtrimit ndaj Zotit, përpiqet të vërë në vend detyrën e mirënjohjes, i afrohet Allahut dhe kurbani kthehet në një shkak për këtë afri hyjnore.
Veç kësaj, kurbani ka vlera të veçanta edhe në jetën shoqërore. Kurbani nxit dhe zhvillon shpirtin e vëllazërimit, të ndihmës, të sakrificës e të mbështetjes tek njëri-tjetri. Ai ndihmon në zhvillimin e drejtësisë, siguron një ndihmesë domethënëse në kapërcimin e hendeqeve mes shtresave shoqërore dhe në njohjen, afrimin dhe shkrirjen mes individëve të niveleve të ndryshme.
Në jetën e njerëzve të varfër, që nuk janë në gjendje të blejnë mish ose që mund të blejnë shumë pak të tillë, kuptohet qartë mirësia e bereqeti i këtij ibadeti. Kurbani e mëson të pasurin që të dhurojë nga malli i tij për të fituar kënaqësinë e Allahut. Ai nxit ndihmën e ndërsjellë dhe bën të ndihet në shpirt kënaqësia e dhurimit dhe e ndihmës. Në këtë mënyrë, ai e çliron botën nga sëmundja e koprracisë, nga përkushtimi i tepruar ndaj pasurisë së kësaj bote.
Kurbani bëhet shkak që edhe i varfri, me ndihmën e njerëzve në gjendje më të mirë ekonomike, të falënderojë Allahun. Njeriu i varfër, në saje të kurbanit, çlirohet prej pesimizmit dhe armiqësisë që mund të ndiejë për arsye të shpërndarjes së të mirave materiale në këtë botë dhe kupton se shoqëria në të cilën jeton tregon vëmendje ndaj tij.
Krahas gjithë atyre sa u thanë, për kurbanet e therur për hir të Allahut janë premtuar shumë e shumë shpërblime.
Ebu Saidi rrëfen se ka dëgjuar Profetin (a.s.) të thotë: “Ngrihu o Fatime e shih therjen e kurbanit, se për çdo pikë që pikon nga gjaku i tij shpërblehemi me faljen e mëkateve që kemi bërë më parë. Ajo e pyeti: -O i dërguari i Allahut! A është kjo vetëm për Ehli Bejtin, apo për të gjithë myslimanët? Ai tha: -Për ne dhe për të gjithë myslimanët”.
Një mysliman që e ther kurbanin me zemër të pastër dhe sinqeritet, ditën e gjykimit do të shpërblehet mirë tek Zoti. Pejgamberi ynë për këtë çështje shprehet: “Ditën e kurbanit nuk ka asnjë vepër të birit të Ademit më të dashur tek Allahu se sa therja e kurbanit. Ai kurban vjen ditën e gjykimit me brirët, lëkurën dhe thundrat e tij. Gjaku i kurbanit tek Allahu ka një vlerë të madhe. Kurbani pranohet para se gjaku të bjerë në tokë. Paraqitini kurbanet tuaja tek Allahu me një zemër të pastër dhe të sinqertë.” (Tirmidhi, Edahi 1; Ibn Maxhe, Edahi 3).
Kurbani i therur për hir të Allahut, në urën e siratit, që do të jetë një urë shumë e vështirë për t’u kaluar për në Ahiret, do të ndihmojë si kafshë mbartëse. Profeti ynë për këtë çështje ka urdhëruar e ka thënë: “Zgjidhni për kurban kafshën më të mirë e më të bukur, sepse ajo do t’ju mbartë ju mbi urën e siratit.” (Deylemi, El-Firdevs bi Mesuri’l-Hitab, 1/85; Munavî, Feyzu’l-Kadir, 1/496. Shih: Bediüz¬zaman, Sözler, 17. Söz).
Kurbani mbart edhe plot vlera të tjera. Adhurimet, më shumë sesa për çdo vlerë e dobi jetësore, duhen kryer në radhë të parë për hir të Allahut. Në këtë kuptim, krahas çdo dobie individuale e shoqërore, kurbani është një adhurim që kryhet për të arritur kënaqësinë e Allahut. Në Kuran thuhet: “Këtë mos e harroni, se as mishi i tyre (i kurbaneve), as gjaku i tyre assesi nuk mbërrijnë tek Allahu. Ajo çka mbërrin tek Ai është vetëm përkushtimi që ushqeni në zemrat tuaja, është respekti për Allahun…” (Haxh, 22/37).
Ledian Cikalleshi