VETMIA DHE UNITETI

Zoti e ka krijuar njeriun si një qenie shoqërore. Individi duhet të dijë se nuk mund të beje qëndresë i vetem përballë grupeve, bashkimeve dhe bashkësive perverse e destruktive. Një njeri, edhe sikur te jetë në kulm të aftësive të tij, nuk mund të jetojë dot vetëm  me gjenialitetin e vet, me botën e vet të dijes dhe kulturës, madje me zbulimet dhe parashikimet e veta i vetëm perballe tufaneve dhe perversiteteve të mëkateve të këtij shekulli, edhe sikur të jetojë, mund të bëhet në çdo kohë pre e ujqërve, sepse eshte ndare nga tufa! Veçanerisht ai mbetet i privuar nga begatitë që do t’i sjellë, nga avantazhet që do t’i sigurojë dhe favoret që do t’i bëjë të qenit pjesëtar i një bashkësie. Njeriu, këmbët e të cilit nuk shkelin mbi truall bashkësie, është si një gjethe e rënë e cila shkelet me këmbë ose i merr me vete era nga të dojë.

“Ai që jeton vetëm është një djall”. Po, njeriu që jeton vetëm, herët a vonë mund të bjerë në kurthin e djallit! Çdo mendimi i keq i hedhur nga djalli në mendje dhe përfytyrim, është si një farë që do të mbijë dhe hedhë shtat në dheun e vetmisë dhe shqetësimit shpirtëror. Te njeriu i vetmuar, mendjen, zemrën dhe shpirtin e të cilit e mbushin farat e së keqes dhe mëkatit, është pothuaj e pa mundur që të mos vijë një ditë që këto fara të zhvillohen, të përhapen duke shpërthyer jashtë tij, pra, duke u bërë të dukshme e të japin fryte të mëkatit. Çdo njeri kushedi sa herë e ka ndjerë që e kanë shtypur këto mendime e përfytyrime që e vënë në vështirësi  herë pas here, se rrënja e këtyre mendimeve të këqija duhet tharë qysh kur janë ende farë, dhe është perpelitur me pendesë. Vëllezërit dhe shokët tanë të shërbimit ndaj kauzës së përbashkët, janë ndihmësit tanë tejet të dobishëm që mendja, zemra dhe shpirti të mos na pushtohen prej farërave të së keqes që vijnë prej djallit dhe që këto të pastrohen qysh në krye. Njeriu i shkëputur prej shokësh, me mendjen e tij të mbetur të lirë, sidomos “po të hyjë nën jorgan”, zhytet e humbet në botën e përfytyrimit që dëshiron, ose rend andej nga e zvarrit djalli dhe ndodh që nuk mund të kthehet pa marrë plagë nga ai udhëtim iluziv me pamje rrënqethëse…

Njeriu duhet të ikë nga të mbeturit vetëm, siç ikën nga gjarpri, sepse vetmia i hap rrugë tronditjes së shpirtit të njeriut nga mendimet prej gjarpri. Të njëjtat rreziqe ekzistojnë dhe kur janë dy vetë, sepse është gjithsesi e mundur që të dy vetët të merren vesh per të bërë një të keqe. Kurse, sipas llogaritjeve, është pothuajse e pamundur që tre vetë të merren vesh për të bërë të këqija dhe mëkate. Me formulën “Edhe dy vete janë më afër djallit, kurse tre vetë janë bashkësi që i largohen atij”, vrimat nga mund të hyjë djalli për të zënë vend te njeriu, zvogëlohen shumë!

Shumë herë dhe në shumë vende, zemra dhe fuqia mund të mos na mjaftojnë për të na mbajtur të gjallë e vitalë. Vështrimet mund të na mjegullohen, gjoksin mund të na e mbështjellin mjegulla dhe tymi, zemra mund të na ngurtësohet dhe dashuria me emocionin mund te nisin të humbin mes punëve të përditshme, jetës shumëngjyrëshe dhe, si rezultat i një bllokimi që mund të shkaktohet për pasoje, Zoti na ruajt, mund të biem në mjerim. Po, por të jemi të paktën tre vetë, në mos nga të dy shokët e tjerë, nga njëri, kemi mundësi të ushqehemi me mëshirë, të freskohemi me frymëzime e, kështu, kemi mundësi të vazhdojmë të marrim frymë në një atmosferë pasioni dhe dëshire të lartë.

Strehimi  më i rëndësishëm që do e mbrojë njeriun nga egoj, nga rënia viktimë e djallit, nga armiqtë tanë me anë të kanaleve dhe degëve shoqërore në rrugët nga ne do të kalojmë, janë bashkimi dhe uniteti në bashkësi. Ftesa për ta pranuar dhe përvetësuar këtë ide është një nga çështjet më jetësore të ditëve tona.

 

Në bashkim ka kurdoherë fuqi

Ndërsa dy individë të veçuar nuk e kapërcejnë dot 1-shin, kur vendosen  pranë e pranë bëjnë 11, kurse kur vendosen pranë e pranë 3 njësha bëjnë 111. Dhe tani, këtë gjendje që u përpoqem ta shprehim në mënyrë vulgare me një lojë shifrash, mendojeni duke e krahasuar ndriçimin që do të bëjë një njeri duke mbajtur në dorë një pishtar në errësirë, me ndriçimin që do të bëjnë 11 ose 111 vetë. E njëjta gjë ndodh edhe kur duhet ngritur ndonjë peshë. Shtojini fuqisë së thjeshtë fizikë edhe aleancën e mundësive dhe aftësive mendore e shpirtërore më dijen, njohjen, mendimin dhe arsyen. Veçanërisht në qoftë se në këtë mes ka dhe unitet qëllimi e ideali, si dhe përpjekje e vendosmëri teë njëjtë, atëherë zemrat me të vërtetë fillojnë të rrahin me një forcë të tillë që s’kanë ç’t’u beëjnë as topat! Po kështu, po të mendoni se jeni ndriçuar nën shikimet plot dritë të stolisura me mëshirë, dhembshuri, e buzeqeshje drite te shokeve me nivel shumë të lartë jetësor të botës së brendshme, të botës ndjesore e shpirtërore dhe në fytyrat e të cilëve do të mund të sodisni figura engjëllore, do ta kuptoni akoma më mirë se në ç’atmosferë kundër mashtrimeve të djallit dhe aftësisë djegëse të mëkateve ndodheni! Brenda kësaj atmosfere do të shtohet edhe forca e vullnetit dhe e zemrës tuaj të dobët e cila do të fitojë rezistencë. Si rrjedhojë do të bëheni zotërues të një fuqie të dyanshme.

  “Ata janë një bashkësi e tillë që, ai që ndodhet mes tyre, nuk bëhet i pafat!”

Sigurisht ai që ndodhet në trëndafilishtë, të paktën përfiton nga aroma e trëndafilave. Disa herë ndodh që ai i cili largohet nga bashkësia për dy ditë, bëhet sikur të jetë larguar katër ditëe, ai që largohet katër ditë, bëhet sikur të jetë larguar tetë ditë dhe e ndjen veten në boshllëk dhe të ndrydhur. Kjo është krejt si puna e errësirës që, sa më shumë të largohesh nga burimi i dritës, bëhet më e thellë.

Njeriu që të fitojë qendrueshmëri ndaj dredhive dhe intrigave të djallit, duhet çdo ditë e më shumë të dimensionohet në mendim dhe meditim, të  mbledhë argumentet e njohjes dhe aftësisë intuitive të Zotit nga libri i gjithësisë si dhe të  ndjekë  rrugën e shtruar nga profetët.  Kështu njeriut do ti përftojë vitalitet shpirti dhe çdo hap i hedhur do të jete për të një burim force. Në të kundërt, biem në ambientim, në pasojën e njerëzve që nuk lexojnë, që nuk mendojnë dhe që nuk e rinojnë vetveten, zbehemi, zverdhemi, na merr era dhe humbemi.

Për të arritur bashkimin, unitetin dhe aleancën, dhe një vëllazëri ku zemrat rrahin sëbashku, në vend të qindra mendjeve, ideve dhe filozofive, duhet të kemi për orientim kriteret e Zotit dhe të Dërguarit të tij! Në vend që të pyesim pse jemi bërë copa-copa, të shmangemi nga fjalët, sjelljet dhe veprimet që çojnë në copëtim dhe, në vend të keshillave për bashkim, të themi fjaë të ëmbla e të bëjmë veprime që çojnë në bashkim.

Njeriu nuk duhet të pretendojë se vetëm rruga e tij është e drejtë dhe, kështu, të mos u njohë të drejtë jete të tjerëve. Besimtari mund të thotë se rruga e tij është e drejtë, e bukur, e mirë, e pëlqyeshme, e goditur, por nuk mund të thotë se vetëm e tija është e drejteë dhe e vëertetë. Është mjaft e natyrshme që njeriut t’i duket më e mirë dhe më e bukur rruga e tij sepse e ka me zemër dhe njeriu bëhet i suksesshëm dhe rezultativ në një punë me aq sa e bën të veten dhe e dashuron atë!

Është gabim t’i nxish të tjerët dhe t’i damkosësh ata si të metë dhe të shemtuar. Duhet të dish si të ulesh e bisedosh me çdo njeri, zemra e të cilit rreh me dashurinë për atdheun dhe popullin, ta miratosh dhe përgëzosh atë pa i dhënë rast hapjes së portës së kritikës dhe t’u përgjigjesh gjërave të bukura me fjalë të bukura.

Kushdo që thotë se vetëm rruga e tij është e drejtë dhe e vërtetë, kurse të tjerat, të shtrembra e të gabuara, pavarësisht se kush është, u hap rrugë pakënaqësive dhe dasive serioze.

 

Përshtati: Arbi Tarja