Fjala gadab e përdorur në kuptimin e zemërimit dhe dufit, është një gjendje e cila shfaqet me dëshirën për të hequr situatat e tepruara apo të cilat kanë tejkaluar masën. Kjo ndjenjë e vendosur në thellësi të zemrës është si një gacë e mbuluar nga hiri. Ky zjarr i ndezur brenda personit i cili nuk ka arritur qëllimin ndez dhe gjakun e tij. Në fund kur mendja nuk arrin të kryejë funksionin e saj, njeriut i verbohet shikimi dhe dobësohet fuqia e gjykimit. Për këtë arsye Profeti ynë i nderuar (a.s.) thotë: “Një gjykatës mos të marrë vendim për sa kohë është i zemëruar.’ (Tirmidhi, Ahkam, 7). Krahas kësaj, njeriu mund të turpërohet ndaj veprimeve dhe fjalëve të thëna kur ka qenë i zemëruar. Prandaj është thënë gjithmonë se kur njeriu zemërohet sytë verbohen dhe mendja nuk punon. Madje zemërimi i tepruar ndonjëherë është cilësuar si një çmenduri kalimtare.

Nëse situata del jashtë kontrollit të mendjes dhe linjave fetare, në shumicën e rasteve mund të arrijë në dimensione agresiviteti. Personi duhet të mbajë nën kontroll zemërimin në këtë rast dhe ta përdorë atë në një mënyrë të përshtatshme me prizmin e moralit islam. Ngjarja e treguar nga Abdullah bin Amr në lidhje me këtë çështje është shumë domethënëse:

Unë mbaja shënim çdo gjë që dëgjoja nga Profeti (a.s.) me qëllim mësimin e tyre përmendësh. Disa persona nga fisi Kurejsh më penguan ta bëj diçka të tillë duke më thënë:

– Si mban shënim çdo gjë të dëgjuar nga profeti Muhamed (a.s.) ndërkohë që ai është një person i cili flet edhe kur është i qetë edhe kur zemërohet?

Pas këtyre fjalëve hoqa dorë nga shkruajtja. Më pas shkova pranë Profetit (a.s.) dhe i tregova për ngjarjen.

“Shkruaj, betohem në Allahun në duart e të Cilit është shpirti im, nga kjo gojë nuk del asgjë tjetër përveç të vërtetës.”, tha ai duke treguar me gisht gojën e tij. (Ebû Dâvûd, İlm, 3)

Me këtë sjellje Profeti (a.s.) ka treguar se edhe ai mund të zemërohet siç zemërohet çdo njeri, por mund ta kontrollojë zemërimin dhe se ai nuk e pengon për të thënë të vërtetën. Ndërsa në një ajet kuranor besimtarët e përkushtuar përshkruhen kështu:

“Të devotshmit të cilët japin lëmoshë edhe kur janë në mirëqënie edhe kur janë në vështirësi, e mposhtin zemërimin dhe ua falin fajet njerëzve. Allahu i do bamirësit.” (Al-i Imrân, 3/134)

Profeti (a.s.) e ka cilësuar si trim të vërtetë atë të cilin kontrollon nefsin e tij kur zemërohet (Buhâri, Edeb, 76) dhe ka përgëzuar ata të cilët e mundin zemërimin me shumë mirësi të xhenetit. (Ebû Dâvûd, Edeb, 3)

Përsëri në shumë thënie profetike theksohet se zjarri i zemërimi lidhet ngushtë me djallin të krijuar nga zjarri dhe se duhen zbatuar disa principe në rast të zemërimit:

1) Të kërkosh mbrojtje nga Allahu: Profeti i nderuar është shprehur kështu në prani të dy personave të cilët shanin njëri-tjetrin për shkak të zemërimit: “Unë di një fjalë të cilën po ta shqiptonte ky burrë do t’i shuhej zemërimi. Ajo është ‘Eudhu bil’lahi minesh-shejtanirr-rraxhim’, që do të thotë: ‘Kërkoj mbrotje te Zoti i Madhëruar nga shejtani i mallkuar.’ (Buhârî, Edeb, 76; Ebû Dâvûd, Edeb, 3) Krahas kësaj ne kemi dhe lutjen të cilën Profeti ynë ia ka mësuar nënës sonë Ummu Selemes: ‘O Zoti i Muhamedit, të dërguarit! M’i fal mëkatet e mia dhe ma hiq zemërimin nga zemra ime! ‘(İbn-i Hanbel, VI, 302). Edhe kjo lutje është një shkas për të shpëtuar nga flakët e zemërimit.

2)Të marrësh abdes: Profeti (a.s.) ka thënë: Zemërimi është nga shejtani dhe shejtani është krijuar nga zjarri. Zjarri shuhet vetëm me ujë. Kur ndokush prej jush zemërohet, le të marrë abdes.’ (Ebû Dâvûd, Edeb, 3)

3)Të ndryshosh vendin: Një tjetër gjë që mund të bëjë njeriu kur është i zemëruar është të kalojë në një gjendje më pasive dhe të qetësohet. Kjo shpejgohet kështu edhe në një thënie të Profetit (a.s.):

“Kujdes! Zemërimi është si një copë zjarri në zemrën e njeriut. Si nuk e shihni sesi njeriut i verbohen sytë dhe i fryhen damarët e qafës kur zemërohet? Le të shtrihet në tokë kushdo që të arrijë në këtë gjendje. (Tirmidhî, Fiten, 26). Një hadith tjetër është formuluar kështu:

“Kur njeriu zemërohet le të ulet nëse është në këmbë, nëse nuk qetësohet le të shtrihet.” (Ebû Dâvûd, Edeb, 3)

4) Të zgjedhësh heshtjen: Dihet se kur dy persona ofendojnë dhe shajnë njëri-tjetrin doza e zemërimit do të shtohet. Për këtë arsye Profeti ynë i nderuar na këshillon: ‘Kur njëri prej jush zemërohet, le të heshtë.’ (İbn-i Hanbel, I, 239) sepse një njeri i zemëruar për diçka të thjeshtë mund të arrijë në pasoja të hidhura dhe të papritura në zemërim e sipër.

Tregohet se një herë kur Ebu Bekrin (r.a) e kishte ofenduar dikush në prani të Profetit (a.s.), ai nuk ishte përgjigjur, pra kishte heshtur. Herën e dytë Ebu Bekri (r.a.) i ishte përgjigjur me të njëjtën mënyrë ofenduesit. Në atë çast Profeti (a.s.) ishte larguar prej aty. Kur Ebu Bekri (r.a.) e kishte pyetur nëse kishte vepruar gabim, Profeti (a.s.) i ishte përgjigjur:

“Në të vërtetë kur ti heshte, erdhi një engjëll i cili përgjigjej në vendin tënd. Por kur ti fillove t’i kundërpërgjigjeshe në të njëjtën mënyrë, engjëlli u largua dhe në vend të tij erdhi djalli. Unë nuk mund të rri në një vend me djallin.’ (İbn-i Hanbel, II, 436).

Edhe kthimi i fytyrës në anën tjetër dhe mosinteresimi me ofenduesin është një nga metodat e suksesshme të mundjes së zemërimit të praktikuara nga Profeti ynë i nderuar. (Ebû Dâvûd, Libâs, 17; İbn-i Hanbel, III, 14)

Në moralin islam nuk shihet e drejtë kënaqja e nefsit me zemërim dhe shihet më e arsyshme falja e palës përballë dhe në lidhje me këtë janë dhënë këshilla shumë të vyera. Krahas kësaj gjendja e zemërimit dhe vazhdueshmëria e saj shoqërohet edhe me shumë dëme të tjera shpirtërore dhe materiale, me mungesë personaliteti, burracakëri dhe arrogancë. Por në rast të lëshimit pe në çështjet fetare apo në rast të cenimit të vlerave të shenjta, zemërimi do ishte reagimi më i duhur . Sepse siç e shohim Profeti (a.s.) është një person i cili nuk është hakmarrë asnjëherë për veten e tij, por nuk ka falur askënd as vajzën e tij, Fatimen në rast të nënvlerësimit të kufijve të Islamit. (Buhârî, Hudûd, 11, 12; İbn Mâxhe, Hudûd, 6). Me ndihmën e zemërimit të matur e të kontrolluar dalin në pah cilësi morali të larta si trimëri e guxim dhe mbrohet nefsi i njeriut. Në Kur’anin famëlartë Zoti i madhëruar i tërheq vëmendjen besimtarëve të jenë të butë e të mëshirshëm, modestë mes tyre dhe të ashpër, të vendosur kundër jobesimtarëve. (Mâide, 5/54; Fet’h, 48/29)

Redaksia

 

 

 

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu