Nëse e doni Allahun…
“Thuaj: Nëse e doni Allahun, atëherë ejani pas meje që Allahu t’ju dojë.” (Al ‘Imran, 31)
Ky ajet paraqet një metodologji të qartë për ata që duan të fitojnë dashurinë e Allahut. Dashuria e Tij mund të fitohet vetëm duke ndjekur rrugën e të dashurit të Tij, Pejgamberit Muhamed, paqja qoftë mbi të. Kjo rrugë është “siratul mustekim” (rruga e drejtë), për të cilën ne e lusim Allahun në pesë faljet tona të përditshme. Kjo rrugë mund të njihet dhe të kuptohet vetëm nëpërmjet studimit të jetës së tij, studimit të mënyrës se si ai komunikonte me botën rreth tij, si hante, flinte, fliste, trajtonte fqinjët, familjen, miqtë dhe armiqtë. Jeta e tij mund të njihet vetëm nëpërmjet studimit të sires dhe shemailit (historisë dhe cilësive të tij). Pas studimit të jetës së tij, paqja qoftë mbi të, do të kuptoni se vetëm dija nuk mjafton për të fituar dashurinë e Allahut. Rruga e tij duhet vënë në praktikë, duhet bërë pjesë e çdo minute që jetoni. Por rruga e tij mund të ndiqet me sukses nëse keni dashuri për të, për atë të cilin e do vetë Allahu. Dashuria për të do t’jua mundësojë vënien në jetë të sunetit (traditës) së tij a.s. Vetëm atëherë suneti i tij do të kthehet në realitet, do të ndriçojë jetën tuaj të përditshme dhe do të zgjojë zemrën tuaj.
Duaj për të tjerët atë që do për vete
Mjetet e dashurisë për themelimin e vëllazërisë, e cila është një detyrë e domosdoshme për njeriun, janë shumë, por si më të rëndësishmet mund të numërojmë këto: sinqeriteti shpirtëror, liria e mendimit të vërtetë e të arsyeshëm, qëllimi i përbashkët në punime të mira e të ligjshme, mosmburrja në shoqëri, përulja njerëzore, moskundërshtimet e paarsyeshme, mosimponimi, të falurit e gabimeve që bëhen pa qëllim e pa dëme shoqërore, respekt i ndërsjellë vëllai ndaj vëllait, përkatësisht i vogli të nderojë të madhin e i madhi të mëshirojë të voglin, përkrahjet e ndershme, ndihmat e arsyeshme e shumë të tjera si këto që po t’i përmendësh të gjitha lista bëhet shumë e gjatë, por po i përmbledhim me fjalët e arta të Profetit a.s.: “Duaj për të tjerët atë që do për vete”.
Shokun zgjidhe më të mirë se vetja
Në të zgjedhurit e shokëve, ju duhet të jeni shumë të kujdesshëm e të matur. Mos u tërhiqni nga lakmitë ose imagjinatat që rrjedhin prej ndjenjave pjesore ose nga interesat private tuajat. Shpesh flitet se shoku është vetja juaj e dytë dhe është e vërtetë se askush nuk ka një influencë aq të madhe në formimin e jetës e të sjelljeve tuaja sa shoku dhe miku juaj i ngushtë. Shokët ju shtojnë gëzimin dhe ju zbusin dhimbjen duke marrë pjesë në hidhërimet tuaja. Shokët ju ndihmojnë për të kaluar një vështirësi me këshillat, ndihmën ose përkrahjen e tyre. Ata në një mënyrë bujare ju korrigjojnë, ju qortojnë duke ju treguar dhe të metat e dobësitë tuaja. Lumturia e vërtetë nuk gjendet në të pasurit shumë shokë, por në vlerën dhe zgjedhjen e tyre.
Drejtuar ty, o njeri
Bazuar në etikën njerëzore dhe parimet e larta morale, asnjë qytetar për asnjë lloj arsyeje nuk duhet të hedhë mbeturina përdhe. Por ka dhe disa të vërteta të tjera, përballja me të cilat ndoshta do të na bëjë më të vetëdijshëm për t’u frenuar nga fenomeni.
Sot, për shembull, bëhen shumë reklama për të përtypur çamçakëza pas ngrënies në mënyrë që të luftojmë kariesin. Por, asnjë reklamë nuk flet se ku duhet të hidhet ai pasi të përtypet. A e dini se hedhja e çamçakëzave në rrugë nga shumë të rinj, dënon me vdekje shumë shpendë, të cilëve çamçakëzi u ngjan si ushqim dhe marrin vrull për ta ngrënë. Kjo bën që t’u ngjitet sqepi e të mos kenë mundësi të hanë ushqim apo të pinë ujë.
Ndërkohë Profeti a.s. ka thënë se Ditën e Gjykimit, një zog i vrarë padrejtësisht do t’i kërkojë njeriut të drejtën e tij.
E sa të tillë mund të kemi vrarë ne, me sjelljet tona aspak njerëzore dhe aspak qytetare?!